Në kuadër të fushatës zgjedhore, kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski u ka bërë thirrje krerëve të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski dhe BDI-së, Ali Ahmeti të ndalojnë me përplasjet të cilat mund të nxisin tensione ndëretnike.

“Shfrytëzoj rastin që t’i porosis, Ahmetin, Mickoskin dhe Davkovën, qytetarët janë të vetëdijshëm për vlerën e paqes dhe stabilitetit që e ndërton LSDM. Qytetarët e dinë se të gjithëve na duhen ardhmëri evropiane dhe jo kthim 20 vite në të kaluarën e varrosur. Ndaloni me përplasjet, ndaloni me bërtitjet dhe kërcënimet. Ato askujt nuk i sjellin të mirë, kemi obligim moral ndaj jush, ndaj vetes, ndaj fëmijëve tanë dhe gjeneratave të ardhshme”, tha Dimitar Kovaçevski, LSDM.

Në ndërkohë, aktivitetin zgjedhor, VMRO-DPMNE-ja e ka vazhduar në Komunën e Petrovecit, ku për banorët e këtij rajonit kanë premtuar projekte në vlerë prej 5 milionë euro.

“Ashtu siç Komuna e Petrovecit është shembull për bashkëjetesë dhe ndërtim, ashtu planifikojmë ta udhëheqim edhe qeverinë e ardhshme të Republikës së Maqedonisë. Qeveria e Republikës së Maqedonisë, me platformën 1198 do të investojë në Petrovec 5 milionë euro të reja, për urë në Konjaren e Mesme. Do ta ndërtojmë rrugën, gjegjësisht do ta rikonstruojmë rrugën prej hyrjes në Petrovec deri në dalje të Rzhaniçino dhe gjithsesi do ta mbarojnë çerdhen e re për fëmijë. Të nderuar qytetarë, shumë është e rëndësishme që më 8 maj të dilet për të votuar”, tha Dragan Kovaçki, VMRO-DPMNE.

Talat Xhaferi nga Fronti Europian, theksoi se kryeministri i ardhshëm i cili do të jetë për të gjithë, do t’i respektojë të gjitha normat demokratike.

“Shqiptarët janë të gatshëm për një kryeministër për të gjithë. Një kryeministër i cili do të praktikojë qeverisje të mirë, që karakterizohet me transparencë, pjesëmarrje, efikasitet përgjegjshmëri, llogaridhënie, barazi, konsensus dhe kohezion. Do të kujdeset për sundimin e ligjit dhe të së drejtës. Do të luftojë, kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

Gjatë aktivitetit parazgjedhor, Izet Mexhiti tha se qeveria e ardhshme në të cilën do të jetë VLEN, do të jetë punojë për integrimin e vendit në BE.

“Nëse e kemi historinë e kësaj qeverie, nuk e kanë hequr prej goje në vazhdimësi se do të ketë ndryshime kushtetuese. Në vazhdimësi flitnin për 80 deputetë, por vazhdimisht vraponin për 61 për shkak që më mirë të shkojnë me aferat korruptive. Pra, nuk e kishin mendjen aty. Qeveria e ardhshme do të jetë e orientuar drejt integrimeve evropiane, drejt ndryshimeve kushtetuese, shtetin ligjor, luftën kundër korrupsionit, pra këto do të jenë shtyllat”, tha Izet Mexhiti, VLEN.

Nga partia e Majta, kanë paralajmëruar masat e tyre për mbrojtjen e punëtorëve dhe shkurtimin e orarit të punës.

“Në lidhje me punëtorët, ne propozojmë si e para, orar pune prej gjashtë orëve. Kjo nuk është kurrfarë iluzioni, në perëndim vetëm se është. Produktiviteti është shumë më i madh me orar prej gjashtë orës. Më pas, mbrojtje më të madhe për punëtorët, kohë më të gjatë të pushimit të lindjes për punëtoret, greva të nxirret nga këto kufizimet administrative dhe punëtorët të kenë këshillat e tyre në fabrika. Për bujqit, më e rëndësishmja është që të keni qendra shtetërore të blerjes”, tha Borisllav Krmov, E Majta.

