Nga Shaban Murati– ka informacion nëse është ngutur ndonjë qeveri ballkanike t’i dërgojnë urime kryeministrit të ri serb Vuçeviç, qeveria e të cilit u miratua në 2 maj 2024 nga parlamenti i ri serb. Në fakt një gjest i tillë i nxituar diplomatik do të vlerësohej dhe përshëndetej shumë në Kremlin, sepse qeveria re serbe e Vuçeviçit ka dy zëvendëskryeministra rusë, Aleksandër Vulin dhe Ivica Daçiç. Ka një konsensus diplomatik ndërkombëtar se të dy zëvendëskryeministrat e mësipërm janë mercenarë nga më të besuarit rusë të Kremlinit në Serbi.

Zëvendëskryeministri Vulin është dekoruar tri herë nga Kremlini me dekoratat më të larta shtetërore për shërbime të posaçme ndaj mëmës Rusi. Atë e kanë dekoruar personalisht me dekorata të veçanta presidenti i Rusisë Putin, drejtori i Shërbimit Sekret Rus, FSB, dhe ministri rus i mbrojtjes. Nuk ka një shtetas rus, që t’i ketë marrë këto tre dekorata të larta në karrierën e tij zyrtare. Zëvendëskryeministri Daçiç është dekoruar me urdhërin më të lartë rus personalisht nga presidenti i Rusisë Putin për shërbime të posaçme ndaj Rusisë. Dekoratën më të lartë shtetërore ruse ka marrë nga preidenti rus Putin edhe ministri i qeverisë së re serbe Nenad Popoviç.

Kemi pra një qeveri të re serbo-ruse në Beograd, që sipas rrenave diplomatike të presidentit Vuçiç, e ka prioriritet integrimin europian të Serbisë në BE, megjithëse realisht e ka integuar Serbinë me Rusinë dhe me Kinën dhe madje po kërkon publikisht të fusë Serbinë në BRIKS, aleanca e krijuar sëbashku  nga Rusia dhe Kina. Nuk është rastësi që kryemercenari rus në Serbi, presidenti Vuçiç, e caktoi qeverinë e re me dy zëvendëskryeministra rusë. Presidenti serb Vuçiç është dekoruar në vitin  2019 nga presidenti rus Vladimir Putin me urdhërin e lartë “Aleksandër Nevski”, të cilin e kanë marrë vetëm pesë presidentë të pesë shteteve satelite të Moskës, që kanë dalë nga ish-Bashkimi Sovjetik. Për shërbimet e posaçme ndaj Rusisë Kremlini e ka vlerësuar lart pesidentin Vuçiç, njësoj sikur Serbia të jetë si pesë shtetet e tjera anëtare e organizatës ruse të “Unionit të Shteteve të Pavarura” të krijuar nga Kremlini me shtetet ish-republika sovjetike.

Presidenti Vuçiç po ia kalon çdo ditë miun serb nën mustaqet e diplomacisë perëndimore dhe e pa se ajo nuk po don të zgjohet nga gjumi i iluzioneve ndaj udhëheqjes aktuale të Serbisë. Ndaj Vuçiç jo vetëm vuri tre rusë të rëndësishëm për Kremlinin në qeverinë e re serbe, por ia përplasi në fytyrë sfidën Perëndimit, duke caktuar qëllimisht si anëtarë kabineti Aleksandër Vulin dhe Nenad Popoviç, të cilët janë sanksionuar non grata nga SHBA pikërisht për shkak të shërbimeve të tyre për Rusinë në Ballkan. Ironia është se presidenti  Vuçiç në muajin nëntor të vitit të kaluar e hoqi Vulinin nga posti i shefit të shërbimit sekret serb dhe në gjitha korridoret diplomatike perëndimore e trumbetoi dhe e shiti sikur po plotësonte një dëshirë të amerikanëve, të cilët nuk e donin Vulinin, që i shërbente interesave ruse në Serbi dhe në Ballkan. Pa mbushur gjashtë muaj nga e ashtuquajtura heqje e tij Vuçiç e emëron Vulinin tani në postin e lartë të zëvendëskryeministrit të qeverisë së re serbe.

Në vazhdën e talljes së tij shumëvjeçare diplomatike me Perëndimin Vuçiç i thotë SHBA dhe BE se ai po i vë mercenarët ruse në qeveri “për ta larguar Serbinë nga Rusia”. Një përrallë kjo, që kanë qejf ta dëgjojnë diplomatët e sklerozuar perëndimorë në Beograd.

Vuçiç luan melodinë naive europiane se Serbia ka prioritet integrimin europian. Presidenti serb, që caktoi dhe drejton qeverinë e re serbe me tre ministra të rëndësishëm rusë, ka të drejtën e plotë të tallet me BE dhe me diplomacinë perëndimore, që rrejnë vetveten dhe publikun e tyre me çfaqjen prestigjiative që “Serbia po ikën nga Rusia”. Natyrisht diplomacia perëndimore, njësoj si në përrallën e mbretit lakuriq të Andersenit, ka të drejtën të besojë se qeveria e re serbë me dy zëvendëskryeministra dhe një ministër rusë dhe me në president ultra filorus, do largohet më shpejt nga Rusia, sepse kështu duan të gënjejnë veten disa diplomatë europianë të BE ose të departamentit amerikan të shtetit. Sepse nuk mund të besojnë veshët idiotizma diplomatike të tilla kur një diplomat i lartë perëndimor deklaron edhe pas atentatit terrorist shtetëror të Serbisë në Banjskë të Kosovës se Serbia e don Amerikën më shumë se sa e don Kosova.

A është kjo miopi i diplomacisë perëndimore? Jo, është alibia e ndërgjegjëshme, që i jepet Rusisë për ta pasur nën influencën e saj Serbinë, “botën serbe” dhe “Ballkanin e hapur”. Mos harroni! Disa pazare të mëdha të diplomacisë së fshehtë të fuqive të mëdha bëhen edhe pa spektakle të vjetër gjeopolitikë si ai i Jaltës.

Marë nga DITA

https://gazetadita.al/analiza-e-shaban-muratit-ne-dita-qeveria-e-re-serbe-me-dy-zevendeskryeministra-ruse

shkruan: Kimete Berisha

Po shkoj në Manastir!

