PPD: Regjistrimi i popullsisë të bëhet në vitin 2012
PPD kërkon shtyrjen e regjistrimit për vitin 2012, me qëllim të plotësimit të disa kushteve për shqiptarët dhe evitimin e manipulimeve.
Kjo parti gjithashtu apelon ndryshimin urgjent të Ligjit për regjistrim, trajnim të kuadrove shqiptare dhe mbikëqyrje të regjistrimit nga shqiptarët në zonat maqedonase.
“Partia për Prosperitet Demokratik, kërkon që Propozim Ligji për regjistrim, para se të vihet në procedurë parlamentare, ti nënshtrohet shqyrtimit publik 60 ditësh. Kërkojmë nga Shërbimet kompetente të Kombeve të Bashkuara, dedikuar Regjistrimit të Popullatës, Amvisërive dhe Banesave, e në veçanti, kërkojmë nga Shërbimi për statistikë i Unionit Evropian-EUROSTAT ta detyroj Qeverinë e Maqedonisë, që Grafa e fletëregjistrimit personal (P-1), dedikuar përkatësisë nacionale shqiptare, të jetë identike me grafën dedikuar përkatësisë nacionale maqedonase dhe jo siç parasheh ligji që grafa e fletë regjistrimit personal të titullohet vetëm me shifra numërore”, theksoi kryetari i PPD-së, Sejfedin Haruni.
Ai gjithashtu kërkoi që BE të lëshojë mjete materiale shtesë, për trajnim të një numri më të madh të regjistruesve shqiptar dhë mbikëqyrësve të regjistrimit.
“Kërkojmë që përfaqësues shqiptarë të mbikëqyrin regjistrimin e popullatës edhe në rajone etnikisht të pastra maqedonase, sepse PPD-ja ka informata të pamohueshme se në këto rajone bëhen malverzime të shumta në drejtim të rritjes së numrit të qytetarëve që detyrohen të deklarohen si maqedonas”, theksoi Haruni, duke kërkuar edhe punësimin e ekspertëve shqiptarë dhe zyrtarë të tjerë shqiptarë në Entin e Statistikave.
PPD vlerëson se për hirë të plotësimit të këtyre kushteve, kërkojmë që data e regjistrimit të popullatës, amvisnive dhe banesave të shtyhet kah fundi i vitit 2012. (INA