Fushata për zgjedhjet parlamentare përfundon të hënën më 6 maj./Alsat.mk

Jo rrallë ndodh që të rindizen vatrat e konflikteve në Ballkan. Tani shkas po bëhet një rezolutë e planifikuar në OKB për gjenocidin në Srebrenicë. Politikanët serbë shohin aty një damkosje kolektive të popullit serb.

Simbolika ishte kërcënuese: Milorad Dodik, lideri i serbëve boshnjakë dhe president i Republikës Srpska, pjesës së dominuar nga serbët në Bosnje-Hercegovinë bëri të ditur në prani të përfaqësuesve nga qeveria e Beogradit, se ai “nuk sheh ndonjë kuptim të mbetet në Bosnje”. Dodik më tej: “Ne do të vazhdojmë më tej të pavarur”. E si gjithmonë ai ripërsëriti, se nuk ka pasur gjenocid në Srebrenicë.

Por tani Ruanda dhe Gjermania kanë sjellë në Kombet e Bashkuara një rezolutë, mbi bazën e së cilës Asambleja e Përgjithshme e OKB do ta deklarojë 11 korrikun, si ditën e përkujtimit ndërkombëtar të gjenocidit në Srebrenicë. Përfaqëues nga Serbia dhe Republika Srpska janë ngritur ashpër kundër rezolutës, që ata e shohin si damkosje kolektive të popullit serb.

Irrituese janë po ashtu spekulimet verbale të Milorad Dodik, se si duhet të veprojë me 150.000 të kthyerit boshnjakë, pra ata myslimanë boshnjakë që u dëbuan gjatë luftës në vitet 1992-1995 dhe pas luftës u rikthyen. Pasi ai deklaroi, se boshnjakët që janë më shumë se 50% e territorit në Bosnje-Hercegovinë duhet të jetojnë në 25% të territorit, ai paralajmëroi, se në rast të pranimit të rezolutës, opcioni i vetëm është ndarja paqësore nga Bosnje-Hercegovina. “Njerëzit në Republikën Srpska janë të zemëruar dhe nuk do të pranojnë të jetojnë me myslimanët boshnjakë.”

Mohimi i gjenocidit në repertorin e deklaratave të Dodikut

Deklarata e 25%-it e Dodikut të kujton në mënyrë shumë të qartë retorikën që u parapriu spastrimeve etnike në Bosnje-Hercegovinë. Krimet sistematike të planifikuara kishin si qëllim të eliminonin në pjesë të mëdha të Bosnje-Hercegovinës gjithçka jo serbe. Këto krime u dokumentuan nga Tribunali i Hagës, Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte dhe në rastin e Srebrenicës u cilësuan si gjenocid. Megjithëse ligji boshnjak e parasheh dënimin në rast të mohimit të gjenocidit, Dodik pikërisht këtë mohim e ka futur në repertorin e zakonshëm të deklaratave të tij. Në një tubim masiv së fundmi në mes të prillit në Banja Luka, në prani të mijëra serbëve dhe kryetares së parlamentit serb, Ana Brnabiq, ai përsëriti sërish mohimin e gjenocidit në Srebrenicë. Fjalimin e tij ai e mbylli me fjalët. “Rroftë Rusia.”

Pak më vonë Dodik udhëtoi në Rusi me mikun e partisë së tij, Nenad Neshiq, ministër Sigurie në Bosnje-Hercegovinë. Ndër të tjera, Dodik u takua edhe me sekretarin e Këshillit të Sigurisë në Rusi, Nikolai Patrushev. Dodik dhe Neshiq postuan një foto nga avioni i tyre, ku tregojnë përshëndetjen me tre gishta, simbol i etno-nacionalizmit serb. Në televizionin serb, Neshiq tha së fundmi, “Vendi im është Serbia. Vendi im është Republika Srpska. Pikë.”

Ajo që të bie në sy është se megjithë shkeljet e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit në vitin 1995, roja i kësaj marrëveshjeje, Përfaqësuesi i Lartë për Bosnje-Hercegovinën, Christian Schmidt hesht. Në vjeshtën e vitit 2023, Schmidt e kërcënoi Dodik me “pasoja serioze”, nëse ai vazhdon të shkallëzojë gjendjen. E megjithëse Dodik vazhdon me përpjekjet separatiste, Schmidt vazhdon të heshtë.

