Nga Agim Vinca – Në vitin 1990, kur Adem Demaçi kishte hyrë në vitin e vet të 28-të të burgut, e përjavshmja “Danas” e Zagrebit, i vetmi organ i shtypit jugosllav që u bënte vend shkrimeve tona të pakta që merrnin në mbrojtje, pak a shumë, shqiptarët nga fushata e tmerrshme që zhvillohej kundër tyre në vitet ’80 (pas vitit 1981), në rubrikën e saj të rregullt “Ličnost tjedna” (Personaliteti i javës), botonte një shkrim për të burgosurin politik numër një në ish-Jugosllavi dhe ndër më të njohurit në botë, Adem Demaçin.

Jugosllavia e atëhershme, nën ndikimin e zhvillimeve në Evropën lindore e qendrore (në ish-Bashkimin Sovjetik, Poloni, Çeki etj.), po shkonte drejt pluralizmit politik dhe si rezultat i rrethanave të reja të krijuara, pritej lirimi i të burgosurve politikë, në mesin e të cilëve doemos edhe i të burgosurve politikë shqiptarë, të cilët ishin, në raport me numrin e popullsisë, pra proporcionalisht, më të shumtit në numër dhe të dënuar me dënime nga më të rëndat, disa prej të cilëve, madje, si Adem Demaçi me shokë, nga dy-tri herë radhazi. “Čovjek sa transparenta” (Njeriu i tranparenteve) titullohej shkrimi i “Danas”-it, që fliste në dy faqe për Adem Demaqin (kështu ia shkruanin emrin) dhe që sillte edhe fotografinë e tij, për herë të parë pas shumë vitesh e dekadash dhe që, siç mund të shihej qysh prej titullit, e paraqiste atë si lider politik të lëvizjes ilegale shqiptare për çlirim, si njeri që mobilizonte masat, me portretin e të cilit dilej në demonstrata, kryesisht në Perëndim, e të tjera të ngjashme. Shkrimi ishte kryesisht pozitiv, por e paraqiste Adem Demaçin, autorin e romanit të famshëm Gjarpinjtë e gjakut, të shndërruar në legjendë, ashtu sikurse edhe autori i tij, vetëm si njeri politik, por jo edhe si krijues letrar, pra si shkrimtar.
I vetëdijshëm se në këtë mënyrë, Adem Demaçi paraqitej në mënyrë jo të plotë, madje të njëanshme, pata bërë një shkrim, në të cilin, duke përshëndetur veprimin e gazetës zagrebase, ia bëja me dije redaksisë dhe, nëpërmjet saj, edhe lexuesve, se Adem Demaçi, përveç se veprimtar politik, shumë i njohur dhe shumë i çmuar, ishte edhe shkrimtar, autor i një numri të konsiderueshëm tregimesh dhe i një romani, që kishin bërë bujë në kohën kur ishin botuar në Prishtinë, në gjysmën e dytë të viteve ’50 të shekullit XX, por që më vonë, pas rënies në burg të autorit, ishin ndaluar, ashtu siç ishte ndaluar edhe emrin i autorit të tyre, i cili, në Kosovë e gjetkë rreth tri dekada nuk mund të përmendej publikisht, pos në kontekst negativ: si armik i Jugosllavisë, çfarë edhe ishte në të vërtetë. (Armik i Jugosllavisë? Po. I shtetit dhe i ideologjisë së tij, por jo edhe i popujve të saj, sepse Adem Demaçi, njeri me sens të rrallë politik dhe humanist i vërtetë, ka ditur ta bëjë gjithmonë dallimin mes popujve e regjimeve dhe nuk i ka bërë kurrë vend urrejtjes në zemrën e tij të madhe).
