Respekt për luftëtarët dhe ish të burgosurit
Kur një popull i shëndoshë dhe i fortë, sikurse jemi ne shqiptarët, ka pasur mundësi të mbijetojë disa mijëvjeçarë pa mbret, shtet dhe institucione, atëherë me të vërtetë duhet të jemi krenarë. Ne shqiptarët kemi kontinuitet në ekzistimin tonë që nga Ilirët deri në ditët e sotme. Ne sot kemi dy shtete dhe jemi në rrugë të mbare për bashkim kombëtar. Ku janë Fenikasit e lashtë, të cilët ishin bashkëkohanikë të Ilirëve. Fenikasit ishin detarë dhe ndërtuesit me të famshëm të anijeve në botën antike. Ato sot nuk kanë shtetin e vet, por janë të derdhur në të katër anët e botës. Ku janë Sumerët, krijuesit e alfabetit të parë në botë – Alfabetit Kujor. Ku janë Babilonasit, ndërtuesit e Kullave të famshme dhe Kopshteve të Semiramidës. Ku është shteti i pasardhësve të Faraonëve të Egjiptit të lashtë. Ku është shteti i Inkëve, Majave, Asketëve, Mbretëria e Partës, Angkori, Mbretëria e Ajantës, Mbretëria e Teotihuakanëve dhe qindra mbretëri të tjera. Të gjitha këto mbretëri dhe popuj u fshinë nga faqja e dheut, edhe pse ngelën tempujt, faltoret dhe shenjtorët e tyre, që flasin për mbretëritë dhe perandoritë që bënin ligjin.
Në trojet shqiptare shkelën shumë kolonizatorë, të cilët qëndruan nga disa shekuj, siç janë: Romakët, Bizanti, Gotët, Vizigotët, Hunët, Avarët, Romanët, Ushtritë e kryqëzatave, Osmanlinjtë dhe Selxhukët dhe së fundi Sllavët. Ne kemi marrë shumë barbarizma nga këto kolonizatorë dhe hordhi të ndryshme. Është rrudhur jashtë mase edhe territori që nga Amantët e Istrës, Breukët të Panonisë deri te Epirotët. Edhepse shumë të rrudhur, falë maleve tona madhështore dhe rezistencës në vazhdimësi, e kemi ruajtur indin kombëtar. Sipas Institutit Antropologjik Zviceran, ne shqiptarët, në një shkallë të lartë i kemi ruajtur më së miri karakteristikat antropologjike. Ne duhet të jemi shumë krenarë që kemi mbijetuar deri në ditët e sotme dhe kemi krijuar dy shtete. Për gjithë sa u tha më lartë, merita u takon atyre që sakrifikuan më të shtrenjtën e tyre që e kishin në ketë botë. Të gjithë pushtuesit kanë pasur projekte djallëzore për ta zhdukur popullin tonë. Senati Romak me vendim të veçantë ne vitin 82 pas e. s. vendosi që banorët e Ilirisë të shërbejnë në ushtri si ushtarë të rregullt. Gjithnjë ushtarët e Ilirisë ndodheshin në vijat e para të frontit të ushtrisë pushtuese Romake. Kjo bëhej me qëllim për të zhdukur paraardhësit tanë.
