Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup ka lëshuar urdhër për obduksion të trupit të një gruaje 79-vjeçare, e cila ka ndërruar jetë pasi më shumë se dy javë ishte e shtruar në spital pas helmimit familjar me ushqime shtëpiake në Shkup.

Më herët pas së njëjtës ngjarje ka ndërruar jetë edhe nusja e saj 47-vjeçare, ndërsa djali i saj 55-vjeçar është liruar për mjekim në shtëpi.

Prokurori publik kompetent është duke punuar për të përcaktuar shkaqet e helmimit të ndodhur në Kisella Voda të Shkupit.

Siç bëhet me dije nga Prokuroria, nga shtëpia e familjes janë marrë rreth 20 gjurmë të ndryshme, për të cilat është dhënë urdhër ekspertimi.

Gjithashtu u dha urdhër për sigurimin e historive mjekësore të tre pacientëve.

Informacionet thonë se në byrekun me presh të ngrënë nga familja më datë 15 të këtij muaji është gjetur një insekticid i fortë, i cili i ka helmuar të tre dhe vetëm 55-vjeçari ka mundur të shpëtojë.

/ Libertas

Përktheu dhe përshtati

Adnan Aliti