Bashkimi Evropian ka reaguar pas ceremonisë së betimit të Gordana Siljanovska -Davkova në postin e Presidentes së re të Maqedonisë së Veriut të cilës i është referuar vetëm si Maqedoni.

Po ashtu sot është kryer edhe ceremonia e dorëzim-pranimit të detyrës së shefit të shtetit.
Por, kjo ka nxitur reagimin e Brukselit.

“BE shpreh keqardhje për faktin që presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Presidentja Siljanovska-Davkova, nuk e përdori emrin kushtetues të vendit gjatë ceremonisë së betimit të sotëm.

BE rikujton rëndësinë e respektimit të plotë të marrëveshjeve ekzistuese, ligjërisht të detyrueshme, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë” thuhet në reagimin nga Brukseli.
Marrëveshja e Prespës ishte arritur më 17 qershor 2018 midis Greqisë dhe Ish-Republikës Federale Jugosllave të Maqedonisë për të zgjidhur konfliktin ndërmjet tyre rreth emrit duke rezultuar në emrin e ri Maqedonia e Veriut.

Ambasadorja e Greqisë në Maqedoninë e Veriut, Sofia Filipidu, e ftuar në seancë, u largua në shenjë proteste për faktin se kjo e fundit gjatë betimit i referohej vendit si “Maqedoni”.

Në lidhje me këtë situatë ka reaguar edhe Ministria e Jashtme e Greqisë, që thekson se kategorikisht përparimi i metejshëm i marrëdhënieve mes dy vendeve dhe rruga evropiane e Maqedonisë së Veriut varet nga zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Prespës dhe kryesisht nga përdorimi i emrit kushtetues të vendit.

Njoftimi:

“Gjatë betimit të saj sot në Kuvend dhe përkundër faktit se në tekstin zyrtar të betimit që i diktohej vendi përmendej si “Maqedonia e Veriut”, presidentja e re e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Znj. Silianovska-Davkova zgjodhi ta quajë vendin e saj “Maqedoni”.

Ky akt shkel në mënyrë flagrante Marrëveshjen e Prespës si dhe Kushtetutën e shtetit fqinj, e cila është harmonizuar me detyrimet e tij ndërkombëtare. Qeveria greke, megjithë kundërshtimet që kishte shprehur si kundërshtim gjatë ratifikimit të marrëveshjes, e respektoi atë si një traktat ndërkombëtar të ratifikuar që ka përparësi ndaj çdo dispozite tjetër të ligjit.

Greqia, në këtë kontekst, thekson kategorikisht se përparimi i mëtejshëm në marrëdhëniet e saj dypalëshe me Maqedoninë e Veriut si dhe kursi evropian i kësaj të fundit varet nga zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Prespës dhe mbi të gjitha nga përdorimi i emrit kushtetues të vendit”.

Me fitoren e Gordana Siljanovska Davkovës dhe të VMRO-DPMNE-së, sipas rezultateve fillestare të KSHZ-së përfunduan zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në vend. Të gjithë pjesëmarrësit, si dhe anëtarët e Komisionit Shtetëror Zgjedhor vlerësuan se zgjedhjet kaluan në atmosferë të qetë dhe demokratike.

Pas numërimit të 99,82 për qind të fletëvotimeve, Siljanovska Davkova fitoi 560.170 vota (65,14%) ndërsa kundërkandidati i saj Stevo pendarovski nga LSDM 251.541 (29,25%). Siljanovska Davkova është gruaja e parë presidente në vend. Në deklaratën e dhënë në konferencën e mbrëmshme për shtyp në Shtabin qendror zgjedhor të VMRO-DPMNE-së, ajo premtoi se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve.

“Unë pohoj se do të sillem si presidente e të gjithë qytetarëve. Kjo do të thotë e të gjitha grupeve etnike, e të gjithë anëtarëve të partive, e atyre të cilët nuk janë në parti, sepse nuk mundet asnjë president të synojë unitetin, nëse mban linja partiake”, deklaroi Siljanovska Davkova.

Në konferencën e mbrëmshme për media në Shtabin Qendror Zgjedhor të VMRO-DPMNE-së, Siljanovska Davkova tha se portat e, siç tha, “zyrave të huazuara qytetare” janë të hapura për të gjithë.

