Kur predikuesit i përziejnë kapuçat
Tek vozitja këtyre ditëve, në një nga terminet kur ditëve të Muajit të Shenjtë të Ramazanit radiot lokale japin përmbajtje fetare, në radiostacionin që e dëgjoja në atë moment, më ranë në vesh disa vargje të një ilahije e cila më la pa mend! Në atë ilahije, autori amator, kushedi kush, thërriste myslimanët për t’u bërë bashkë, sepse ashtu të bashkuar, do t’i mundin shkijet, kurse në vargjet e ardhshme, ky unitet do të bënte që një ditë myslimanët ta sundojnë gjithë botën!
Mbeta “pa tekst”, sepse me atë dije laike për parimet islame, një gjë e di: islami nuk është fe agresive, ndërkaq kjo ilahi më shumë më tingëllonte si një këngë propagandistike e kohës së komunizmit, kur kishte thirrje për luftë klasash e armiqsh të jashtëm e të brendshëm! Domethënë, porosia që mora nga kjo këngë është se myslimanët duhet të mbahen bashkë që t’i luftojnë shkijet e një ditë ta sundojnë gjithë botën, e jo që të jenë myslimanë të devotshëm ta fitojnë ahiretin! Misionin e shenjtë të Profetit Muhamet A.S. për të përhapur fjalën e Allahut Xh.Sh., me ç’rast ai nuk ka përdorur dhunën për t’i kthyer pabesimtarët në besimn e vërtetë, sot, njerëz të verbuar nga urrejtja apo padija, predikojnë diçka që nuk ka lidhje me frymën burimore të predikimeve të tij. Historia e periudhës së Profetit Muhamed është e përshkuar me shumë luftëra të ithtarëve të tij dhe pabesimtarëve, por ato luftëra kanë qenë të përgjakshme vetëm kur armiqtë e islamit kanë qenë agresivë dhe i kanë rrezikuar myslimanet, por historia nuk njeh raste kur prijësi i madh shpirtëror dhe ushtarak i myslimanëve të ketë bërë përpjekje për t’i nënshtruar me dhunë të tjerët. Çelësi i “pushtimeve” të tij ka qenë fjala, fjala e Zotit që ua ka transmetuar njerëzve, të cilët pastaj e kanë ndjekur…
Ilahi mund të përpiqet të shkruajë gjithkush, por do të ishte mirë që si model për këtë të merren ato ilahi që po i dëgjojmë nga Sami Jusuf, ku madhërohen vlerat etiko – morale islame, po kurrkund nuk ke një fije agresiviteti në vargjet e atyre këngëve(ilahive). Prandaj dhe përgjegjësit e radiostacionit që e emeton këto ditë Ramazani këtë ilahi me shkije dhe sundim bote, është dashur ta dëgjojnë me vëmendje para se ta lëshojnë në etër, të mos flas se edhe autori, sado laik që është treguar, është dashur vetë ta lexojë me dhjetëra herë atë tekst, para se ta shpallë ilahi. Sepse me parimet islame nuk manipulohet dhe improvizohet. Porosia e ilahive nuk duhet të jetë në kundërshtim me fjalën e Muhamedit A.S.
Ilahija e sipërpërmendur më shërbeu si shkas për t’u marrë pak më tepër me disa dukuri shumëvjeçare në derset e disa imamëve, të cilët mendoj se i kalojnë kufijtë fetarë.
Para disa vjetësh, kur me të ndjerin Sefer Musliu dhe regjisorin Afet Miftari kishim befasur publikun e Maqedonisë dhe gjithëkombëtar me reportazhet për shqiptarët e Ukrainës, njëri që kishte studiuar në një shtet arab, ma bëri bajat: Çka ju ka dashtë t’i zbuloni ata shkije atje, a pak shkije kemi këtu?! Uh, thashë me vete, çfarë argumenti! Ma mbylli gojën, sepse vërtetë e pashë se logjikës së tij çfarëdo argumenti që t’ia kundërvësh, ai nuk do të ndrronte mendjen. Në një rast tjetër, po i njëjti person, edhe një herë ma mbylli gojën: “Çka bëjmë ne shqiptarët aq zhurmë se po na e merr dikush Nënë Terezën? Le t’na e marrin, se s’ka çka na duhet ajo shkinë!”.
Disa imamë sa nuk kërcejnë prej vendi kur t’ua përmendësh edhe një “shka” tjetër: Skënderbeun! Nuk hezitojnë që krahas Nënë Terezës , Amerikës (mirë është që të përmendin edhe Rusinë apo Serbinë!) e ndonjë teme të preferuar, ta fusin edhe Skënderbeun, si kundërshtar të myslimanëve!
Kjo, më duhet thënë publikisht, dhe pikërisht këtë muaj të Ramazanit, se disa që janë thirrur të predikojnë fenë, të rrinë më larg nga historia dhe vlerat kombëtare. Që të mos bëjnë më shumë dëm se dobi. Pse?
Predikimi i fesë, jashtë suazave të një realiteti, siç është identiteti kombëtar, është më se i dëmshëm. Përse ka nevojë që të trajtohet Skënderbeu në një ligjëratatë fetare? Historia e shqiptarëve është unike, pavarësisht nga përbërja fetare e trungut kombëtar. Edhe kur kanë qenë nën romakët, edhe kur kanë qenë nën bizantin ose serbët, por edhe kur kanë qenë nën Perandorinë Osmane, qëllimi ka qenë liria, mëvetësia, sundimi në trollin e tyre, principatat e tyre dhe së fundi krijimi një shtetit. Për këtë, kanë luftuar bashkë. Skënderbeu në këtë gjakim shekullor, ka qenë një personazh historik i cili ka luftuar për një principatë të veten, të lirë nga pushtuesi i “përtej Detit të Zi”. A mund të gjykojmë Skënderbeun pse ka luftuar për atë qëllim universal vetëm duke pasur si argument se pushtuesi ka qenë mysliman? Nuk jam ndër ata, siç janë ca në Shqipëri, që të keqen më të madhe të perandorisë osmane është detyrimi i shqiptarëve në islam. Islami është ndër vlerat madhore që ka dalë nga ai pushtim, porse pse ai pushtues ka pasur vulën islame, nuk do të thotë se çdo vlerë ka qenë madhore: shtypja me dhunë e kryengritjeve, ndërtimi i kalave me koka njerëzish, dënimi i armiqve me ngulje në hunj, prerja e kokave (“trupi në Janinë, koka në Stamboll…), s’kanë asgjë të përbashkët me islamin, dhe këtu edhe një herë dëshmohet se ndonjëherë ne nuk duam ta shohim të vërtetën, dhe se absolutizojmë çdo gjë dhe nuk shohim se sa keqpërdorime janë bërë në emër të fesë. Ushtritë dhe pushteti osman nuk kanë sjellë vetëm vlera, por si çdo pushtues, ka realizuar dhe qëllimet politike që s’kanë lidhje me fenë. Prandaj Skënderbeu mbetet një figurë kombëtare, të cilin nuk duhet ta shikojmë nga prizmi fetar, por nga prizmi i kauzës universale të mbrojtjes së trollit të vet dhe të fitimit të lirisë.
