Veliu është arrestuar në qendrën e azilit në Prishtinë, dhe është dërguar menjëherë në paraburgim. Veliu është arrestuar për llogari të drejtësisë shqiptare.

Prokuroria shqiptare ka kërkuar arrestimin e Albert Veliut 5 ditë më parë, me akuzën e kallëzimit të rremë, kryer në bashkëpunim dhe “Kalimi i Paligjshëm i Kufirit”. Ai akuzohet se bashkë me kunatin e tij, Fredi Alizoti inskenuan përgjimin Babalja 1, ku pretendohej se vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, bënte pazare droge me Albert Veliun.
Ishte akt-ekspertimi i ardhur nga Anglia, që vulosi fatin e Babales, aty qartësohej se zëri në audiopërgjim nuk ishte i Agron Xhafës. Albert Veliu, i cili u prezantua në media me emrin ‘Dëshmitari X’, u largua në Kosovë në muajin maj, ku kërkoi edhe azil. Veliu ndodhej në Kosovë bashkë me djalin e tij, ndërkohë që ka deklaruar para autoriteteve kosovare se është larguar në Kosovë pasi i rrezikohej jeta. Pas procedurave ligjore pritet që Albert Veliu të ekstradohet në Shqipëri.

Nga përgjimet e prokurorisë ku del në pah se gjithçka në adresë të Agron Xhafajt ka qenë e inskenuar nga protagonistët Albert Veliu dhe kunati i tij, Fredi Alizoti i cili ka imituar zërin e vëllait të ministrit. Sipas përgjimeve rezulton se Babales dhe Alizotit i ishin premtuar nga 100 mijë euro secili, nga deputeti me mbiemër ‘Salianji’.

Një ngjarje e rëndë ka tronditur botën e futbollit. Mesfushori me origjinë shqiptare, Labinot Harbuzi ka ndërruar jetë ditën e sotme. Lajmi është konfirmuar nga babai i Labinotit, Ismeti, i cili tregon për mediat suedeze, se rreth orës 10 të mëngjesit, 32-vjeçari u rrëzua në shtëpi, pas një goditje në zemër. Edhe pse ai u transportua me ambulancë në spital, nuk arriti të shpëtonte.

Karriera e Harbuzit ishte tepër e pasur, teksa u aktivizua me klube si Fejnord, Ekselsor, Malmo, Genclerbirlig, Manisaspor, Syrianska dhe së fundi ishte pjesë e Malaka Junajtid.


Nga Agim Vinca – Fatos Arapi është pa dyshim njëri nga poetët më të rëndësishëm bashkëkohorë shqiptarë. Bashkë me Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin e disa poetë të tjerë, ai ndikoi dukshëm që poezia shqipe të dilte nga kthetrat e skematizmit, në të cilin kishte rënë para daljes së këtij brezi në skenë. 
“Vendlindja zakonisht përcakton identitetin e poetit” – ka thënë një kritik polak në parathënien e librit me poezi të zgjedhura të Fatos Arapit të botuar në polonisht.

Fatos Arapi lindi në Vlorë, buzë detit dhe imazhin e qytetit të lindjes, Vlorës mesdhetare, por edhe historike, si dhe të detit të magjishëm, e mori me vete kudo që shkoi, deri në fund të jetës. Jo vetëm sfondi i përgjithshëm, por edhe hollësitë artistike të poezisë së tij mbështeten mbi natyrën dhe atmosferën bregdetare. Ajo ndihet kudo në vargjet e tij: në ngjyra, tinguj, ritme e aroma. Dhe bëhet metaforë e vetë jetës; sinonim i saj. 