Në fund të shkrimit tim, të cilin Danas-i, për çudi, nuk e botoi, edhe pse më kishte botuar jo pak shkrime të tjera më parë, nënvizoja edhe një detaj, në dukje mbase të parëndësishëm, por që do ta ndjekë si fatalitet shkrimtarin ndër vite, faktin se emri i Adem Demaçit, në të vërtetë mbiemri i tij, shkruhej me ç” (të fortë) e jo me “q” (të butë), si thuhet në Kosovë, siç e kishte shkruar gazetari i “Danas”-it dhe siç do ta shkruajnë jo rrallë edhe vetë shqiptarët jo vetëm në atë kohë, por edhe më vonë, deri në ditët e sotme. Kjo ishte, siç kam marrë vesh, një nga arsyet (edhe pse jo e vetmja), që e shtyri autorin, shkrimtarin Adem Demaçi, të hiqte dorë për një çast nga emri i tij historik dhe ta nënshkruante kompletin e veprave të tij prej dhjetë librash, të botuar në vitin 2012, me Adem Dema e jo Adem Demaçi, veprim ky, i cili, megjithatë, mua personalisht, si lexues i veprës së Adem Demaçit dhe si studiues i saj, nuk më është dukur me vend!
Të ritheksojmë edhe një herë, edhe tani që ky personalitet i pashoq nuk është më në mesin tonë, se Adem Demaçi, është jo vetëm veprimtar i shquar politik, njeri që bëri epokë, por edhe një krijues me talent të rrallë artistik. E them me përgjegjësi të plotë se po të mos e kishte flijuar talentin e tij letrar për hir të çështjes kombëtare, Adem Demaçi do të ishte bërë një shkrimtar i përmasave të mëdha ose, siç kam thënë në një rast tjetër, sado hipotetike që mund të duket kjo gjë, Kadareja i Kosovës. “Baca”, siç jemi mësuar ta quajmë me dashuri të gjithë ne kur flasim për të, madje edhe ata që mund të jenë moshatarë të tij apo edhe më të moshuar se ai, i kishte të gjitha predispozitat për t’u bërë i tillë: talentin, imagjinatën, aftësinë e të vërejturit të fenomeneve jetësore, prirjen për të krijuar karaktere njerëzore, gjuhën e pasur, stilin lakonik, njohjen me themel të frazeologjisë popullore, zotërimin e gjuhës si sistem mjetesh shprehëse në të gjitha nivelet e saj, e të tjera.
Në librin Dosja Demaçi të historianit dr. Hakif Bajrami, haset, ndër të tjera, edhe një fjali, në të cilën thuhet: “në mesin e shkrimtarëve të Kosmetit konsiderohet si shkrimtari ma i talentuem”. Jam mahnitur kur e kam lexuar këtë fjali, të shqiptuar nga njëri nga denoncuesit e tij. Përse? Për shkak se aty mësova, ku më së paku e prisja, se talentin si shkrimtar Demaçit nuk ia mohonin as ata që e denonconin e as ata që e burgosnin. Përkundrazi, e konfirmonin atë, duke pohuar me gojë plot se ai ishte “i talentuem”, madje shumë më i talentuar se ata vetë, por, ajme, kishte një të keqe të madhe: ishte armik i shtetit dhe jo një armik dosido, por i vendosur, trim e konsekuent deri në fund.
Adem Demaçi i ri, ky idealist i vërtetë, sikurse edhe shokët e tij, që iu bashkuan dhe e mbështetën, kishte një ëndërr të madhe, heretike për kohën: ëndrrën e çlirimit të Kosovës nga zgjedha serbe dhe bashkimin e saj me Shqipërinë, prej së cilës ishte shkëputur padrejtësisht e me dhunë në vitet 1912-13.
Për hir të kësaj ëndrre, Adem Demaçi e sakrifikoi talentin e tij si shkrimtar dhe karrierën e tij prej shkrimtari të dorës së parë. Kur ra në burg për herë të parë, në vitin 1958, me akuzën për “agjitacion e propagandë”, Ademi ishte emër i njohur në letrat shqipe në Kosovë. Ish-studenti i shkëlqyeshëm letërsisë botërore, që me dijen dhe talentin e tij kishte çuditur edhe profesorët më të rreptë në Universitetin e Beogradit dhe gazetar i rubrikës së kulturës në të vetmen gazetë të përditshme shqipe në ish-Jugosllavi, “Rilindja”, ai kishte botuar, duke filluar nga viti 1953, në shtypin dhe periodikun letrar të Kosovës, kryesisht te “Jeta e re”, një varg tregimesh, me të cilat kishte