Opozita ndërpret grevën e urisë, të enjten bisedime për zgjidhje
Edi Rama i jep fund grevës së urisë së deputetëve socialist dhe mbështetësve të majtë, 19 ditë pas fillimit të saj para godinës së qeverisë. Ky vendim është marrë pas angazhimit të ndërkombëtarëve për të ulur në bisedime të enjten në Strazburg, Sali Berishën dhe Edi Ramën dhe për të gjetur një zgjidhje. Këtë fakt e konfirmoi kreu socialist ndërsa bëri publik fundin e grevës në protestën e së mërkurës, para çadrave të grevistëve.
“Nesër përfaqësuesit më të lartë të së majtës e të djathtës evropiane me mbështetjen e të gjithë komunitetit ndërkombëtar presin në tryezë të dyja palët për të kërkuar zgjidhjen dhe për t’i hapur rrugën jo vetëm transparencës, por edhe përballjes me sfidat e integrimit. Përgjigja ime në emrin e të gjithëve ju, në emër të atyre ka qene e menjëhershme dhe pa asnjë ngurim, po ne jemi të gatshëm t’i japim zgjidhje kësaj krize, jemi të gatshëm të hapim rrugën e liberalizimit të vizave, ne jemi të gatshëm të hapim rrugën e integrimit të vërtetë të Shqipërisë në BE” tha Rama.
Kreu socialist uroi që ky vullnet të mos mungoj nga pala tjetër: “Uroj dhe shpresoj që dhe pala tjetër të kete bërë të njëjtën gjë dhe ndërkohë unë dëshiroj të ndaj me ju bindjen që të gjithë së bashku duhet t’i bëjmë një ftesë atyre që janë ende në sakrificën e grevës së urisë të bien në një mendje me ne për ta ndalur këtë grevë”. Edi Rama e cilësoi këtë moment një mundësi të re dhe një shans që nuk duhet humbur. Por ai theksoi se opozita nuk do të ndalet, nëse nuk do të gjendet zgjidhja.
Partia Socialiste vendosi nisjen e grevës së urisë, pas protestës së 30 prillit në Tirane. Gjatë ditëve të fundit pati negociata të vazhdueshme me ndërmjetësimin e diplomatëve të huaj, për të ardhur deri në këtë pikë, ku Edi Rama dhe Sali Berisha do të bisedojnë për ngerçin politik në Strazburg nën monitorimin e zyrtarëve të lartë evropiane. /alsat-tirana/