Liria dhe atdheu, Shqipëria, tok me kyeqytetin e saj, Tiranën, janë po ashtu lajtmotive të poezisë së këtij poeti. Fatosi këndon për lirinë e vrarë dhe atdheun nën diktaturë, por edhe për Kosovën e robëruar, jo me patos retorik, por përmes imazhesh, paradoksesh e parabolash të fuqishme. 
E kam njohur si njeri qysh në vitet ’70 të shekullit të kaluar, kur pata shkuar për herë të parë në Shqipëri. M’i pat dhënë librat e tij me autograf, duke bërë edhe disa korrigjime të lehta aty-këtu. E ndieja edhe pa ma thënë se ai donte ta orientonte vëmendjen time si lexues dhe studiues kah poezitë që trajtonin motivet e jetës dhe të vdekjes, të vendlindjes dhe të fëmijërisë, të cilat ai i trajtonte nëpërmjet një ligjërimi modern poetik, e jo kah poezitë e gjata dhe poemat me thekse politike, që nuk mungojnë në poezinë e tij si pasojë e rrethanave.
Pas viteve ’90 Fatosi rilindi si poet. Tani ai botoi një varg përmbledhjesh, në të cilët e thellonte atë linjën intime dhe refleksive, karakteristike për stilin e tij, që e kishte paralajmëruar qysh në fillim të viteve ’60. Një nga obsesionet e tij në jetë dhe në poezi ishte drama e të vëllait, Vlashit, i cili, ndonëse partizan, kishte pësuar nga sistemi diktatorial. Në poezinë e tij të periudhës postsocrealiste Fatosi i lëshon thellë spirancat e meditimit poetik; ai bëhet një poet tipik i simbolikës së errët, i asociacioneve të lira dhe i shprehjes sugjestive, gjuhësisht të sinkopuar.
Sot, kur dëgjova lajmin për vdekjen e tij, të poetit që e kam njohur jo vetëm si krijues, por edhe si njeri, mund të them me krenari se kam ndikuar që ai ta merrte një nga çmimet më prestigjioze që ka marrë në jetën e tij: “Kurorën e artë” të festivalit ndërkombëtar të poezisë, “Mbrëmjet Poetike Strugane”, i cili Fatos Arapit iu dha në vitin 2008. Si anëtar i Këshillit Drejtues të këtij manifestimi letrar me renome ndërkombëtare, e pata propozuar Fatos Arapin dhe dy poetë të tjerë shqiptarë, kolegë të tij, Dritëro Agollin dhe Xhevahir Spahiun, për këtë çmim, duke e arsyetuar propozimin me shkrim; me nga një ese të shkurtër për poezinë e tyre dhe vlerat e saj.
Ndërkohë, unë dhashë dorëheqje nga organi drejtues i manifestimit në fjalë, për shkak të mospajtimit me politikën e drejtuesve të tij (statuti në të cilin nuk parashihej përdorimi i gjuhës shqipe, por edhe injorimi i poezisë shqipe), por drejtuesit e këtij festivali që erdhën paskëtaj nuk patën çare pa ia akorduar këtë çmim një poeti shqiptar. Zgjedhje e tyre ishte Fatos Arapi, poezinë e të cilit e mirëpritën edhe lexuesit dhe kritika letrare në gjuhën maqedonase, ashtu siç e kanë mirëpritur edhe kritika dhe lexuesit e vendeve të tjera, kudo që është përkthyer.

Profesor Agim Vinca, poet dhe studiues i letërsisë
Prishtinë, Tetor 2018

Nga Bardhyl Mahmuti-Me rastin e vdekjes së Alain Ducellier-së

Më 29 shtator të këtij viti vdiq historiani i shquar francez Alain Ducellier (Alen Dyselie). Studimet e tij përfshihen në mbi dyzet vepra kushtuar periudhës së Mesjetës dhe veçanërisht botës bizantine. Nga tërësia e veprës së çmuar të këtij bizantologu po shkëpus dy paragrafë që më duken tepër interesante për situatën tonë aktuale.