1. ‘Unë e di se prapë do t’vjen pranvera;

dhe do të çelin lulet përsëri;

closevolume_off
po për mua fushat janë me ferra;

jeta ime është ky manastir’

– Manastirit i kanë kënduar shqiptarët me afsh e me zemër t’plastë, ama manastiri në muzikën shqipe paraqitet si një qosh vetmitarësh, si streha e fundit e dashnorëve të braktisur, ku i braktisuri vishesh me të zeza dhe shkon atje e qan përgjithmonë për fatin e tij!

– Për Zotin nuk bëhet fjalë.

Shqiptari e gjen Zotin tek pasi që e humb dashnorin!

2. Shqiptarët e kanë edhe një fjalë të ‘urtë’ që thotë se:

– ‘Sa më afër fshatit të jetë manastiri, aq më të varfër janë fshatarët’.

Prandaj, qe sa mirë u bë tash, më larg manastirit, do të pasurohen fshatarët e Deçanit.

3. Manastiri i Deçanit është i Kosovës.

Nuk është Kosova e Manastirit.

Manastiri nuk është shtet që ia mori tokën Kosovës.

Por, historianët e Deçanit e shohin Manastirin e Deçanit si Manastir të Serbisë. Ata në fakt nuk janë historianë, janë meraklinjë të historisë, se historinë e shqiptarëve nuk e kanë shkruar shqiptarët. – Historinë e Kosovës e ka shkruar një amerikan.

4. E Ju, a e keni lexuar ju Vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit?

Jam e sigurt që Jo.

Gjykata Kushetuese e Kosovës ka vendosur ta bëj valid vendimin e Millosheviçit për tokën e Manastirit të Deçanit!

Pasi që Gjykata Kushtetuese është me Metohinë kundër Kosovës, pse ekziston shteti i Kosovës…

– A ekziston shteti i Kosovës?

Derisa të sqarohet edhe ndonjë ditë se a është Kosova shtet…

– Çka tash?

Kush ka faj?

A ka faj Serbia që Gjykata Kushtetuese e Kosovës e çon në vend amantin e Millosheviçit…!

– Përveç njërit gjyqtar që nuk ka votuar (Bekim Sejdiu e kish emrin…duhet t’ia bëj folllow).

5. Shumë jeni mërzitur.

E di!

Shkoi Manastiri.

Por fotografia e vjetër me burra shqiptarë të ulur në oborrin e Manastirit mbetet kujtim i paharruar.

– A thua more Zot, pse ata burra rrinin ulur në oborrin e Manastirit…ditë’m drekë?

– Nuk mërzitet kush pse ‘shkoi’ toka derisa nuk e prek në megjën e tij shqiptarin….

Pasi që nuk janë mërzitur për Manastirin, janë gëzuar që Albin Kurti nuk e mbajti fjalën.

– Punë e madhe që Albin Kurti nuk e mbajti fjalën, si krejt shqiptarët para tij,…

Besa-besë e Albin Kurtit është punë për të…

Por, pyetja është:

– Pse Gjykata Kushtetuese e Kosovës u bë me Millosheviçin!

– Për t’u dukur ‘e mirë’, Gjykata Kushtetuese nganjëherë merr ndonjë vendim social në favor të shqiptarëve..të varfër, të ulur në bar…

6. ‘Gjenerata Z’, as që e di për çka bëhet fjalë

(dhe ky është problemi më i madh që gjeneratës së Re nuk i intereson Liria, Shteti, Pavarësia…

përveç feja që ka depërtuar në ‘Gjeneratën Z’, asnjë dije tjetër.

7. Ndërkohë që Millosheviçi për së vdekuri e mori Tokën e Manastirit, hoxha Shefqet Krasniqi në ato çaste e shpjegonte në detaje se a e prishë Ramazanin nëse merr ilaçe nga prapa…

– Ky është muaj i shenjtë por njerëzit janë dhe mbesit mëkatarë, kështu që…

Im Westen nichts Neues!

8. Me Ligjet e Millosheviçit shteti i Kosovës i ka lënë pa pensione shqiptarët!

Se, shqiptarët që nuk ia kanë paguar tatimin Millosheviçit, shteti i Kosovës i ndëshkon, nuk ua jep pensionin e plotë.

– E, kush ka faj tash?

Kush po i detyron shqiptarët t’i zbatojnë ligjet e Millosheviçit kundër shqiptarëve!

9. Ky Eskobari.

Doli si kauboj nga western-spaghetti, erdhi në Kosovë me hu në krahë dhe ia tharbi hundën Albin Kurtit:

– Nëse n’dakik nuk ia jep tokën Manastirit të Deçanit, Kosova nuk hyn në KE,

që domethënë se Kosova nuk do të lejohet të marrë pjesë në Eurovizion.

– Kryeministri Kurti u frikësua për herë të parë publikisht, shpirtërisht i dhimbset karriera, prandaj e pranoi Vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se Vendimi për të është i papranueshëm.

– Albini e pranoi Vendimin, ama vetja e tij nuk e pranoi Vendiimin.

E quajti ‘Vendim të çuditshëm’!

– Nuk është as i çuditshëm, është fyes, është Vendim tamam për një popull primitiv.

– Mbrëmë në orën katër të mëngjesit ma nxori gjumin ky Vendim…

shprehjet që përdor Gjykata, si pjesëzen përforcuese: ‘bile’…

– Në një Vendim që figuron pjesëza ‘bile’!

Bile-bile, ka mundur të jetë edhe më keq…

– Dhe, konstatimin se ‘Gjykata nuk është e nevojshme të ekzaminojë nëse ka pasur shkelje të ca neneve të Kushtetutës dhe ca neneve të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut’.

– Jo moj, s’ka nevojë të verifiikohen nenet, se po të besojmë…

10. Escobari e di serbishten, prandaj e di se ku iu dhemb serbëve.

Se edhe unë besoj se nuk mund të dashurohesh në dikë që nuk di t’ia përkthesh idiomat.

– Serbët janë të palumtur, dhe fajtor është Albin Kurti, tha Eskobar.

Dhe e porositi kryeministrin që menjëherë t’i bëj serbët të lumtur.

– E rrahu kryeministrin me fjalë, sa mundi, por edhe me gjeste.

E la për fund të takohet me të, Albin qershia mbi tortë.

– Po bën zullum, Eskobar. Po.

Po sillet sikur në Amerikë s’ka mbetur kush përveç tij.

– Dhe para se të takohej me Vjosa Osmanin, Escobar shkoi te busti i Ibrahim Rugovës…

për të treguar se i vetmi shqiptar që i pëlqen atij është i vdekur.

– Escobar, përdori edhe metoda të tjera për ta bërë xheloz Albin Kurtin.

