Shtetet që duan të bëhen anëtare të NATO-s si Maqedonia e Veriut patjetër duhet të sigurojnë mënyrë të sigurisë së lartë për komunikim, theksoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një intervistë për Zërin e Amerikës.
“Vendet që futen në NATO duhet të kenë linja të sigurta dhe të besueshme komunikimi. Kemi kërkesa specifike për infrastrukturën civile dhe për rrjetin 5G, për vende të reja anëtare si për shembull Maqedonia e Veriut. Prandaj kemi krijuar udhëzuesin e operimit. Po ashtu kemi ndryshuar kërkesat për sistemet e telekomunikimit. Tani kërkojmë instalimin e teknologjisë 5G në zonat ku vërejmë ndryshime të mëdha.”, theksoi Stoltenberg, transmeton INA. Sipas tij, operacionet ushtarake të NATO-s varen nga infrastruktura civile: rrugët urat, portet detare, aeroportet, kabllot e komunikimit përmes Atlantikut dhe rrjetet e telekomunikacionit. Stoltenberg thotë se këto kërkesa nuk mund t’u imponohen vendeve jo-anëtare, si për shembull Serbia, por është një kërkesë e detyrueshme për vendet që kërkojnë të aderojnë. Sipas tij, NATO-ja do të vazhdojë politikën e dyerve të hapura. “Kur fqinjtë tanë janë më të stabilizuar, ne jemi më të sigurtë. Kur fqinjtë tanë futen në NATO, ne bëhemi më të stabilizuar dhe më të sigurtë”, nënvizoi shefi i Aleancës. Ai shtoi se suksesi më i madh i Aleancës së Atlantikut Verior është se bëri të mundur përfundimin e Lutës së Ftohtë pa një të shtënë, ndërsa, misioni i NATO-s nuk përfundoi me kaq, sepse Aleanca përballet me sfida të reja.
Maqedoni
Mjeku nga Tetova, ndër 100 personalitetet më të shquara të Zvicrës (video)
Kirurgu i njohur i zemrës, shqiptari nga Tetova, prof. dr. Omer Xhemali, njihet më shumë për faktin se është shqiptari i parë që ka bërë transplantim të zemrës.
Omer Xhemaili ka lindur në vitin 1970 . Pasi ka mbaruar studimet e mjekësisë dhe specializimin për kardiokirurg në Gjermani, ka punuar një kohë të gjatë në klinika të ndryshme të atjeshme.
Është bashkautor i dy titujve nga fusha e mjekësisë dhe autor i mbi 100 artikujve tjerë dhe abstrakteve shkencore, shkruan albinfo.ch
Në vitin 2007 zgjidhet si autor më i mirë i një pune shkencore në Gjermani, Austri dhe Zvicër, ku edhe merr çmimin “Hans Borst”.
“Unë nuk dua të bëhem hulumtues me famë botërore por dua që pacientëve të mi t`ua ofroj trajtimin më të mirë të mundshëm”, thotë doktori. Por, megjithatë, ai ka dëshmuar se mund të jetë inovativ. Në spitalin ku punon, ai ka praktikuar për herë të parë në Zvicër një metodë të re mjekësore. Pas një operacioni të valvulave të zemrës ai ka arritur ta mbyllë një prerje të vogël në zemër pa përdorur penj.
Si u përgjuan mbi 20 mijë persona në Maqedoninë e Veriut
Me marrjen në pyetje të dëshmitarit Sasho Trajkovski, i punësuar në DSK, në Gjykatën Penale vazhdoi seanca gjyqësore për lëndën “Target-Fortesa” të PSP-së.
Në pyetjen e prokurorit Artan Ajro, dëshmitari në lidhje me kapacitetet për ndjekjen e sistemit Verin dhe Najs gjegjësisht për mundësinë për shënimin e numrave, tha se për të parin nuk i kujtohet, përderisa, në Najs kapacitetin kishte 20.000 numra.
“Duke pasur parasysh atë se ky sistem me operatorët e telefonisë lidhej me pajisje ndërmjetësuese dhe realisht ky numër ishte 2.500 targetë”, sqaroi Trajkovski.
Dëshmitari tha se kishte marrë pjesë gjatë shënimit të numrave nga shënuesit dhe se ish drejtori i DSK-së Sasho Mijallkov dhe shefi i Drejtorisë së pestë kishin kompjuterë të cilët ishin të lidhur me sistemin Najs.
“Ekzistonte një grup i përdoruesve i cili quhej ‘E RËNDËSISHME’ ku kishte tre përdorues. Mund të shihnim se ka qasje nga zyrat e drejtorit të DSK-së dhe shefit të Drejtorisë së pestë”, tha Trajkovski.
Gjykatësi Vladimir Tufegxhiq iu drejtua prokurorëve se duhet të ndërmarrin diçka rreth pyetjeve, gjegjësisht të jenë më koncize, ndërsa përgjigjet më të shkurta, sepse, sipas tij, gjykimi po zvarritet, ndërsa, siç tha, në ditët e fundit gjykata iu është nënshtruar kritikave për disa procedura gjyqësore dhe konkretisht kjo. Gjykatësi potencon se anëtarë të PSP-së pikërisht dje dhe para disa ditëve kanë reaguar në kontestueshmërinë e procedurës të “Target-Fortesa” .
Në lëndën “Target-Fortesa” të PSP-së të akuzuar janë ish-shefi i Drejtorisë së pestë në MPB Goran Grujevski, Nikolla Boshkoski, ish-ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska, ish-drejtori i DSK-së Sasho Mijallkov, Toni Jakimovski, Vladimir Varelov nga DSK edhe pesë persona të tjerë nga Drejtoria.
Sipas aktakuzës, përmes tre sistemeve për ndjekjen e komunikimeve në DSK në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2015 në mënyrë të kundërligjshme janë ndjekur 4.286 numra telefoni për të cilët aspak nuk janë dhënë urdhra gjyqësor.
Komunikimi është ndjekur para se të jepen dhe pas përfundimit të kohëzgjatjes së vlefshmërisë së urdhrave gjyqësore të 1.541 numra ose gjithsej 5.827 numra të telefonit. Ishin përgjuar mbi 20 mijë qytetarë.
Fatime Fetai: Pa e ndriçuar rastin “Monstra” nuk shkoj askund
Prokurorja speciale Fatime Fetai është shprehur e bindur për ndriçimin e rastit Monstra. Ajo në një emision të 1tv, tha se këtë rast e ndjenë ngarkesë në vetvete dhe se pa e ndriçuar atë, nuk mendon për ndonjë drejtim tjetër.>
“Pa u përfunduar rasti Monstra të cilin personalisht e ndjej sikur ngarkesë dhe njëkohësisht kamë dëshirë dhe e kam pasur që kur kam hyrë në PPS për ta zgjidhur, jo vetëm nuk do të lëviz, por as nuk mendoj në drejtim tjetër”, deklaroi Fatime Fetai, Prokurore speciale.
Fetai foli edhe për bisedimet pushtet-opozitë, për arritjen e një marrëveshjeje për ligjin për Prokurorinë Publike. Ajo u shpreh e pakënaqur me njerëzit të cilët po i udhëheqin këto bisedime, pasi siç tha, disa prej tyre janë të dyshuar për vepra penale.
“Unë nuk mund të di sa herë do të ulen, të merren vesh, të negociojnë dhe si do të merren vesh në fund, pro vetëm një gjë mund të apeloj. Nëse partitë politike mendojnë të sjellin ligj, në të cilin do të vendosin dispozita me të cilat do të pamundësohet që secili që ka shkelur ligjin, të përballet me drejtësinë, më mirë është që hiq mos ta sjellin atë ligj. Nuk na duhet neve ligji që vetëm të themi se i përmbushëm kushtet që të shkojmë përpara dhe ta hutojmë opinionin, ndërsa ligji të jetë përplot me pengesa në punën tonë të mëtutjeshme. Ajo do të nënkuptonte, se politikanët tanë, edhe pushteti edhe qeveria, duan që ta amnistojnë krimin”, theksoi Prokurorja speciale, Fatime Fetai.
Mandati për mbylljen e rasteve të PPS-së përfundon në shtator, dhe nëse ky mandat nuk vazhdohet, Fetai tha se do të shkaktohej në kaos me lëndët e hapura. Megjithatë ajo shtoi se në vendin tonë është traditë që marrëveshjet të arrihen në moment të fundit, andaj tha se edhe marrëveshja për ligjin për Prokurori publike do të arrihet, siç tha, në ora 12 pa 5.
