largea_hanKomisioneri ri për zgjerimin në Bashkimin Evropian, Johannes Hahn, ka paralajmëruar Maqedoninë se nëse nuk e zgjidh problemin e emrit me Greqinë deri vitin e ardhshëm, atëherë BE-ja do të ndryshojë qëndrim ndaj Shkupit.

“Nëse deri vitin e ardhshëm nuk do të zgjidhet çështja e emrit, BE-ja do të ndryshojë qasje. Këtë çështje do të kem mundësi ta diskutoj me ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së”, ka thënë Hahn.

Gjatë një interviste për “Radio Evropa e Lirë”, Hahn tha se përparimi i Maqedonisë varet nga qeveria dhe nga mënyra sesi do të menaxhohet situata e brendshme e këtij vendi.

Ai tha gjithashtu se është e nevojshme që Kuvendi të funksionojë normalisht dhe të mos pengohet në punën e tij.

“Kjo do të thotë se përfaqësuesit e zgjedhur të Kuvendit, dhe jo vetëm ata që përfaqësojnë pushtetin, duhet të marrin pjesë në punimet e tij”, thotë Hahn.

Që vendi të futet në një rrugë normale zhvillimi, Hahn thotë se Shkupi duhet të zgjidhë ngërçin e emrit me Athinën dhe të kryejë reformat.