Në veprën e titulluar “Shqipëria midis Bizantit e Venedikut”, botuar në Londër në vitin 1989, Alain Ducellier shkruan: ““Ekziston rreziku i përdorimit të argumenteve “historike” në mbështetje të së drejtës së një populli për të sunduar territoret që i ka humbur apo ku ka mbetur pakicë… Kur shohim me çfarë këmbëngulje përdoren argumentet historike për të dëshmuar se serbët kanë një të “drejtë” mbi Kosovën, banorët më të vjetër të së cilës paskëshin qenë para se të shpronësoheshin nga shqiptarët, nuk do të ishte keq të tregohet se edhe një herë historia dhe situata aktuale përputhen (…) Të gjitha punimet më të reja nga fusha e linguistikës dhe arkeologjisë dëshmojnë se ilirët janë pa asnjë dyshim paraardhësit e drejtpërdrejtë të shqiptarëve. Secili e di se sllavët janë populli indo-evropian që më së voni kanë ardhur në Evropë, sepse vala e pushtimeve të tyre shtrihet nga shekulli i VI dhe VII të epokës sonë. Të gjitha argumentet e tipit “historik” kthehen kundër tezës serbe, sepse Historia na mëson që serbët, në raport me Kosovën, janë pushtuesit që kanë ardhur shumë vonë””.

Është në nderin e akademive të shkencave të shteteve tona që të mbajnë, së paku, një akademi përkujtimore për shkencëtarin që varrosi tezat serbe për gjoja pushtimin e Kosovës nga shqiptarët.

Prokuroria Speciale ka hapur 6 hetime të reja. Këto hetime, sipas PSP,-së bazohen në dyshime për dëmtim financiar të buxhetit të shtetit në vlerë prej rreth 80 milion eurove.

Mes të dyshuarve për dëmtim të buxhetit janë, ish ministri i financave, Zoran Stavrevski, ish ministri për transport dhe lidhje Mile Janakievski dhe drejtori i Resurseve energjetike të Maqedonisë Kërste Milladinov. Për propagandë dhe ndikim mbi publikun dyshohen nëntë persona edhe atë, Nikolla Gruevski, Kirill Bozhinovski, Aco Misajlovski, Marjan Cvetkovski dhe Zaharija Vulgarakis. Në rastin Dizajn dyshohen 4 persona zyrtar. Ish ministri i shëndetësisë Bujar Osmani dhe katër anëtarë të komisionit për furnizime publike në rastin “Pacienti” dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare në vitin 2010 dhe ndarjen e tenderit pa respektuar kriteret e tenderit për furnizime publike.

Ka vdekur sot në Tetovë, në moshën 73-vjeçare, gazetari dhe veprimtari i dalluar nga ky qytet, Muharem Idrizi, njëri nga kuadrot e hershëm të Radio Televizionit të Prishtinës, njofton Gazeta Express.

Punën e tij e nisi në arsim. Një kohë ishte drejtor i Shkollës fillore në Shipkovicë të Tetovës, më vonë, për shkak të represionit dhe përndjekjeve politike, u detyruar të largohet në Prishtinë, ku një kohë të gjatë punoi në Radiotelevizionin e Prishtinës.

Në TVP, deri në mbylljen e mediumit në vitin 1990 me masat e dhunshme nga regjimi okupator serb, punoi në Redaksinë e programit arsimor-shkollor.

Pas vitit 1990 punoi një kohë të gjatë në detyrën e redaktorit në TV Art në Tetovë, ndërsa pak kohë para pensionimit, ka punuar edhe në Komunën e Tetovës

Revista e famshme franceze, “France Football” publikoi gjatë ditës së djeshme listën me 30 futbollistët, që do të jenë kandidatët për të fituar Topin e Artë 2018, çmimin më prestigjoz individual.

Prej 10 edicionesh, ky trofe prestigjoz është fituar vetëm nga dy futbollistë, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, me nga 5 Topa të Artë secili, ndërsa këtë vit janë rritur pritshmëritë që hegjemonia e tyre të prishet.

Kjo pasi ka qenë pikërisht kroati Luka Modriç, ai që ka fituar çmimet Lojtari më i mirë i Vitit, si nga UEFA, ashtu edhe nga FIFA, ndërsa këtë herë është gjithashtu në listën e të nominuarve për të fituar edhe Topin e Artë.

Përveç Modriç, kandidatë potencialë që mund të thyejnë hegjemoninë e dyshes Messi-Ronaldo, janë edhe francezët Kylian Mbappe dhe Antoinne Griezmann, të cilët ishin protagonistë në Botërorin e fituar në Rusi dhe për më tepër, kanë një rol të rëndësishëm në skuadrat respektive.

