Behxhet Pacolli ka 170 milion euro, Thaci 1 milion e gjysme
![]()
Në deklarimin e pasurisë që kanë bërë drejtuesit e lartë të institucioneve të Kosovës, më i pasuri, ashtu siç edhe pritej, del të jetë zëvendëskryeministri i parë Behgjet Pacolli me 170 milionë euro, kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë prej 1,357,000 euro.
Presidentja Atifete Jahjaga, ka vetëm një veturë “Golf”, në vlerë prej 6 mijë euro.
Kurse lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk ka fare pasuri.
Në formularin e deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, ka deklaruar se ka 7,849 euro në konto, paga vjetore si presidente, 34,478 euro dhe një veturë “Golf” në vlerë 6,000 euro, të blerë në vitin 2009.
Kryeministri si pasuri të paluajtshme ka deklaruar në vlerë prej 1,357,000 euro, vetura në vlerë 13,000 euro, para të gatshme në bankë 11,424, ndërsa paguan kredi bankare në vlerë prej 100,000 euro. Po ashtu ka deklaruar pagën vjetore që e merr si kryeministër.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duket të jetë personi më i varfër në Kuvendin e Kosovës, pasi nuk ka pasuri të paluajtshme, ndërsa të hyra të vetme i ka nga paga e deputetit të Kuvendit të Kosovës, ku paga vjetore që merr si deputet është 17.856 euro dhe honorarin vjetor në gazetën “Zëri” 1384 euro.
Për herë të parë u publikua edhe pasuria shumë e përfolur e zëvendëskryeministrit të Kosovës Behgjet Pacollit, vlera e të cilës është mbi 170 milionë euro.
Zëvendëskryeministri Pacolli në emër të paluajtshmërive ka deklaruar tokë, lokale afariste, shtëpinë dhe pasuri në formë kompanish që operojnë jashtë, me vlerë prej rreth 133 milionë eurosh.
Nga aksionet, sipas formularit të pasurisë së deklaruar Pacolli posedon me 60 për qind të aksioneve të Bankës Ekonomike të Kosovës në vlerë 15 milionë euro si dhe posedon të gjitha aksionet e kompanisë “Siguria” në vlerë 22 milionë euro.
Në emër të luajtshmërive, Pacolli ka deklaruar katër vetura “Mercedes” në vlerë prej afro 280 mijë eurosh.
Ndërkaq, nga formulari i prezantuar në AKK, shihet se ai ka deklaruar para të gatshme në vlerë prej rreth 40 mijë euro, kurse të hyrat vjetore të lajmëruara nga Pacolli sillen mbi 560 mijë euro.