ASH: Të ndriçohet afera “Magjar Telekom”
Aleanca për Shqiptarët theksoi sot se Rasti i Maxhar Telekom, ku akuzohen për korrupsion lideri I BDI Ali Ahmeti dhe funksionarë i lartë I BDI Musa Xhaferi duhet ndriçuar plotësisht dhe ky rast nuk mund ti ikë drejtësisë dhe forcës së Ligjit.>
“Vendimi i sotëm i Këshillit të Apelit, I cili hodhi poshtë padinë penale të dyshuarve Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferit ndaj ish drejtorit të Zbulimit dhe Kundër zbulimit Slobodan Bogoevkit për shpifje dhe fyerje, për rastin Magjar Telekom, i cili kishte dëshmuar në Gjyqin Amerikan, se Ahmeti dhe Xhaferi janë të përfshirë në korrupsion është një dëshmi e re se Bogoevski nuk paska shpifur dhe akuzat ndaj Ali Ahmetit dhe Musa Xhaferit janë të vërteta?”, nënvizon ASH.
Sipas kësaj partie, ky skandal I pazbardhur, paraqet dyshime për nivel më të lartë të korrupsionit, andaj si I tillë duhet të zbardhet sa më parë më një epilog të drejt dhe të pavarur gjyqësor, aq më tepër kur është pjesë edhe e pjesë e hetimit të Gjykatës së Nju Jorkut, të SHBA-ve.
“Komisioni Evropian një ditë më parë gjithashtu ka kërkuar që në kuadër të reformave në Gjyqësi të rritet transparenca ndaj dyshimeve që janë hapur nga Prokuroria Publike Speciale duke kërkuar vazhdim të hetimit dhe dënim për rastet e korrupsionit të nivelit të Lartë ku bën pjesë edhe afera Magjar Telekom. Është koha tani kur po presim hapjen e Negociatave me BE , pikërisht tani kur po proklamojmë se i përmbushim reformat në Drejtësi dhe Gjyqësi, që të veproj shteti I së drejtës, dhe opinion të informohet
saktë për rastin Magjar Telekom? Dhe në fund e pyesim liderin e BDI, nëse është I gatshëm ti nënshtrohet Vetingut të cilin e paralajmëroi ditë më parë?”, thekson ASH-ja.
Refuzohen paditë e Ali Ahmetit dhe Musa Xhaferit për shpifje në lidhje me “Magjar Telekom”
Gjykata e Apelit edhe për herë të dytë i ka refuzuar paditë e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti dhe bashkëpartiakut të tij, Musa Xhaferi për shpifje kundër ish agjentit, Sllobodan Bogoevski, i cili përpara Gjykatës së Amerikës ka dëshmuar se ata të dy kanë marrë ryshfet nga dy e gjysmë milionë euro çdonjëri prej tyre, që të anulohet ardhja e operatorit të tretë mobil në tregun e Maqedonisë, njofton Portalb.mk.>
Në vendimin që sot është publikuar nga Gjykata e Apelit, thuhet se paditësit Ahmeti dhe Xhaferi nuk kanë të drejtë as për dëmshpërblim material. Ky këshill anonim prej gjykatësve, të cilët kanë refuzuar t’i tregojnë emrat e tyre, kanë vendosur për herë të dytë, edhe atë pas ankesës të të paditurit, Bogoevski.
Ndryshe, rasti ka të bëjë me dhënien e ryshfetit ndaj zyrtarëve të lartë, Prokuroria Publike kah mesi i vitit 2015-të hapi hetim pasi u publikua dëshmia e ish drejtorit të DSK-së, Slobodan Bogoevski para Gjykatës së Qarkut në Nju Jork, ku ai pohon se ish drejtorët e “Magjar Telekom” i kanë dhënë 2,5 milionë euro ish kryeministrit Vllado Buçkovski dhe zyrtarëve të BDI-së, Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferi, që mos të hyjë ndonjë operator tjerë i telekomunikimit në Maqedoni.
PSP ka hapur parahetim për Ahmetin, Buçkovskin dhe Xhaferin dhe fati i lëndës do të dihet pasi që të zgjidhet statusi i PSP-së.