Lista prej 30 futbollistësh të nominuar është ekskluzivitet i revistës “France Football”, ndërsa fituesi do të shpallet nga votat e një jurie ndërkombëtare, prej 173 gazetarësh (nga një për çdo shtet), të cilët e bazojnë votën e tyre në bazë të trofeve të fituar, kualitetit dhe karrierës së lojtarëve.

Çdo gazetar bën renditjen e 5 të preferuarve të tij, ku të parit i jep 6 pikë dhe të tjerëve, nga i dyti, te i pesti, u jep përkatësisht 4, 3, 2, dhe 1 pikë, ndërsa futbollisti që do të grumbullojë më shumë pikë, do të marrë edhe Topin e Artë, në një ceremoni spektakolare, që do të zhvillohet mbrëmjen e 3 Dhjetorit në kryeqytetin francez, Paris.

“Trofeu Kopa”

Këtë vit për herë të parë “France Football” do të japë edhe trofeun Kopa (në nder të ish futbollistit francez Raymond Kopa), ose ndryshe Topi i Artë për futbollistët nën 21 vjeç, çmim për të cilin janë nominuar 10 futbollistë, dhe për ta do të votojnë 33 fituesit e Topit të Artë ndër vite, që janë ende gjallë.

Nominimet për Topin e Artë:

RAGIP RAMAJ-Në Prishtinë sot ka filluar tryeza dyditore e diskutimit me temën Programi i Ndihmës për Media të Shërbimit Publik në Ballkanin Perëndimor, lidhur me financimin dhe modelet e qeverisjes dhe rregullimit të shërbimit publik transmetues të Kosovës. Në diskutimet e të pranishmëve, Transmetuesi Publik i Kosovës, RTK-ja, u trajtua në të gjitha segmentet – sfidat, sukseset, buxheti dhe e ardhmja e saj.


Në fjalën time prezantova nisiativën e mërgimtarëve për Kanalin Televiziv të Mërgatës dhe kërkova nga Komisioni për…Media sqarime se çfarë parasheh Projektligji për Transmetuesin Publik lidhur me Kanalin TV të Mërgatës.
Nait Hasani, Kryetar i Komisionit për…Media në Parlamentin e Kosovës, tha se, për shkak të kostos së madhe, ky projektligj nuk parasheh kanal të veçantë për mërgatën, por Kanali Satelitor i RTK-së do të jetë i rezervuar për transmetimet nga mërgata, qoftë edhe 24-orëshe.
Tryeza vazhdon punimet edhe nesër.

Ish ushtari i UÇK-së dhe veprimtari i shquar i çështjes kombëtare Reshat Salihaj, i cili pas luftës i është kthyer punës në Zvicër ndau me miqtë e tij të Facebookut një takim të rastësishëm por tejet interesant.

Po sjellim për lexuesin tonë postimin e tij në Facebook:

Në shtator të këtij viti Dick Marti publikoi librin e ri të titulluar “Une certaine idée de la justice- Tchétchénie – CIA – Kosovo – drogue” (Një farë ideje për drejtësinë- Çeçenia-CIA-Kosova-Droga).

Më 9 tetor 2018, në Universitetin Dufour të Gjenevës, Karla Del Ponte  mban konferencë me rastin e ndarjes së çmimit  universitar Latsis për vitin 2018 (çmim prej 100 mijë franga që ndahet në nivel nacional në Zvicër) për kontributin e saj si hetuese dhe prokurore.

Mendoj se shqiptarët i dinë kontributet e Dick Martit dhe Karla Del Pontes në njollosjen e luftës çlirimtare të Kosovës dhe qëndrimin e tyre negativ ndaj pavarësisë së vendit tonë.

Duke u kthyer në banesë pas përfundimit të punës, në stacionin e trenit në Gjeneve pashë një njeri që lexonte një libër që në bazë të ngjyrës së kopertinave më dukej si libri i Bardhyl Mahmutit. U afrova dhe u gëzova kur pashë se vërtet ishte duke lexuar “Mashtrimin e madh” të përkthyer në gjuhën angleze.

