Blerim Latifi: Pavarësisht aleancës për “NATO-n islamike”, Turqia nuk i del në ndihmë Arabisë Saudite – njësoj nuk do ta ndihmonte as Kosovën në rast lufte me Serbinë!
Nga: Blerim Latifi
Verën që shkoi, në Mekë u krijua një aleancë për mbrojtje reciproke mes Turqisë, Pakistanit dhe Arabisë Saudite. Klauzola themelore e saj thoshte se sulmi kundër një shteti anëtar do të konsiderohej sulm ndaj të tre anëtarëve të aleancës.
Islamistët naivë vrapuan të festonin lindjen e “NATO-s islamike”.Dje, ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, tha se nuk e kanë ndërmend të dërgojnë trupa në një konflikt jashtë territorit turk.
Me pak fjalë, Arabia Saudite, e cila po lufton me milicitë shiite Huthi në Jemen, nuk duhet të llogarisë në ushtrinë turke.
Kështu, shtrëngimi i duarve në Mekë mes Turqisë, Pakistanit dhe Arabisë Saudite po del se ishte thjesht një spektakël diplomatik.
Turqia e sotme është një shtet që udhëhiqet nga parimet e nacionalizmit modern, që do të thotë nga një kalkulim gjakftohtë i interesave kombëtare. Në këtë kalkulim, retorika islamiste e saj është më shumë mjet dhe jo qëllim.
Turqia mund të shpallë solidaritet formal me shtetet muslimane, por kur vjen puna te lufta, ajo e përcakton ndihmën sipas interesave të veta kombëtare. Ajo nuk do t’i sakrifikojë interesat e saj ekonomike dhe strategjike për asnjë shtet apo vend tjetër. Ashtu siç nuk hyri në luftë me Izraelin për palestinezët, as me Huthit për Arabinë Saudite, as nesër nuk do të hyjë në luftë me Serbinë nëse ajo e sulmon Kosovën.
Kush ka pak mend, e kupton këtë.
Njerëzit kanë të drejtë të shohin ëndrra me sy çelë, por politika, sidomos ajo ndërkombëtare, ndjek rregulla të tjera.