Duhen përgatitje për skenarin më të keq

Trupat e EUFOR-it të vendosura nga BE e që sigurojnë Marrëveshjen e Dejtonit, do duhet të shtojnë patrullimet në zonat e të kthyerve, gjë që kërkon edhe rritjen e numrit të tyre. 150.000 viktimat potenciale, të cilat ish-Përfaqësuesi i Lartë për Bosnje-Hercegovinën, Lordi Paddy Ashdown që ka ndërruar jetë, i quajti “më të shkretët e të shkretëve”, u është dashur të kalojnë njëherë nëpër ferr. Kërcënimi nga Dodi dhe ritraumatizimi është iminent. Perëndimi duhet të veprojë në mënyrë preventive, për shembull përmes zonave të mbrojtura të siguruara ushtarakisht, aksione të mundshme evakuiimi dhe zona të ndaluara fluturimi.

Kjo ndoshta tingëllon joreale, por të mbijetuarit e masakrave serbe në pranverën e vitit 1992 jetojnë në një klimë të frikës. Kjo mbetet reale, për sa kohë që shoqatat e çetnikëve serbë çdo vit e kujtojnë me festime masakrën e tyre në Vishegrad dhe mbeten të pandëshkuar, për sa kohë që bandat nacionaliste të çiklistëve “Ujqit e natës” kalojnë nëpër Republikën Srpska dhe presidenti i RS mohon gjenocidin.

Potencial për shkallëzim

Për kryekomandantin e trupave të NATO-s për Europën (SACEUR), gjeneralin Christopher Cavoli, gjendja është serioze. Para kongresit amerikan më 17 prill ai tha: “Situata në Ballkanin Perëndimor është ashpërsuar. Tensionet etnike në Bosnje e kanë potencialin të shkallëzohen. Republika Srpska, sipas Cavoli, përpiqet të “dobësojë autoritetin shtetëror” dhe marrëdhënien me BE dhe NATO-n dhe njëkohësisht të mbajë lidhje të forta me Rusinë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha, se është “thellësisht i shqetësuar” për vazhdimin e “politikës secesioniste” në Bosnje-Hercegovinë.

Politikania serbe, Ana Brnabic i quajti deklaratat e Cavolit “një mesazh shqetësues” dhe kërcënoi, se “do të krijohej një rast precedent, nëse ata kalojnë rezolutën e Srebrenicës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ata do të hapin kutinë e Pandorës. T’i ruajë zoti pastaj me atë që do të shkaktojnë pas kësaj.”

Tani perëndimi i lirë duhet të marrë masa për të shpëtuar një nga projektet më të suksesshme të paqes që nga Plani Marshall. NATO tregoi në mënyrë impresionuese në Kosovë në shtatorin e vitit 2023, se brenda pak ditësh mund të shuajë një konflikt që rindizet. Perëndimi duhet të veprojë kështu në mënyrë preventive për të shpëtuar Bosnje-Hercegovinën.

DW

Nga Shaban Murati– ka informacion nëse është ngutur ndonjë qeveri ballkanike t’i dërgojnë urime kryeministrit të ri serb Vuçeviç, qeveria e të cilit u miratua në 2 maj 2024 nga parlamenti i ri serb. Në fakt një gjest i tillë i nxituar diplomatik do të vlerësohej dhe përshëndetej shumë në Kremlin, sepse qeveria re serbe e Vuçeviçit ka dy zëvendëskryeministra rusë, Aleksandër Vulin dhe Ivica Daçiç. Ka një konsensus diplomatik ndërkombëtar se të dy zëvendëskryeministrat e mësipërm janë mercenarë nga më të besuarit rusë të Kremlinit në Serbi.

