Nga Enver Robeli-Kryetari i Serbisë Aleksandër Vuçic mund të ketë mbetur i kënaqur me qëndrimin e tij të sotshëm në Shqipëri. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ia hapi atij portat për të marrë pjesë në të ashtuquajturin samit i liderëve të Ballkanit perëndimor. Vuçic dukej si politikan që ia do të mirën rajonit, ndërsa Edi Rama merrej rend me rend me politikanët e Kosovës – njërin e quante gënjeshtar, tjetrin hipokrit, një tjetër të pasinqertë e kështu me radhë. Mungoi vetëm edhe ndonjë sharje me nënë.

Vuçic nuk kishte nevojë të fliste fare. Rama po grindej edhe me gazetarët shqiptarë në përpjekje për të mbrojtur një samit, i cili u mbajt pa asnjë arsye urgjente. Vuçiqi e luajti rolin e «njeriut të paqes», ndërsa mikpritësi i tij qortonte si problematikë politikanët e Kosovës. Lehtësia me të cilën u amnistua Vuçici ishte e padurueshme, por jo aq e papritur.

Politikanët me tendenca autoritare shpesh arrijnë në një pikë kur nuk dëgjojnë asnjë kritikë, sado e bazuar të jetë ajo. Edi Rama i është afruar kësaj pike. Terrenin e ka ende të hapur. Sepse opozita shqiptare pothuaj nuk ekziston. Sepse Partia Socialiste është një turmë që i bën amin liderit, pa guxuar ta kundërshtojë. Mediat? Tepër të pafuqishme për të pasur ndikim në opinionin e gjerë.

Është e paimagjinueshme që Vuçic të flasë për politikanët serbë jashtë Serbisë ashtu siç foli Edi Rama për politikanët e Kosovës. Për ndonjërin prej tyre ai mund të ketë edhe të drejtë, por konfliktet me politikanët në Kosovë kryeministri i Shqipërisë nuk duhet t’i thellojë për të mbrojtur një takim me Vuçicin. Është bukur cinike që kryetarit të Serbisë t’i jepet mundësia që Tiranën e Durrësin t’i shfrytëzojë si arenë për t’u dukur si politikan që investon në pajtimin dhe bashkëpunimin rajonal.

Si aktor i paskrupullt dhe popullist i rryer Vuçici tha se qeveria e tij do të ndajë edhe mjete financiare për të përkrahur të prekurit nga tërmeti në Shqipëri. Në Durrës kryetari i Serbisë – falë naivitetit apo budallallëkut të qeverisë së Tiranës – tregoi fytyrën e tij «humaniste» – vetëm pak ditë pasi ishte tallur me shqiptarët e masakruar nga qeveria, ministër i së cilës ka qenë Vuçic në fund të viteve ‘90.

Këto mund t’i duken Ramës gjëra krejtësisht minore, por në të vërtetë janë zhvillime shqetësuese, sepse shpalosin mungesën e një koordinimi politik mes Tiranës dhe Prishtinës, që tashmë ka një traditë të neveritshme.

Nuk mund ta quash patetike një gazetare që kujton faktin se Serbia ka vrarë mijëra civilë shqiptarë të Kosovës dhe për këto krime nuk janë dënuar as një për qind e fajtorëve. E kaluara e përgjakshme nuk mund të shikohet si kapitull i mërzitshëm që po na e zë rrugën për t’u miqësuar me serbët dhe për të bashkëpunuar me ta.

Po, pse jo bashkëpunim në shumë fusha, por ky bashkëpunim nuk mund të bëhet duke u shtirur sikur nuk ka ndodhur asgjë. E keqja e nismës për të ashtuquajturin «mini-Schengen ballkanik» është se Serbisë i jepet shansi të prezantohet si faktor stabiliteti, ndërkohë që është shteti që e destabilizon Ballkanin qe 30 vjet – në Bosnjë përmes nacionalistëve serbë, në Kosovë përmes një partie që e ka themeluar vetë dhe përmes grupeve kriminale dhe parapolitike, në Maqedoninë e Veriut përmes agjentëve (a nuk ishte një agjent serb këmbë e krye në parlamentin maqedonas kur bandat e Nikolla Gruevskit rrahën e përgjakën politikanë maqedonas dhe shqiptarë?)

Distanca që mban Mali i Zi me Serbinë edhe në nismën e «mini-Schengenit ballkanik» ka të bëjë me rolin destruktiv të Serbisë në Mal të Zi. Në tetor 2016 një grup kriminelësh serbë (me gjasë të dirigjuar nga shërbimet ruse) u futën në Mal të Zi për të rrëzuar me dhunë pushtetin legjitimin dhe për të vrarë liderin malazez Millo Gjukanoviq. Kisha Ortodokse Serbe në mënyrë konsekuente mohon identitetin malazez.

Edi Rama me gjasë beson se duke u shtirur se po angazhohet për bashkëpunim rajonal do t’ia zbusë zemrën presidentit francez Emmanuel Macron dhe bisedimet për anëtarësimin e Shqipërisë në BE do të nisin së shpejti. Ky është një kalkulim i gabuar, sepse për aq kohë sa Shqipëria mbetet shtet i pakonsoliduar, me politikanë që më shumë polarizojnë dhe shkatërrojnë e vjedhin pothuaj çdo gjë se sa që ndërtojnë, rrugën e Tiranës drejt Europës nuk e hapin samitet e shpifura në Novi Sad, Ohër apo Durrës.