“Atë që e premtova në fushatën para zgjedhjeve, duke filluar nga zyrat popullore, përmes paraqitjeve në Parlament, përmes personaliteteve në Këshillin Gjyqësor, Gjykatën Kushtetuese dhe Këshillin e Sigurisë, se do t’i kryej në bazë të profesionalizmit, kompetencës dhe nuk do ta harroj diversitetin”, tha ajo.

Siç shtoi, duhet të bëjmë përpjekje t’i japim fund ballkanizimit, t’i ndihmojmë njëri – tjetrit, të jemi politikanë.

“Për këtë duhet të fillojmë të kuptohemi mes vete, të ndihmohemi, të mos kërkojmë veto, por të kërkojmë mbështetje”, tha ajo, duke shtuar se rrugët e saj prijnë së pari në Ballkan, ndërsa Brukseli, siç shtoi, nuk lihet anash.

Siljanovska Davkova potencoi se do t’i mbrojë interesat shtetërore dhe kombëtare.

Kundërkandidati i mbështetur nga LSDM dhe Koalicioni, i cili garoi për mandat të dytë, Stevo Pendarovski i uroi fituesit dhe u dëshiroi punë të suksesshme në katër vitet në vijim, përkatësisht pesë vite, duke cekur se rezultatet janë të qarta dhe se nuk ka ndërmend t’i arsyetojë më hollësisht.

“Koncepti im për Maqedoni multietnike plotësisht e integruar në strukturat euro-atlantike për fat të keq nuk mori mbështetje dhe jam i bindur thellë se vetëm e tillë Maqedonia mund të jetë e sukseshme”, tha Pendarovski.

Jam i bindur thellë, vazhdoi Pendarovsi, se vetëm e tillë Maqedonia mund të jetë e suksesshme, dhe ndërgjegjja ime është e pastër, por nuk besoj se e kanë të pastër ata të cilët penguan mijëra qytetarë që ta marrin edhe fletën e dytë dhe të votojnë për zgjedhjet presidenciale, duke iu referuar bojkotit të zgjedhjeve presidenciale.

Pendarovski i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit që mundësuan që kjo ditë zgjedhore të zhvillohet në atmosferë demokratike, ndërsa për disa shkelje, theksoi ai, ua lëmë institucioneve kompetente që ta zgjidhin këtë.

Lidhur me zgjedhjet parlamentare, nga 99,27% të votave të numëruara, Koalicioni i kryesuar nga VMRO-DPMNE fitoi 58 mandate për përbërjen e re të Kuvendit. Pas saj është koalicioni i Frontit evropian, kryesuar nga BDI me 19 mandate deputetësh, Koaliconi i kryesuar nga LSDM ka 18, koalicioni VLEN 13, E Majta dhe partia ZNAM nga gjashtë vende deputetësh.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, deklaroi se së shpejti do të fillojnë negociatat me partitë opozitare për koalicionim dhe tha se është i bindur se do të formojnë Qeveri në një kohë sa më të shkurtër dhe se procesi do të jetë transparent.

“Jemi në një fazë të avancuar të bisedimeve për një pako të fortë investimi që do të ndihmojë ekonominë. Këtë nuk desha ta shpall para fushatës për të mos u politizuar e njëjta, por prisni që në 100 ditët e para shumë lajme të mira për qytetarët dhe ekonominë e Maqedonisë”, shtoi ai.

Në konferencën e mbrëmshme për media në selinë e partisë, Mickoski theksoi se sonte janë mposhtur “krimi, korrupsioni dhe paaftësia”.

“Janë mposhtur edhe tradhtitë, përçarjet, ata qindra njerëz nga BDI dhe LSDM që mendonin se janë zotër të jetëve tona. Ata sot kanë dhembje koke, ka pse. Do të përgjigjen deri te i fundi. Secili që ka kryer krim dhe ka kryer korrupsion duhet të mbajë përgjegjësi që do të bazohet në drejtësi dhe ligje”, tha Mickoski duke shtuar se është triumfuar ndaj bojkotit të BDI-së.

Sipas tij, populli tregoi se nuk do të lejojë që individët të krijojnë kriza dhe të mbrohen përmes institucioneve.