Raport të pakushtëzuar për Maqedoninë e Veriut
Maqedonia e Veriut është shembull i mirë i ndërtimit të marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore dhe përmbushjen e të gjitha kushteve të vendosura më herët vlerësoi Komisioni Evropian. Në raportin e progresit të publikuar nga eurokomesari Johanes Han, rekomandohet çelja e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, sa më shpejtë që është e mundur.
Të dyja vendet kanë përparuar në sferën e reformave të rekomanduara nga Këshilli Evropian në qershor të 2018. Në këtë drejtim, Komisioni i rekomandon Këshillit të hapë tani negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”-tha Johanes Hahn, eurokomisioner.
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë shënuar progres të caktuar në zbatimin e reformave. Marrëveshja e Prespës që i dha fund ngërçit me emrin dhe i hapi rrugën fqinjësisë së mirë, ashtu siç u veprua edhe me Bullgarinë, është diçka që për neve paraqet vlerë historike në ndryshimin e lojës, jo vetëm për vendim por edhe për rajonin”-pohoi Federika Mogherini, shefe e diplomacisë së BE-së.
Raportuesi për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, eurodeputeti Ivo Vajgëll, kujtoi institucionet e BE-së se është koha që vendi të shpërblehet.
Ne u angazhuam dhe i premtuam qytetarëve dhe elitës politike ne Maqedoninë e Veriut që nëse ata hapin politika të reja dhe marrëdhënie me fqinjët, nëse ata arrijnë një marrëveshje si ajo e Prespës, ata do të shpërblehen. Unë them që neve duhet ta mbajmë këtë premtim”-theksoi Ivo Vajgëll, eurodeputete.
Në raportin e progresit për vendin thuhet që janë adresuar reformat urgjente të Pribesë për gjyqësorin, është krijuar situatë e qetë ndëretnike mes komuniteteve, është siguruar mbikqyrje në institucionet e reja të sigurisë, është bërë progres i dukshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe hapa të rëndësishëm në reformën në administratën publike. Gjatë vitit që vijon, Komisioni Evropian pret nga Shkupi zyrtar të zbatojë ligjet e miratuara në kuadër të reformave, të vazhdojë luftën e nisur kundër krimit dhe korrupsionit, të konsolidojë hetimet e nisura nga materialet e përgjuara, të adaptojë një reformë në Këshillin e Prokurorëve Publik dhe Këshillin gjyqësor dhe pozitat kyçe në administratën publike të merren në bazë të meritave. Këshilli Evropian theksoi se ka qenë e arsyeshme që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të valorizohen në paketë por është në duart e vendeve anëtare nëse procesi i anëtarësimit do të shkojë paralel për të dyja vendet. Shqipëria po ashtu mori rekomandim të pakushtëzuar por ju kërkua të vazhdojë reformat në sundimin e ligjit, luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe gjetjen e konsensusit të brendshëm politik për të bërë prioritet eurointegrimin.
Fatlume Dervishi
Raporti ndërkombëtar: Politika në Maqedoni i mbron grupet kriminele nga Haraçina, Kondova dhe Gërçeci
Sipas raportit të Iniciativës globale kundër krimit të organizuar transnacional, “grupet kryesore kriminele në Shkup kontrollohen nga shqiptarët etnikë. Format më të shpeshta të krimit të organizuar janë tregtia me drogë, vjedhja e veturave, kontrabandimi i migrantëve”, shkruan gazeta “Slloboden Peçat”. Poashtu përmenden edhe biznese legale që mundësojnë “transport të kontrabandës” dhe larje parash, transmeton Gazeta Lajm.>
“Tre grupet kriminele që operojnë në rajon: nga fshatrat Haraçinë, Kondovë dhe Gërçec, gëzojnë mbrojtje politike”, konstaton organizata në raport.
Në përgjime duke porositur drogë, dorëhiqet deputeti maqedonas
Deputeti maqedonas i LSDM-së Pavle Bogoevski ka dhënë dorëheqje nga funksioni i tij në Kuvend, pas publikimit të përgjimeve, ku ai dëgjohet kur porosit lëndë të dyshimta narkotike, për të cilën ai tha se ka blerë vaj kanabisi për një të afërt.