përvetësuar lexuesit dhe kritikën letrare të kohës si një talent i rrallë në fushën e prozës, e cila atëherë ishte dhe, në njëfarë mase, vazhdon të jetë edhe sot deficitare në letërsinë shqipe të Kosovës. Nuk harrohen tregimet e tij: Kur zoti harron, Mestani, Kthimi, Burija e Pizh Magjupit, Eu, Binak, eu…, Toka nuk sillet vetëm rreth boshtit të vet, Ezopi e të tjera, që shquhen për gjetjen e temës dhe të subjektit, për personazhet pikante, për nuancimet psikologjike, për gjuhën e gjallë e autentike, për ndjenjën e humorit dhe vlera të tjera, që i bëjnë ato modele të tregimit të shkurtër dhe si të tilla tërheqin edhe sot vëmendjen e lexuesit.
Pas një përvoje në fushën e tregimit, ku herë-herë shkëlqen si të ishte nxënës i Çehovit ose O’Henrit, i inkurajuar edhe nga suksesi që arriti tek lexuesit, Adem Demaçi do të kalojë në fushën e romanit. Kur nuk ishte më shumë se 22 vjeç, ai botoi, në faqet e “Jetës së re”, në dy vazhdime, romanin e tij të njohur, Gjarpijt e gjakut, i cili, po atë vit (më 1958), falë përkujdesit dhe dashamirësisë së Esad Mekulit, do të botohet si libër më vete në edicionin e “Jetës së re”. Njohës i mirë i jetës dhe i mendësisë së popullit të vet, i plagëve dhe dhembjeve të tij, Adem Demaçi do të verë gishtin aty ku duhej: te plaga e hapur e vëllavrasjes dhe e gjakmarrjes, duke u angazhuar jo në mënyrë banale, por nëpërmjet situatash artistike, për kapërcimin e saj. Pamja e fundit e romanit, ku njëri nga personazhet (Mustafa), kundërshtar i rreptë i zakoneve prapanike, pas përleshjes së dy familjeve, i drejtohet një fëmije, simbol i së ardhmes, me fjalët: “Shtypi, shtypi këta gjarpij të gjakut!…”, flet jo vetëm për mesazhin e qartë të veprës, por edhe për mundësitë e mëdha krijuese të autorit të saj.
Se sa është treguar inventiv e largpamës Adem Demaçi në këtë vepër të papërsëritshme të prozës shqipe, flet edhe motoja e vënë në krye të saj. Vargjet emblematike: “Jo atyne që janë trima/ me ngrehë gishtin e krimit/ po atyne që janë trima/ me shtri dorën e pajtimit” shprehin në mënyrë lapidare preokupimin atdhetar e humanitar të shkrimtarit, të cilin ai përpiqej ta bënte pjesë të ndërgjegjes së popullit të vet. Jo rastësisht këto vargje, tridhjetë vjet më vonë, u bënë moto e lëvizjes për pajtimin e gjaqeve në vigjilie të viteve ’90, kur Adem Demaçi ende mbahej në burg, por fara që kishte hedhur ai tashmë kishte mbirë dhe kishte dhënë frytet e saj në tokën e plleshme të Kosovës.
Gjatë viteve të burgut, jo vetëm të parit e të dytit, por edhe të tretit, më të gjatit, Adem Demaçi nuk mundi ta ushtronte profesionin e shkrimtarit. Ndryshe nga ç’veprohej me intelektualët e tjerë disidentë të Evropës, atij nuk iu mundësua në burg që ta ushtronte zanatin e shkrimtarit. Në burgun e Stara Gradishkës, ku qëndroi në vitet e fundit, ai bënte punën e montuesit të stilolapsave, por atij vetë (çfarë ironie!) nuk i lejohej të shkruante. Ky fakt, sikurse edhe qindra të tjerë, tregon qartë se sa ishte i rremë miti mbi liberalizmin e regjimit titist jugosllav, të cilin me të drejtë disa analistë perëndimorë e cilësonin si “stalinizëm antistalinist”.
Edhe pas daljes nga burgu Adem Demaçi arriti t’i befasonte lexuesit, duke dëshmuar se vitet e gjata të burgut nuk e kishin tharë shpirtin e tij krijues. Në vitin 1994 botoi romanin Libër për Vet Mohimin, në të cilin u përpoq të shprehte, në mënyrë alegorike, vizionin e tij për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe, rrjedhimisht, edhe ëndrrën për një pajtim të mundshëm historik mes dy popujve të armiqësuar, serbëve dhe shqiptarëve.
Ndryshe nga romani i tij i hershëm Gjarpijt e gjakut, ku gjejmë tipin e prozës sociale të mjedisit rural, me elemente herë-herë etnografike, në Libër për Vet Mohimin, Demaçi kultivon prozën urbane me elemente eseistike, që e hasim rëndom te shkrimtarët politikisht të angazhuar (Brehti, Sartri, Kërlezha etj.). Protagonist i rrëfimit është një intelektual shqiptar, ish-i burgosur politik, i cili, pas një qëndrimi të gjatë në burg, kthehet në vendlindje, ku sheh shumë ndryshime, por edhe një gjendje në thelb të pandryshueshme: atë të mungesës së lirisë kombëtare. Shikuar nga aspekti tipologjik ai i takon kategorisë së personazheve-ide e jo të personazheve-karaktere, gjë që e sugjeron edhe emri i tij: Vet Mohim (nga fjala shqipe vetëmohim: flijim i interesit vetjak për hir të interesit të përgjithshëm). Së bashku me një grup miqsh, bashkëmendimtarë të tij, ky personazh ideografik, niset në kërkim të disa të vërtetave thelbësore me rëndësi jetike për jetën e banorëve të hapësirës ballkanike, por edhe për njeriun në përgjithësi.
Si të dilet nga kriza e krijuar pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë? Si të zgjidhet çështja shqiptare dhe veçanërisht çështja e Kosovës? Si të pastrohet Ballkani nga shpirtrat e këqij, nga demonët që luajnë me fatin e popujve? Cilat janë rrugët më të drejta e më frytdhënëse për t’u mposhtur e keqja? Si të shpëtohet njeriu i sotëm nga rreziku që i kanoset prej teknikës? Si të shpëtohet natyra prej ndotjes? Si të çlirohet njeriu nga ankthi i vdekjes dhe a është i pavdekshëm shpirti i tij?
Njeri që pjesën dërrmuese të jetës e ka kaluar në burg, por pa e humbur kurrë lirinë e vet të brendshme, heroi i Demaçit, pas daljes nga “burgu i vogël” në “burgun e madh”, niset në kërkim të rrugëve të lirisë për vete dhe të tjerët, për “të vetët” dhe ata “të tjerët”, sepse askush nuk mund të jetë i lirë, sipas tij, duke e mbajtur në robëri dikë tjetër, duke e shtypur dhe shfrytëzuar atë. Mirëpo, si të arrihet kjo, në ç’mënyrë? – shtrohet pyetja. Dhe përgjigjja është: “jo me dhunë, por me marrëveshje; jo me agresivitet, por me durim; jo me urrejtje, por me dashuri”.
Për Demaçin më trim është ai që fal sesa ai që vret, ndërsa më fatkeq – ai që e shkakton sesa ai që e pëson vuajtjen. Kjo do të thotë se filozofia e tij është filozofi e mosdhunës, por kurrsesi jo e qyqarllëkut. Për të nuk është i huaj koncepti i Gandit se “dishepull i vërtetë është ai që i njeh dhembjet e tjetrit si të ishin të tijat”, sikundër edhe parimi i lartë etik, i formuluar për mrekulli nga malësori ballkanas Mark Milani, se trimëri është ta mbrosh veten nga të tjerët, ndërsa burrëri t’i mbrosh të tjerët nga vetja.
Vepra e parë e Adem Demaçit e shkruar dhe e botuar pas daljes nga burgu, romani Libër për Vetmohimin, do të pasohet edhe nga një varg veprash të tjera të krijuara më vonë, siç janë: Heli e Mimoza, Nëna Shegë e pesë gocat, Shkrumbnajë e dashuri, Dashuria kuantike e Filanit dhe Alb Prometeu, një cikël prej pesë romanesh, të shkruara në vitet 2007-2012, pra në prag dhe pas shpalljes së pavarësisë, që flasin për luftën dhe pasluftën në Kosovë, poema Tung vargu im, e vetmja vepër në vargje e këtij prozatori të spikatur dhe drama historiko-politike Politika dhe pushka, hedhur në letër në vitin 1970 në burgun e Pozharevcit dhe e përpunuar në vitin 2011-2012 në Prishtinë e Sarandë, e cila u botua për herë të parë në kuadër të kompletit.
Edhe në këto vepra Adem Demaçi vazhdon aventurën e tij krijuese, duke u bërë jehonë ideve të veta politike, por edhe shoqërore e filozofike, që e kanë udhëhequr në jetë dhe të cilave ai ua ka kushtuar jetën dhe duke ndërfutur, kur më shumë e kur më pak, edhe elemente autobiografike, pa bërë në asnjë rast apologjinë e vetvetes, por duke mbrojtur gjithmonë popullin të cilit i takon. Kur në vitin 1957, ideologu i hegjemonizmit serb, shkrimtari Dobrica Qosiq, në një takim të mbajtur në Prishtinë, në ndërtesën e Komitetit Krahinor, i porosit shkrimtarët e Kosovës që “ta hapin hullinë e parë”, duke filluar “nga fillimi” dhe duke shkruar vepra “në frymën e patriotizmit socialist jugosllav”, i vetmi që guxon t’i kundërvihet pikëpamjes së tij, duke ia dhënë përgjigjen e merituar, është i riu Adem Demaçi, i personifikuar në roman si Filani: ”Si duket shkrimtari nga Beogradi nuk e ditka se ne kemi letërsinë tonë. Ne nuk kemi nevojë ta fillojmë letërsinë tonë nga e para; ne duhet të vazhdojmë aty ku e lanë shkrimtarët tanë të mëdhenj: Pjetër Budi, Frang Bardhi, De Rada, Naimi, Çajupi, Mjeda, Asdreni, Noli, Migjeni, Luigj Gurakuqi, Mihal Grameno, Lasgush Poradeci, Sterjo Spasse, Mitrush Kuteli…”. Në atë “ftohtësi akulli”, që mbretëron në sallë, në praninë Duçit famëkeq (Dushan Mugosha) dhe komitetlinjve të tjerë, dëgjohet zëri inkurajues i profesor Zekeria Rexhës: “Bravo Filan!”, alias Adem.
Ka pasur përpjekje që Adem Demaçi dhe filozofia e tij krijuese të karakterizohen me pak fjalë si vijon: “realist në politikë, liberal në ideologji, hegelist në filozofi, stoik në etikë dhe ithtar i postmodernizmit në letërsi”.
Edhe pse tingëllon bukur, cilësimi i mësipërm lë për të dëshiruar dhe është i diskutueshëm, veçanërisht togfjalëshi i fundit, i formuluar nën ndikimin e modës së postmodernizmit. Më parë se postmodernist, ndonëse në veprën e tij nuk mungojnë as elementet postmoderne, sidomos te Libër për Vet Mohimin dhe Dashuria kuantike e Filanit, Demaçi si shkrimtar do të mund të quhej mbase postrealist, ithtar i një realizmi të ri, të cilin filozofi francez Rozhe Garodi (Roger Garaudy) e quante “réalisme sans rivages” (realizëm pa brigje). Vepra letrare e Adem Demaçit është e hapur ndaj jetës, botës, natyrës, shoqërisë dhe e grish lexuesin për komunikim të hapur, jashtë skemave dhe klisheve, që nuk i honeps.
Duhet të lexohet krijimtaria e Adem Demaçit për të parë se në themel të saj qëndron ideja sublime e lirisë së popujve si kusht i paqes dhe i prosperitetit. Duhet të lexohen dhe rilexohen tregimet dhe romanet e tij – dhe të gjitha shkrimet e tjera të tij, letrare e publicistike – për të nxjerrë “mësim” prej tyre dhe për t’u kënaqur me to. Sepse, ta lexosh Adem Demaçin do të thotë të bëhesh pjesëmarrës i një “udhëtimi dramatik filozofiko-politik dhe artistik”, siç thotë një nga personazhet e tij.

Sic njofton drejtori i Fondit për sigurim shëndetësor të Republikës së Maqedonisë Faton S. Ahmeti, regjistrimi i diasporës së Maqedonis së Veriut do të filloj nga data 1 mars 2021. Në profilin e tij të facebookut ai shkruan:

“Të nderuar vëllezër dhe motra në mërgatë dhe ju familjarë të bashkëkombasve tanë që jetojnë në diasporë,Nga nesër, e hënë, 1 mars 2021, fillon procesi i vetregjistrimit në adresën: https://census.stat.gov.mk/Ju lutemi për sensibilizim dhe mobilizim maksimal.Shpërndajeni dhe njoftoni familjarët. #regjistrimi2021

Simboli i rezistencës kombëtare Adem Demaçi, po të ishte gjallë sot do t’i mbushte 85 vjet. Me prejardhje nga fshati Lupq i Podujevës, Demaçi u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë. Ndërsa vdiq më 26 korrik të vitit 2018.

Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me Republikat e tjera të Jugosllavisë.

Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ai quhet edhe Nelson Mandela i Evropës.

Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga 1990 deri 1995.

Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin Saharov. Gjatë periudhës 1998/1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i UÇK-së.

Ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007). Sot, njerëzit e rezistencës kombëtare identifikohen me emrin e Adem Demaçit, sepse ai me punën e tij dhe me veprën e tij, u bë simbol i unifikimit për ruajtjen e kombin shqiptarë, mbi pesë dekada.

Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij, është një personalitet i përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare.

Ai ka shkruar romanin “Gjarpijt e Gjakut” i cili u ndalua nga regjimi ish-komunist. Ai e pa dritën vetëm pas viteve nëntëdhjeta.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, në letrën e tij që i ka shkruar kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka përmendur edhe marrëveshjen e fundit në mes të Kosovës dhe Izraelit dhe gjithashtu vendimin e Prishtinës zyrtare për vendosjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Jerusalem.

Netanyahu në letrën e urimit, ka thënë se do të ishte i lumtur që ta mirëpriste Albin Kurtin në inaugurimin e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

“E vlerësoj si shumë të rëndësishëm vendimin e Kosovës për të hapur Ambasadën në Jerusalem dhe iu pres në Izrael për  inaugurimin e saj”, ka shkruar Netanyahu.

Letra e publikuar nga zyrtarë të Vetëvendosjes

Njohja reciproke Kosovë-Izrael ka ardhur si rezultat i marrëveshjes së Uashingtonit. Kosova ka vendosur që të vendos ambasadën në Jerusalem, gjë që ka ngjallur mjaft reagime.

Vullkani më i gjatë aktiv i Evropës, Etna, ka ndriçuar sërish qiellin natën që lamë pas. Pamjet janë bërë mjaft virale në mediat sociale.

“Ne jemi duke vëzhguar veprimtari më të fortë se të zakonshmet, me më shumë magmë që ngrihet nga tubat dhe më të pasur me gaz”, tha për Reuters Stefano Branca, kreu i Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV) në Katania.

Lava që zbret përgjatë krahut perëndimor të malit të lartë 3,300 metra ka qenë e dukshme nga pjesa më e madhe e bregdetit lindor të Siçilisë. Twitter, Instagram dhe Facebook janë mbushur  me fotografi dhe video nga ky moment magjik.

Nga Siracusa në jug të Siçilisë dhe ishujt Eolian në brigjet veriore, imazhet treguan kolona masive hiri dhe ‘zjarr’ të kuq që godisnin shpatet e mbuluara me dëborë të Etna-s.

Krateri juglindor është në epiqendër të aktivitetit që filloi në 16 shkurt dhe ka ndezur vullkanin gjashtë herë në tetë ditët e fundit. Fragmente hiri dhe shkëmbi kanë mbuluar rrugët dhe ndërtesat në qytetet përreth

Ashtu siç e lajmëroi edhe vetë në konferencën e mbajtur ditën e martë me gazetarët, të hënën, kreu i Qeverisë mbërrin në Bruksel aty ku do të jetë në fokus, rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Rama do të shoqërohet nga ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka. Fillimisht në datën 1 mars kryeministri Edi Rama, do të marrë pjesë në takim e Këshillit të Stabilizim Asoçimit.

Takimi do të drejtohet nga përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Josep Borrell, ku Shqipëria do të kalojë në sitën e vendeve europiane për të parë sesa e ka respektuar dhe zbatuar marrëveshjen e stabilizim asocimit. Pjesë diskutimeve do të jenë edhe përmbushja e kushteve politike dhe ekonomike të Tiranës zyrtare të vendosura nga Brukseli, në mënyrë që vendi ynë të marrë dritën jeshile.

Në orën 14: 00 do të ketë edhe një konferencë për shtyp për konkluzionet e kësaj tryeze.

Rama do të zhvillojë një takim edhe me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, euro-komisionerin për zgjerim Oliver Varherly si dhe presidentin e radhës të BE-së që mbahet nga Portugalia, Antonia Costa.

Pjesë e diskutimeve për takimin do të jetë edhe çështja e pandemisë.

Arkeologët në Egjipt kanë zbuluar atë që mund të jetë fabrika më e vjetër e njohur e birrës në botë, që daton rreth 5000 vjet më parë.

Një ekip i përbashkët egjiptiano-amerikan zbuloi fabrikën e birrës në Abydos, një vendvarrim antik në shkretëtirë.

Ata gjetën një numër njësish që përmbajnë rreth 40 tenxhere të përdorura për të ngrohur një përzierje gruri dhe uji për të bërë birrën.

Fabrika e birrës ka të ngjarë të datojë që nga epoka e mbretit Narmer, sipas Këshillit Suprem të Antikiteteve, i cili beson se kjo është fabrika e birrës më e vjetër në botë.

Mbreti Narmer sundoi më shumë se 5000 vjet më parë. Ai themeloi Dinastinë e Parë dhe konsiderohet të ketë bashkuar Egjiptin.

Fabrika e birrës përbëhej nga tetë zona të mëdha, secila 20 metra e gjatë dhe secila përmbante rreth 40 tenxhere prej argjile, tha sekretari i përgjithshëm i Këshillit Suprem të Antikiteteve të Egjiptit, Mostafa Waziry.

Fabrika e birrës mund të jetë ndërtuar në këtë vend posaçërisht për të furnizuar ritualet mbretërore që ndodhnin brenda ambienteve të varrimit të mbretërve të Egjiptit”, thuhet në një deklaratë të ministrisë së turizmit egjiptian, që citon arkeologun dhe bashkëkryesuesin e misionit Matthew Adams të Universitetit të Nju-Jorkut

Birra mendohet të jetë prodhuar në një shkallë të gjerë, me rreth 22 400 litra të bëra në të njëjtën kohë.

“Provat për përdorimin e birrës në ritet e flijimit u gjetën gjatë gërmimeve në këto ambiente”, thuhet në deklaratë.

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, do të jetë pjesë e jurisë në versionin australian të ‘The Voice’ në vitin 2021.

Ajo tashmë ka udhëtuar drejt Australisë, ndërsa është fotografuar duke qëndruar në vetizolim në Sydney.