Për aq kohë sa nga Shqipëria ikin oficerë të lartë policie, sepse kanë denoncuar baronët e drogës të lidhur me politikanë socialistë dhe për aq kohë sa deputetë socialistë marrin guximin të kërcënojnë hapur denoncuesit e krimeve të regjimit komunist, për aq kohë sa shërbëtorët e diktaturës ndihen të sigurt dhe madje avancohen në funksione, Shqipëria do ta ketë të vështirë të ndryshojë imazhin e saj në Europën Perëndimore.

Këtu Shqipërinë nuk e shpëton as Vuçici. As planet për lirinë e lëvizjes së lirë të njerëzve, kapitalit, mallrave dhe shërbimeve nga Serbia në Shqipëri dhe anasjelltas. Vuçic tha se në të ardhmen shqiptarët mund të punojnë në Serbi. Shumë mirë.

A do t’u digjen punëtoritë apo dyqanet atyre shqiptarëve që do vijnë në Serbi falë largpamësisë politike e ekonomike të Ramës dhe Vuçicit? Apo ndoshta do të goditen si shqiptarët e Kosovës e Maqedonisë që kanë biznese në Serbi dhe sa herë që ka ndonjë dalldi nacionaliste, ata duhet të struken diku për të shpëtuar kokën nga grupet radikale të afërta me Vuçicin.

Në mediat sociale Edi Rama tani është tradhtari i ditës. Në kacafytjet ndërshqiptare, siç dihet, nuk ka masë. Pa i minimizuar gabimet e Ramës, sepse ato janë të mëdha, megjithatë kritikat nga Kosova në adresë të tij shpeshherë janë hipokrite.

Politikanë të Kosovës të nivelit më të lartë janë takuar me Vuçicin jo vetëm në Bruksel, por edhe në festa krejtësisht private në shumë kryeqytete të Europës. Raporti mes Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçicit është më i ngushtë se ai mes Ramës dhe Vuçicit.

Në vitin 2013 marrëveshja me Serbinë në parlamentin e Kosovës është miratuar nga 89 deputetë. Kosova, siç dihet, ka pranuar që shtetasit e saj nëpër Serbi të lëvizin me letërnjoftim, sepse pasaporta ia acaron nervat policit serb – për këtë kapitullim nuk mund të akuzohet Edi Rama. As për pranimin e bashkësisë së komunave serbe, të shpallur pastaj si antikushtetuese.

Nuk ka faj Edi Rama as për qeverisjen e keqe të Kosovës. Dikur ka qenë në modë afrimi me Serbinë. Vraponin njerëzit e PDK-së me kërthi në krah për të dalë në fotografi me politikanë të Serbisë. Vraponin komandantë për të takuar njerëz të Vuçicit, të cilët janë shefa të nëntokës në veri të Kosovës. Figura të cirkut politik të Kosovës takoheshin me njerëzit e Vuçicit nëpër jahte. E te cirku i jahtit janë bashkë pastaj të gjithë: Thaçi, Rama, Haradinaj e plot e përplot të tjerë.

Në përfundimit të samitit të Tiranës, katër liderët e Ballkanit Perëndimor kanë miratuar një deklaratë e cila në thelb tregon angazhimin e tyre për procesin e Mini Shengenit, duke thënë se angazhohen për të zbatuar katër liri.

Ato janë: Lëvizja e mallrave, Lëvizja e Njerëzve dhe Shërbimeve, Sistemi i vlerësimit dhe Lëvizja e lirë e kapitalit.

Po ashtu, katër vendet angazhohen edhe për energji të pastër, ndërsa synim kryesor kanë anëtarësimin e tyre në Bashkimin Europian.

Deklarata e plotë:

Liderët e Ballkanit Perëndimor shprehën solidaritet me popullin shqiptar pas tërmetit që goditi Shqipërinë në 26 Nëntor. Liderët e Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë shprehën angazhimin e tyre për të ofruar mbështetje të vazhdueshme.

Gjatë mbledhjes u arritën përfundime mbi temat e mëposhtme. Ne ftojmë 6 vendet e Ballkanit Perëndimor të bashkohen me masat e përmendura më poshtë dhe garantojmë që secila prej tyre ka si qëllim të ndihmojë rajonin të ecë përpara në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

EMERGJENCAT CIVILE

Përgjigja rajonale ndaj tërmetit në Shqipëri ishte emocionuese, e menjëhershme, e plotë dhe bashkëpunuese. Kjo është një shenjë shumë e mirë e asaj që rajoni ynë mund të arrijë kur punojmë të gjithë së bashku.