Bogoevski vendimin e bëri të ditur në seancën e Komisionit për çështje të mandateve dhe imuniteteve në Kuvend, në të cilën po merret vendim për mandatin e Nikolla Gruevskit. Bogoevski ishte edhe kryetar i Komisionit.
“Kolegë deputetë qëndroni besnik ndaj principeve. E di se politika është një lojë e zjarrtë. Falënderoj të gjithë ata që më kanë bërë më të fortë këto dy vite”, deklaroi Bogoevski.
Ai tha se vendimin e ka marrë që kur është paraqitur vetë në polici.
Avokatët kërkojnë anulimin e aktvendimit për Grupin e Kumanovës
Akuzat terrorizëm dhe për organizim terrorist, me të cilat u dënuan me 746 vite burg 33 pjesëtarët e grupit të Kumanovës kundërshtohen nga mbrojtja. Avokatët e tyre kërkojnë anulimin e këtij vendimit të shkallës së parë. Sot, në Gjykatën e Apelit, vazhdoi shqyrtimi i ankesave të të dënuarve nga “Lagja e Trimave”. Nga pala mbrojtëse e të dënuarve, u tha se akuza për këto vepra penale ka qenë e gabuar që nga fillimi i këtij procesi gjyqësor. Avokati Elenko Millanov tha se Prokuroria publike është dashur ta ngrit aktakuzën në bazë te fakteve, të cilat sipas tij në Gjykatën Penale nuk kanë qenë të mjaftueshme.
Dëshmi të qartë dhe precize se kush ka filluar i pari me intervenim nuk është theksuar gjatë procesit gjyqësorë. Përderisa bërja e rezistencës ndaj intervenimit policorë është krejtësisht tjetër vepër penale. Fakti i të vrarëve nga radhët e policisë së shtetit në atë aksion është kualifikimi i duhur juridik Vrasje sipas nenit 123, paragrafi 2, pika 5, ku janë të parashikuar dënimet e njëjta- deklaroi avokati Elenko Millanov.
Sipas palës mbrojtëse, termi terrorizëm në të drejtën ndërkombëtare përdoret kur ka sulm ndaj civilëve, ndërsa në këtë rast avokati Naser Raufi thotë se ka pasur një përleshje të armatosur nga të dyja palët. Ai tha se policia ka hapur zjarr pa paralajmërim në Lagjen e Trimave, duke shprehur indinjatën që në shkallë të parë u pranuan të gjitha dëshmitë e propozuar nga Prokuroria, ndërsa nuk u morën parasysh asnjë nga faktet e palës mbrojtëse, të cilat mund ta anulonin aktakuzën.
Propozimet ishin për marrjen në pyetje të një numri të madh të dëshmitarëve, të cilët kanë njohuri për këtë ngjarje. Propozimi për dëshmitë materiale dhe ekspertizat të cilat mund ta anulonin aktakuzën. Prokurorit publik iu lejua që në fund të procesit të prezantoj edhe CD si dëshmi materiale- tha avokati Naser Raufi.
Po të ishte kualifikimi i duhur i juridik i aktakuzës, unë dhe avokatët e tjerë jemi të sigurte që ky proces nuk do të zgjaste kaq shumë. Pra, nëse do të kishte kualifikim tjetër edhe të akuzuarit që nga seanca e parë do të kishin qëndrim më ndryshe- tha avokati Ibrahim Bajrami.
Aksioni policorë i 9 dhe 10 Majit të vitit 2015 në Kumanovë ka shkaktuar 18 viktima, dhe 30 të plagosur. Të vrarë mbetën 8 policë dhe 10 pjesëtarë të grupit të armatosur. Nga vendimi i shkallës së parë, 33 pjesëtarët e grupit të Kumanovës u dënuan me 746 vite burg. 7 me burg të përjetshëm, 13 persona u dënuan me 40 vjet burg, 6 persona me nga 20 vjet, njëri nga të akuzuarit u dënua me 18 vjet, dy me nga 14 vjet dhe dy pjesëtarë tjerë me nga 13 vjet. Pas dëgjimit të palës mbrojtëse dhe të prokurorisë, Këshilli Gjyqësorë i Apelit pritet të marr vendimin.