Edhe Osmanlinjtë, nuk e merrnin në ushtri të rregullt asnjë përfaqësues të popujve të tjerë të Ballkanit. Ushtarë të rregullt-Nizam merreshin vetëm shqiptarët. Këto zakonisht dërgoheshin në frontin e Jemenit për të mos u kthyer kurrë në vendlindje. Benito Musolini kishte një projekt për të lënë vetëm 1/3 e popullatës shqiptare në trojet e veta, 2/3-tat e shqiptarëve ai planifikonte ti mobilizojë në ushtrinë e vet për ekspansion në Lindje. Femrat shqiptare planifikonte ti martojë me Italianë (Ditari i Kontit Çano, ministër i Jashtëm në Italinë fashiste dhe dhëndër i Benito Musolinit-Duçe). Gjatë gjithë këtyre kataklizmave popullin tonë e mbajti gjallë rezistenca dhe lufta për liri e shtet. Që nga Batoni, Teuta, dhe deri në ditët e sotme, populli shqiptar nuk është ndalur së luftuari për liri e shtet. Mund të themi se deri diku ia ka arritur qëllimit. Edhe në burgun famëkeq të Kotorrit, të cilin e kishte ndërtuar Maria Tereza, perandoresha e ish-perandorisë austro-hungareze kishte të skalitur me qindra emra të burgosurish shqiptarë në muret e qelive. Në dhomën e ekzekutimit të të burgosurve, në të cilën unë e kalova një vit, kishte shumë mbiemra si-Burmadhi, Piperi, Luma, Zoti…
Të gjithë këto dhe shumë të tjerë deri në ditët e sotme duhet respektuar pasi ishin dhe janë një hallkë në zinxhirin, për ruajtjen e kombit dhe ndërtimin e shtetit. Vetëm Dibra e sotme është djegur dhe shkrumbuar disa herë. Pas çdo shkatërrimi qyteti është ndërtuar në truall të ri, gjithnjë më në jug nga vendndodhja e parë. Skënderbeu, Dervish Carra, Lidhja e Prizrenit, Kryengritjet shqiptare para Luftës së Parë Botërore, Lufta Nacional-Çlirimtare në Shqipëri dhe rezistenca e shqiptarëve në veri lindje të Shqipërisë, është kënga e dhimbjes krenare të cilën duhet respektuar. Zinxhiri i shtetit shqiptar vazhdoi të ndërtohet me hallkat e vitit 1968, të vitit 1981, 1998-2001. Hallkat vazhdojnë të renditen edhe sot e gjithë ditën. Për gjithë sa u tha më lartë, ato që e bënë rezistencën dhe ushqyen indin kombëtar duhet respektuar.
Institucioni dëshmor, luftëtarë dhe i burgosur politik duhet respektuar. Mijëra shqiptarë u tretën burgjeve të ish-Jugosllavisë, kush për vepra më të mëdha e kush për vepra më të vogla. Askush nuk u burgos për kot. Askënd sistemi nuk e burgoste për dy fjalë. Sikurse u pëlqen injorantëve të thonë. Ish pushteti komunist mbante dosje për të gjithë qytetarët shqiptarë,(vetëm në UDB-në federative të ish-Jugosllavisë kishte mbi 700.000 dosje) të cilët bëheshin të gjallë-manifestonin pakënaqësi ose rezistence pasive. Pastaj sipas nevojave politike të kohës këto personalitete burgoseshin dhe u ndërtohej akuza. Gjithnjë për bazë merrej dosja. Nga ushtritë serbe dhe bullgare në luftërat ballkanike ekzekutoheshin shumë njerëz pa bëre rezistencë aktive. Listat e këtyre njerëzve i bënin nëpunësit e shtetit dhe priftërinjtë e rrethit.
Kategorizimi i personave të pushkatuar bëhej sipas shkallës së rrezikshmërisë të këtyre personave në të ardhmen .Është gabim trashanik dhe mëkat i madh të thuhet se ky ose ai, këtu ose aty janë ekzekutuar ose burgosur për së koti. Ky do të ishte mëkati më i madh ndaj këtyre kategorive .
Përse duhet respektuar të gjithë ato që shërbyen si hallkë në zinxhirin shekullor për ndërtimin e shtetit të bashkuar shqiptar. I burgosuri torturohej dhe masakrohej. Në arrest mbahej në kushte çnjerëzore. Familja e të burgosurit persekutohej nga ana e pushtetit. Ishin të privuar nga të gjitha beneficionet, sikurse që ishin kreditë dhe stipendionet për nxënës dhe studentë. Fëmijëve të të persekutuarve u pamundësohej regjistrimi në shkollat e mesme dhe fakultete këtu në Maqedoni. Shqiptarët e këtyre trojeve rrugëdalje për ardhmërinë e tyre gjenin në Kosovën faqebardhë, e cila krijonte kuadro të fuqishme profesionale dhe ishte makineri e përsosur për formim kombëtar. I burgosuri për kauzën kombëtare, derisa arrinte ditën e gjykimit i kalonte të nëntë rrathët e purgatorit të Dante Aligierit. Nuk e kapërcente askush periudhën e hetuesisë 1-7-12 muaj pa pasoja psiko-fizike. Me fillimin e vuajtjes të dënimit, fillonte një dënim tjetër sistematik dhe në kontinuitet. Burgu nuk ishte vetëm izolim nga bota e jashtme. Të burgosurit politikë caktoheshin në vende pune ku dëmtohej shëndeti dhe rrezikohej jeta. Këto zakonisht ishin reparti i makinerisë, ku shumë të burgosur pësuan dëmtime fizike.