Zëvendëskryeministri Vulin është dekoruar tri herë nga Kremlini me dekoratat më të larta shtetërore për shërbime të posaçme ndaj mëmës Rusi. Atë e kanë dekoruar personalisht me dekorata të veçanta presidenti i Rusisë Putin, drejtori i Shërbimit Sekret Rus, FSB, dhe ministri rus i mbrojtjes. Nuk ka një shtetas rus, që t’i ketë marrë këto tre dekorata të larta në karrierën e tij zyrtare. Zëvendëskryeministri Daçiç është dekoruar me urdhërin më të lartë rus personalisht nga presidenti i Rusisë Putin për shërbime të posaçme ndaj Rusisë. Dekoratën më të lartë shtetërore ruse ka marrë nga preidenti rus Putin edhe ministri i qeverisë së re serbe Nenad Popoviç.

Kemi pra një qeveri të re serbo-ruse në Beograd, që sipas rrenave diplomatike të presidentit Vuçiç, e ka prioriritet integrimin europian të Serbisë në BE, megjithëse realisht e ka integuar Serbinë me Rusinë dhe me Kinën dhe madje po kërkon publikisht të fusë Serbinë në BRIKS, aleanca e krijuar sëbashku  nga Rusia dhe Kina. Nuk është rastësi që kryemercenari rus në Serbi, presidenti Vuçiç, e caktoi qeverinë e re me dy zëvendëskryeministra rusë. Presidenti serb Vuçiç është dekoruar në vitin  2019 nga presidenti rus Vladimir Putin me urdhërin e lartë “Aleksandër Nevski”, të cilin e kanë marrë vetëm pesë presidentë të pesë shteteve satelite të Moskës, që kanë dalë nga ish-Bashkimi Sovjetik. Për shërbimet e posaçme ndaj Rusisë Kremlini e ka vlerësuar lart pesidentin Vuçiç, njësoj sikur Serbia të jetë si pesë shtetet e tjera anëtare e organizatës ruse të “Unionit të Shteteve të Pavarura” të krijuar nga Kremlini me shtetet ish-republika sovjetike.

Presidenti Vuçiç po ia kalon çdo ditë miun serb nën mustaqet e diplomacisë perëndimore dhe e pa se ajo nuk po don të zgjohet nga gjumi i iluzioneve ndaj udhëheqjes aktuale të Serbisë. Ndaj Vuçiç jo vetëm vuri tre rusë të rëndësishëm për Kremlinin në qeverinë e re serbe, por ia përplasi në fytyrë sfidën Perëndimit, duke caktuar qëllimisht si anëtarë kabineti Aleksandër Vulin dhe Nenad Popoviç, të cilët janë sanksionuar non grata nga SHBA pikërisht për shkak të shërbimeve të tyre për Rusinë në Ballkan. Ironia është se presidenti  Vuçiç në muajin nëntor të vitit të kaluar e hoqi Vulinin nga posti i shefit të shërbimit sekret serb dhe në gjitha korridoret diplomatike perëndimore e trumbetoi dhe e shiti sikur po plotësonte një dëshirë të amerikanëve, të cilët nuk e donin Vulinin, që i shërbente interesave ruse në Serbi dhe në Ballkan. Pa mbushur gjashtë muaj nga e ashtuquajtura heqje e tij Vuçiç e emëron Vulinin tani në postin e lartë të zëvendëskryeministrit të qeverisë së re serbe.

Në vazhdën e talljes së tij shumëvjeçare diplomatike me Perëndimin Vuçiç i thotë SHBA dhe BE se ai po i vë mercenarët ruse në qeveri “për ta larguar Serbinë nga Rusia”. Një përrallë kjo, që kanë qejf ta dëgjojnë diplomatët e sklerozuar perëndimorë në Beograd.

Vuçiç luan melodinë naive europiane se Serbia ka prioritet integrimin europian. Presidenti serb, që caktoi dhe drejton qeverinë e re serbe me tre ministra të rëndësishëm rusë, ka të drejtën e plotë të tallet me BE dhe me diplomacinë perëndimore, që rrejnë vetveten dhe publikun e tyre me çfaqjen prestigjiative që “Serbia po ikën nga Rusia”. Natyrisht diplomacia perëndimore, njësoj si në përrallën e mbretit lakuriq të Andersenit, ka të drejtën të besojë se qeveria e re serbë me dy zëvendëskryeministra dhe një ministër rusë dhe me në president ultra filorus, do largohet më shpejt nga Rusia, sepse kështu duan të gënjejnë veten disa diplomatë europianë të BE ose të departamentit amerikan të shtetit. Sepse nuk mund të besojnë veshët idiotizma diplomatike të tilla kur një diplomat i lartë perëndimor deklaron edhe pas atentatit terrorist shtetëror të Serbisë në Banjskë të Kosovës se Serbia e don Amerikën më shumë se sa e don Kosova.