Delegacionet vizituan zonat e dëmtuara dhe takuan anëtarë të forcave të emergjencës dhe familjet që kërkojnë të rindërtojnë shtëpitë e tyre. Atyre u duhet mbështetje e vazhdueshme që zona ku banojnë të rikuperohet. Në veçanti, ata u bëjnë thirrje bizneseve të rajonit që të rrisin aktivitetin në zonat e prekura nga tërmeti, gjatë periudhës së rindërtimit. Po ashtu, ata falenderojnë Bashkimin Europian dhe institucionet ndërkombëtare që ofruan ndihmë për familjet e dëmtuara dhe autoritetet vendore.

Në mënyrë që të rritet bashkëpunimi rajonal, liderët deklaruan qëllimin e tyre për të përfunduar një marrëveshje mbi një strukturë rajonale për t’iu përgjigjur emergjencave civile, duke vazhduar një punë që ka filluar tashmë e duke u koordinuar me Programin e Zhvillimit të OKB, Bashkimin Europian (përfshirë Mekanizmin e Mbrojtjes Civile) dhe organizata të tjera rajonale e ndërkombëtare që kanë ndihmuar të zhvillojnë zakonet e bashkëpunimit dhe përgatitjes.

Si pjesë e strukturës, secili nga ne do të:

Ndihmojë me aq sa mundet e sipas kërkesës;
• Koordinohet me pjesën tjetër të rajonit në vazhdimësi që ndihma të përdoret në mënyrë sa më efikase;
• Bashkëpunojë vazhdimisht për të rritur kapacitetin e përgjigjes si rajon në tërësi;
• Të marrë pjesë në planifikime dhe trajnime përgatitore, siç është rënë dakord në mënyrë që forcat e emergjencës dhe forcat që koordinohen me to të jenë sa më të përgatitura;
• Të koordinohet kërkesa për Bashkimin Europian, agjencitë ndërkombëtare dhe organe të tjera rajonale që punojnë me përgjigjen ndaj emergjencave civile, lidhur me burime, trajnime dhe ndihmë për të përmirësuar kapacitetet e përballimit dhe reagimin në rajon ndaj katastrofave që dëmtojnë njerëzit, qoftë këto natyrore apo të shkaktuara nga dora e njeriut, dhe
• Konsolidimi i bashkëpunimit në mënyrë të strukturuar midis organeve dhe qendrave të kërkimit të specializuar në reagimin ndaj dhe menaxhimin e emergjencave civile.
Kjo marrëveshje do të përfshihet në Protokollin e Durrësit dhe do të jetë e hapur për të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor. Institucionet e fushës do të takohen në Beograd në Janar për të përfunduar marrëveshjen.

ZBATIMI I KATËR LIRIVE

Liderët analizuan progresin që nga momenti i njoftimit në Ohër më 10 nëntor dhe në Novi Sad më 10 tetor të shtimit të përpjekjeve për të zbatuar katër liritë në rajon, për të çuar para qëllimin që ka secili vend në rajon për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Një qëllim fillestar është të vënë në zbatim nisma aktuale rajonale për të gjithë anëtarët kurdo që kjo është e mundur. 6 vendet e Ballkanit Perëndimor janë të mirëpritur t’i bashkohen këtyre përpjekjeve, për shkak të frymës përfshirëse, të bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, si dhe me vizionin për të përmirësuar kushtet e jetesës për qytetarët tanë.

Rishikim i Marrëveshjeve të Novi Sadit dhe Ohrit

Janë ndërmarrë disa hapa:

Lëvizja e mallrave

Pikat kryesore kufitare ndërmjet palëve do të jenë të hapura dhe në punë gjatë gjithë kohës, duke përfshirë mbulimin e të gjitha shërbimeve të nevojshme. U mirëprit lajmi se pikat kryesore kufitare midis Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë kanë staf që punon 24 orë në ditë dhe angazhimi që pikat midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do ta mundësojnë këtë sa më parë. Për këtë qëllim:

Mbledhja përshëndeti miratimin nga Komiteti i Përbashkët i CEFTA-s, pas Deklaratës së Ohrit, të vendimeve që do të ndihmojnë të lehtësojnë tregtinë, si njohja e Operatorëve të Autorizuar Ekonomikë dhe miratimi i strategjisë për menaxhimin e riskut. Gjatë mbledhjes u bë thirrje që CEFTA të marrë sa më parë një vendim për të lehtësuar tregtinë e fruta-perimeve.
Shqipëria, Serbia, dhe Maqedonia e Veriut kanë rënë dakord që mjetet që do kalojnë në palët e tjera do të ndalohen vetëm një herë. Në Janar të 2020 do të zhvillohet një mbledhje me autoritetet e doganave për të diskutuar aspektin teknik të zbatimit.
Liderët po ashtu kërkuan të zbatojnë brenda 2020 një sistem të lëvizjes pa dokumente, duke u përshtatur me kuadrin e CEFTA-s në atë zonë. Në këtë aspekt, Palët janë dakord të shtojnë bashkëpunimin për ta përshtatur me legjislacionin e BE-së.
Punë intensive me Komisionin Europian, Sekretariatin e Përhershëm të Komunitetit Europian të Transportit, si dhe me Bankën Botërore dhe institucione të tjera ndërkombëtare financiare ka filluar në mënyrë që të mundësohen dokumentet elektronike, të bazuara në AP5 e CEFTA-s dhe përmirësim të infrastrukturës që përfshin korsi shtesë në pikat kufitare.
Shqipëria, Serbia, dhe Maqedonia e Veriut kanë rënë dakord që të rrisin zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të CEFTA-s.

Lëvizja e Njerëzve dhe Shërbimeve

Liderët kanë rënë dakord që secili anëtar i Ballkanit Perëndimor duhet të lejohet të jetojë, udhëtojë dhe punojë si vendas, duke kontribuar në krijimin e një tregu të përbashkët ekonomik.

Shqipëria, Serbia, dhe Maqedonia e Veriut angazhohen:

Për një marrëveshje që do të trajtojë qytetarët e secilit vend si vendasit lidhur me udhëtimin, banimin dhe punësimin në secilin vend. Ne synojmë të nënshkruajmë marrëveshjen deri në fund të Janarit 2020 dhe të plotësojmë këto procese sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo duhet të arrihet duke harmonizuar legjislacionin vendas mbi lëvizjen e personave, lejet e punësimit dhe lejet e qëndrimit.
Marrëveshja duhet të plotësojë kërkesat e BE-së dhe të jetë e hapur për të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Për njohjen e kualifikimeve profesionale në BE, profesionet e rregulluara sipas Samitit të Zagrebit, në Maj. Kjo do të zbatohet si për punonjësit aktualë të atyre profesioneve, ashtu edhe për të diplomuarit e ardhshëm në programe të akredituara dhe në ciklin e tretë të studimeve (doktoratura).

Zëvendësimi i Direktivave në disa aspekte lidhur me kontratat për ofrimin e përmbajtjes dhe shërbimeve dixhitale.

Liderët kanë shprehur vullnetin të ofrojnë lëvizje të lirë të shërbimit dhe të bizneseve bazuar në ligjin e fushës, në BE. Ata e konsiderojnë miratimin e Protokollit të 6-të Shtesë të CEFTA-s mbi Tregtinë e Shërbimeve si një moment të rëndësishëm historik dhe si bazë ligjore për hapat e ardhshëm dhe angazhohen të ratifikojnë sa më shpejt dhe ftojnë palët e tjera të CEFTA-s të bëjnë të njëjtën gjë në një kohë sa më të shkurtër. Ata angazhohen të zbatojnë plotësisht detyrimet që lindin nga ajo dhe zotohen të marrin drejtimin lidhur me bashkëpunimin rregullator ndër rajonal në një nga sektorët e zgjedhur dhe në dialogun rregullator në tregun elektronik.

Të promovojnë bashkëpunimin në rregullimin e pagesave me vizionin për të mundësuar pagesa elektronike të shpejta, të besueshme dhe të lira të kalimit të kufirit, bazuar në modelin e BE-së.

Palët kanë rënë dakord të nënshkruajnë marrëveshje bilaterale për njohjen e Shërbimeve të Besueshme dhe certifikatave elektronike.

Të tre kanë rënë dakord që personat që do të udhëtojnë në rajon do të lëvizin midis shteteve palë pa pasur nevojë për viza apo kufizime emigracioni. Kjo do të rrisë turizmin dhe udhëtimet për në rajon. Një marrëveshje mbi këtë qëllim do të përpilohet dhe nënshkruhet në mbledhjen e ardhshme.

Lëvizja e lirë e kapitalit

Liderët kanë rënë dakord për të zgjeruar përpjekjet drejt investitorëve në nivel global, duke u koordinuar me dhomat e tregtisë me pjesëmarrjen e lidershipit të lartë politik nga përtej rajonit. Shqipëria, Serbia, dhe Maqedonia e Veriut kanë rënë dakord për pjesëmarrje të rregullt në eventet e nivelit të lartë politik dhe t’i kërkojnë përfaqësuesve nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor që t’i bashkohen nismës.

Në këtë aspekt, u ra dakord që të rishikohen traktatet bilaterale të investimeve në rajon me qëllimin që ato të harmonizohen më shumë me standardet rajonale, si dhe të përshtaten me standardet e BE-së. Ministritë e fushës do të drejtojnë këto përpjekje dhe do të raportojnë në mbledhjen e ardhshme.

Liderët ranë dakord të zhvillojnë nisma për investimet në sektorët energjetikë dhe të mjedisit, si dhe në turizëm, agrikulturë etj, me qëllimin që të tërheqin investime të reja e investime shtesë në rajon. Do të ngrihet një grup pune për secilin sektor, me ftesa nga Dhomat e Tregtisë, për të përfshirë bizneset, zyrtarë nga të gjitha qeveritë në rajon, ekspertë nga radhët e akademikëve dhe shoqërisë civile, si dhe investitorë të mundshëm nga sektori publik dhe nga ai privat. Duhet të mbahet deri në fund të Shkurtit një mbledhje mbi sektorin e energjisë dhe mjedisit, me fokus mbi qëndrueshmërinë dhe në përfundim duhet të kenë lindur disa sugjerime për ndryshimin e politikave që mund të jenë të nevojshme të bëhen dhe për mundësi investimi. Palët do të punojnë me Komisionin Europian, Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankën Europiane të Investimeve (BEI) dhe të tjerë për të identifikuar mundësitë dhe ndryshimet e nevojshme të politikave për të tërhequr investime. Palët duhet të garantojnë që kjo është në vijë me prioritetet tona për anëtarësim.

