Departamenti Amerikan i Shtetit e ka shpallur ‘non grata’ ish-kryetarin e Kaçanikut, Xhabir Zharkun, si dhe dy zyrtarë nga Maqedonia e Veriut: ish-kryeoprokuroren speciale Katica Janeva dhe Stevco Jakimovskin, një kandidat për president në Shkup.

Ata u përfshin në ‘listë të zezë’ “për shkak të përfshirjes në korrupsion të konsiderueshëm”, njoftoi DASH në një deklaratë zyrtare, raporton Gazeta Express.

Për Zharkun, DASH thotë se ishte përfshirë në akte korruptive dhe e kishte përdorur pozitën e tij për ndikime e përfitime të ndryshme”.

“Në cilësinë e tij zyrtare si kryetar i komunës së Kaçanikut, Kosovë, Zharku ishte i përfshirë në akte korruptive, duke përfshirë përdorimin e pozitës së tij për të ndërhyrë në proceset e prokurimit për të lejuar në mënyrë të paligjshme ndërtimin në pronën në pronësi të komunës, për të përfituar vetë dhe bashkëpunëtorët e tij”, thuhet në njoftim.

Në cilësinë e saj zyrtare si ish-kryeprokurore speciale e Maqedonisë së Veriut, DASH thotë se Janeva “ishte e përfshirë në akte korruptive, duke përfshirë përdorimin e ndikimit të saj politik dhe pushtetit zyrtar për përfitime personale”.

“Ka informacione të besueshme që Janeva ka kërkuar dhe ka pranuar ryshfet për të ndikuar në një prokurori nën kompetencën e saj”, thuhet në njoftim.

Ndërsa Jakimovski, siç njofton DASH, “ishte përfshirë në akte korruptive, duke përfshirë përdorimin e pozitës së tij zyrtare për të ndërhyrë në zhvillimin urban dhe proceset e prokurimit për të përfituar për vetë dhe bashkëpunëtorët e tij”.

DASH thotë se kjo riafirmon përkushtimin e SHBA-së për mbështetjen e sundimit të ligjit dhe forcimin e institucioneve demokratike në të gjithë Ballkanin.

“Departamenti do të vazhdojë të përdorë të gjitha autoritetet në dispozicion për të promovuar llogaridhënien për aktorët e korruptuar në rajon dhe globalisht”, thuhet në deklaratë.

Në këtë vendim, Departamenti amerikan i Shtetit i ka përfshirë si ‘non grata’ edhe anëtarët e familjes së ngushtë të Zharkut, Janevës dhe Jakimovskit. Atyre të gjithëve u ndalohet hyrja në SHBA.

Shpërndaje artikullin në: