Në kuadër të fushatës zgjedhore, kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski u ka bërë thirrje krerëve të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski dhe BDI-së, Ali Ahmeti të ndalojnë me përplasjet të cilat mund të nxisin tensione ndëretnike.

“Shfrytëzoj rastin që t’i porosis, Ahmetin, Mickoskin dhe Davkovën, qytetarët janë të vetëdijshëm për vlerën e paqes dhe stabilitetit që e ndërton LSDM. Qytetarët e dinë se të gjithëve na duhen ardhmëri evropiane dhe jo kthim 20 vite në të kaluarën e varrosur. Ndaloni me përplasjet, ndaloni me bërtitjet dhe kërcënimet. Ato askujt nuk i sjellin të mirë, kemi obligim moral ndaj jush, ndaj vetes, ndaj fëmijëve tanë dhe gjeneratave të ardhshme”, tha Dimitar Kovaçevski, LSDM.

Në ndërkohë, aktivitetin zgjedhor, VMRO-DPMNE-ja e ka vazhduar në Komunën e Petrovecit, ku për banorët e këtij rajonit kanë premtuar projekte në vlerë prej 5 milionë euro.

“Ashtu siç Komuna e Petrovecit është shembull për bashkëjetesë dhe ndërtim, ashtu planifikojmë ta udhëheqim edhe qeverinë e ardhshme të Republikës së Maqedonisë. Qeveria e Republikës së Maqedonisë, me platformën 1198 do të investojë në Petrovec 5 milionë euro të reja, për urë në Konjaren e Mesme. Do ta ndërtojmë rrugën, gjegjësisht do ta rikonstruojmë rrugën prej hyrjes në Petrovec deri në dalje të Rzhaniçino dhe gjithsesi do ta mbarojnë çerdhen e re për fëmijë. Të nderuar qytetarë, shumë është e rëndësishme që më 8 maj të dilet për të votuar”, tha Dragan Kovaçki, VMRO-DPMNE.

Talat Xhaferi nga Fronti Europian, theksoi se kryeministri i ardhshëm i cili do të jetë për të gjithë, do t’i respektojë të gjitha normat demokratike.

“Shqiptarët janë të gatshëm për një kryeministër për të gjithë. Një kryeministër i cili do të praktikojë qeverisje të mirë, që karakterizohet me transparencë, pjesëmarrje, efikasitet përgjegjshmëri, llogaridhënie, barazi, konsensus dhe kohezion. Do të kujdeset për sundimin e ligjit dhe të së drejtës. Do të luftojë, kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

Gjatë aktivitetit parazgjedhor, Izet Mexhiti tha se qeveria e ardhshme në të cilën do të jetë VLEN, do të jetë punojë për integrimin e vendit në BE.

“Nëse e kemi historinë e kësaj qeverie, nuk e kanë hequr prej goje në vazhdimësi se do të ketë ndryshime kushtetuese. Në vazhdimësi flitnin për 80 deputetë, por vazhdimisht vraponin për 61 për shkak që më mirë të shkojnë me aferat korruptive. Pra, nuk e kishin mendjen aty. Qeveria e ardhshme do të jetë e orientuar drejt integrimeve evropiane, drejt ndryshimeve kushtetuese, shtetin ligjor, luftën kundër korrupsionit, pra këto do të jenë shtyllat”, tha Izet Mexhiti, VLEN.

Nga partia e Majta, kanë paralajmëruar masat e tyre për mbrojtjen e punëtorëve dhe shkurtimin e orarit të punës.

“Në lidhje me punëtorët, ne propozojmë si e para, orar pune prej gjashtë orëve. Kjo nuk është kurrfarë iluzioni, në perëndim vetëm se është. Produktiviteti është shumë më i madh me orar prej gjashtë orës. Më pas, mbrojtje më të madhe për punëtorët, kohë më të gjatë të pushimit të lindjes për punëtoret, greva të nxirret nga këto kufizimet administrative dhe punëtorët të kenë këshillat e tyre në fabrika. Për bujqit, më e rëndësishmja është që të keni qendra shtetërore të blerjes”, tha Borisllav Krmov, E Majta.

Fushata për zgjedhjet parlamentare përfundon të hënën më 6 maj./Alsat.mk

Shpërndaje artikullin në: