Nga ELIDA BUÇPAPAJ–Post mortum
Bekim Fehmiu, aktori më i madh shqiptar i skenës dhe ekranit të madh iku nga kjo botë në kohën kur kultura shqiptare përjeton krizën më të thellë të identitetit pasi politika ka uzurpuar vendin e protogonistit, duke i lënë artistët në hije, të jetojnë dhe të vdesin në harrim.
Bekim Fehmiu, Marlon Brando shqiptar, i jashtëzakonshëm, me një karakter shumëdimensional, shumëplanesh, i destinuar për role dramatike, me botë të madhe shpirtërore, imponues, që mjafton një herë ta shihje në ekran dhe të mos e harroje për të gjithë jetën. Kandidat për Palmën e Artë në Festivalin e Kanës, të cilën do ta kishte fituar po të mos ishte shqiptar, çmim i mjerimit ku na ka degdisur politika. Ka interpretuar si kollos mes kollosësh përkrah me John Huston, Ava Gardner, Charles Aznavour, Irene Papas, Claudia Cardinale etj.