Në një intervistë për Euronews Albania në emisionin Balkan Talks me gazetarin Franko Egro, lideri i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti rrëfeu për planet e tij të qeverisjes, marrëdhënien me Shqipërinë, minishengenin ballkanik, si dhe për dialogun me Serbinë.

I pyetur rreth rrugëtimit të tij politik si një figurë apolitike dhe rebele, z. Kurti tha se ai ka një eksperiencë 23-vjeçare në politikë ka qenë vazhdimisht në opozitë.

“Radikalizmi im nuk ka buruar nga karakteri im i fortë, por nga temat para meje,” u përgjigj z. Kurti duke shtuar se tanimë që do të marrë postin e kryeministrit nuk do t’i duhet të jetë më radikal.

Ai gjithashtu foli për marrëveshjen me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe harmonizimin e programit, ku shpalosi planet e tij të qeverisjes në koalicion me partinë e dytë që mori më shumë vota.

“Jemi fitues me diferencë jo të madhe 2%, 30 deputetë ne dhe 28 LDK,” saktësoi lideri i VV.

Pyetjes lidhur me luftën e korrupsionit dhe krimit të organizuar, z. Kurti iu përgjigj duke thënë se planifikon të mundësojë luftë pa kompromis për korrupsionin, si diçka thelbësore për ekonominë, por edhe për demokracinë.

“Ne kemi nevojë që ta përgatisim mirë dialogun me parime, të rishohim marrëveshjet, sidomos dialogun me Brukselin,” tha lideri i Vetëvendosjes, duke shtuar se zgjedhjet në Serbi janë këtë pranverë, por dialogu i ri pavarësisht se nis para tyre nuk do të mbyllet atje.

“Me Serbinë nuk pajtohemi, jo vetëm sa i përket vlerave për të ardhmen, por edhe fakteve nga e kaluara.”

Kurti shtoi se Kosova është republikë parlamentare dhe si e tillë i takon kryeministrit të udhëheqë dialogun, jo presidentit.

Ai i qëndroi vendimit për të zbatuar reciprocitet të plotë me Serbinë lidhur me taksën 100% sikurse pati premtuar në një intervistë për Euronews Albania edhe përpara zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë.

Pyetjes çfarë nuk ka funksionuar në marrëdhëniet me Shqipërinë, pas ceremonive mbresëlënëse të bashkëpunimit, lideri i VV tha se ka pasur kryesisht një qasje ceremoniale dhe se ai synon të krijojë komisione të përbashkëta qeveritare.

Termin “Shqipëri e Madhe” megjithatë Kurti e hodhi poshtë si të krijuar në Beograd dhe tha se ai megjithatë shpreson që të bëhen hapa para për integrimin dhe afrimin drejt bashkimit të shqiptarëve, sipas tezës së prof. Ukshin Hotit se BE dhe Bashkimi Kombëtar as nuk e zëvendësojnë dhe as nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën.

I pyetur për “mini-Schengenin” ballkanik, z. Kurti tha se nevojitet një aleancë ballkanike, por ajo duhet të fillojë me Kosovën e Shqipërinë, të vazhdojë me Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, Sarajevën, Sofjen dhe së fundmi t’i bashkangjitet Serbia nëse e sheh të nevojshme.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë nesër do të zhvillojë intervistat me tre kandidatët që kanë aplikuar për të qenë në krye të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Altin Dumani, Arben Kraja dhe Edvin Kondili kërkojnë të drejtojnë strukturën e re që do të ketë objekt të hetimin e niveleve të larta të krimit të organizuar, por edhe të korrupsionit.

Intervistat me kandidatët do të regjistrohen me audio dhe video dhe do të zgjasin 30-45 minuta për secilin kandidat.

Orari i zhvillimit të intervistave do të jetë si më poshtë:

  1. Altin Dumani    09:30
  2. Arben Kraja      10:15
  3. Edvin Kondili    11:00

Këshilli kërkon nga kandidatët të marrin masa për t’u paraqitur pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë në datën dhe orën e njoftuar.

Rita Ora vazhdon që të provokojë me foto të nxehta në rrjetet sociale

Të tilla janë edhe dy fotot që ajo ka postuar sot e ku ka thënë se po dëshiron një “llokum”.

“E dua një llokum”, ka shkruar Rita.

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë në emisionin Pressing në T7 se nëse Lëvizja Vetëvendosje nuk ia lejon postin e presidentit, atëherë nuk do të ketë marrëveshje për koalicion mes tyre.

Negociatat për lidhje të koalicionit kanë ngecur pasi që LDK po kërkon nga VV që t’ia lejojë propozimin për post të presidentit.

“Nëse nuk marrim postin e presidentit, shkojmë në opozitë”, ka thënë Hoti.

“Ne jemi partia më e vjetër në Kosovë dhe si të tillë kemi përvojë në ndërtimin e institucioneve. Po ashtu ne jemi parti shtetndërtuese dhe si e tillë kemi futur historikisht njerëzit më të mirë të mundshëm nëpër poste drejtuese”

“Ky nuk është kushtëzim. Është një qasje ferr nga partia më e vjetër në Kosovë e cila po pranon që kryeministri të i takojë Lëvizjes Vetëvendosje”. /Express/

Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” ka botuar librin tim “Kurthet terminologjike në funksion të mohimit të gjenocidit në Kosovë”. Botimi i këtij libri është bërë me qëllim të harmonizimit dhe përdorimit të saktë të terminologjisë që duhet të përdoret, sidomos nga politikanët dhe gazetarët, kur përkufizohen ngjarjet e luftës në Kosovë dhe shmangien e grackës së mohimit të gjenocidit përmes një terminologjie jo të saktë.

Në këtë libër sqarohet përdorimi i gabuar i termave “shfarosje”, “zhdukje, “asgjësim”, në vend të termit “shkatërrim”; dallimi i nocionit “gjenocid” nga ai “holokaust” dhe “shoah”; përdorimi i gabuar i termit “eksod” në vend të “spastrimit etnik” dhe termave të tjerë, që janë tejet të rëndësishëm dhe ne duhet t’i përdorim saktë ata.

Të gjithë të interesuarit për këta terma, librin mund ta shkarkojnë falas në faqen e internetit të qendrës  “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur” (https://kosovogenocide.com/).

Përkundër asaj se më datë 8 maj 2019 Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën, që përkufizon si krim të gjenocidit atë që shteti serb ka bërë gjatë luftës në Kosovë, kohët e fundit ka filluar të përdoret shprehja “tentim për gjenocid”, që nuk është asgjë tjetër, përveçse mohim i gjenocidit.

Përkufizimi juridik i gjenocidit, si kategori e së drejtës penale ndërkombëtare, e gjen bazën e vet në Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit. Sipas të drejtës penale ndërkombëtare, te termi “gjenocid” përfshihet cilitdo nga krimet e numëruara në nenin II të kësaj konvente: a) vrasja e anëtarëve të grupit; b) cenimi i rëndë i integritetit fizik ose mendor i anëtarëve të grupit; c) vënia e grupit qëllimisht në kushte të tilla të jetës, që sjellin zhdukjen e plotë fizike ose të pjesshme të tij; d) ndërmarrja e masave për pengimin e lindjeve brenda grupit; dhe e) transferimi i dhunshëm i fëmijëve nga njëri grup në tjetrin, kur krimi është bërë, me qëllim që të shkatërrohet tërësisht ose pjesërisht një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar, si i tillë.

Është e vërtetë se konventa e lartpërmendur parashikon dënimin edhe të akteve që mbesin pa u realizuar, pra si “tentim gjenocidi” [neni III, paragrafi (d) i kësaj konvente]. Mirëpo në rastin e krimeve gjatë luftës në Kosovë vrasjet, dhunimet, spastrimi etnik dhe shkatërrimet nuk kanë mbetur “në tentativë”, por janë kryer nga forcat serbe.

Pa marrë parasysh divergjencat e juristëve rreth numrit të viktimave që ky krim të cilësohet si gjenocid, ajo që vlen të theksohet ka të bëjë me faktin se, edhe në tekstin e titulluar “Elemente të krimeve”(Élémentdescrimes, Publication de la Courpénaleinternationale), që është dokument zyrtar i Asamblesë së Shteteve Anëtare të Statutit të Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, theksohet se kemi krim të gjenocidit kur:

1. Autori ka vrarë një apo më shumë persona.

2. Personi apo personat e vrarë i përkasin një grupi të veçantë kombëtar, etnik, racor ose fetar.

3. Autori kishte për qëllim të shkatërronte tërësish ose pjesërisht këtë grup kombëtar, etnik, racor ose fetar…

Nga cilido këndvështrim juridik që të trajtohet numri i të vrarëve gjatë luftës në Kosovë, vrasjet e 1392 fëmijëve shqiptarë, vrasjet e 1739 grave shqiptare, vrasjet e mijëra civilëve të tjerë shqiptarë të të gjitha moshave dëshmojnë se forcat serbe aplikuan gjenocidin në Kosovë, sepse kishin për qëllim shkatërrimin e tërësishëm ose të pjesshëm të shqiptarëve të Kosovës si grup kombëtar, etnik apo fetar i ndryshëm nga serbët.

Përveç vrasjeve kur kryhen me qëllim për shkatërrimin e tërësishëm ose të pjesshëm të grupeve të përkufizuara me konventën e lartpërmendur, cenimi i integritetit fizik dhe mendor i anëtarëve të një grupi të caktuar kombëtar, etnik, racor apo religjioz, si i tillë, përbën gjenocid në përputhje me Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit [Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, neni II, paragrafi (b)]. I njëjti përkufizim është përfshirë tekstualisht edhe në Statutin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare [Statuti i Romës i Gjykatës Penale Ndërkombëtare, neni 6, paragrafi (b)], ndërsa në sqarimet e dhëna rreth asaj se cilat akte hyjnë në këtë kategori, në dokumentin e Kombeve të Bashkuara, të titulluar “Elemente të krimeve”, thuhet:

“Elementet e gjenocidit përmes cenimit të integritetit fizik dhe mendor janë në rastet kur:

1. Autori i krimit ka cenuar rëndë integritetin fizik dhe mendor të një personi apo të më shumë personave;

2. Ky person ose këta persona i takojnë një grupi kombëtar, etnik, racial, fetar të veçantë;

3. Autori i krimit kishte për qëllim ta shkatërronte tërësisht ose pjesërisht këtë grup kombëtar, etnik, racial, fetar;

4. Një sjellje e tillë është bërë në kuadër të një serie veprimesh të ngjashme, të drejtuara kundër këtij grupi, apo që mund të shkaktonte një shkatërrim të tillë.

Pa u kufizuar në format e shfaqjes, kjo sjellje përfshin aktet e torturës, të dhunimit, të dhunës seksuale, të trajtimeve çnjerëzore ose degraduese” (“Elemente të krimeve”).

Me një fjalë, me të gjitha normat e së drejtës ndërkombëtare, dhuna seksuale është gjenocid dhe jo “tentim për gjenocid”. Në Kosovë dhuna seksuale nuk ka mbetur vetëm si “tentim dhunimi”, por kemi të bëjmë me dhunimin e rreth 20 mijë femrave shqiptare. Përdorimi i shprehjes “tentim për gjenocid” është mohim i dhunimeve seksuale, që u bënë me qëllim të shkatërrimit të njërës nga shtyllat e familjes shqiptare.

Me Rezolutën 47/121 të Asamblesë së Përgjithshme Kombeve të Bashkuara, “largimi i dhunshëm i popullsisë nuk është pasojë e luftës, por qëllim për të pushtuar më shumë territor” në funksion të shkatërrimit të hapësirës së domosdoshme jetësore të një grupi të caktuar kombëtar, etnik, racor ose fetar dhe nëpërmjet këtij akti të shkatërrojë tërësisht ose pjesërisht grupin si të tillë. Në përputhje me të gjitha të dhënat që zotëronin lidhur me agresionin serb, në rezolutën e lartpërmendur autoritetet e Kombeve të Bashkuara e cilësuan si “formë të gjenocidit politikën e neveritshme të ‘spastrimit etnik’”…

Dëbimi i rreth 1 milion shqiptarëve nga Kosova nuk mbeti “në tentativë”, por ishte realizimi i kësaj forme të neveritshme të gjenocidit.

Mund të vazhdoj me renditjen e argumenteve të shumta dhe të vijmë tek i njëjti pëfundim:  në Kosovë nuk ka pasur “tentim për gjenocid”, por shteti serb ka kryer gjenocid ndaj shqiptarëve. Për këtë arsye politikanët, gazetarët, intelektualët e fushave të ndryshme dhe kuadri pedagogjik që ndikojnë drejtpërdrejt në formimin e botëkuptimeve dhe të opinioneve, duhet të jenë të kujdesshëm në përdorimin e terminologjisë së saktë dhe të shmangin përdorimin e gabuara të terminologjisë që mohon gjenocidin në Kosovë.

Nga Agim Jazaj – Qytetarët shqiptarë, sidomos ata të Durrësit, Thumanës, Fushë Krujës, Tiranës, Laçit rezultojnë me bilancin më katastrofik, humbjet më të mëdha të jetëve njerëzore, shkatërrimit të pallateve, banesave, shkollave, etj, nga tërmeti i 26 Nëntorit.

“Fatkeqësia natyrore e përballur me papërgjegjshmërinë shtetërore”, e thotë dhe e ndjen çdokush…

Deficenca qytetare, shkon në sinkron me moseficencën qeveritare.

Qytetarët e krisur, të marrë, shkojnë e ndërtojnë me leje nga xhepi edhe buzë detit… Shteti u ka berë dhe u bën sehir, ditën për diell. I nxit, u premton, dhe i legalizon!

Qytetari pa mend në kokë, blen shtëpi, në pallatet shumëkatëshe, pa hipotekë.

Dhe kur i ka hedhur vetes litarin në qafë, ulërin e sokëllin:  Ku je o shtet?

Të marrët thyejnë këmbët e pallateve dhe hanë kokat e tyre të parët, poshtë tyre nga tërmeti.

E gjithë kjo marrëzi përballë institucioneve, të shtet-rrumpallës, të shtrira vertikalisht dhe horizontalisht: heshtin, qeshin e përqeshin…

Dhe kur qytetarët i ankimojnë këto krime sheshit, ditën me diell, të dokumentuara edhe te PORDHALI i Bashkëqeverisjes, deri dhe te Timonieri – ndeshen me Bashkëvithisjen Qeveritare…

Pra nëse nuk shemben si deri më tani, së pari: Muret e Trurit, nuk mund të shemben kurrsesi Muret e Gurit, të lidhura, madje me ato të oshkurit!

Përgjatë tri dekadave në vendin tonë, është instaluar sistematikisht, sistemi informal, nga politika informale, e zbatuar; duke përzgjedhur, zgjedhur e graduar; njerëz informal të certifikuar, në gjithë fushat e nivelet e administratës publike…

Në administratë u futën “derri dhe dosa“, me mend e pa mend, njerëz pa emër, të panjohur as brenda mëhallës…

Në Greqi më thotë miku im Lorenci, i cili ka punuar disa vjet atje, i zgjedhur edhe sindikalist: Ministri i Punës nuk mund të zgjidhej nëse nuk do të kishte qenë për dy legjislatura sindikalist.

Pra, të njihte punën, të ishte i rrahur me punën, të kishte kallo në duar.

Dhe krahaso ministrat dhe ministreshat e qeverisë sonë, aguridhe axhamij, nuk kanë punuar asnjë ditë: Pa ngrënë asnjë lugë supë, direkt e në thela.

Vërtetë mban përgjegjësi çdokush: për vete, veprimet e mos veprime, por (“prijësi“) që duhet të zgjidhet dhe të zgjedh nga turma e më të mirëve,  “epruveta“  ka rezultuar, duke përzgjedhur jo pak, monstra, rasate që kanë dëmtuar e shëmtuar keqas, deri racën shqiptare, institucionet dhe shoqërinë…

Bilanci rezulton-drithërues në tabelat e publikuara, sidomos të “Rilindjes“: Të zgjedhurit me këto modele; të korruptuar, kompromentuar dhe të kriminalizuar, sepse me të tillë rezulton të jetë e mbushur stalla, me rasat zullumqar, mëkatar, hileqar dhe haleqar.

Kjo shfaqje pas tërmetit ngjan si me shoferin e kapërdisur të atij llafit të moçëm: me hundën në qiell e b…në diell.

Me timonin dhe tepsinë mbi mjetin gërmadhë, kabinën e shqyer, gomat në shesh, motorin rrengallë, karburantin këllirë.

Madje duke mos nxënë mend edhe pse ka thyer disa herë turinjtë.

Mos i fol shoferit – të thonë. Shoferin e kalibrit dikur e çmonim nga mjeti si e mbanin dhe si drejtonin.

Ata nuk hipnin në kabinë të kapardiseshin në timon, pa e kontrolluar gjithë mjetin, e sidomos autobusin; qysh nga kabina, gomat, motorin, shasinë. I vinin rreth e qark. E kontrollonin për karburant, vaj e valvolinë. Nuk tundeshin në majë timonit, pa futur, kontrolluar e marrë OK nga kolaudatori.

Dhe shoferë të tillë i përmendim ne vlonjatët edhe sot: nuk bënë asnjë aksident, i mbanin mjetet xham.

Udhëtarët nuk kishin aspak frikë nga “tërmeti“, edhe kur udhëtonin në rrugë shumë të vështira, të kalldrëmta, nëpër kthesat e Salarisë, për në Tepelenë, Gjirokastër e deri për në Selanik etj, me: Esat Abazaj, Bego Sinanaj, Vjero Vjeron, Avdul Binaj, Nikolla Odisea, Hajdar Muka, Duro Çarçanaj, Yzedin Ymeraj, Jani Koculi, Selamet Labaj, Skëndër Bodo, Bujar Isaraj, Thanas Lika.

Tërmeti nuk lajmëron, por paralajmëron.

Masat merren, sikur do të bjerë, edhe në mos rentë.

Quhen “autoritete përgjegjëse”, dmth me autoritet dhe përgjegjësi duhet të kontrollojnë, të ekzaminojnë gjithë hartën Shqipëri!

Të vihet gishti në plagën e hapur, për pallatet e ngritura mbi mëkatet.

Të parandalojnë tërmetin e paralajmëruar!…

Kur u kërkojmë të marrin masa për të përballuar tërmetin, zjarret, përmbytjet e të tjera katastrofa natyrore, u kërkojmë të bëjn= punën për të cilën i paguajmë, nuk hapim panik!

Tërmetin e dërgon Zoti, po masat i merr i Zoti!

Aktivistja suedeze e klimës, adoleshentja Greta Thunberg u shpall Njeriu i Vitit nga revista prestigjoze Time.

Kryeredaktori Edward Felsenthal e bëri njoftimin të mërkurën në programin “Sot” të rrjetit NBC.

Felsenthal tha se Greta Thurnberg “u bë zëri më i fuqishëm për çështjen më të madhe me të cilën përballet planeti këtë vit. Ajo erdhi nga askund dhe u bë udhëheqëse e një lëvizjeje mbarëbotërore”.

Thundberg është personi me moshën më të re që fiton këtë çmim.

Protestat që ajo zhvillonte e vetme çdo të premte përpara parlamentit suedez gjatë orëve të shkollës, kur ishte 15 vjeçe, u bënë shkak për një lëvizje globale për të luftuar ndryshimin e klimës.

Lëvizja u bë e njohur si “E Premtja për të Ardhmen” dhe bëri që miliona njerëz në rreth 150 vende “të veprojnë në emër të planetit”, tha Felsenthal.

Stili i saj i të folurit hapur tërhoqi vëmendjen e udhëheqësve botërorë dhe si rezultat Thurnberg mori ftesa për të folur në forume të profilit të lartë, si Kombet e Bashkuara dhe Kongresi amerikan.

Nobelisti Peter Handke është shpallur person i padëshirueshëm në Republikën e Kosovës. Vendimi është marrë sot dhe është bërë publik nga ministri i Jashtëm kosovar, Behgjet Pacolli.

“Sot kam vendosur ta shpall Peter Handke si persona non-grata në Kosovë për shkak të mbështetjes që ai i dha Millosheviçit dhe politikave të tij gjenocidale në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë dhe mohimin e gjenocidit të kryer nga Serbia. Ai dhe Komiteti i Nobelit treguan mos-respekt ndaj viktimave të genocidit”, shprehet Pacolli.

Shkrimtari dhe laureati i Çmimit Nobel për Letërsi, Peter Handke, njihet për mbështetjen që i ka dhënë Sllobodan Millosheviçit dhe luftërave të përgjakshme që ai kreu në ish-Jugosllavi.

Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Turqia dhe Afganistani bojkotuan ceremoninë e ndarjes së çmimit Nobel në Stokholm, duke kritikuar edhe vendimin e Akademisë suedeze, ndërkohë që mbështetje u dha nga liderët serbë.

Nga Bardhyl Mahmuti-Këmbëngulja e Isa Mustafës që të sigurojë funksionin e presidentit, përkundër gjendjes së tij shëndetësore, nuk mund të interpretohet ndryshe pos si përpjekje e fundit që shtetin e kapur të Kosovës ta vendosin në karrocën e invalidit. Nëse kuadri i ri i LDK-së, që ka marrë mandatin për të përfaqësuar elektoratin e vet, apo LVV-ja i nënshtrohen tekeve të një njeriu të sëmurë, atëherë shtetësisë së Kosovës i mungon vetëm arkivoli.

Anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu konfirmon se brenda kësaj jave do të takohen lideri i VV-së, Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa me qëllim të finalizimit të marrëveshjes për krijimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Por nëse LDK vazhdon të insistojë për presidentin atëherë alternativa e vetme sipas Haxhiut është që vendi të shkojë në zgjedhje.

Madje Haxhiu këtë kërkesë të LDK-së e ka quajtur të pakuptimtë.Sipas saj nuk ka pasur veprime të ngutura për krijim të koalicionit qeverisës pasi ende edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk e ka thirrur seancën për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Haxhiu në një intervistë për KosovaPress është shprehur optimiste për koalicionin mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së , pasi sipas saj çështja e presidentit është ajo që i ka dalluar këto dy subjekte pasi që në të gjitha pikat tjera ata janë dakorduar.

 Lidhur me atë se koalicionin ndërmjet  VV-së dhe LDK-së po e lë pezull edhe ndarja e disa ministrive, Haxhiu tha se ajo nuk qëndron pasi sipas saj të gjithë ministrat pavarësisht cilit subjekt do i takojnë ata do jenë llogaridhënës tek kryeministri në ardhje, Albin Kurti.

Ndryshe, takimi i fundit që u zhvillua në mes  liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa ka ndodhur më 2 dhjetor,  ndërsa nga ajo ditë nuk është zhvilluar asnjë takim tjetër.Ndërsa, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit e ka bërë më 27 nëntor.