Lajme-2012-gruevski_660126930_736527285Kryeministri Nikolla Gruevski tha sot se nuk ka nevojë që liderët e partive politike të takojnë ndërmjetësin Metjhju Nimic, pasi sipas tij të gjithë ata që duhet të kenë njohuri për çështjen e emrit, janë të informuar për misionin e tij. Një propozim i tillë për takim të Nimicit me partitë politike erdhi nga kryetari i Lidhjes Demokratike Pavle Trajanov. Ndërsa zv/kryeministri Musa Xhaferi tha se takimi i fundit i Ahmetit në Athinë është në funksion të përmirësimit të komunikimit të ndërsjellë.Kryeministri Nikolla Gruevski hodhi poshtë sot propozimin e partnerit të koalicionit Pavle Trajanov, i cili kërkoi që ndërmjetësi i OKB-së për çështjen e emrit gjatë vizitës së tij në Maqedoni më 10 shtator, pos takimit me Gruevskin, të takojë edhe liderët e subjekteve tjera politike. Gruevski tha se të gjithë ata që duhet të kenënjohuri lidhur me vizitën e Nimicit, janë të informuar.

“Ata që duhet dhe për atë që duhet, janë të informuar”, tha  Nikolla Gruevski, kryeministër.

Duke komentuar vizitën e delegacionit të lartë të BDI-së në Athinë, zv/kryeministri Musa Xhaferi tha se takimet në Athinë janë në funksion të përmirësimit të komunikimit të ndërsjellë mes Maqedonisë dhe Greqisë.

“Na thonë çdoherë, në mënyrë diplomatike, se ekziston disponim për zgjidhjen e çështjes së emrit, por ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se kjo është çështje e ndjeshme dhe vizita jonë ishte në drejtim të përmirësimit të komunikimit të ndërsjellë dhe në linjë të asaj që kërkohet nga Brukseli për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore dhe të hapen mundësi të reja për dialog dhe komunikim mes dy shteteve”, tha Musa Xhaferri,  zv/ kryeministër për Implementimin e Marrëveshjes.

Ndërmjetësi i OKB-së për çështjen e emrit Metju Nimic më 9 shtator pritet që të vizitojë Athinën ndërsa një ditë më vonë më datë 10 do të qëndrojë edhe Shkupin. Nuk dihet nëse Nimic kësaj radhe do të vijë me propozim konkret për zgjidhjen e çështjes së emrit, apo do të dëgjojë palët lidhur me propozimin e tij të fundit. Valmir Kuçi