Nga kënaqësia që ndjeva i lejova vetes të drejtën ta ndërpres nga leximi. I tregova se e kam lexuar këtë libër dhe isha kureshtar ta dija se ku e kishte siguruar ekzemplarin në gjuhën angleze. Ai shprehu mirënjohje që këtë libër me vlerë ia kishte dhuruar ambasadori i Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në Gjeneve, z. Ramadan Avdiu.

Për aq sa kishte lexuar nga libri i Bardhylit, Joël M. Hakazimania, sekretar permanent i “Qendrës për hulumtime dhe iniciativa për dialog”, ishte shumë i kënaqur me punën serioze që është bërë në publikimin e këtij libri.

Sa do të doja që sot t’u dhurohej nga një ekzemplar të librit “Mashtrimi i Madh” të gjithë të pranishmëve në konferencën e Karla Del Pontes në Gjenevë. Kjo formë do t’i tregonte auditorit se lauratet që ju ndahen Dick Martit dhe Karla Del Pontes janë çmime të ndikuara nga qarqe të caktuara politike”.

Shih tekstin dhe fotot në profilin e Reshat Salihajt

https://www.facebook.com/photo.php?fbid=10217483004812215&set=a.10200360222473358&type=3&theater

Tashmë gjithçka është gati për mbrëmjen e madhe të ndarjes së çmimeve, “American Music Awards 2018”.

Ky event, do të mbahet nesër (e martë) në Teatrin “Microsoft”, në Los Angeles, të Kalifornisë, ShBA.

Mes shumë artistëve, pjesëmarrëse do të jenë edhe tri këngëtaret shqiptare me famë botërore: Rita Ora, Dua Lipa dhe Bebe Rexha.

Dua Lipa është e nominuar në një kategori, atë për çmimin “Artistja e re më e mirë e vitit”, Bebe Rexha në dy kategori: “Kënga më e mirë e zhanrit Country” dhe “Bashkëpunimi më i mirë” për këngën “Meant to be”, në bashkëpunim me Florida Georgina Line, gjersa Rita Ora këtë vit mbetet e pa nominuar në asnjë kategori.

Megjithatë, ajo nuk do t’i mungojë spektaklit, pasi do të prezantojë një nga çmimet e mbrëmjes.

Të entuziazmuara këngëtaret shqiptare, ato ndanë me fansat përmes rrjeteve sociale emocionet para eventit, duke treguar se janë gati për paraqitjet e tyre.

Dua Lipa do të performojë në skenën e AMA, këngën e saj më të re “Electricity”, e ndërsa shpreson edhe ta fitojë çmimin “Artistja e re më e mirë e vitit”.

“Dita e fundit e provave para mbrëmjes së AMAs, mos e humbisni performancën time! Ka ende kohë për të votuar për mua për çmimin ‘Artistja e re më e mirë e vitit’”, ka shkruar Dua në Instagram.

Ndërkohë, edhe Rita Ora vendosi që të publikojë në InstaStory një fotografi përmes së cilës paralajmëronte fansat, se do të kenë mundësinë ta shohin atë nesër si një nga prezantueset e një prej çmimeve në AMA.

Njëlloj do të bëjë edhe Bebe Rexha, e cila është e ftuar si prezantuese dhe për të rrëmbyer me gjasë ndonjë çmim, teksa e vetmja shqiptare që do të perfomrojë mbetet Dua Lipa.

Përderisa të treja këngëtaret shqiptare do t’i bashkojë nesër (e martë) një spektakël i vetëm, ende mbetet në pikëpyetje nëse ato do të takohen me njëra-tjetrën?

Bebe Rexha ka një raport shumë të mira me të dyja, dhe me siguri se nuk do të refuzojë një përshëndetje me to, e që krejt e kundërta në fakt ndodh mes Duas dhe Ritës, të cilat ndonëse shumë të ngjashme në karrierë, nuk kanë mundur ende të krijojnë një raport para publikut, qoftë as për “sy e faqe”.