Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler, ka paralajmëruar zgjerimin e listës së zezë me persona të tjetër të dyshuar për korrupsion në Maqedoninë e Veriut.

Më 5 Dhjetor, Departamenti Amerikan i Shtetit e futi në listën e zezë ish-zëvendëskryeministrin maqedonas, Koço Angjushev, ndërsa para tij edhe disa politikanë dhe biznesmenë të tjerë të profilit të lartë, si kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko dhe biznesmeni kontrovers, Orce Kamçev.

Duke folur para gazetarëve në Shkup, Ageler tha se vendosja e Angjushevit në listën e zezë u bë pas “provave të shumta” për përfshirjen e tij në korrupsion. Ajo nuk dha hollësi apo emra të personave që mund të futen në listën e zezë të SHBA-së, por shtoi se Angjushevi nuk do të jetë emri i vetëm në listën e zezë.

“Mund t’ju premtoj se ka njerëz të tjerë, rastet e të cilëve janë duke u përpunuar në Uashington. Nuk dua të spekuloj se kur do të shpallen, por ju premtoj se ky nuk ishte emri i fundit”, tha Ageleri.

Ajo theksoi se për vendosjen e tyre më të shpejtë në listën e zezë duhet kohë pasi “ky është një proces kompleks dhe i mundimshëm që kërkon siguri të plotë se persona të caktuar janë realisht pjesë e aktiviteteve korruptive”.