Tjetër ishte reparti i pastrimit të metaleve nga ndryshku. Ky ishte reparti më i rrezikshëm për shëndetin. Ky repart ishte i rezervuar për të burgosur shqiptarë. Edhe në repartin e ngjyrave dhe llaqeve shqiptarët ishin me shumicë. Dhuna ndaj ish të burgosurve politikë vazhdonte me privimin e tyre nga shumë të drejta që i lejonte rregullorja e burgut. Të burgosurit politikë shqiptarë vendoseshin nëpër pavijonet dhe dhomat më të këqija të burgjeve. Nga e gjithë kjo makineri represaliesh të gjithë të burgosurit politikë dilnin faqebardhë. Nëpër burgjet e ish-Jugosllavisë, kudo që ishin të burgosurit politikë shqiptar ishin shumë te organizuar dhe homogjen. Në vitet 1980-1990 të burgosurit politik ishin një familje e madhe. Ndahej çdo gjë që sillej nga jashtë, sikurse që ishin ushqimi dhe të hollat. Kishin edhe mini-barnatoren sekrete. Pajisjet ishin minimale. Mbahej vetëm jod, pluhur penicilin, disa tableta dhe ndonjë palë motorcanglla, të cilat ishin adaptuar për të nxjerrë ndonjë dhëmb, i cili për shkak të paradentozës kishte filluar të lëvizë. Ushqimi kryesor për të burgosurit politikë ishte morali dhe besimi në Shqipëri. Të gjithë armatoseshin me dituri nga bibliotekat e burgut. Shumë libra me karakter historik futeshin ilegalisht dhe këto libra ishin delikatesi më i mire nëpër burgje…
Të burgosurit politikë shqiptarë, anembanë burgjeve të ish-Jugosllavisë shërbenin si ngrohtore dhe strehimore për shpirtrat e thyer dhe të lënduar të të burgosurve, të cilët vuanin burgun për vepra të tjera. Gjatë viteve 1980-1990 asnjë i burgosur politik shqiptar, asnjëherë nuk shkroi asnjë lutje për zbritje ose për falje të dënimit. Nuk shkroi asnjë kërkesë për beneficione të cilat i takonin sipas rregullores së burgut. Uniteti, morali dhe kohezioni i të burgosurve politik i sillte në kufi të delirit drejtoritë e burgut. Ato nxisnin më të rinjtë të bëjnë kërkesa dhe ankesa, për tu zbritur dënimin. Nëpër burgje kishte edhe të mitur të cilët vinin pa fije qime në mjekër, por dolën burra të pjekur. Qëllimi i drejtorisë nuk ishte zbritja e dënimit, por futja e pykës në trungun e shëndoshë të institucionit i Burgosur Politik. Të gjithë të burgosurit shqiptar në ish-Jugosllavi u liruan nga burgjet e atij shteti pasi u anuluan ligjet me të cilët ishin dënuar. Arsyeja kryesore ishte fillimi i vdekjes së asaj krijese të Varsait, prandaj kërkoi respekt për institucionin i Burgosur Politik. Respekt për mijëra jetë, për lumenj lotësh. Respekt për ato që sakrifikuan më të mirën e kësaj bote për të mirën e kombit.
Të gjithë ato që luftuan dhe sakrifikuan nuk kërkojnë as shpërblim as lëvdata. Në rast se kërkojnë shpërblim dhe lëvdata ato shkelin mbi idealet që i kanë pas dikur. Të gjithë të burgosurit dhe luftëtarët e lirisë nuk kërkojnë asgjë më shumë, por vetëm respekt.
Ndokush edhe mund të ketë rrëshqitur me kyçjen e vetë nëpër partitë politike, këtu mbyllet kapitulli i pare për të cilin shkruajta më lartë. Pas kësaj secili ka përgjegjësi individuale. Nuk është larg koha kur do të vihet edhe hallka e fundit në zinxhirin e kombit, dhe atëherë ai zinxhir do t’u lidhet në qafë të gjithë atyre që shkelën dhe dëmtuan indin kombëtar.
