Danaj: Një opozitë etnike shqiptare për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit
Shqiptarët e Maqedonisë janë në pozitë të palakmueshme për shkak të politikanëve të tyre, kështu ka deklaruar analisti nga Shqipëria Koço Danaj, në emisionin ‘Rruga drejtë…’ që do të emetohet sonte në Alsat-M. Sipas tij, derisa nuk krijohet opozitë etnike shqiptare për zbatimin e Marrëveshjen e Ohrit, e njëjta asnjëherë nuk do të zbatohet deri në fund në frymën e saj reale.
“Kur nuk ke realizuar të drejtat qenësore si etnitet është komoditet, luks i tepërt të thuash jam i majtë, jam i djathtë, jam i qendrës së majtë apo qendrës së djathtë. Ali Ahmeti gabimin e bëri që në shtator 2002 kur fitoi zgjedhjet dhe kur nuk ftoi PDSH-në të qeveriste edhe ajo bashkë me të në pushtet. Pra ne si shqiptar sa të zbatohet deri në fund Marrëveshja e Ohrit do të futemi në qeveri komplet që të gjithë. Ne nuk jemi opozitë etnike, ne kemi një opozitë etnike, më vonë kur të zbatohet kjo Marrëveshje, kur të krijohet kjo frymë besimi, kur marrëdhëniet të jenë vërtetë sipas standardeve demokratike atëherë le të quhen si të duan dhe le të përpunojnë çdo lloj ideologjie të duhur. Fatkeqësisht nuk u ndoq kjo rrugë, fatkeqësisht deri në 2006 u veprua po ndryshe nga partia tjetër, fatkeqësisht edhe më vonë u ndoq kjo dhe sot shqiptarët janë në pozitë të palakueshme për shkak të politikës së tyre, të politikanëve të tyre, pra u mungoi politika reale përfaqësuesve përball një kryeministri i cili është shumë korrekt dhe shumë koherent në qëndrimin e tij”, deklaroi Koço Danaj, analist politik nga Shqipëria.
Analisti Danaj përmend një sërë faktesh që sipas tij dëshmojnë për pozitën jo të mirë të shqiptareve në Maqedoni. Ai ka shtruar edhe dilemën vallë ka ardhur koha në tavolinë të shtrohet pyetja dëshirojnë ose jo maqedonasit dhe shqiptarët të bashkëjetojnë në këtë shtet.
“Që nga 2001 e deri më sot zëvendëskryeministër që merret me zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit është shqiptar, pse? Pse s’duhet të jetë një zëvendësministër maqedonas kur kjo është Marrëveshje e Maqedonisë, për Maqedoninë, për të respektuar, për të ndërtuar një bashkëjetesë të re moderne demokratike, pra duket që këtu është një çështje, hajt tu bëjmë një lëshim. E treta me ligjin përsëri të 2007 parlamenti i Maqedonisë miratoi 6 festa shtetërore nga 3 që ishin. Asnjë festë nuk është shqiptare, shqiptarëve u janë lënë festa në kuadrin e festave të bashkësive të barabarta me romët, turqit, serbët etj. Tjetra edhe njëherë para se të vija këtu hapa të gjitha faqet e internetit të ministrive të republikës së Maqedonisë për të parë mos gjeja ndonjë faqe interneti që të ishte edhe në gjuhën shqipe, nuk gjeta asnjë faqe të tillë.
Pra solla tre shembuj për të thënë që popujt dallohen nga simbolet, popujt nuk dallohen sa janë futur në punë sepse edhe në perandorin turke shqiptarët dhe po ti referohen referatit të Ahmet Davutoglus ishin në shumicë dërmuese në postet drejtuese dhe në administratën turke por ama u mungonin ato që quheshin simbole, pra nuk është sa janë punësuar tregues i zbatimit të një marrëveshje që në thelbin e saj është politike, në thelbin e saj ka të bëj me marrëdhënie midis dy popujve dhe unë e quaj të drejtë tezën që ushtrua këtu, ka ardhur koha të themi, a mund të bashkëjetojmë?”, theksoi Danaj.
Për të gjitha zhvillimet në Maqedoni në raport me marrëdhëniet ndëretnike dhe integrimin e vendit, në emisionin e sontem ‘Rruga Drejt’ së bashku me analistin Koço Danaj debatojnë edhe Janko Bahçev, Albert Musliu dhe Sllobodan Çashule.
Gjyltene Rexhallari