Përse ka nevojë të trajtohet Nënë Tereza në ligjëratat fetare myslimane, kur dihet se ajo është katolike? Puna e saj humane nuk duhet të kontestohet (aq më pak dhe kombësia e saj) pse ajo ka qenë edhe misionare fetare. Kur iu nda çmimi i Nobelit për paqe, theksi ishte vënë në misionin e saj si humaniste, e jo si misionare katolike. Besimi i saj është dhe mbetet çështje e saj individuale(siç është individuale për çdo besimtar tjetër mysliman, sepse në ditën e gjykimit secili do të përgjigjet për punët e veta, e jo për të tjerët!). Atë nuk mund ta bësh myslimane, por gjithsesi, nuk mund ta hedhësh në gojën e ujqërve grabitqarë, që mezi presin ta bëjnë të vetën. Shqiptarët vërtetë në shumicë janë myslimanë, por në dallim nga disa popuj të tjerë në Ballkan të cilët fetë e ndryshme i kanë çuar në luftëra e krijimesh kombesh të reja, bashkëjetesa fetare i bën popull me virtyt, sepse toleranca e ka ruajtur trungun kombëtar. Te Skënderbeu, Nëna Terezë, Hoxhë Tahsini, Naimi, Lasgushi, Kadareja, Dritëro Agollli, Ahmet Zogu, Fan Noli, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Josif Bageri, …, nuk shikojmë e as duhet shikuar diç tjetër, pos personalitete që kanë dashur të krijojnë shtet, kulturë, histori kombëtare. Është e parëndësishme se si akëcili prej tyre, në rrethana të caktuara historike, sociale, ekonomike, kulturore, ka përqafuar këtë ose atë fe.
Kur përmendet Noli, nuk më del parasysh vetëm prifti ortodoks i cili ka merita për themelimin e Kishës së pavarur ortodokse shqiptare, që gjithashtu ka qenë në shërbim të kauzës kombëtare, por eruditi dhe autori i një varg veprash të rëndësishme për letërsinë shqiptare dhe përkthyes i veprave letrare botërore dhe së fundit, edhe si burrështetas(Pikërisht Noli kishte shkruar afirmativisht për Profetin Muhamed…). Kur përmendet Ismail Kadare, në asnjë moment nuk më shkon mendja te intelektuali i cili nën regjimin e komunizmit ka hëngër mish derri (të karrikoj, çka të dojë le të fusë në barkun e tij), por te autori që ka shkruar më shumë se pesëdhjetë vepra të përkthyera në më shumë se 30 gjuhë e që i ka bërë nam letërsisë tonë. Kur përmendet Naimi, që ta çmoj lartë në asnjë moment nuk më frenon fakti që ka qenë bektashian me vëllezërit e tij, Samiun, Abdylin, por veprat me vlera të pamohueshme letrare, ushtarake e politike për emancipimin kombëtar. Çka më intereson nëse Fatos Arapi a Lasgushi janë ortodoksë, kur unë i lexoj poezitë më të bukura lirike të letërsisë shqiptare. As Mesharin e Buzukut, e as Çetën e profetëve të Bogdanit nuk i shikoj nga prizmi i përmbajtjes fetare, por nga prizmi i gjurmëve të gjuhës shqipe në të kaluarën, për t’u dëshmuar mohuesve të kombit tonë se nuk jemi degë pa rrënjë, siç dinë të thonë në gjuhët e tyre. Edhe kur kujtoj Kosovën dhe luftën e saj për pavarësi, në asnjë moment nuk them se për lirinë e saj kanë luftuar vetëm shqiptarët myslimanë.. .