Sistemi i vlerësimit Lëvizja e lirë e kapitalit

Liderët vunë re rëndësinë e vlerësimeve transparente dhe në kohë mbi sa janë zbatuar angazhimet. Ne do të zhvillojmë një sistem vlerësimi të pavarur dhe dixhital për të vlerësuar progresin e arritur në rrugën drejt realizimit të qëllimeve.

Sistemi duhet të informojë vazhdimisht qytetarët dhe të lejojë dhënien e mendimeve në kohë reale nga qytetarët, klientët dhe bizneset.

Për këtë qëllim, në mbledhje u vu re interesi i donatorëve ndërkombëtarë në mbështetjen e monitorimit të pavarur dhe të sistemit të vlerësimit. Në mbledhjen e ardhshme të këtij grupi do të rishikohen planet me vizionin për të vënë në zbatim sistemin deri në Samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit.

E ARDHMJA DHE ZGJERIMI

Liderët ripohuan angazhimin që kanë ndaj perspektivës Europiane të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ritheksuan që mbledhjet në Novi Sad, Ohër dhe Tiranë synojnë të rrisin përgatitjen e rajonit për anëtarësimin në BE të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë mbledhjes u theksua rëndësia e vendimit pozitiv të Këshillit të Europës mbi hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në mars 2020.

Liderët theksuan në veçanti se progresi i bërë në drejtim të shtetit të së drejtës e të sundimit të ligjit mbetet i rëndësishëm dhe duhet të integrohet në të gjitha reformat në rajon.

Liderët kërkuan që Ballkani Perëndimor të përfshihet në Konferencën për të Ardhmen e Europës.

AXHENDA E BLERTË E BALLKANIT PERËNDIMOR

Liderët njohin se Pakti i Blertë Europian, i publikuar më 11 Dhjetor 2019, është një nismë kryesore e Komisionit Europian.

6 vendet e Ballkanit Perëndimor janë zotuar tashmë të ngrenë këtë çështje në Podgoricë në shkurt të 2019, në ministerialin “Tranzicioni për në Energji të Pastër”.

Liderët propozuan angazhim aktiv me Komisionin Europian me qëllim që të përfshihet Pakti i Blertë i BE-së në axhendën e Blertë të Ballkanit Perëndimor me synimin e rritjes së zhvillimit të qëndrueshëm dhe investimeve.

VIZIONI: PROCESI I BERLINIT DHE INTEGRIMI EKONOMIK RAJONAL
Liderët shprehën kënaqësinë e tyre që Procesi i Berlinit do të drejtohet nga Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria dhe e konsiderojnë këtë një shenjë të qartë të përkatësisë së rajonit në këtë proces. Liderët mirëpritën nismën e presidencës së ardhshme për të pasur një drejtim të përqendruar te rezultatet, të fokusuar tek thellimi dhe jo zgjerimi i axhendës, dhe të mbështesin temat dhe prioritetet e hartuara nga kjo presidencë.
Liderët gjithashtu ranë dakord të mbështesin miratimin e MAP REA 2 në Samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit dhe zotohen të nisin konsultime të gjera me grupe interesi, biznese dhe ekspertë lidhur me fazën tjetër të MAP REA 2 në mënyrë që procesi të jetë i drejtuar nga rajoni, përfshirës dhe pragmatik.

Ai e nisi për humor, pa e ditur se njoftimi i tij do të shpërndahej kudo. Anglezi Simon O’Kane postoi një foto të gruas së tij në eBay, duke thënë se nxirrte në shitje. Ai mori shumë oferta dhe çmime të ndryshme, por realisht kjo ishte një shaka.

Shes një grua! Jo e re, e përdorur, por ka ende për të dhënë. Arsyeja e shitjes: kam mbaruar punë me të dhe mendoj se dikush tjetër atje jashtë e meriton më shumë se mua (Zot, të lutem, bëj që të jetë dikush).

Pikat e forta:

Trup i mirë dhe ka disa aftësi në kuzhinë.

Pikat e dobëta:

Bën një zhurmë që nuk ndalohet dot pa blerë copa metalike të shtrenjta.

Si përfundim, jo një model i keq. Priten oferta ose shkëmbime me modele të reja. Pasi e keni blerë, nuk mund ta ktheni më… KURRË!” Për dy ditë, çmimi i ofruar shkoi në 65 000 stërlina, aq sa për një makinë Jaguar.

Po reagimi i gruas? “Doja ta vr1sja kur pashë njoftimin. Kolegët qeshnin me të madhe. Më vinte inat se kishte përdorur edhe foto të keqe”.

Enca dhe Rina kanë postuar së fundmi disa foto në Instagram, ku shihen nën shoqërinë e njëra-tjetrës. Të gjithë kanë nisur të dyshojnë se mes tyre do të ketë një bashkëpunim, megjithatë vajzat kanë vendosur të na i lënë surprizë.

