Mosab Hassan Youssef: “Nuk dua myslimanë në Amerikë”

4 shtator 2026 | Zëri News

Mosab Hassan Youssef, djali i Sheikh Hassan Youssef, një prej figurave themeluese të Hamasit, ka shkaktuar reagime dhe polemika pas deklaratave të ashpra kundër myslimanëve gjatë një aktiviteti në Los Angeles.

Youssef, i cili njihet gjithashtu si ish-bashkëpunëtor i shërbimit izraelit të sigurisë Shin Bet, deklaroi gjatë fjalimit se nuk dëshiron myslimanë në Shtetet e Bashkuara dhe u bëri thirrje atyre të largohen nga vendi.

“Nuk dua myslimanë në Amerikë”, deklaroi Youssef, duke përdorur më pas edhe gjuhë fyese ndaj myslimanëve dhe vendeve prej nga ata vijnë.

Ai bëri gjithashtu deklarata të forta kundër Kuranit dhe besimit islam, të cilat shkaktuan polemika për shkak të karakterit të tyre të hapur anti-mysliman.

KUSH ËSHTË MOSAB HASSAN YOUSSEF?

Mosab Hassan Youssef është djali i madh i Sheikh Hassan Youssef, një prej themeluesve të Hamasit. Ai u rrit në Bregun Perëndimor, por më vonë bashkëpunoi për vite me shërbimin izraelit të sigurisë Shin Bet.

Historia e tij u bë e njohur ndërkombëtarisht edhe përmes dokumentarit “The Green Prince”, i publikuar në vitin 2014.

Youssef më vonë u largua drejt Shteteve të Bashkuara dhe u konvertua në krishterim. Sot ai njihet si një prej kritikëve më të ashpër të Hamasit dhe Islamit dhe merr pjesë rregullisht në debate e aktivitete politike në SHBA dhe Izrael.

ZëriNews #MosabHassanYoussef #SHBA #Hamas #Islam #Myslimanët #LosAngeles #Bota

Shpërndaje artikullin në: