Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë pas vendimit të djeshëm të Lulzim Bashës për t’i kërkuar grupit parlamentar të djathtë djegien e mandateve.

Në një intervistë për median italiane Corriere Della Sera, kreu i qeverisë thotë se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen dhe as ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Qeveria tranzitore, zgjedhjet e parakohshme dhe një parlament i ri i dalë nga këto zgjedhje janë kërkesat që opozita e bashkuar parashtroi edhe në protestën e së shtunës para kryeministrisë, e cila degjeneroi në dhunë.

Për gazetarin italo-shqiptar, Leonard Berberi, Rama thotë se Kuvendi e ka shumicën e garantuar, dhe se përfaqësuesit e mazhorancës janë të zgjedhur nga vota popullore.

Kontratën e ka me shqiptarët që  e kanë votuar – shprehet Rama – i cili thekson se do ta respektojë atë deri në fund.

Intervistën e plotë mund ta lexoni KETU

Politika në vend pritet të përballet për herë të parë me një rast të paprecedentë, atë të djegies së mandateve të deputetëve, propozim i kryedemokratit Basha për grupin e tij parlamentar e aleatët. Por çfarë parashikon Kushtetuta e Republikës dhe a gjen zgjidhje në kodin zgjedhor djegia e mandateve.

Neni 71 i Kushtetutës thotë shprehimisht se, Mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve.

Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit: a) kur ai nuk bën betimin; b) kur heq dorë nga mandati; c) kur vërtetohet një nga kushtet e pazgjedhshmërisë ose papajtueshmërisë të parashikuara në nenet 69, 70 paragrafët 2 dhe 3;ç) kur mbaron mandati i Kuvendit; d) kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend; dh) kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.

Referuar Kodit Zgjedhor, Kuvendi i Shqipërisë njofton KQZ-në në rastin e dorëzimit të mandatit të deputetit, dhe kjo e fundit nis punën për zëvendësimin e vendit vakant të krijuar në parlament.

Neni 164 i Kodit Zgjedhor sqaron mandati i deputetit ndërpritet vetëm për shkaqet e parashikuara në nenin 71 të Kushtetutës.

“Nuk përbëjnë shkak për ndërprerje të mandatit marrëveshjet apo deklaratat paraprake individuale apo kolektive për heqje dorë nga mandati. Në rastin e shkronjave “a” dhe “b” të pikës 2 të nenit 71 të Kushtetutës, deputeti deklaron në mënyrë publike përpara komisionit përkatës të Kuvendit refuzimin për të bërë betimin ose heqjen dorë nga mandati. Në këtë rast Kuvendi, jo më vonë se 30 ditë, njofton KQZ-në për krijimin e vakancës” citohet në nenin 164 të Kodit Zgjedhor.

“Gjithashtu Kodi Zgjedhor parashikon se mandati i ndërprerë i deputetit i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike. Në rast kur është shteruar lista e kandidatëve të partisë politike, anëtare e një koalicioni, mandati i kalon partisë së koalicionit me herësin më të lartë.

Kur mandati i ndërprerë i përket një kandidati të propozuar nga zgjedhësit, mandati i kalon subjektit zgjedhor me herësin më të lartë. Kur mandati i takon një koalicioni zgjedhor, ai i shpërndahet partisë pjesëtare të koalicionit me herësin më të lartë”, thuhet më tej në nenin 164 të Kodit Zgjedhor.

Kujtojmë se në zgjedhjet parlamentare të 2017 nuk pati koalicione ndërsa aleatët hynë në listat e kandidatëve të partive kryesore në vend.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD është vendosur pro djegies së mandateve.

Burime pranë PD thonë se votimi ka qenë unanim

Pas këtij veprimi kreu i PD lulzim Basha do të mbledhë Këshillin për vendimin përfundimtar.

Mbledhja e sotme nisi me kundërshtime të cilat u fikën pas ndërhyrjes së Berishës.

Deputetët Ervin Salianji, Agron Shehaj dhe Myslym Murrizi thanë fillimisht se mandatet nuk duhen djegur.

Por ka ndërhyrë ashpër ish-kreu i PD, Berisha i cili tha se PD do radikalizojë qëndrimet pasi Rama ka thënë që nuk ikën.

Ai madje është shprehur se “Rama meriton plumbin ballit”.

Pas fjalës së tij, nuk ka patur më kundërshtime për mandatet.


Bedri Islami – Protesta e shumë përfolur e opozitës përfundoi para se të fillonte. Që në momentin, kur një pjesë e turmës sulmoi portën kryesore të godinës qeveritare, aty nuk kishte më rebelim popullor e as ngritje krye kundër qeverisë. Turma, në pak minuta hodhi poshtë gjithçka dhe, ndërsa ata përpiqeshin të depërtonin edhe më tej në një godinë bosh nga qeveritarët, ata, të cilët e kishin marrë përsipër t’i drejtonin, pak më tej, qëndronin të heshtur duke pritur në ankth e shpresë që t’u dhurohej një pjesë e pushtetit.

E përgatitur prej më shumë se një muaji dhe e shpallur me bujë si dita e fundit të qeverisjes së Edi Ramës , protesta u shfry befasisht shpejt, si çdo e ngutshme, e verbër dhe e nxitur nga keqdashja dhe jo nga vizioni i saj.

Përse dështoi një protestë, e cila, në fakt, duhej të kishte shkundur një qeveri, që, duke pasur mjaft gabime në rrugën e saj, e meritonte të shkundej fort.

Janë disa arsye themelore për këtë.

Së pari, protesta nuk kishte kauzë. Ajo kishte thirrje disa javore, por kauzë nuk kishte. Përmbledhja e protestës në qëllimin e largimit të Edi Ramës nuk e bënte kauzën e saj të prekshme, reale dhe të arritshme.

Më shumë se me jetën e njerëzve që ishin thirrur të protestonin, ajo tingëllonte dhe vazhdon të tingëllojë,  si një ftesë për të ndërruar kuajt e karrocës, dhe ku tepsia e pushtetit do të ndahet edhe një herë, si është ndarë në 30 vitet e fundit.

Së dyti, megjithëse ishte promovuar si protesta më e madhe e këtyre viteve pluraliste, ajo nuk mori ato përmasa që ishin menduar. Mbeti, edhe një herë, në sinorët e militantëve dhe të mitingashëve, të cilët, edhe pse kishin një organizim nga të gjithë qarqet, në kujdesin e të dërguarve nga qendra, edhe pse në më shumë se gjashtë javë ishin bërë të gjitha çka duheshin, që nga takimet derë më derë e deri tek shtrëngimet e duarve në ecje e sipër, ishte e shenjuar si protestë e dy forcave politike, të cilat ishin bashkuar nga halli dhe nga fakti i të qenurit në opozitë.

Nëse, nga e gjithë Shqipëria, mbledh vetëm atë masë njerëzore, për më tepër, përmes joshjes së udhëtimit gratis apo pritshmërisë se me 16 shkurt qeveria do të bjerë në theqafje, kjo do të thotë se tek ti mungon elementi bazë:  personifikimi i protestës.

Ende, as sot, nuk e di askush se kush ishte personifikimi i protestës.

Njeriu i parë që vuri re këtë bjerrje të madhe ishte Berisha. I njohur si politikan e së prapshtës, ai e kuptoi se njw protestë anonime të çon drejt anonimatit, ndaj mori përsipër ndezjen e saj.

Nëse nuk ia arriti kjo do të thotë se edhe tek ai kishte dy gjëra penguese: ishte i vonuar dhe ishte në një kohë të humbur.

Së treti, kjo ishte një lëvizje pa lider. Më shumë se gjithçka tjetër, duke dashur të paraqitej si zëri i popullit, në fakt u bë zëri i askujt.

Asnjë lider i shpallur nuk ishte në krye të saj dhe askush nuk mori përgjegjësinë e bartjes së drejtimit të një proteste, përmes së cilës ishte menduar dita e fundit e qeverisë Rama.

Një ide e tillë nuk mund të bartet përmes mitingashëve që sulmuan si deshët e mesjetës portat e kryeministrisë.

Mungesa e liderizmit ishte shenja e plakjes së protestës.

Duke u fshehur pas termit popull, në fakt ata u fshinë nga “populli” mitingash, të cilët morën përsipër rolin e liderit, që edhe ashtu ishte një “lider“ i maskuar, që ngjante më shumë me talebanët.

Nga një lëvizje dhe protestë popullore, që mund të kishte fituar shumë herë më tepër nga përfaqësimi politik, ajo u kthye në një lëvizje mitingashësh, të cilët nuk dinë asgjë tjetër veçse të risjellin edhe një herë imazhet e vitit 1992, kur dhuna ishte përfaqësuese e mendjes.

Liderët e shpallur të protestës, që në fakt më shumë u strukën se sa lideruan, Basha dhe Kryemadhi, megjithë rrahjet e gjoksit dhe trashjen e zërit, nuk e kuptuan se Rama nuk mposhtet dot nga foltoret e partive dhe as nga kërcënimet parlamentare.

Ata, të dy sëbashku, munguan në çastin e madh dhe në kohën e duhur. Sepse, ende, asnjëri prej tyre nuk është lider dhe nuk mund të bëhen pa shfaqur më parë vizionin e tyre për një qeverisje ndryshe.

Së katërti: pas kujt duhej të shkonin protestuesit: atyre iu dhanë dy rrugë. Mitingashët që sulmonin dhe drejtuesit e partive që shfryheshin.

Asnjëra palë nuk ishte për t’u zgjedhur dhe as për t’u lakmuar.

Njerëzit janë lodhur me qeverinë, por janë të lodhur edhe me opozitën, që është në fakt qeverisja paraardhëse.

Ende asnjëra palë e opozitës nuk ka bërë autopsinë e saj, nuk ka dëshmuar se ka zënë mend nga e shkuara e qeverisjes së tyre dhe nusërimi i tashëm nuk do të thotë se janë virgjin në politikë.

Mungesa e figurave të reja, të lakmuara për t’u ndjekur dhe të domosdoshme për të qenë shëmbëlltyrë, është vrasja më e madhe e besimit.

Kush mundet ende të besojë se kwta që flasin për përmbysje janë më të mirë, më të ndershëm dhe më të pakapur nga krimi dhe oligarkia politike e financiare, se sa ata që u kërkohet ikja?

Së pesti, dhuna nuk është mjet për të marrë pushtetin. Sa herë që e ka provuar një opozitë, aq herë ka dështuar. Më mirë se të gjithë këtë e di Berisha, i cili tani ka më shumë hallin e tij se të të tjerëve.

Organizatorët e protestës nuk morën guximin të distancoheshin nga dhuna. Ta bënin atë haptas, qartë, me guxim dhe personalisht.

Ata qëndruan të heshtur, herë – herë të strukur, duke pritur sinjalin e fitores, që simbolizohej me shpartallimin e një porte.

E pastaj?

Lejuan që dhuna të bëhej mjet, deri në çastin kur faktori ndërkombëtar solli kërcënimet e para.

Pastaj, befas, e kthyen ndryshe, në një variant mjeran, sipas të cilit, policia provokoi duke u hapur rrugë mitingashëve.

Ngushëllim më budalla nuk kishte dhe nuk mund të kishte.

Dhuna ishte paralajmëruar ditë me radhë, nga vetë opozita, duke e mbledhur pas sloganit se, “populli e di vetë se çfarë do të bëjë”.

Kur menduan ta nxjerrin kokën nga rëra struciane, ishte vonë.

Protestuesit që kishin ardhur të rrëzonin qeverinë përmes qwndresës së tyre, qoftë edhe me ditë e me netë, e braktisën atë të parët.

Së fundi , dhe kryesorja:

Roli i ambasadave.

SHBA, BE dhe OSBE morën frenat e protestës në duart e tyre dhe i zbrapsën. Ata e bënë të qartë qëndrimin e tyre pa asnjë ekuivok dhe pa ndjerë dhimbje se kush mund tw goditej.

Çfarë duhej bërë nga vetë drejtuesit e opozitës, e bënë ndërkombëtarët. Ata i treguan shpejt e shpejt sinorët se deri ku shtrihet e drejta e tyre dhe se mund të fillojë e drejta e shtetit ligjor.

Pa këtë ndërhyrje energjike, të kohës dhe të menjëhershme, protesta mund të ishte ende aty: e zvogëluar, por agresive. Me të papriturat e natës. Ndoshta edhe me përplasje më të mëdha.

Nëse kjo nuk ndodhi nuk është as meritë e opozitës, e cila u tërhoq, e as meritë e veçantë e policisë, e cila u përmbajt.

Ndërhyrja diplomatike, në fakt pa shumë diplomaci, ishte ajo që përcaktoi një të nesërme.

E sotmja e rëndoi opozitën dhe e relaksoi Edi Ramën.

Por tregoi se ende jemi një republikë bananesh, ku, për të dyja palët, krejt lehtë, mund të vendosë një prononcim ndërkombëtarësh dhe të mbarojë festa.

Kosova po ndjek rrugën drejt anëtarësimit në NATO dhe BE, por sfidat e saj kryesore burojnë nga agresioni rus dhe terrorizmi në përgjithësi – ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një intervistë të dhënë për mediat amerikane.

Ajo që e quajmë agjendë talebane apo islamike, ishte shumë agresive ndaj nesh. Por gjithashtu rusët janë shumë agresivë. Ata e bazojnë pjesën më të madhe të aktiviteteve të tyre nga Serbia, ata kanë 3 mijë monitorues të tyre që i quajnë humanitarë në Serbi, shumica prej tyre janë në të vërtetë anëtarë të shërbimeve të sigurisë, shërbimeve të sigurisë ruse. Por ne kemi detyrat tona të shtëpisë dhe nuk jemi vetëm. Ne punojmë në partneritet të ngushtë me ShBA-të dhe aleatët e tjerë, kryesisht aleatë të NATO-s”, ka thënë Haradinaj për CNBC, në Munih.

Ai nuk ka komentuar dhurimin e disa avionëve luftarakë nga Rusia për shtetin serb, shtet ky që vazhdon të mos e njohë shtetësinë e Kosovës.

Haradinaj ka ripërsëritur se është koha për një marrëveshje në mes dy vendeve, që sipas tij është në interes të Kosovës dhe Serbisë, përcjell Klankosova.

Mirëpresim bashkëpunimin e Washington-it, shpresojmë se do të kemi përkrahjen e njëjtë edhe nga vendet tjera dhe pas anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, besoj se tani është koha jonë”.

I pari i Qeverisë së Kosovës është pyetur se sa përkrahës është presidenti amerikan, Donald Trump, për arritjen e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi, duke u përgjigjur se Trump po ofron përkrahje e cila është shumë e dobishme për vendin dhe gjithë rajonin.

Haradinaj për CNBC tha se përkrahja në drejtim të Kosovës nuk ka munguar që nga vitet e 90-ta, por që tani ka tjetër qasje, pra ka të bëjë me stabilitetin dhe arritjet shtetërore bashkë me të gjithë aleatët ndërkombëtarë.

Kur bëhet fjalë për luftimin e terrorizmit, mendoj se jemi një partner i mirë në adresimet e duhura”, ka përfunduar Haradinaj intervistën e dhënë për CNBC gjatë qëndrimit të tij në Munih.

Të dielën e 17 shkurtit 2008 në orën 15:39 në Kuvendin e Kosovës u lexua Deklarata e Pavarësisë.

Sot qytetarët e Kosovës dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë, festojnë 11-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Me rastin e 11-vjetorit të pavarësisë, institucionet e vendit kanë organizuar aktivitete të ndryshme.
Por, ky do të jetë përvjetori i parë në të cilin do të parakalojë ushtria e Kosovës në sheshin kryesor të Prishtinës, raporton “Epoka e re”.

Republika e Kosovës ka siguruar 116 njohje, që nga data e shpalljes së pavarësisë.

Ndërkaq këtë vit nuk dihet se cili është ky numër i njohjeve, ngaqë disa shtete kanë vendosur të tërheqin vendimin e tyre, duke pritur rezultatin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Për nder të 11-vjetorit të shtetësisë do të mbahet një seancë solemne e Kuvendit të Kosovës, drejtuesit e shtetit do të bëjnë homazhe te varrezat e të rënëve për liri si dhe do të mbahet pritja shtetërore e pavarësisë e organizuar nën përkujdesjen e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Sipas agjendës për shënimin e 11-vjetorit të pavarësisë, fillimisht më 17 shkurt, nga ora 8:00 deri në orën 8:30 do të mbahet mbledhja festive e Qeverisë së Kosovës.

Më pas, në orën 8:45, në prani të liderëve shtetërorë para ndërtesës së Qeverisë do të ngrihet flamuri i Republikës së Kosovës.

Aktivitetet për 11-vjetorin e pavarësisë liderët shtetërore do t’i vazhdojnë me homazhet te shtatorja e ish-presidentit Ibrahim Rugova nga ora 9:40 deri në orën 9:50, e më pas do të vazhdojnë me vendosjen e kurorave në kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz nga ora 10:45 deri në orën 11:30.

Ndërkaq seanca solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës për 11-vjetorin e pavarësisë do të mbahet në orën 12:20.

Kurse në orën 13:00 deri në orën 14:00 do të parakalojnë trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës prej Sheshit “Nënë Tereza” deri te Sheshi “Ibrahim Rugova”.

Pastaj do të organizohet një koktej rasti për të gjithë të ftuarit në parakalimin e ushtarëve të FSK-së në orën 19:30 në “Swiss Diamond”.

Kurse aktiviteti përmbyllës për shënimin e 11-vjetorit të pavarësisë do të jetë pritja shtetërore për të gjithë të ftuarit nën përkujdesjen e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në Hotel “Venus”.

Presidenti Hashim Thaçi, i shoqëruar nga kryeministri Haradinaj dhe Ministri i Jashtë, Pacolli bën homazhe tek varrezat e familjes Jashari.

Pasi përfunduan homazhet, presidenti foli për media. 

Ai u shprehë se sakrifica e familjes Jashari është bazament i Pavarësisë së Kosovës por i së ardhmes euroatlantike. 

“Sot jemi së bashku me kryeministrin Haradinaj, me kryetarin e Skenderajit z. Jashari, gjithë anëtarët  e kabinetit qeveritar për të bërë nderimet shtetërore Komandantit Legjendar dhe bashkëluftëtarit tonë Adem Jashari dhe familjes së tij, për sakrificën sublime që është bazament i lirisë dhe pavarësisë, por edhe të ardhmes euroatlantike të shtetit të Kosovës. Nderime dhe respekt të përjetshëm Komandantit Legjendar, familjes së tij dhe gjithë dëshmorëve të kombit” u shprehë presidenti. 

Shkon në 40 numri i personave të shoqëruar për veprime të dhunshme gjatë protestës së të shtunës në Tiranë.

Policia ka qenë në punë gjatë gjithë natës dhe ka kryer shoqërime të shumta edhe në Lezhë, Fier e Durrës.

Mbrëmjen e kaluar policia shoqëroi 20 protestues, disa prej të cilëve u arrestuan me akuzën për dhunimin e ambienteve publike.

Nga kamerat e sigurisë disa prej të shoqëruarve kanë rezultuar të jenë pikërisht personat që kanë kryer akte dhune gjatë protestës dhe janë arrestuar.

Por shoqërimi dhe ndalimi i protestuesve ka shkaktuar tension e përplasje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës mes deputetëve të Partisë Demokratike dhe policëve. Deputetët e PD-së kanë kërkuar të takojnë protestuesit brenda ambienteve të Drejtorisë së Policisë, por oficerët e policisë i kanë ndaluar.

Të dashur miq,

Para dy ditësh Presidenti i Kosovës, z. Hashim Thaçi deklaroi se “gjatë luftës dhe pas saj kanë ndodhur abuzime të individëve të caktuar me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me emrat e individëve të caktuar, janë shkruar komunikata dhe deklarata edhe nga banhofa jashtë vendit pa dijeninë dhe aprovimin nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës , të cilat kanë qenë në kundërshtim me vullnetin dhe vendimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë kontekst ai përmendi  komunikatën numër 59, si komunikatë abuzuese që ka lënduar luftëtarin e orëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në kuptimin moral dhe kombëtar Gani Gecin dhe familja e tij dhe i shprehu ndjesë dhe keqardhje pse kjo gjë nuk është sqaruar deri tani”.

Mbrëmë përmes messengerit të Facebookut më thirri Gani Geci. Sipas pohimeve të tij, dikush nga njerëz kompetent i paskan thënë se komunikatën numër 59 e paskam shkruar unë!

Nëse pohimi i tij është i vërtetë atëherë kemi të bëjmë me një praktikë shumë të ulët dhe tejet të ndyrë. Në këtë rast kemi  të bëjmë jo vetëm me praktikën e hedhjes së gurit dhe fshehjes së dorës, por edhe drejtimin e gishtit për nxitje konflikti.

Siç i sqarova edhe Gani Gecit, pa marrë parasysh e cilës natyrë ka qenë dhe çfarë përmbajtje ka pasur, asnjë komunikatë nuk është shkruar nga ana ime. Këtë e dinë fare mirë të gjithë ata që kanë shkruar komunikata dhe deklarata politike.

Në bisedë me Ganiun nuk ishte vendi që ta potencoj atë që e kam thënë publikisht që në vitin 2010, me rastin e vdekjes së Ambasadorit të SHBA-ve për Ballkan, Richard Holbrooke. Atëherë sqarova se në selinë e NATO-s në Bruksel u përpilua komunikata përmes të cilës Ushtria Çlirimtare e Kosovës shpallte në mënyrë të njëanshme armëpushim për t’i dhënë mundësi zgjidhjes së Çështjes së Kosovës përmes dialogut.

Atë komunikatë nga Selia e NATO-s ia kam diktuar përmes telefonit anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, z. Kadri Veseli, i cili gjatë asaj dite, me modifikimet e caktuara, e ka bërë publike. Edhe pse z. Veseli, pasi e dëgjoi në tërësi komunikatën, më porositi që ta publikoja unë refuzova për të vetmen arsye se nuk doja që komunikatat dhe deklaratat e UÇK-së të shpërndaheshin nga vendet jashtë Kosovës, për arsye se teknika e identifikimit se prej nga vijnë informatat mund të na nxirrte jo serioz.

Me një fjalë, as edhe në rastet kur më është thënë të shkruaj komunikatë nuk e kam bërë.

Po e përsëris atë që i thash Gani Gecit. Nëse do ta kisha shkruar atë komunikatë dhe nëse do të isha i bindur se ajo komunikatë bazohet në fakte kurrë nuk do të pendohesha dhe kurrë nuk do të kërkoja falje, edhe sikur krejt arsenalin e armatimit të botës ta kishe në duart tua.

Unë kurrë nuk do të shkruaja një komunikatë që bazohet në të pavërteta dhe shpifë për të tjerët! Edhe në rastin më të pamundshëm, nëse do ta kisha shkruar komunikatën numër 59 me të gjithë ato të pavërteta që përmban kjo komunikatë, unë nuk do të prisja 20 vjet për të kërkuar falje. Do ta bëja menjëherë dhe do t’i merrja përgjegjësitë që do të më binin për shpërndarje të dezinformatave që kanë lënduar luftëtarin e orëve të para, Gani Gecin dhe familjen e tij. Është koha që secili të merr përgjegjësitë edhe për gabimet që janë bërë

Prokurori Publik përgjegjës nga Prokuroria Publike Shkup po kryhen hetim në vendngjarje, në aksidentin e rëndë që ka ndodhur në autostradën Shkup-Tetovë, ku për momentin 13 persona kanë humbur jetën, ndërsa shumë persona kanë mbetur të lënduar.
“Sipas informacioneve të para nga hetimi, aksidenti ka ndodhur pasdite kur autobusi i kompanisë ‘Durmo Turs’ me targa të Gostivarit ka kaluar mburojën e hekurt në anën e kundërt të autostradës, më pas ka dalë nga rruga dhe është rrokullisur në afërsi të fshatit Llaskarcë. Në drejtim të vërtetimit të aksidentit, Prokurori Publik do të lëshojë urdhër për obduksion të personave të vdekur, si dhe kontroll të jashtëzakonshëm teknik të makinës. Gjatë mbrëmjes do të sigurohet vendi i ngjarjes, ndërsa hetimi dhe nxjerrja e autobusit do të vazhdoj gjatë ditës së nesërme. Shoferi i autobusit është hospitalizuar, ndërsa nga ana e prokurorit publik është lëshuar urdhër për analizë të gjakut dhe urinës”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Ministri i shëndetësisë Venko Filipçe ka konfirmuar se numri i viktimave ka shkuar në 13, shtatë prej të cilëve kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa të tjerët në spital. Thuajse të gjithë të aksidentuarit janë të moshës madhore, jo zyrtarisht raportohet se në mesin e të lënduarve nuk ka asnjë fëmijë. ndërkohë që në spitalin 8 shtatori janë pranuar gjithsejtë 33 persona.

Para spitalit “8 shtatori”, vërehet një numër i madh i familjarëve të të aksidentuarve.

Shoferit i automjetit i ka shpëtuar aksidentit. Ndërkaq sipas të dhënave të para nga burime nga Ministria e Brendshme pas marrjes në pyetje të shoferit të autobusit, mësohet se shkak për aksidentin nuk ka qenë plasja e gomës por pikërisht humbja e kontrollit të automjetit nga ana e shoferit.