Nëse kjo gjë është e vërtetë, Enca për herë të parë po bashkëpunon me një artiste femër. Ndonëse në karrierën e saj muzikore ka disa bashkëpunime, asnjë prej tyre nuk është me një kolege.

Pak ditë më parë Enca tregoi se 2020-ta do vijë plot surpriza, prandaj kjo nuk përjashtohet të jetë një prej tyre. Kujtojmë se Rina ka rreth një muaj që është rikthyer në rrjetet sociale dhe është duke punuar për t’u rikthyer fuqishëm.

Pa marrë parasysh moshën ose gjininë, secili njeri së paku një herë ka ndier dhimbje në eshtra, më së shpeshti në shpinë, gjunjë ose në nyja.

Përveç me ilaçe, dhimbjet mund të zbuten edhe me zgjedhje më të mirë të ushqimit dhe me ushtrime:

Kalciumi

Disa ushqime shpejtojnë largimin e kalciumit nga eshtrat, ndërsa disa të tjera ndihmojnë që nyjat të funksionojnë më mirë. Personat që vuajnë nga reuma duhet që ta shmangin mishin, djathërat me yndyrë dhe proshutat. Secila perime, veçanërisht lakra dhe bishtajat ndihmojnë për funksionim më të mirë të nyjave.

Lakrat

Shtresat nga lakra janë ilaç efikas kundër dhimbjeve reumatike. Duhet të mënjanohen tejzat e trasha, ndërsa fletën duhet tëholluar me shishe dhe më pas të vendoset në vendin që dhemb, të mbështillet me një leckë të thatë dhe të shtrëngohet me fashë. Shtresën duhet ndërruar tri herë në ditë.

Dieta

Njerëzit që kanë probleme me reumë dhe kanë peshë të tepërt, do të duhej që gradualisht të humbin peshë, sepse pesha e tepërt ka ndikim tejet të dëmshëm në nyjat e ijëve dhe këmbëve.

Arrat

Të përzihet një litër vaj ulliri të parafinuar dhe 1 lugë të gjetheve të grira të arrës. Të mbahet në vend të ngrohtë një muaj, me përzierje të përditshme. Me këtë vaj duhet të bëhet masazh në vendet që dhëmbin, raporon Telegrafi.

Livanda

Kavanozin prej 1.5 litrash mbusheni me lule të livandës, e mbushni me vaj ulliri, e mbyllni mirë dhe e mbani në diell 15 ditë. Me këtë vaj duhet të lyhen dhe t’u bëhet masazh vendeve që dhembin.

Tika Camaj, e cila tashmë po bën një karrierë të suksesshme si modele, vite më parë ka qenë pjesë e taekuondosë, madje ka fituar edhe tituj në këtë sport.

Por tashmë bukuroshja 31-vjeçare po korr suksese në një tjetër fushë dhe është tërësisht e fokusuar në modelim.

Tika Camaj është gjithashtu mjaft e ndjekur në rrjetet sociale, ku regjistron më shumë se 430 mijë fansa në “Instagram”, të cilët admirojnë bukurinë dhe trupin perfekt të Tikës.

Së fundmi Tika ka publikuar disa fotografi, ku ekspozon format e saj trupore me një fustan të ngushtë me lule.

Komisioni Evropian kërkoi nga Polonia që të heqë dorë nga miratimi i një ligji që do t’i ndëshkonte gjykatësit që vënë në dyshim reformat e qeverisë.

Në një letër dërguar presidentit polak, kryeministrit dhe kryetarëve të dy dhomave të parlamentit, zyrtarja e lartë për Vlera dhe Transparencë e BE-së, Vera Jourova, u bëri thirrje organeve të shtetit të mos e çojnë përpara propozimin, përpara se t’i bëjnë konsultimet e nevojshme.

Jourova tha se i inkurajon fuqishëm autoritetet polake që të konsultohen me Komisionin e Venecias, që është grup i eksepertëve të çështjeve kushtetuese.

Propozim-ligji u kritikua edhe nga Kombet e Bashkuara.

Ai “e rrezikon edhe më shumë” pavarësinë e gjyqësorit në Poloni, tha të premten zëdhënësi i Zyrës së OKB-së për të Drejta të Njeriut, Rupert Colville.

Ligji, që u propozua nga Partia qeverisëse për Ligj dhe Drejtësi e Polonisë, do të lejonte shkarkim dhe masa të tjera disiplinore kundër gjykatësve që vënë në dyshim ligjshmërinë e emërimeve gjyqësore.

Gjykatësit po ashtu do të detyroheshin të jepnin informacione me shkrim për llogaritë e tyre në mediat sociale dhe aktivitetin në shoqatat gjyqësore.

Propozim-ligji ka shkaktuar protesta në Poloni, por qeveria e sheh atë si të nevojshëm “për të parandaluar kaosin në gjyqësor”.

Bashkimi Evropian e ka kritikuar disa herë Poloninë për miratim të ligjeve që thuhet se nuk janë në përputhje me rregullat e BE-së.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit deklaroi sot se ndërtimi i aeroportit ndërkombëtar të Vlorës do ndihmojë për të arritur objektivin tonë, 10 milionë turistë në vit.