Fotografia e tij me opozitën, ishte provokacija, por mënyrë efikase për ta trembur Albin Kurtin…

se Amerika ka me kë të kryej punë, o djalë.

11. Këta që merren me fe, këta kënaqen, veç hanë, pinë dhe mbajnë vajs.

Kurrë asnjë punë në jetë nuk e kryejnë.

– Kam ndjesinë se në jetën e kaluar kam qenë motër nderi, sepse jam shumë e ndershme…

Njëherë, në Patriarkanën e Pejës, i gjeta murgeshat në oborr, duke zier nën hije patate me kazana, era dhè….dhe kotësi, dembelica e që marrin rrogë për t’u lutur.

12. Por, me buallica autoktone po na buzëqesh fati.

Ministri Peci i ka zbuluar dy buallica autoktone, askush nuk e di se qysh i ka hetuar se janë autoktone…

dhe i ka vizituar ato.

I ka gjetur buallicat në lloç.

Pasi i ka analizuar kapacitetet e tyre, ka vërejtur se ato do të na dhurojnë qumësht.

– Peci i ka gjithë ato fjalë miradije për buallicat, por asnjë fjalë të mirë për Ramushin.

Peci me polici do ta largoj për zhelesh nga objekti i Ministrisë së Bujqësisë, Ramushin, por Ramushi s’do të largohet nga aty.

– Në një zyre të Ministrisë së Bujqësisë u pa një kukull cullak!

Kjo e komplikon situatën edhe më shumë!

P.S. Dhe, qaj, me zemër të

përvëluar,

paskam dasht’ oj nanë njeriun e gabuar!

Nga Shaban Murati

Greqia zyrtare, që nga viti 1991 i emigrimit masiv të shqiptarëve e deri më sot, nuk ka lënë rast zyrtar e fjalim zyrtar pa na përmendur se na ka mbajtur me bukë, duke pranuar emigrantët tanë të vilnin ullijtë dhe domatet greke. Në Greqi numuri real i emigrantëve shqiptarë është rreth 250 mijë vetë.

Udhëheqësit shqiptarë të të dy llojeve të qeverive, të kompleksuar nga ndjenja e inferioritetit ndaj Athinës, nuk kanë lënë takim zyrtar, bisedim dhe raste dypalëshe pa i falenderuar me përunjësi qeveritë greke “për bukën”. Në diplomaci kjo don të thotë të krijosh me duart tuaja hipotekën artificiale diplomatike te Greqia.

Italia zyrtare, që nga viti 1991 i emigrimit masiv të shqiptarëve e deri më sot, nuk e ka përmendur  kurrë në asnjë rast se “na ka mbajtur me bukë” dhe na bëri nderin, që pranoi emigrantët tanë. Në Itali numuri i emigrantëve shqiptarë i afrohet një milion vetave. Udhëheqësit shqiptarë të të dy llojeve të qeverive nuk kanë falenderuar me përunjësi qeveritë italiane. Italia zyrtare nuk e bëri kurrë hipotekë diplomatike për Tiranën pranimin e emigrantëve shqiptarë.

Greqia zyrtare ka ndërmarrë si politikë shtetërore një nga konvertimet më të mëdha masive të dhunëshme fetare të shqiptarëve. Si asnjëherë më parë në historinë mijravjeçare të kombit tonë konvertimi u dhunshëm fetar i shqiptarëve u shoqërua në Greqi dhe nga Greqia me konvertimin e dhunshëm etnik të shqiptarëve. Dhjetëra mijra e qindra mijëra shqiptarë përveç identitetit fetar humbën edhe identitetin etnik, gjë që përbën një nga fatkeqësitë më të mëdha kombëtare të kombit tonë. Nëpërmjet dhunës së urisë, të dëbimit, të shkopit të policisë dhe të kishës ortodokse greke, Greqia detyroi dhjetra mijra emigrantë shqiptarë të ndërronin fenë dhe të pagëzoheshin ortodoksë, të ndërronin emrat, që ua kishin vënë prindërit, me emra grekë, ndërruan edhe kombësinë. Është konvertimi më negativ masiv i shqiptarëve, që u detyruan të ndërrojnë njëkohësisht fenë dhe kombin, dhe të humbin në asgjë.

Italia zyrtare nuk e bëri kurrë një konvertim fetar dhe kombëtar të dhunshëm të emigrantëve shqiptarë dhe ata kanë sot të njetin identitet fetar dhe shqiptar siç kishin para se te shkonin në Itali nga Shqipëria. Nuk ndodhi kurrë me asnjë emigrant shqiptar në Itali, që nën presionin zyrtar, të vendit të punës, të policisë apo të kishës katoilke, të detyrohej të ndërronte emrin, fenë dhe kombësinë, qoftë dhe një shqiptar i vetëm emigrant.

Politika, diplomacia, historia, shkenca dhe shoqëria shqiptare duhet të nxjerrin mësimet e duhura ekzistenciale nga pervoja historike me njerin dhe tjetrin fqinj. Gjeopolitika shqiptare nuk duhet t’i harrojë kurrë këto mësime, që na vijnë nga historia e re e popullit tonë.

Gazeta Dita

https://gazetadita.al/krahasoni-fqinjet-tane/

Shkruan: Zekerija Idrizi

O Kryehero i yni kombëtar – Kryelegjendar Gjergj Kastrioti Skënderbeu!

Si çdoherë, por kohët e fundit seç ndjej një mall të madh të kuvendoj me Ty shtruar dhe shqiptarçe për fatet e kombit e të atdheut.
Kryehero, dekadat e fundit kanë rënë dendur dhe rrufeshëm re të zeza mbi qiellin tonë iliro-dardano-arbëror. Ato po sjellin shi, breshër e stuhi në tokën tonë, që po kanosin ta përbaltin dhe zhbëjnë ADN-në, indin, substancën dhe shtetet tona kombëtare shqiptare.

