Policia e Kosovës ka përdorur gaz lotsjellës për të evituar një konflikt të mundshëm mes shqiptarëve dhe serbëve në urën e lumit Ibër në Mitrovicë. Situata është tensionuar kur një grup i shqiptarëve dhe serbëve në veri dhe jug të urës kryesore janë nisur në drejtim të njeri-tjetrit. Situata thuhet se është provokuar nga serbët, të cilët kanë hedhur gurë dhe gjësende tjera në drejtim të protestuesve shqiptarë

Policia e Kosovës ka përdorur sot, në mesditë, gaz lotsjellës për të evituar tensionet e mundshme mes shqiptarëve dhe serbëve në urën kryesore të lumit Ibër në Mitrovicë.

Një grup i shkëputur nga protesta e shqiptarëve kundër zgjedhjeve serbe që po mbahen sot në veri të Mitrovicës, sipas policisë, është nisur në drejtim të urës mbi lumin Ibër, ndërkohë që në veri të urës ka qenë një grup serbësh.

Kjo, sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, ka shkaktuar një situatë të tensionuar, gjë që ka çuar në intervenimin e policisë.

“Sidoqoftë, njësitë speciale për kontrollim të turmës nga Polica e Kosovës, në bashkëveprim me njësitë tjera dhe me ndihmën e KFOR-it, kanë arritur t’i zmbrapsin të dyja grupet dhe deri më tani ura është pa ngarkesa të të dyja grupeve”.

“Me rëndësi është që nuk erdhi deri te kontakti fizik mes të dy grupeve shqiptare dhe serbe. Situata kishte tension të një niveli të lartë, por sidoqoftë është arritur të vihet situata nën kontroll. Deri më tash nuk kemi informacione për persona të lënduar nga të dyja palët”, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, Besim Hoti.

Ai ka sqaruar se përdorimi i gazit lotsjellës ka qenë i domosdoshëm.

“Është dashur që policia të vë në përdorim gazin lotsjellës në një masë mjaft të vogël për t’i detyruar protestuesit që të shpërndahen në të dy anët”, ka shpjeguar Hoti.

Aktualisht, sipas Hotit, të dy grupet po qëndrojnë ende në veri dhe jug të lumit Ibër, ndërsa në mes të urës kryesore po qëndrojnë njësitet e Policisë së Kosovës dhe të forcave paqeruajtëse të KFOR-it.