Gjatë aktivitetit të mbajtur sot në sallën COD në kryeministri ku u prezantua hapja e garës për ndërtimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës, Klosi tha se Shqipëria po shndërrohet me shpejtësi në një destinacion turistik. “Ne këtë vit pranojmë mbi 6.3 milionë turistë të huaj dhe krahasuar me një vit më parë është 10% më shumë se vitin e kaluar, por përsëri shikojmë sa shumë e kemi të kufizuar momentin e pikut të sezonit për dy arsye. E para për mungesë të infrastrukturës akomuduese dhe e dyta të infrastrukturës aeroportuale.

Investimet që do të realizohen në zonën e Vlorës edhe promovimi në mënyrë krejt tjetër, tashmë i mbështetur me një investim kaq të madh si aeroporti i ri i Vlorës do ta shndërrojmë edhe destinacionin e Vlorës dhe të gjithë bregut të Jugut të Shqipërisë në një destinacion shumë të arritshëm nga operatorët turistik”-tha ai. Klosi tha se “shtimi i investimeve të menjëhershme dhe fillimi i punimeve për aeroportin e ri të Vlorës më 31 maj, do të na bëj gati për të filluar një moment të ri, një fazë të re të ndërtimit të dhjetëra hoteleve në të gjithë zonën”.

“Ajo që po ndodh për botën e turizmit është një lajm i jashtëzakonshëm, lajm që i vjen shumë mirë dhe situatës të cilës ndodhemi pas tragjedisë së tërmetit të datës 26 nëntor, tragjedi që dëmtoi familjet. 12 mijë familje u gjendën pastrehë, dëmtoi një zonë të tërë për sa i përket raportit me jetën, raportit me pasurinë, pronën, jetët e humbura, por një nga sektorët që mund të marri goditje është sektori i turizmit, prandaj kjo politikë e re do të ndikojë në mënyrë të jashtëzakonshme në promovimin e Shqipërisë turistike ku objeksioni ynë është 10 milion turistë, pra në fillimet e dekadës 2020-2030. Pra përfundimi i aeroportit do na bëjë që Shqipëria do të ketë mundësi të pres mbi 10 million turistë që është i rëndësishëm për ekonomin e vendit tonë”, theksoi Klosi.

Imer Mushkolaj– vend se të ndihet keq për gjithë çfarë ka bërë në qeverisje – kryesisht bashkë me PDK’në, LDK po sillet si fituese absolute e zgjedhjeve dhe si të mos kishte qenë asnjëherë në pushtet. Pazaret si ato me Hashim Thaçin, tash po provon t’i bëjë me Albin Kurtin. Gjithçka po kushtëzon me karrigen e presidentit. Ata që veten e quajnë institucionalistë, po sillen si tygjarë politikë.

Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të sillet si fituese e zgjedhjeve, pavarësisht se ka pësuar humbje. Zyrtarët e saj në paraqitjet publike vështirë pranojnë të kenë humbur dhe zakonisht thonë se janë partia e dytë, me një deputet më pak se Lëvizja Vetëvendosje. Madje shfaqen aq arrogantë në arsyetimet e tyre në raport me arritjen e koalicionit qeverisës, sa të krijohet përshtypja se janë fitues absolutë dhe se asnjëherë më parë nuk kanë qenë në pushtet.

Po të ishte parti normale dhe institucionaliste, siç ka dëshirë të vetëquhet, po të ishin zyrtarët e saj të ndërgjegjshëm, do të duhej të reflektonin dhe të paktën të merrnin përgjegjësinë për qeverisjen e partisë ndër vite.

Po të ishte parti e përgjegjshme, disave prej zyrtarëve të saj do të duhej t’iu vinte turp se në çfarë gjendje e kanë sjellë vendin duke bashkëqeverisur me PDK’në, duke e kapur shtetin sipas marrëveshjes për ndarjen e pushtetit.

Po të ishte parti institucionaliste nuk do të bllokonte krijimin e institucioneve të reja, Kuvendit e Qeverisë, me kushtëzimin për karrigen e presidentit, vetëm se dikujt iu ka tekë të akomodohet në të pas Hashim Thaçit.

E kushtëzimi për presidentin nuk përmendej para zgjedhjeve, e as menjëherë pas tyre. Kandidatja e LDK’së për kryeministre dhe nënkryetarja e partisë, Vjosa Osmani, deklaronte publikisht dhe me kompetencë para zgjedhjeve se posti i presidentit nuk do të duhej të bëhej pjesë e pazareve ndërmjet partive. Isa Mustafa, ndërkaq, pas zgjedhjeve thoshte se arritjen e marrëveshjes për koalicion nuk do ta kushtëzonte me postin e presidentit. Por gjithçka ndryshoi më pas. LDK kushtëzon krijimin e koalicionit qeveritar pikërisht me këtë post. As parimore as e ndershme – nëse ende ka parime e ndershmëri në politikë. Përvoja ndër vite ka treguar se LDK’ja nuk i ka asnjërën nga to.

* * *

Mund ta kuptoj dëshirën e Isa Mustafës dhe kujtdoqoftë tjetër për të synuar postin e presidentit. Mund të jetë edhe legjitime. Por nuk mund ta kuptoj as Mustafën dhe askënd tjetër që të bllokojë marrëveshjen e koalicionit me kushtëzimin për të marrë këtë post.