Nga ana tjetër, përse të absolutizohet gjer në parodi çështja e vëllazërisë myslimane, kur dihet e vërteta tragjike se një gjë e tillë pikërisht kur janë në pyetje shqiptarët myslimanë, nuk është ndonjë, siç e quajnë amerikanët, rrëfim fatlum! Ajo që ndodh në botën myslimane, dëshmon pikërisht tezën e Hobsit “Homo homini lupus est”. Do të doja të ishte ndryshe, por kur sheh se si shpërthejnë bombat e myslimanëve në xhamitë e myslimanëve, patjetër më duhet ta “shqipëroj” thënien latine të Hobsit “njëriu për njeriun është ujk”(mos ndoshta më saktë do të ishte të thuhet “Myslimani për myslimanin është ujk”?!). Që të heqim të gjitha dilemat rreth vëllazërisë myslimane (jo ajo që duhej të jetë, por çfarë është), le të përkujtojmë raportin e shteteve myslimane ndaj një shteti mysliman, çfarë është Kosova, që të na bëhet gjithçka e qartë se imamët tanë nuk duhet të shesin iluzione, por realitet. Pikërisht shumica e shteteve myslimane janë të kthyera më shumë nga Serbia se Kosova, prandaj nga konsiedaratat ndaj Titos(të ngratët kanë harruar se qe 30 vjet lideri i të “painkuadruarve” ka vdekur, dhe se Serbia nuk është Jugosllavi), nuk e njohin shtetin e ri me shumicë myslimane! Mos ndoshta mbajnë llogari të mos ia prishin qejfin Rusisë? Ah, “pusto” interesat…! Në këtë kontekst, unë i kuptoj shumë hoxhallarë kur flasin kundër Amerikës(si shtet që përkrah Izraelin, që është kundër myslimanëve”…), por nuk kam mirëkuptim kur në këtë kontekst janë kundër përkrahjes amerikane Kosovës (“jo se na duan, por se kanë interes…”), sepse pa atë përkrahje të amerikanëve dhe aleatëve të tyre, sot në Kosovë s’do të kishte mbetur asnjë shqiptar a mysliman. Sa nuk thonë më mirë Kosova të kthehet nën Serbi dhe bashkë me Rusinë të bëjnë një tregim të suksesshëm!(Është për t’u çuditur, dhe këtu nuk e di a është gjë e rastit, që disa nga këta predikues që mbajnë ligjërata për bëmat e amerikanëve, nuk përmendin bëmat e rusëve në Çeçeni apo thjeshtë si një vend që shpiku ideologjinë më antiislame, komunizmin!!!). Për përplasjet politike e ushtarake midis vendeve myslimane, por dhe midis vetë myslimanëve “të ndryshëm” të mos flasim….
Nëse do të ndiqej logjika e ekskluzivitetit fetar, çka do të duhej të bënte Profeti Muhamet A.S. me axhën e tij (Abū Ṭālib ibn ‘Abd al-Muṭṭalib), i cili asnjëherë nuk kaloi në islam? Duhej të hiqte dorë nga fakti se ai ka qenë mixhë i tij, pasi deri në fund të jetës mbeti konsekuent dhe s’e pranoi fenë që predikonte nipi i tij?! A nuk është edhe ky një shembull nga jeta e Profetit tonë që e mbjell tolerancën ndër myslimanët dhe ndër njerëzit në përgjithësi? A nuk është largim dhe tradhti e veprës së tij kur predikohet jotoleranca? Çka të bëjnë shumë shtete arabe sot ku kanë edhe të krishterë, t’i flakin ata prej shtetit të tyre, t’i shpallin si kopilë të kombit? Këtu do t’ua përmend këtyre “pastruesve” myslimanë një të vërtetë që në Gjermani, në një konferencë ndërkombëtare, ma pat treguar një palestinez: në çdo qeveri palestineze, dhjetë për qind e vendeve ministrore i takojnë komunitetit të tyre të krishterë. Pra, s’janë as gjithë palestinezët myslimanë, as egjiptianët, as irakianët apo iranianët të një religjioni a mez’hepi, as gjithë libanezët myslimanë, madje dhe turqit janë të ndarë fetarisht, myslimanë, myslimanë bektashianë, të krishterë(gagauzët)…Kjo është e vërteta, por kombi i ndarë fetarisht ku nuk kultivohet toleranca, krijon probleme për të cilat nuk duhet të fajësohet as Amerika e as Rusia, por vetë liderët fetarë.
Dikush, pa dashje apo me paramendim, po i përzien keq kapuçat. Absolutizimi i përkatësisë fetare nuk duhet të shkojë në drejtim të mohim të qenësisë kombëtare, siç bëjnë disa teologë. Është me rëndësi që të gjithë ata që dalin para besimtarëve, të mos krijojnë konfuzione të panevojshme duke dalë jashtë temave fetare, sepse të jesh mysliman nuk don të thotë të jetë në kundërshtim me të qenurit shqiptar. Dhe të qenurit shqiptar i ndryshëm nga myslimanët, nuk duhet ata t’i dëbojmë nga trungu kombëtar, siç ka ndodhur me ortodoksët shqiptarë këtu në Maqedoni.