“Populli iu dha leksionin më të rëndësishëm dhe e shpëtoi vendin e tij. Kjo gjeneratë ka mundësinë unike për të krijuar një kapitull të ri në të cilin Maqedonia do të jetë krenare dhe Maqedonia do të jetë e juaja dhe do të ketë një të ardhme që do të bazohet në vlera dhe shpresë. Do ta kthejmë shpresën dhe sonte kemi arsye për të festuar”, tha ai.

Rezultati i sotëm është zhgënjyes, LSDM-së i është dhënë goditje e rëndë, tha kryetari i LSDM-së Dimitar Kovaçevski në konferencën për media mbrëmë në selinë e partisë rreth rezultateve zgjedhore nga zgjedhjet e dyfishta dhe paralajmëroi proces të konsolidimit të partisë dhe zgjedhje të reja për kryetar dhe udhëheqësi të partisë.

Ai i vlerësoi zgjedhjet si korrekte dhe të lira, të organizuara sipas standardeve evropiane dhe ky është një hap i madh përpara si rezultat i lirisë së mediave dhe paqes dhe stabilitetit që kemi vendosur në vitet e kaluara. Ai i uroi fitoren konkurrentit politik VMRO-DPMNE dhe kryetarit të tyre Hristijan Mickoski si dhe Gordana Siljanovska Davkovës për zgjedhjen si presidente duke i dëshiruar që ta kryejë funksionin sipas kompetencave kushtetuese dhe përkushtimit euroatlantik.

Ai përgëzoi edhe qytetarët dhe anëtarësinë e LSDM-së ku edhe përkundër rezultateve të raundit të parë, dolën të votojnë me dinjitet dhe ndihmuan në arritjen e censusit për zgjedhjen e presidentit.
“LSDM përsëri tregoi patriotizëm dhe përgjegjësi për të qindtën herë. Më lehtë ishte që pas gjithë atyre akuzave dhe sulmeve të rreme nga VMRO-DPMNE të mos e mobilizonim anëtarësinë tonë për mosvotim në zgjedhjet presidenciale, por nuk ramë në atë kurth. Dëshmuam se Maqedonia është më me rëndësi për ne dhe kështu do të jetë gjithmonë. Rezultati i sotëm është zhgënjyes. LSDM-së i është dhënë goditje e rëndë jo vetëm nga qytetarët, por edhe nga simpatizantët dhe mbështetësit e partisë. Në periudhën e ardhshme do të duhet më seriozisht dhe më thellë të gjejmë burimin dhe arsyet e këtij rezultati humbës”, tha Kovaçevski.

Ai paralajmëroi proces të konsolidimit të partisë dhe bëri thirrje për zgjedhje të reja të të gjitha organeve partiake, duke filluar nga kryetari i partisë, udhëheqësia e deri te të gjitha organet e partisë.

“Nuk kam dyshim se shumë qytetarë sonte ndjejnë frikë, frikë nga pushteti i tepruar që ka një parti e cila njihet për shpërdorim të forcës. LSDM dhe koalicioni duhet të jenë një opozitë e fortë, e përgjegjshme dhe burrështetase”, tha Kovaçevski.

Ai shtoi se viti i ardhshëm është një mundësi për vendin që të vazhdojë integrimin evropian dhe nënvizoi se nëse humbet ai shans mund të humbet edhe një dekadë, por ndoshta një gjeneratë tjetër.

“LSDM do të sillet me përgjegjësi, por topi tani është në duart e qeverisë së re të udhëhequr nga Hristijan Mickoski”, tha Kovaçevski duke paralajmëruar mbi pasojat e përpjekjeve të mundshme për të bllokuar rrugën e Evropës dhe duke potencuar se vendi i Maqedonisë është në NATO dhe BE.

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti në paraqitjen e tij para mediave në selinë e partisë në Tetovë tha se Fronti evropian është forca e dytë në shtet pas zgjedhjeve të sotme.

“Legjitimitetin na e kanë dhënë qytetarët, shumica e shqiptarëve dhe komuniteteve të vogla si turqit, boshnjakët dhe romët të cilët i falënderoj dhe është hapi i parë drejt stazave të gjata të Frontit evropian deri në anëtarësim të plotë në BE”, tha ai.

Sipas Ahmetit, sot shteti më shumë se kurrë ka nevojë për stabilitet, paqe, zero probleme me fqinjët, sundim të ligjit dhe fillim të negociatave dhe hapjen e kapitullit të parë dhe mbledhjeve ndërqeveritare për fillim zyrtar të anëtarësimit në BE.

“Mbetemi fronti i fortë i misionarëve deri në realizimin e qëllimeve finale për anëtarësim në BE”, ka thënë ai.

Në pyetjen për të komentuar fitoren e VMRO-DPMNE-së, Ahmeti tha se duhet të priten rezultatet finale nga KSHZ-ja, por ia uroi fitoren Mickoskit.

Në pyetjen nëse dhe çfarë opozite do të ishin, duke pasur parasysh rezultatin e VMRO-DPMNE-së, Ahmeti përsëriti se duhet të respektohen votat e fituara.

Koalicioni VLEN doli fitues në të gjitha komunat me shumicë shqiptare. Nga nesër fillojnë negociatat për qeverinë e re mes VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit VLEN. Urime të gjithë shqiptarëve, urime të gjithë qytetarëve, deklaroi mbrëmë Bilall Kasami nga Lëvizja BESA.

Kjo, sipas Kasamit është rezultat i ardhjes së mërgimtarëve tanë.

“Koalicioni VLEN është fitues absolut te shqiptarët. Kjo si rezultat i ardhjes së mërgimtarëve tanë. Prandaj ju them 100 mijë herë ‘faleminderit, faleminderit, faleminderit!’ të gjithë atyre që erdhën dhe bënë ndryshimin në atdhe!”. Prandaj në emër të 100 mijë votave koalicionit VLEN ju themi faleminderit”, tha Kasami.

Sipas analizave që kemi, Kasami tha se me gjasë do të dalin me të njëjtin numër deputetësh sa koalicioni i BDI-së.

“Diferenca në vota nuk do të kalojë 10 mijë”, thekson Kasami.

Lëvizja ZNAM sonte shkroi historinë për Maqedoninë tonë. Konfirmuam minimum grup parlamentar dhe diku rreth 60 mijë vota. Do të jemi me qytetarët dhe do të punojmë për qytetarët, tha mbrëmë kryetari i Lëvizjes ZNAM, Maksim Dimitrievski.

Ai ka uruar qytetarët e vendit të cilët, siç tha, treguan “sens” për shtetin.

“Maqedonia zgjodhi president. Dua ta përgëzoj profesoreshën Gordana Siljanovska Davkova për fitoren e madhe dhe t’i uroj mandat të suksesshëm, ta udhëheq Maqedoninë në drejtimin e duhur, të jetë këtu gjithmonë pranë qytetarëve sepse lufta jonë është dhe do të jetë për qytetarët. Më lejoni ta përgëzoj edhe VMRO-DPMNE-në për fitoren bindëse që siguruan”, tha Dimitrievski.

Ai beson se këto zgjedhje do të jenë leksion shtesë për të gjitha subjektet tjera politike që gravitojnë në skenën politike.

“Me krenari mund të konfirmoj se ZNAM nga sonte e fillon luftën e saj për një Maqedoni të dinjitetshme”, nënvizoi Dimitrievski.

Edhe për një vit regjistrimet e automjeteve do të mbeten me çmime të njëjta. Të gjitha kompanitë e sigurimeve reaguan për vendimin e shtyrjes së rritjes së çmimit për policat e sigurimit. Ata thonë se Komisioni përkatës ka marrë vendimin pa marrë parasysh analizat e industrisë së sigurimeve.

Sipas reagimit, kompanitë e Sigurimeve janë të zhgënjyer nga pretendimet e njëanshme dhe kualifikimet joprofesionale që u janë dërguar nga rregullatori “Agjencia për mbikëqyrje të Sigurimeve”, mbi bazën e të cilave Komisioni ka ulur çmimin e policave të sigurimeve të automjeteve.

Vendimi i Komisionit të AMS-së në Ministrinë e Financave ka rikthyer çmimet aktuale të vazhdojnë deri në fund të viti. Në reagim thuhet se ky vendim është në kundërshtim me rekomandimet e Komisionit Evropian, i cili mund të vërë në dyshim seriozisht kujdesin ndaj të siguruarve në raportin për ecurinë e vendit tonë.

Në bazë të numrimit të deritanishëm të votave, VMRO del të jetë partia e parë me 42.75% e cila pritet të ketë 59 mandate në Kuvend.

E dyta pritet të jetë koalicioni Fronti Evropian me 14.42%, e cila pritet të ketë 19 ulëse në Kuvend.

Pas saj është koalicioni VLEN me 11.38% dhe pritet të ketë 13 ulëse në Kuvend.

LSDM, deri më tani ka 14.67% dhe pritet të ketë 18 ulëse në Kuvend.

Në kuadër të fushatës zgjedhore, kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski u ka bërë thirrje krerëve të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski dhe BDI-së, Ali Ahmeti të ndalojnë me përplasjet të cilat mund të nxisin tensione ndëretnike.

“Shfrytëzoj rastin që t’i porosis, Ahmetin, Mickoskin dhe Davkovën, qytetarët janë të vetëdijshëm për vlerën e paqes dhe stabilitetit që e ndërton LSDM. Qytetarët e dinë se të gjithëve na duhen ardhmëri evropiane dhe jo kthim 20 vite në të kaluarën e varrosur. Ndaloni me përplasjet, ndaloni me bërtitjet dhe kërcënimet. Ato askujt nuk i sjellin të mirë, kemi obligim moral ndaj jush, ndaj vetes, ndaj fëmijëve tanë dhe gjeneratave të ardhshme”, tha Dimitar Kovaçevski, LSDM.

Në ndërkohë, aktivitetin zgjedhor, VMRO-DPMNE-ja e ka vazhduar në Komunën e Petrovecit, ku për banorët e këtij rajonit kanë premtuar projekte në vlerë prej 5 milionë euro.

“Ashtu siç Komuna e Petrovecit është shembull për bashkëjetesë dhe ndërtim, ashtu planifikojmë ta udhëheqim edhe qeverinë e ardhshme të Republikës së Maqedonisë. Qeveria e Republikës së Maqedonisë, me platformën 1198 do të investojë në Petrovec 5 milionë euro të reja, për urë në Konjaren e Mesme. Do ta ndërtojmë rrugën, gjegjësisht do ta rikonstruojmë rrugën prej hyrjes në Petrovec deri në dalje të Rzhaniçino dhe gjithsesi do ta mbarojnë çerdhen e re për fëmijë. Të nderuar qytetarë, shumë është e rëndësishme që më 8 maj të dilet për të votuar”, tha Dragan Kovaçki, VMRO-DPMNE.

Talat Xhaferi nga Fronti Europian, theksoi se kryeministri i ardhshëm i cili do të jetë për të gjithë, do t’i respektojë të gjitha normat demokratike.

“Shqiptarët janë të gatshëm për një kryeministër për të gjithë. Një kryeministër i cili do të praktikojë qeverisje të mirë, që karakterizohet me transparencë, pjesëmarrje, efikasitet përgjegjshmëri, llogaridhënie, barazi, konsensus dhe kohezion. Do të kujdeset për sundimin e ligjit dhe të së drejtës. Do të luftojë, kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

Gjatë aktivitetit parazgjedhor, Izet Mexhiti tha se qeveria e ardhshme në të cilën do të jetë VLEN, do të jetë punojë për integrimin e vendit në BE.

“Nëse e kemi historinë e kësaj qeverie, nuk e kanë hequr prej goje në vazhdimësi se do të ketë ndryshime kushtetuese. Në vazhdimësi flitnin për 80 deputetë, por vazhdimisht vraponin për 61 për shkak që më mirë të shkojnë me aferat korruptive. Pra, nuk e kishin mendjen aty. Qeveria e ardhshme do të jetë e orientuar drejt integrimeve evropiane, drejt ndryshimeve kushtetuese, shtetin ligjor, luftën kundër korrupsionit, pra këto do të jenë shtyllat”, tha Izet Mexhiti, VLEN.

Nga partia e Majta, kanë paralajmëruar masat e tyre për mbrojtjen e punëtorëve dhe shkurtimin e orarit të punës.

“Në lidhje me punëtorët, ne propozojmë si e para, orar pune prej gjashtë orëve. Kjo nuk është kurrfarë iluzioni, në perëndim vetëm se është. Produktiviteti është shumë më i madh me orar prej gjashtë orës. Më pas, mbrojtje më të madhe për punëtorët, kohë më të gjatë të pushimit të lindjes për punëtoret, greva të nxirret nga këto kufizimet administrative dhe punëtorët të kenë këshillat e tyre në fabrika. Për bujqit, më e rëndësishmja është që të keni qendra shtetërore të blerjes”, tha Borisllav Krmov, E Majta.

Fushata për zgjedhjet parlamentare përfundon të hënën më 6 maj./Alsat.mk

Departamenti Amerikan i Shtetit e ka shpallur ‘non grata’ ish-kryetarin e Kaçanikut, Xhabir Zharkun, si dhe dy zyrtarë nga Maqedonia e Veriut: ish-kryeoprokuroren speciale Katica Janeva dhe Stevco Jakimovskin, një kandidat për president në Shkup.

Ata u përfshin në ‘listë të zezë’ “për shkak të përfshirjes në korrupsion të konsiderueshëm”, njoftoi DASH në një deklaratë zyrtare, raporton Gazeta Express.

Për Zharkun, DASH thotë se ishte përfshirë në akte korruptive dhe e kishte përdorur pozitën e tij për ndikime e përfitime të ndryshme”.

“Në cilësinë e tij zyrtare si kryetar i komunës së Kaçanikut, Kosovë, Zharku ishte i përfshirë në akte korruptive, duke përfshirë përdorimin e pozitës së tij për të ndërhyrë në proceset e prokurimit për të lejuar në mënyrë të paligjshme ndërtimin në pronën në pronësi të komunës, për të përfituar vetë dhe bashkëpunëtorët e tij”, thuhet në njoftim.

Në cilësinë e saj zyrtare si ish-kryeprokurore speciale e Maqedonisë së Veriut, DASH thotë se Janeva “ishte e përfshirë në akte korruptive, duke përfshirë përdorimin e ndikimit të saj politik dhe pushtetit zyrtar për përfitime personale”.

“Ka informacione të besueshme që Janeva ka kërkuar dhe ka pranuar ryshfet për të ndikuar në një prokurori nën kompetencën e saj”, thuhet në njoftim.

Ndërsa Jakimovski, siç njofton DASH, “ishte përfshirë në akte korruptive, duke përfshirë përdorimin e pozitës së tij zyrtare për të ndërhyrë në zhvillimin urban dhe proceset e prokurimit për të përfituar për vetë dhe bashkëpunëtorët e tij”.

DASH thotë se kjo riafirmon përkushtimin e SHBA-së për mbështetjen e sundimit të ligjit dhe forcimin e institucioneve demokratike në të gjithë Ballkanin.

“Departamenti do të vazhdojë të përdorë të gjitha autoritetet në dispozicion për të promovuar llogaridhënien për aktorët e korruptuar në rajon dhe globalisht”, thuhet në deklaratë.

Në këtë vendim, Departamenti amerikan i Shtetit i ka përfshirë si ‘non grata’ edhe anëtarët e familjes së ngushtë të Zharkut, Janevës dhe Jakimovskit. Atyre të gjithëve u ndalohet hyrja në SHBA.

Organizata joqeveritare CIVIL e cila merrem me monitorimin e proceseve zgjedhjeve ka regjistruar me shumë se 3000 raste të gjuhës së urrejtjes dhe mbi 200 raste të dezinformimit në rrjetet sociale dhe në media. Mesazhet në komunikimi publik tregon se në vend ka dy grupime politike me qëndrime diametralisht të kundërta. Kreu i organizatës, Xhabir Deralla tha se në rrjetet sociale, kryesisht Facebook dhe X (ish Twitter) janë regjistruar numra treshifrorë të komenteve në postime të ndryshme, në të cilat janë fjalime të qarta, gjuhë të urrejtjes, thirrje për dhunë dhe kërcënime për vrasje dhe linçim. Sipas monitorimit të Civil në një pjesë të mediave janë regjistruar transmetimi pa kriter të disa prej postimeve në rrjetet sociale që përmbajnë dezinformata dhe gjuhë urrejtjeje, gjë që i jep besueshmëri kësaj mënyre të komunikimit publik dhe miraton një mënyrë të tillë shprehjeje. CIVIL u bën thirrje partive politike për një debat konstruktiv dhe të ndalojnë nxitjen dhe shpërndarjen e dezinformatave, shkruan Alsat.