Kryehero, Ti me vigjilencën, largpamësinë heroizmin dhe luftërat tua i preve hovin në rrënjë hordhive barbare turko-osmano-aziatike. Mbrojte heroikisht, me nder dhe respekt të lartë kauzën tonë kombëtare dhe çlirove trojet e Arbërit nga pushtimi otoman. Rrjedhimisht Ti mbrojte edhe Evropën dhe kulturën e qytetërimin perëndimor nga “kultura” beduineske aziatike. Kësisoji, Ti ndoqe me fanatizëm dhe përkushtim të thellë rrugën e perandorëve, Lekës së Madh – Aleksandrit, Konstandinit dhe Justinianit të Parë.
Në këtë formë, lufta dhe heroizmi Yt hynë gjenealisht në analet e historiografisë sonë. Historia Yte është shënuar me germa të arta në librat dhe dokumentat kombëtare dhe ndërkombëtare.
Lapidaret dhe bustet Tua janë themeluar e ngritur gjithandej qyteteve tona arbërore dhe kudo metropoleve të botës. Ato janë dëshmi e rrallë që faktojnë kulturën dhe qytetërimin tonë kombëtar dhe evropian.
Kryehero, kohët e fundit ca shqipfolës, që flasin shqip, por, mjerisht, ëndërrojnë e përsiasin turko-arabo-aziatikisht, kanë stërkequr si mos më keq imazhin tonë të pastër kombëtar, duke na dhënë një hije dhe imazh fundamentalist në sytë e diplomacisë dhe politikës ndërkombëtare.
Pjesëmarrja e qindra shqipfolësve si myxhahedinë, në luftë të shenjtë në emër të Allahut, në frontet e luftës në Siri e Irak ishte fatal për kombin tonë.
Fyerja e personalitetit Tënd nga pseudo-historianë dhe shqipfolës fundamentalistë është fakt tmerrues. Lemeritës ishte fakti që busti Yt mori shuplaka dhe nënçmime në qytetin legjendar të Kaçanikut në Kosovë. Madje akoma më fatal ishin rastet e mbulimit me pelerinë të përmendores Tënde në qendër të Tiranës nga radikalë shqipfolës me rastin e faljes së bajrameve në sheshin e kësaj kryeqendreje. Rrëqethës është edhe fakti tjetër i mosreagimit të kreut të Komunitetit Mysliman në Shqipëri ndaj këtij akti të turpshëm!
Kryehero, ultrafundametalizmat religjiozë të shqiptfolësve myslimanë e ortodoksë kanë ngritur kokën dhe po paradojnë në trojet tona “ushtarakisht”. Rrezik i madh i kanoset rinisë sonë nga talebanizimi dhe sirianizimi, si dhe laicitetit dhe sekularitetit të shteteve tona. Ata po mëtojnë të rrënojnë vlerat tona kulturo-qytetëruese kombëtare e perëndimore dhe dëshirojnë të implementojnë sistemin teokratik të sheriatit e Islamit politik. Neo-otomanistët tanë vajtojnë për rikthimin e Perandorisë Otomane te ne në Gadishullin Ilirik.
Po ky rrezik po i kanoset shqiptarëve edhe nga helenizmi greko-bizantin. Autoqefaliteti i Kishës Ortodokse Shqiptare është përdhosur keqas me instalimin në krye të saj të satrapit grek Anastas Janullatos. Për pasojë, mjerisht, janë asimiluar në grekë shumë shqiptarë ortodoksë, pikërisht siç ishin asimiluar më herët masovikisht edhe shqiptarët ortodoksë në Maqedoni, në Greqi e Mal e të Zi.
I dashur Kryehero, fajin më të madh në këtë drejtim e kanë shumë nga kleri fetar, hoxhallarë, imamë, dhaskalë e mitropolitë.
Paramendo absurdin: historianët turko-otomanë kërkojnë me ngulm rishkrimin e historisë sonë, duke instistuar që Perandoria Otomane të konsiderohet çliruese dhe jo pushtuese e Arbërisë! Madje-madje, ata konsistojnë edhe në faktin që nuk është ushtruar dhunë dhe terror nga otomanët ndaj popullatës shqiptare në trojet tona etnike!
Jo vetëm që është ushtruar dhunë por edhe gjenocid, kulturocid dhe urbicid mbi etnosin dhe trashëgiminë tonë të begatë kulturo-qytetëruese kombëtare …

Pavarësisht këtyre fakteve tronditëse dhe tmerruese anti-shqiptare, Personaliteti dhe e mbarë historia dhe veprimtaria Yte gjigante e përmasash historike e legjendare vazhdon të trajtohet me kujdesin, konsideratën dhe respektin më të lartë kombëtar nga të gjithë atdhedashësit që kanë gjakë të pastër kastriotik e iliro-dardano-arbërorë. Historianët, sociologët dhe filozofët e mendimtarët tanë kanë shkruar e botuar qindra libra dhe mijëra kumtesa nëpër seminare, tryeza e simpoziume shkencore për jetën dhe veprën Tënde.
Historia yte lavdiplote bashk me betejat Tua legjendare u mësohet fëmijëve tanë qysh nē djep dhe në shkollat parafillore dhe ato fillore.

Dhe një proces i këtillë edukativo-arsimor do të vazhdojë të zhvillohet me fëmijët dhe nxënësit tanë sa të ekzistojë Shqipëria Natyrale dhe e tërë gjithësia.

ZGJOHU NGA VARRI KRYEHERO, GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU, DHE NA UDHËHEQ EDHE NJËHERË NË LUFTËN TONË KUNDËR SLLAVËVE PËRTEJKARPATIANË DHE GJITHË TRADHTARËVE ANTI-KOMBËTARË!

Pjesëz nga dorëshkrimi im aktual “LETËR KRYEHEROIT TONË KOMBËTAR GJERGJ KASTRIOTI – SKËNDERBEU”

Me deklaratën se nuk do të krijohej kurrfarë asociacioni – “as ksi, as asi”, Glauk Konjufca i qetësonte militantët. Por tash Albin Kurti ka pranuar ta themelojë atë, përkundër kundërshtive ndër vite dhe premtimeve se s’do të krijohet kurrë. “Edhe ksi, edhe asi” do të tingëllonte “reçeta” e re për Zajednicën, sipas “kuzhinës propagandistike” të Vetëvendosjes.

Imer Mushkolaj

Kundërshtime, protesta, gaz lotsjellës. Të gjitha këto veprime të Lëvizjes Vetëvendosje kundër themelimit Asociacionit të komunave me shumicë serbe, përkatësisht Zajednicës, siç pëlqente ta quante partia e Albin Kurtit. Të gjitha gjatë kohës sa Vetëvendosja ishte në opozitë dhe deklarimet i kishte të prera: nuk ka Zajednicë dhe pikë!

Me premtime kundër Zajednicës Kurti erdhi në pushtet. Por, dy vjet e gjysmë më pas, ai ka pranuar ta themelojë këtë mekazniëm, që do t’iu sigurojë serbëve më shumë të drejta.

Gjatë gjithë kohës Kurti tjetër gjë ka thënë, e tjetër ka vepruar. Teksa e përsëriste se nuk do ta themelojë në asnjë mënyrë Zajednicën, ai vazhdonte dialogun me Serbinë në Bruksel dhe pranonte marrëveshje të ofruara nga Bashkimi Europian, të cilat përfshinin Zajednicën.

Ndërkohë, për të qetësuar militantët dhe opinionin e brendshëm, Glauk Konjufca thoshte se nuk do të krijohej kurrfarë asociacioni, as me kompetenca ekzekutive, as pa kompetenca. Më saktë, “as ksi, as asi”.

Përfundimisht europianë e amerikanë sollën një draft për statutin e Asociacionit në Prishtinë, të cilin Kurti duket ta ketë pranuar. Megjthatë, ai insiston që Asociacioni “i tij” është krejt tjetër nga Asociacioni “i Thaçit dhe Mustafës”.

“Kjo qartazi nuk është Zajednicë ashtu siç e parashihnin marrëveshjet e viti 2013 dhe 2015, sepse asisoj do të ishte e padiskutueshme. Drafti në vlerësimin tim politik e bën të qartë që mekanizmi që do themelohet do ketë karakter bashkëpunues, pra nuk do të ndërhyjë në kompetencat e pushtetit publik, të komunave, organeve qendrore, askujt… Drafti e bën të qartë që çfarëdo ndryshimi i statutit bëhet vetëm pasi të jetë pajtuar Ministria për Administrimin e Pushtetit Lokal dhe t’i ketë dhënë aktgjykim lejues Kushtetuesja. Kjo e përmbys atë që e bënin marrëveshjet e viteve 2013 e 2015”, iu tha Kurti të premten deputetëve.

Në fakt, edhe në marrëveshjen e parimeve të vitit 2015 është e përcaktuar që statuti duhet të kalojë vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese. Pra, asgjë e re në këtë aspekt.

Në anën tjetër, është pak e rëndësishme se si do të quhet mekanizmi i ri që do të krijohet, por thelbësisht Asociacioni ose vetëmenaxhimi është autonomi për serbët. Pse do të kishte nevojë për Asociacion, nëse bëhet fjalë veç për bashkëpunim ndërmjet komunave me shumicë serbe? Një gjë e tillë do të ishte lehtë e mundshme në kuadër të organizimit aktual të komunave. Qartazi, që nga fillimi, ideja ka qenë dhe është që serbëve t’iu ofrohet një vetëmenaxhim, një vetëqeverisje, një autonomi. Kosova ka marrë përgjegjësi për një gjë të tillë dhe kjo do të ndodh.

* * *

Albin Kurti thoshte dikur që “Zajednicën nuk mund ta pranojë dikush, i cili nuk është serbofil”. Kjo është veç njëra ndër deklaratat e tilla të forta, në arkivin e pasur të tij të premtimeve të pambajtura. E të tilla ka mjaft – që nga ai se nuk do ta vazhdonte dialogun, nëse Serbia nuk kërkon falje për krimet e kryera në Kosovë.

Kurti tash po thotë që Asociacioni do të krijohet në këmbim të njohjes “de facto” nga Serbia dhe ky, sipas tij, është dallimi ndërmjet situatës tash dhe asaj të kohës së “regjimit të vjetër”. Se si ka arritur në këtë konstatim, më së miri e di ai. Por, në thelb, nuk është se ka ndryshuar asgjë serioze në proces. Asociacioni do të themelohet dhe serbët do të fitojnë më shumë të drejta. Për ata që dinë të lexojnë mirë dhe drejt, e që nuk bëjnë pjesë në atë përqindjen e pretenduar nga Kurti të jenë analfabetë, marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit qartësojnë gjithçka. Nuk mund t’i kthjellin vetëm mendjet e mjegulluara të militantëve, të cilët ende besojnë që Kurti nuk do ta themelojë Asociacionin, të cilët besojnë që ai ka të drejtë për çfarëdo që thotë dhe çfarëdo që bën. “Edhe ksi, edhe asi” do të tingëllonte “reçeta” e re për Zajednicën.

/Express

Albin Kurti

Me Shqipërinë po lidhemi edhe më shumë përmes hekurudhës Prishtinë-Durrës. Tetova do të jetë edhe më afër falë rrugës së re Prizren-Tetovë, që do të kalojë mes për mes malit të Vërtopit. Ndërsa banorët e Rozhajës dhe Plavës, do të mund të udhëtojnë më lehtë në drejtim të Pejës dhe Deçanit me projektet rrugore që e ndërlidhin Kosovën me Malin e Zi. Për të tri këto projekte infrastrukturore, tashmë kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me qeveritë e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi dhe hapat e parë drejt realizimit të tyre kanë marrë kahje e duhur.

Teksa rrugët e Kosovës po i degëzojmë me rajonin, në Kosovë ka ende rajone që kanë nevojë të ndërlidhen për së brendshmi. Anamoravën po e lidhim me Prishtinën përmes autostradës Gjilan – Prishtinë, në të cilën mbi 75% të punimeve kanë përfunduar dhe tashmë kemi ndarë buxhetin për të filluar vitin tjetër me ndërtimin e autostradës nga Gjilani deri tek Dheu i Bardhë. Ndërtuam e asfaltuam rrugë në zona e fshatra në veri të Republikës, ku për herë të parë po ndërtojmë e rinovojmë dhjetëra shtëpi të banorëve shqiptarë që janë dëmtuar nga lufta e fundit në Kosovë. Nënshkruam kontrata për mirëmbajtje përmes të cilave kemi mbuluar të gjithë territorin e Kosovës, me mirëmbajtje rutinë dhe mirëmbajtje investive. Në të kaluarën mirëmbajtja e rrugëve ka kushtuar 57 milionë euro për tri vite. Tani, me paramasa të ndryshuara, duke shtuar pozicione që e rrisin kualitetin e sanimeve siç janë rrjetat geogrid në shtresa të asfaltit dhe duke hequr pozicionet fiktive dhe ato të duplifikuara, e kemi zbritur në 38 milionë euro mirëmbajtjen. Me kontratat aktive për sinjalistikë, vijat e thjeshta gradualisht po zëvendësohen me termoplastikë që përveç cilësisë, kanë edhe afat e qëndrueshmëri më të madhe.

Pas përfundimit të procedurave të shpronësimit, punimet në rrugën Prishtinë – Podujevë tash e disa muaj po vijojnë me intensitetin meritor. Për përfundimin e rrugës Prishtinë – Mitrovicë, e cila ka filluar në vitin 2009 dhe është përcjellë me shumë shkelje dhe keq menaxhim, tashmë kemi përzgjedhur kompaninë mbikëqyrëse ndërkombëtare dhe jemi afër përzgjedhjes së kontraktorit i cili do të bëjë ndërtimin e rrugës. Gjithashtu, jemi angazhuar maksimalisht për gjetjen e zgjidhjes së problemeve pronësore në mënyrë që gjatë vitit të ardhshëm ta përfundojmë aksin rrugor Dollc – Gjakovë. Jemi në fazën para nënshkrimit të kontratave për rrugën Kijevë – Dollc dhe kemi ndarë buxhetin për të vazhduar vitin tjetër me segmentin nga Dollci e deri në Zahaq. Kemi filluar procedurën e prokurimit për ndërtimin e rrugës nga dalja jug e autostradës në Prizren e deri në hyrje të tunelit të rrugës Prizren – Tetovë si dhe ndërtimin e rrugës nga fshati Kërstec në komunën e Sharrit e deri në fshatin Zapod të Bashkisë së Kukësit. Jemi afër përfundimit të urës në Drelaj dhe kemi filluar procedurat e prokurimit për ndërtimin e urave në Badoc e Rogovë të Hasit. Të gjitha këto janë bërë, e për më shumë gjatë qeverisjes tonë kemi ulur borxhin e shpronësimeve për 82 milionë euro.

Krahas rrugëve, po investojmë mbi 200 milionë euro për rehabilitimin e Linjës Hekurudhore 10, që do të mundësojë operimin e trenave me shpejtësi deri në 100km/orë në shumicën e seksioneve të linjës. Për krahasim, treni më i shpejtë aktualisht në operim në të njëjtën linjë është rreth 60km/orë.

Pavarësisht fokusit në investimet infrastrukturore, nuk na ka munguar asnjëherë vëmendja ndaj mjedisit. Në këtë drejtim kemi miratuar Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, e kemi funksionalizuar Këshillin për Ndryshime Klimatike dhe Sekretariatin. Morëm pjesë për herë të parë në COP27 e aprovuam Ligjin për Ndryshime Klimatike dhe zhvillimin e Planit për Energji dhe Klimë, për të adresuar përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike. Po ashtu, filluam dhe fushatën e rëndësishme të largimit gradual të qeseve njëpërdorimëshe të plastikës, të cilat i shkaktojnë dëme të shumëfishta ambientit.

/Ina

Matthew Perry ka vdekur në moshën 54-vjeçare, ka raportuar TMZ.

Ylli i dashur i “Friends” thuhet se u gjet i vdekur në xhakuzin e shtëpisë së tij në lagjen e bukur Pacific Palisades të Los Anxhelosit pak pas orës 16:00 të së shtunës.

Burimet thanë për TMZ se reaguesit e parë shkuan në vendngjarje pas një telefonate që raportonte një arrest kardiak. Aktualisht është e paqartë se kush e telefonoi 911.

Burimet thanë se në vendngjarje nuk u gjet asnjë drogë.Në një deklaratë, Departamenti i Policisë së Los Anxhelosit tha për The Post: “Ne iu përgjigjëm bllokut 1800 të Blue Sail Rd për një hetim të vdekjes së një mashkulli në orën 4:10 këtë pasdite. Ai ishte në të 50-at.”

Perry – i cili nuk ishte i martuar dhe nuk kishte fëmijë – kishte një histori të gjatë abuzimi me drogën dhe alkoolin.

Ai foli për betejën e tij prej dekadash me varësinë në një kujtim të titulluar “Miqtë, të dashuruarit dhe gjëja e madhe e tmerrshme”, e cila u botua vitin e kaluar.

Perry shkoi në rehabilitim 15 herë dhe i ishte nënshtruar 14 operacioneve për të provuar dhe zbutur dëmtimin e mukozës së stomakut për shkak të përdorimit të alkoolit dhe opioideve.

Vitin e kaluar, Perry pretendoi se kishte shpenzuar afro 9 milionë dollarë duke u munduar të qëndrojë esëll gjatë viteve – dhe më në fund triumfoi. Ylli ishte pa drogë dhe alkool që nga maji 2021. 

shkruan: Dritan Goxhaj

Një mik më dërgoi në rrjetin social FB një shkrim me titull “Klani i Novi Sadit”. E lexova nga kureshtja dhe në fund mendova që çdokush që mund ta ketë shkruar këtë shkrim ka dorë për të shkruar romane me spiunazh, ose është ndonjë “Xhejms Bond” që ka vendosur të shkruajë kujtimet, ose të nxjerrë ndonjë informacion që mund të qarkullojë nëpër zyrat e shërbimit sekret. Por kur në fund lexova që e kishte shkruar Kryeministri i Kosovës, dora vetë, nuk e besova. Thashë me vete: “Nuk është e mundur. Nuk ka mundësi që kryeministri të nisë e të shkruajë në rrjetet sociale memorie tip lojra spiunazhi”.

E rilexova sërish dhe u trishtova që kryeministri i një vendi, i cili para një muaji u gjend nën sulmin terrorist të shtetit të Serbisë për arsye që vetëm ai i di, të banalizojë në këtë derexhe gjithë atë akt terrorist duke e trajtuar si një histori banale spiunazhi, nga ato që mund të bëhen nëpër kafene midis atyre që hiqen sikur i dinë të gjitha gjërat sekrete të kësaj dynjaje.

Si mundet dhe pse të bjerë Kryeministri i Kosovës në një derexhe të tillë?!

Çfarë halli e ka zënë Albin Kurtin që po shfajëson shtetin e Serbisë për këtë akt terrorist?!
Përse Kryeministri i Kosovës na fyen inteligjencën dhe memorien të gjithë ne shqiptarëve, por në veçanti atyre që banojnë në Kosovë?!

Para disa kohësh, në një letër të tijën publike drejtuar Edi Ramës, në prag të turit Ballkanik të Ramës, pas propozimit të tij të një drafti për asocacionin, Kurti i drejtohej Ramës duke i thënë: “Ju nuk i njihni serbët dhe Serbinë”. Kjo shprehje, ashtu si edhe ajo letër, na drejtohej ne shqiptarëve, por me subjekt Ramën. Sot, Kurti, i cili atëherë në atë letër pretendonte se e njeh mirë Serbinë, po mundohet të na mbushë mendjen se Serbia nuk është ajo që njohim ne.

E ne të gjithë e dimë që Serbia nuk është një shtet që e drejtojnë dhe e manaxhojnë bandat, qofshin ato të Novi Sadit apo të Beogradit, por është dhe ka qenë krejt e kundërta. Është shteti serb ai që i ka krijuar dhe i ka manaxhuar gjithnjë bandat e ndryshme për interesa të vetat. Me ato banda shteti i Serbisë kreu krimet më monstruoze në Bosnje dhe, më pas, edhe në Kosovë.

Kjo që Kryeministri i Kosovës po kërkon të bëjë nëpërmjet rrëfimeve të tij alla Xhejms Bond është tepër e rrezikshme për historinë tonë dhe të Ballkanit. Duhet dikush nga ata që paguhen me taksat e Kosovës për të bërë këshilltarin për çështje të sigurisë dhe të historisë pranë Kryeministrit Kurti t’i tregojë se si funksionon shteti në përgjithësi. Megjithatë, duke parë se këshilltarët Kurti me sa duket i ka vetëm për orendi zyre, po marr mundimin dhe guximin t’i shpjegoj sesi funksionon dhe ç’është shteti.

I dashur Albin, e zëmë për një moment të vetëm pa lajthitur se ajo që ju shkruani është e vërtetë e se gjithë këtë akt e ka organizuar, si thoni ju, vetëm një ministër së bashku me një bandë. Këta njerëz që sulmuan në Kosovë janë trajnuar në një bazë ushtarake të shtetit të Serbisë; janë trajnuar aty për disa ditë ose për disa javë. Shteti e Serbisë, ashtu si edhe çdo shtet tjetër, posedon edhe një organizëm të veçantë që quhet Shërbim Sekret dhe që funksionon në bazë të disa dikastereve të ndryshme, që do të thotë se Ministria e Mbrojtjes e ka një të tillë e po ashtu edhe Ministria e Rendit. Ekziston edhe një i tillë civil që dikur në Serbi quhej UDB, ndërsa tani BIA. A vallë mos mendoni ju se këto shërbime të cilat funksionojnë të pavarura nga njëri-tjetri nuk e kanë marrë vesh një trajnim të tillë?!

Të garantoj që po dhe, si rrjedhojë, kanë informuar secila Kryeministren e Serbisë dhe Presidentin e Serbisë, si dhe anëtarët e tjerë të Këshillit të Sigurisë të Serbisë. Kjo do të thotë se për këtë veprim është vënë në dijeni i gjithë shteti serb.
Ju dhe këshilltarët tuaj do thoni që e dini këtë, por do ngulni këmbë që ky shteti i Serbisë është kapur peng nga kjo banda e Novi Sadit sot në kohën e Vuçiçit dhe nga banda e Beogradit – e Zemunit në kohën e Millosheviçit.

Dhe, sërish, ju them të bëni kujdes se çfarë shkruani, sepse një njeri në pozicionin e kryeministrit nuk mund të thotë kurrë që shtetin e Serbisë e drejtojnë bandat sot, ashtu si e kanë drejtuar dikur. Kjo që po bëni është një shfajësim nga përgjegjësia shtetërore e shtetit të Serbisë për aktin terrorist të 24 shtatorit dhe kalim i kësaj përgjegjësie në një përgjegjësi individuale. Për më tepër, me kërkesën tuaj për një gjykatë speciale për një bandë, duke qenë totalisht i vetëdijshëm se bota e qytetëruar nuk ngre gjykata speciale ndërkombëtare për banda por vetëm për shtete, po hiqni gjithë përgjegjësinë juridike dhe politike të shtetit serb për këtë sulm dhe po kërkoni që kjo të mos shkojë në asnjë mënyrë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe as në gjykatën ndërkombëtare si një sulm shtetëror.

Ajo që ju keni marrë përsipër të bëni është një akt pervers me pasoja të rënda për historinë tonë, pasi ju po nënkuptoni direkt se edhe krimet që janë bërë në Kosovë ndaj popullsisë civile në 1997-1999 i paskan bërë bandat dhe jo shteti dhe, në këtë mënyrë, shteti serb nuk duhet të mbajë përgjegjësi për ato krime pasi ai i shkreti nuk ka faj sipas jush, pasi ka qenë i marrë peng nga bandat, ashtu si edhe sot.

Duhet t’i tregohet Albin Kurtit se bandat mund të ndodhë që ta mbajnë peng një kryeministër për një arsye ose çështje të tyre, por bandat, i dashur Albin, nuk kanë axhenda të strukturuara politike genocidiale, kjo jo se nuk munden të elaborojnë një të tillë, por nuk kanë kapacitetet njerëzore dhe administrative për t’i realizuar këto axhenda dhe ndaj mbeten dhe konsiderohen banda, qoftë edhe të strukturuara. Ndaj, të lutem, mos na fyej duke na thënë se shteti serb është i pafajshëm e se bandat e kanë marrë peng. Mos luaj me viktimat civile në Kosovë e në Bosnje me këtë cinizëm tëndin dhe shpërfillje ndaj tragjedive njerëzore tonat.

Unë e kuptoj perversitetin e mendimit tënd që, duke hyrë në detaje të tilla, kërkon t’u tregosh, së pari, anëtarësisë së organizimit tënd politik, që tashmë më duket më shumë si ‘Vetë-fundosje” sesa si “Vetë-vendosje”, se sa i aftë është Kryeministri dhe qeveria e tij se kanë arritur të zbulojnë me detaje sulmin. Sepse, kur i fut njerëzit në detaje, detaje me të cilat do humbin gjithë kohën duke diskutuar, sigurisht që do humbin tabllonë e madhe dhe themelin e gjithë këtij rrëfimi alla Xhejms Bond.

Themeli është të zbutim dhe heqim përgjegjësinë shtetërore të Serbisë në këtë që ndodhi që nesër, kur të ulemi në tavolinë sërish për bisedime, të jemi të justifikuar se shteti nuk ka faj, faj kanë ata që e kanë marrë peng.

Rruga që ke zgjedhur Albini është rrugë pa krye.