Më 6 tetor qytetarët kanë votuar për përbërjen e re të Kuvendit, që më pas zgjedh qeverinë. Ata nuk e kanë dhënë votën për president. Është e pafalshme që vendi të futet në krizë politike, për

shkak se një parti dëshiron të akomodojë në një pozitë, pas një viti e gjysmë, kryetarin ose ndonjë zyrtar tjetër të saj.

Vetëm tash pasi i ka humbur zgjedhjet, edhe pse po sillet si fituese, LDK’së i ka ardhë ndërmend se nuk paska besim të mjaftueshëm ndërmjet saj dhe Vetëvendosjes. Nëse është kështu, pse atëherë para zgjedhjeve kjo parti deklaronte se do të bënte koalicion vetëm me Vetëvedosjen. Në emër të këtij premtimi mori edhe vota. Nëse ka munguar besimi i ndërsjellë para zgjedhjeve, atëherë LDK nuk është dashur të jep premtime të tilla.

Kushtëzimet e LDK’së tash mund ta humbin edhe atë pak besim që ekziston ndërmjet dy partive. Por, nëse partitë duan zgjidhje të situatës së krijuar, ajo mund të arrihet. E rëndësishme është të krijohen Kuvendi dhe Qeveria. Mund ta arrijnë ujdi edhe për presidentin pastaj, por jo kjo çështje të bllokojë arritjen e marrëveshjes.

Por LDK, si e rryer ndër vite me pazare të tilla, dëshiron ta rezervojë ulësen e presidentit, edhe pse nuk është e sigurt se më 2021 do të mund t’i sigurojë votat për ta zgjedhur atë.

* * *

Zyrtarët e LDK’së bëhen nervozë kur ua përmend të kaluarën. Zakonisht thonë se duhet shikuar përpara. Por LDK’së duhet përmendur sa më shpesh të kaluarën, sepse është kjo parti përgjegjëse, thuajse sa PDK’ja, për situatën në të cilën gjendet vendi.

Është kjo parti që ndër vite ka fituar vota duke u viktimizuar, duke akuzuar SHIK’un për plot të zeza, edhe për vrasjen e zyrtarëve të vet, e pastaj duke e zgjedhur ish-shefin e SHIK’ut kryeparlamentar e Hashim Thaçin president.

Siç e ka bërë pazarin me Thaçin, Isa Mustafa po provon ta bëjë pazarin edhe me Kurtin. Pazar që e nxori në tavolinë atëherë kur thuajse ishte e kryer puna e koalicionit.

Për mosarritjen eventuale të marrëveshjes përgjegjësinë nuk e ka vetëm Vetëvendosja, por edhe LDK’ja e cila elektoratit të vet i ka premtuar se do të bëjë koalicion me këtë parti. Përndryshe, më parimore dhe më e ndershme do të ishte të thoshte se nëse nuk fiton, do të mbetej në opozitë. Por LDK’ja nuk i ka asnjërin nga këto virtyte. Shfaqet edhe humbëse, edhe krenare.

Bardhyl Mahmuti-Polarizimi i qëndrimeve të LVV-së dhe LDK-së lidhur me përfshirjen apo mos përfshirjen e postit të presidentit të shtetit në marrëveshjen për krijimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019 kanë krijuar një kontekst politik që është duke futur krijimin e institucioneve në një rreth vicioz nga i cili vështirë të dilet pa ndryshime rrënjësore në mënyrën e funksionimit.

Nga njëra anë, ky kontekst karakterizohet me këmbënguljen e LDK-së që në këtë marrëveshje të përfshihet dhe të përkufizohet qartë edhe çështja e presidentit dhe vendosmëria e kësaj partie të shkojë në opozitë nëse nuk realizon ambiciet e veta.

Nga ana tjetër, LVV-ja është kategorike të mos i japë LDK-së “gjysmën e qeverisë dhe gjithçka tjetër” dhe për këtë është e gatshme të shkojë në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme, sepse, përkundër mandatit që i takon të negociojë për krijimin e qeverisë, kjo parti politike përjashton kategorikisht mundësinë të krijojë qeveri me partitë e PAN-it.

Pikërisht nga tërësia e qëndrimeve të lartpërmendura është krijuar rrethi vicioz me të gjitha paradokset që e karakterizojnë. Nëse LDK-ja ose LVV-ja nuk ndryshojnë qëndrimet e tyre, atëherë ky rreth vicioz do të shndërrohet në humnerë të cilës askush nuk mund t’ia sheh fundin.

Për të zhbllokuar këtë situatë LDK-ja duhet të heq dorë nga kushtet që lidhen me funksionin e presidentit ose LVV-ja të heq “vijat e kuqe” që ka vendosur ndaj PDK-së, AAK-së dhe NISMËS Socialdemokrate. Në të kundërtën, të gjitha përpjekjet janë të kota. Madje, të shkohet në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme pa ndryshuar qëndrimet e lartpërmendura nuk është asgjë tjetër pos shpenzime të kota të parasë publike, të energjive njerëzore dhe tallje me popullin