A është kjo miopi i diplomacisë perëndimore? Jo, është alibia e ndërgjegjëshme, që i jepet Rusisë për ta pasur nën influencën e saj Serbinë, “botën serbe” dhe “Ballkanin e hapur”. Mos harroni! Disa pazare të mëdha të diplomacisë së fshehtë të fuqive të mëdha bëhen edhe pa spektakle të vjetër gjeopolitikë si ai i Jaltës.

Marë nga DITA

https://gazetadita.al/analiza-e-shaban-muratit-ne-dita-qeveria-e-re-serbe-me-dy-zevendeskryeministra-ruse

Glauk Konjufca, kryetari i Parlamentit të Kosovës, nëpërmjet rrjeteve sociale shprehu zhgënjimin e tij ndaj deklaratave të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borell, i cili uroi qeverinë e re të Serbisë, në kabinetin e të cilës ka dy ministra të sanksionuar për korrupsion.

“Me keqardhje dëgjohet se BE-ja po pret me padurim të punojë me qeverinë serbe, duke përfshirë zëvendëskryeministrin Aleksandër Vulin, i cili është nën sanksionet e SHBA-së për lidhjet e tij të ngushta me Rusinë, ndërsa ata ende nuk janë të gatshëm të heqin masat e padrejta kundër Kosovës”, ka shkruar kryeparlamentari në platformën “X”.

Një ditë më parë, Josep Borrell, në të njëjtin rrjet social, shkruante: “Urime kryeministrit të ri të Serbisë, Millosh Vuçeviç. Mezi pres të punoj me ju, ministrin e Jashtëm Marko Gjuriç dhe Qeverinë serbe, për ta çuar Serbinë përpara në rrugën e saj drejt BE-së”.

Real Madridi zyrtarisht është kampion i ri i La Ligas.

“Los Blancos” shënuan fitore 3:0 ndaj Cadizit më herët sot, kurse humbja 4:2 e Barcelonës nga Girona ka bërë që matematikisht madrilenët të fitojnë titullin e kampionit.

Katalonasit nuk arritën ta shtynin festën e Real Madridit edhe pse dy herë ishin në epërsi ndaj Gironas, shkruan Gazeta Express.

E kampioni në fuqi deri sot, Barcelona ka rënë në pozitën e tretë.

Ky është titulli i 36-të i kampionit për Real Madridin që prin me më së shumti trofe të fituar.

Pas tyre është Barcelona me 27 sosh, e ndjekur nga Atletico Madridi me 11.

Në pesë vitet e fundit, Real Madridi e ka fituar tri herë titullin e kampionit.

Protestuesit në Tel Aviv brohoritën “lufta nuk është e shenjtë, jeta është”, me disa që akuzuan kryeministrin Benjamin Netanyahu se synon të zgjasë konfliktin.Kjo erdhi pasi një delegacion i Hamasit u takua me ndërmjetësit në Egjipt të shtunën.

Grupi tha se nuk kishte zhvillime të reja, por shtoi se “një raund i ri do të fillojë” të dielën.

Negociatorët kanë rifilluar negociatat e gjata në Kajro – të ndërmjetësuara nga Egjipti dhe Katari – për ndalimin e ofensivës së Izraelit në Gaza në këmbim të lirimit të pengjeve.

Problemi kryesor duket se është nëse marrëveshja do të jetë e përkohshme apo e përhershme.

Mendohet se formulimi që po diskutohet përfshin një pauzë 40-ditore në luftime ndërsa pengjet lirohen dhe lirimin e një numri të burgosurish palestinezë që mbahen në burgjet izraelite.