Në rast se nuk ta ka thënë kush, po ta them unë që ti je Kryeministër i Kosovë e jo i Serbisë. Nuk është detyra jote të justifikosh e shfajësosh shtetin serb, por ta akuzosh atë e ta mbash përgjegjës për Aktin Shtetëror Terrorist të 24 Shtatorit. Në rast se nuk e bën dot, atëherë, më e pakta, të lutem mos hap dyer të cilat do na kushtojnë shumë në të ardhmen e afërt

Shkruan: Kimete Berisha

Ndarja ‘e mirë’ e Kosovës!
Mbasi që Asociacioni është ‘i mirë’, pse kryeministri po e mban fshehtë?
Albin Kurti ka të drejtë t’i ndryshojë bindjet politike, sepse njeriu normal ndryshon.
Ajo që dje ka qenë e vërtetë, sot mund të mos jetë e vërtetë.
Nuk mund ta mbrosh njē bindje edhe pasi që ajo bindje të mykët!!
Kryeministri Kurti është i pari që po e lavdëron ‘ndarjen e Kosovës’.
Të gjithë para tij kanë thënë ‘Asociacioni është detyrim i yni’, e ky po thotë ‘Asociacioni është ‘i mirë’.
Ndarje të mirë nuk ka.

Albin Kurti as nuk ka guxim të tregojë se pse po i pëlqen ky Asociacion, sepse pesëshja e emisarëve ia kanë ndaluar të tregojë.
Albin Kurti e ka të ndaluar të mos i pëlqej Asociacioni, ndërsa Besnik Bislimi ka treguar se as nuk guxojnë t’i interpretojnë ‘nenet e Asociacionit’ thuajse janë fjalë që kanë zbritur nga Zoti.
Asociacioni është Zajednicë, Zajednicë është Autonomi, Autonomia është ndarje e Kosovës.
Populli shqiptar është i privuar nga e drejta për ta ditur se çfarë ka në atë Asociacion sekret.
Aleksandër Vuçiqi përpara popullit të Kosovës e di se çfarë do të ndodh me Kosovën.
Dhe tek pasi që të vendoset për Kosovën, populli do ta marrë vesh se çfarë ka ndodhur me të!
Albin Kurti mban sekrete me Aleksandër Vuçiqin, dhe e fsheh të vërtetën para popullit të tij.
Sekretin po ia ruan edhe Vuçiqi.
Liderët evropian kanë kërkuar nga Serbia që ta pranojë Kosovën De-facto.
Kur dikush të pranon De-facto, do të thotë jozyrtarisht e pranon atë që ndodh në praktikë.
E pse jo?
Serbisë nuk i bie keq ta pranojë realitetin më të ri në Kosovë – autonominë e serbëve.
Normal që do ta pranojë.
P.S. Me Ty, si pa Atdhe!
Me Ty, si pa Zot e pa Fe!

Gunther Krichbaum, është përfaqësuesi më i lartë për Çështjet Evropiane i Grupit Parlamentar të CDU/CSU në Parlamentin Evropian dhe deputet në Parlamentin gjerman, i cili i është përkushtuar gjatë opozitës shqiptare prej vitit 2013, përfshi dhe krizën e vitit 2017, dhe më pas bojkotit të vitit 2019. 

Nuk është nga ata politikanët e rastësishëm që u bie rruga nga Tirana dhe thonë një fjalë. E njeh mirë Sali Berishën, Lulzim Bashën, Edi Ramën dhe gjithë politikanët e rëndësishëm shqiptar. 

Është ndoshta politikaniiI vetëm gjerman që dhe kur Edi Rama ishte në ditët më të mira me kancelaren Merkel, ky i bënte gjëmën me raporte kundër ecurisë së Shqipërisë, në raport me kushtet e plotësuara për hapjen e negociatave.

Sulmi i tij publik ndaj Sali Berishës nuk është as çështje lobimi dhe as konsideratë personale. Gunther Krichbaum i ka hequr sot stolin ku Berisha ka hipur dhe shpreson se do shpëtojë nga varja. Ja ka hequr stolin Sali Berishës, në emër të së djathtës më të rëndësishme evropiane dhe njëkohësisht më pro shqiptare.

Stoli në të cilin Berisha ka hipur t’i bëjë gjyq drejtësisë shqiptare, me shpresë se do ta sfidojë atë, sot i është kthyer në stol ku sipër kokës ka një litar. Dhe duke ja hequr, i japin fund dërdëllitjeve të tij.

Ai nuk doli në konferencë shtypi me Lulzim Bashën, që të mos i japë ngarkesën politike të qëndrimit të Evropës kundër Berishës, Lulzim Bashës, por nga ana tjetër i tregoi atij dhe gjithë politikanve të tjerë të opozitës në Shqipëri, se e djathta evropiane i ka prerë njëherë e mirë punët me Sali Berishën dhe është në mbështetje të fortë të SPAK në procedimin ndaj tij dhe familjarëve të tij.

Evropa po e trajton Sali Berishën njësoj si SHBA në përshkrimin që i ka bërë sekretari Blinken, kur e ka shpallur “non grata” familjarisht, duke e konsideruar një politikan që ka minuar demokracinë, që është përfshirë në korrupsion madhor bashkë me familjarët e tij dhe që ka shantazhuar drejtësinë. Por meqë Evropa nuk ka një standard ndëshkimi si ajo e SHBA për “non grata”, po e bën këtë duke mbështetur SPAK në Shqipëri, për të njëjtat akuza.

Por dhe Sali Berisha me sa duket, i mbetur keq, “njësoj” po i përgjigjet Evropës siç ju “përgjigj” SHBA. Ashtu siç e çoi sekretarin Blinken në gjyq në Francë, ashtu do ta çojë dhe njeriun më të rëndësishëm të së djathtës gjermane në Parlamentin Evropian. Do ta padisë për shpifje.

Mirë do ishte ta padiste në SPAK dhe të bashkoheshin çështjet në një çështje me 17 kullat, se aty ka mundësi të provohen dhe faktet, por me siguri nuk e bën, se nuk e njeh SPAK. 

As në Gjermani nuk e bën dot, se ata e kanë nisur para SPAK hetimin për milionat e dhëndrit të investuara nga llogaritë bankare të dhëndrit për blerje shtëpish, për mbesën në Gjermani.

Kështu që Franca i ka mbetur prapë si vend ku mund të ankohet. 

E vetmja e keqe e Francës është që nuk të kthen as përgjigje kur i çon letër. Por nuk është se Berishës i duhet ndonjë përgjigje. Sa më vonë të vijë, aq më mirë, se mund t’i gënjejë këta trushpëlarët se do vijë përgjigjja një javë para zgjedhjeve të vitit 2025. 

Puna është se deri atëherë mund të ketë ndërruar adresë shtëpie dhe s’ka për ta marrë në dorë.