– Advertisements –

“Në komunikimin publik, orientimi pro-evropian nuk sulmohet drejtpërdrejt, por mesazhet që përcillen publik tregojnë se në vend janë dy grupe politike me qëndrime të ashpra. Një pjesë e subjekteve politike, edhe pse jo gjithmonë drejtohen drejtpërdrejt kundër integrimeve euroatlantike të vendit, orientimin e tyre të qartë antiperëndimor e manifestojnë përmes narrativave të vazhdueshme diskreditues dhe revizionizmit të vendimeve dhe proceseve me rëndësi strategjike që mbështesin orientimin euroatlantik të vendit”, deklaroi Xhabir Deralla, kryetar i CIVIL. /Alsat.mk

Zgjedhja e z. Talat Xhaferi për kryeministër të Maqedonisë së Veriut, është ngjarje historike për këtë shtet, që synon integrimin në institucionet e Bashkimit Europian dhe një rezultat i pakontestueshëm pozitiv i rrugëtimit politik të shqiptarëve autoktonë. Redaksia e Radio Televizionit “ Zëri i Kosovës” në Kopenhagë uron kryeministrin Xhaferi për funksionin e rëndësishme që i është besuar dhe ka besim të plotë se do të dëshmojë kualitetet profesionale në qeverisjen e vendit! Urojmë që logjika integruese e diversitetit etnik , linguistik dhe kulturor të reflektohet në të gjitha institucionet shtetërore të Maqedonisë së Veriut, sepse kjo logjikë është garanci e paqes dhe stabilitetit në këtë pjesë të Europës Juglindore.

Redaksia e Radio Televizionit “ Zëri i Kosovës” në Danimarkë

Të nesërmen (28 janar) në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferri pritet të marrë detyrën si kryeministri i parë shqiptar i vendit pasi të votohet në Kuvend mbi përbërjen e qeverisë së përkohshme që do të çojë vendin në zgjedhjet e dyfishta që do mbahen në muajin maj.

Lidhur me këtë ngjarje historike kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti i është drejtuar kombit shqiptar me një fjalim duke e quajtur të nesërmen si ditë historike.


“Katër vite më parë nga ky vend iu drejtova juve me fjalët “cdo gjë fillon me një ëndërr”. Ju thashë se të gjithë ne i kemi ëndrrat tona për fëmijët tanë.

Liria dhe barazia nuk vijnë lehtë, kërkojnë edhe besim se synimi do të arrihet.  Ashtu besoja edhe në marrëveshjen e Ohrit edhe në zyrtarizimin e gjuhës shqipe. Besoja se do bëhemi pjesë e NATO-s dhe se do të hapej mundësia për anëtarësim në BE.

Besoj se shpejt do anëtarësohemi në BE sepse është ideali ynë. Nesër është ditë historike. Nesër të dielën, 28 janar zgjedhim kryeministrin e parë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut”- tha Ahmeti.

Ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Ageler, ka paralajmëruar zgjerimin e listës së zezë me persona të tjetër të dyshuar për korrupsion në Maqedoninë e Veriut.

Më 5 Dhjetor, Departamenti Amerikan i Shtetit e futi në listën e zezë ish-zëvendëskryeministrin maqedonas, Koço Angjushev, ndërsa para tij edhe disa politikanë dhe biznesmenë të tjerë të profilit të lartë, si kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko dhe biznesmeni kontrovers, Orce Kamçev.

Duke folur para gazetarëve në Shkup, Ageler tha se vendosja e Angjushevit në listën e zezë u bë pas “provave të shumta” për përfshirjen e tij në korrupsion. Ajo nuk dha hollësi apo emra të personave që mund të futen në listën e zezë të SHBA-së, por shtoi se Angjushevi nuk do të jetë emri i vetëm në listën e zezë.

“Mund t’ju premtoj se ka njerëz të tjerë, rastet e të cilëve janë duke u përpunuar në Uashington. Nuk dua të spekuloj se kur do të shpallen, por ju premtoj se ky nuk ishte emri i fundit”, tha Ageleri.

Ajo theksoi se për vendosjen e tyre më të shpejtë në listën e zezë duhet kohë pasi “ky është një proces kompleks dhe i mundimshëm që kërkon siguri të plotë se persona të caktuar janë realisht pjesë e aktiviteteve korruptive”.