Një këshilltar i udhëheqësit të Hamasit, Ismail Haniyeh, tha se grupi po e shikonte propozimin e fundit me “seriozitet të plotë”.

Por ai përsëriti një kërkesë që çdo marrëveshje duhet të përfshijë në mënyrë eksplicite një tërheqje izraelite nga Gaza dhe përfundimin e plotë të luftës, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Robin Krasniqi ka shënuar fitore në meçin kryesor të mbrëmjes në Augsburg të Gjermanisë.Boksieri nga Juniku triumfoi me vendim unanim të gjyqtarëve ndaj boksierit portugez, Jorge Silva.

Krasniqi dominoi tërë meçin, duke mos e vënë në dyshim asnjëherë fitoren, shkruan Gazeta Express.

Për Krasniqin, kjo ishte lufta e parë për këtë vit.

Haxhi Krasniqi nga 61 meçe tani i ka 54 fitore, ku 20 me nokaut dhe shtatë humbje.Ndërsa kundërshtari i tij, Silva ka 22 fitore, 12 me nokaut, krahas 10 humbjeve, katër prej tyre me nokaut.

Policia Rajonale e Ferizajt ka ndaluar sot katër persona në Ferizaj, tre të kërkuar për rastin “Vrasje e mbetur në tentativë dhe pjesëmarrje në rrahje” dhe një person i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar.

Rasti kishte ndodhur me datën 17.10.2023 në një lokal në qendrën “The Village Shopping & Fun” ku kishte pasë të shtëna me armë të zjarrit.

Policia thotë se kishte pasë një zënke një person me armë të zjarrit (pistoletë) kishte shtënë në drejtim të një personi tjetër, ndërsa ishin përfshirë edhe në rrahje dhe tre të dyshuarit ishin larguar në drejtim të panjohur.

Që nga atëherë policia kishte nisur kërkimin e personave të dyshuar.

Ndërkaq, me datën 03.05.2024 rreth orës 23:43 ekipe të policisë së Njësisë së Reagimit të Shpejtë (NJRSH) dhe të Njësisë së Narkotikëve në rrugën ” Astrit Bytyqi” në Ferizaj kanë ndaluar një veturë Audi me targa të Maqedonisë së Veriut.

“Gjatë legjitimit të personave dhe kontrollimit të veturës janë gjetur tri armë zjarri ( pistoleta) dhe sasi e municionit. Ndërsa katër persona janë shoqëruar në stacionin e policisë, konkretisht në Sektorin Rajonal të Hetimeve me dyshimin si persona të kërkuar, të përfshirë në raste kriminale, ndërsa tre nga ta kanë prezantuar dokumente identifikimi të rrejshme”, njofton policia.

Gjatë verifikimit të personave ka rezultuar se tre personat ishin të dyshuar dhe të kërkuar për rastin në Ferizaj të datës 17.10.2023:

– A.K , mashkull, shtetas i Maqedonisë së Veriut,  i moshës 45 vjeçar, i dyshuar për ” Vrasje e mbetur në tentativë dhe pjesëmarrje në rrahje

– S.R , mashkull, shtetas i Maqedonisë së Veriut, i moshës 40 vjeçar, i dyshuar për pjesëmarrje në rrahje

– F.T, mashkull, shtetas i Maqedonisë së Veriut, i moshës 40 vjeçar, i dyshuar për pjesëmarrje në rrahje.

Ndërsa,  personi B.K, mashkull, shtetas i Maqedonisë së Veriut, i moshës 42 vjeçar, ka rezultuar i kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar, i lëshuar nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut.

Të dyshuarit pas intervistimit nga hetuesit rajonalë me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura tjera hetimore  dhe procedura tjera për ekstradimin e personit të kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar

Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) nisi sulme me dronë kundër dy rafinerive të naftës dhe një aeroporti ushtarak në rajonin Krasnodar të Rusisë gjatë natës së 27 prillit, ka thënë një burim në forcat e sigurisë dhe mbrojtjes për Kiev Independent.

