Bajrami: Qeveria po neglizhon Haraçinën
Komuna e Haraçinës vazhdon të përballet me neglizhencën e Qeverisë, mbi financat. Kjo akuzë e kryetarit Bastri Bajrami drejtuar qeverisë arsyetohet në shpërndarjen jo të barabartë të huas që ekzekutivi ka marrë nga Banka Botërore për ndërtimet e rrjetit të ujësjellësve dhe kanalizimeve nëpër komuna. Nga gjithsej 50 milion euro, komunës së Haraçinës i janë dhënë vetëm 154 mijë euro ndërsa komunave më shumë të zhvilluara siç është p.sh ajo e Gazi Babës i janë transferuar 795 mijë euro. Me paratë e marra Komuna e Haraçinës nuk mund të realizojë as gjysmën e projektit për ndërtimet e kanalizimit dhe ujësjellësin pasi nevojiten gjithsej 600 mijë euro. Sipas Bajramit, ky është diskriminim klasik që po i bëhet komunës së Haraçinës. “Pyesim publikisht qeverinë se në bazë të cilave kritere ka marrë vendim që komunës së Haraçinë me mbi 15 mijë banorë ti ndajë 154 mijë euro ndërsa disa komunave të tjera të cilat kanë më pak se gjysma e banorëve të komunë së Haraçinës janë ndarë dyfish e trefish më shumë mjete për ndërtimin e kanalizimit dhe rrjetit të ujësjellësit. Le të urdhërojë të vijë një përfaqësues I Qeverisë dhe të bëjë llogari se sa mund me 154 mijë euro të ndërtohet kanalizimi dhe rrjeti për ujë të pijshëm për Haraçinën”, deklaroi Bastri Bajrami, kryetar i Komunës së Haraçinës. Nga Qeveria heshtin për akuzat e kreut të komunës së Haraçinës. Bastri Bajrami thotë se shkurtime ka edhe në arsim për 1.5 milion denarë ku gjendja është katastrofike për shkak të mungesës së ambienteve, madje nga 43 nxënës mësojnë në një klasë. Për 30 % janë ulur edhe fondet për rikonstruimin e rrugëve që në masë të madhe janë të paasfaltuara. “Mund ta paramendoni se çfarë mund të bëjmë ne me buxhet prej 2 milion denarë për riparimin e rrugëve të komunës së Haraçinës. Nëse kjo nuk është diskriminim atëherë nuk di se çka mendon qeveria me këtë ndarje nënçmuese për Komunën e Haraçinës”, u shpreh Bajrami. Edhe shumë projekte të tjera të Komunës së Haraçinës presin realizimin në terren, nëse jepen fonde. Ndër to, janë edhe mbulimi i kanalit kryesor për të cilin do të duhen 38 milion denarë. Në kushtet e tanishme, ky kanal mund të bëhet burim epidemish.