Në javët e fundit, forcat ukrainase kanë nisur një seri sulmesh me dron që synojnë të dëmtojnë industrinë e naftës të Rusisë, e cila është thelbësore për të mbështetur përpjekjet luftarake të Moskës.

Dhe në një nga sulmet e fundit, SBU goditi dy depo nafte në rajonin Smolensk të Rusisë më 24 prill, duke shkatërruar 26,000 metra kub karburant.

Siç thuhet më tej, përcjell Telegrafi, dronët goditën “objektet kyçe teknologjike” në rafineritë e naftës Ilsky dhe Slavyansk gjatë natës më 27 prill, duke shkaktuar zjarre dhe evakuim të personelit.

SBU dhe Forcat e Mbrojtjes së Ukrainës goditën gjithashtu bazën ajrore ushtarake Kushchyovskaya, “ku ishin vendosur dhjetëra aeroplanë ushtarakë, radarë dhe pajisje elektronike të luftës”, sipas burimit.

Ndërkohë imazhet e reja satelitore duket se tregojnë dëme në bazën ajrore ushtarake ruse Kushchyovskaya në rajonin e Krasnodarit.

Sipas Sky News, Planet Labs shpërndau imazhe duke krahasuar se si dukej baza më 19 mars në krahasim me sot. /Telegrafi/

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë blerë 81 aeroplanë luftarakë të epokës sovjetike nga Kazakistani, thotë një raport nga Kyiv Post.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Kazakistani, i cili po përmirëson flotën e tij ajrore, nxori në ankand 117 aeroplanë luftarakë dhe bombardues të epokës sovjetike, duke përfshirë interceptorët MiG-31, bombarduesit luftarakë MiG-27, MiG-29 dhe bombarduesit Su-24 të viteve 1970 dhe 1980.

Kyiv Post raportoi se vlera e deklaruar e shitjes ishte në vlerë rreth 2.26 milionë dollarë, e barabartë me një vlerë mesatare për çdo aeroplan prej 19,300 dollarë.

Gazeta citoi raporte nga një kanal ukrainas në dhe faqja ruse e lajmeve Reporter duke thënë se SHBA-ja bleu 81 aeroplanë luftarakë të vjetëruar dhe të papërdorshëm.

Kyiv Post raportoi se motivi pas blerjes nga SHBA mbeti i pazbuluar, por se aeroplanë të tillë mund të përdoren në Ukrainë, ku avionë të ngjashëm janë në shërbim.

Faqja ruse Reporter tha se shitja është bërë përmes “kompanive offshore”.

Ndërkohë, duke pasur parasysh mbështetjen e vazhdueshme të Ukrainës në armët e epokës sovjetike, aeroplani mund të shërbejë ose si burim i pjesëve rezervë ose të vendoset strategjikisht si karrem në fusha ajrore, raportoi Kyiv Post.

azakistani, dikur pjesë e Bashkimit Sovjetik, ka mbajtur lidhje të ngushta me Rusinë dhe historikisht ishte një nga aleatët e tij më të fortë.

Por marrëdhënia ka ndryshuar që kur Rusia pushtoi Ukrainën, me Kazakistanin që u rreshtua më shumë me Perëndimin, duke tërhequr zemërimin e disave në Rusi.

Kyiv Post raportoi se përpjekjet e vendit të Azisë Qendrore për të përmirësuar aftësitë e tij ushtarake dukej se përkonin me angazhimin e tij në rritje me vendet perëndimore, duke sinjalizuar një largim nga lidhjet historike me Moskën.

Antony Blinken, sekretari amerikan i shtetit, vizitoi Kazakistanin në shkurt të vitit 2023, ku tha se SHBA mbështet fuqimisht “pavarësinë e saj, integritetin e saj territorial”, sipas Agence France-Presse.

Disa nga propagandistët e hapur të Rusisë kanë sugjeruar që Rusia “duhet të shikojë nga Kazakistani” pas pushtimit të Ukrainës.

Një komentator i televizionit rus, Vladimir Solovyov, tha se vendi i tij “duhet t’i kushtojë vëmendje faktit se Kazakistani është problemi tjetër, sepse të njëjtat procese naziste mund të fillojnë atje si në Ukrainë”. /Telegrafi/