30-vjeçarja duhet t’i kalojë 14 ditë në karantinë, si pjesë e masave mbrojtëse nga COVID-19, kështu që po qëndron në dhomën e saj të hotelit.

Ylli botëror i muzikës është parë duke marrë rreze në ballkon dhe duke tymosur cigare, ndërkohë që po e kalon periudhën e izolimit.

Rita do t’i bashkohet ish-fituesve të Australian Idol, Jessica Mauboy dhe Guy Sebastian, si edhe këngëtarit të muzikës ‘country’, Keith Urban, në panelin e jurisë.

“E nderuar që jam ftuar të punoj në një vend me kaq talent të mrekullueshëm! Mezi pres të filloj me familjen time të ‘The Voice Australia’ dhe të zbulojmë superyllin e ardhshëm botëror”, ka shkruar Rita në Instagram. 

United Airlines ka në plan të blejë 200 taksi fluturuese (dronë elektrik), me të cilët shpreson t’i bartë pasagjerët nga shtëpitë e tyre në aeroport. Projekti parashikohet të përfundojë brenda pesë vjetëve.

United Airlines do të bashkohet me transportuesin rajonal të SHBA-së, Mesa Airlines për të blerë dronët elektrikë (eVTOL) të kompanisë Archer, si pjesë e një porosie prej një miliard dollarëve, shkruan BBC.

United dhe Mesa parashikojnë që me përdorimin e taksive fluturues, pasagjerët do të shmangin autostradat e mbingarkuara për të mbërritur në aeroporte.

Kompania Archer me bazë në Kaliforni, ka thënë se taksitë do të jenë në gjendje të fluturojnë në një distancë prej 95 km me shpejtësi deri në 240 km në orë.

United Airlines ka raportuar humbje prej 7 miliardë dollarë vit

Sipas të dhënave preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura në Kosovë më 14 shkurt, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47.88 për qind të votave, duka dalë si partia e parë në këto zgjedhje.

Lëvizja Vetëvendosje ka garuar në këto zgjedhje pa certifikimin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të liderit të saj Albin Kurti, i cili është kandidat i këtij subjekti politik për kryeministër të vendit.

Në listën e Lëvizjes Vetëvendosje ka garuar edhe Vjosa Osmani, e cila ka qenë numri dy, në krye të listës së këtij subjekti politik.

Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit, e cila ka nisur më 3 shkurt dhe ka mbaruar më 12 shkurt, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka prezantuar programin e ardhshëm qeverisës të partisë së tij, duke thënë se dëshirojnë “të nxjerrin Kosovën nga kriza e shumëfishtë dhe ta vendosin në binarët e progresit”.

Programi qeverisës i Lëvizjes Vetëvendosje, siç ka deklaruar Kurti, do ta ketë në fokus të menjëhershëm përballjen me pandeminë e koronavirusit, ku do të krijohen kushtet që shpjegimet dhe rekomandimet e ekspertëve të jenë bazë për çdo vendim që do të merret nga institucionet.

Vaksinimi i 60 për qind të popullatës

“Pa vonesë do të vëmë në zbatim planin aksionar të detajuar të mbështetur financiarisht dhe i bazuar në situatën në terren. Masat e veprimit të menjëhershëm do të jenë: vaksinimi i së paku 60 për qind të popullatës, sigurimi i qëndrueshëm i materialeve elementare mbrojtëse, barnave dhe testeve, trajnimi i vazhdueshëm i stafit shëndetësor, komunikim transparent, i sinqertë dhe i dendur me qytetarë”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se do të nisë menjëherë bisedimet me vendet e rajonit, me theks të veçantë Shqipërinë, për përballjen e përbashkët me pandeminë COVID-19. Kurti gjithashtu, ka theksuar se do të bëhen përgatitjet për aplikim dhe anëtarësim të Kosovës në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Për rimëkëmbje ekonomike, “intervenim ambicioz fiskal”

Kurti ka theksuar se kthimi i jetës ekonomike në normalitet është prioriteti kryesor i angazhimit në ditët, muajt dhe vitin e parë të qeverisjes së tij.

“Për këtë jemi të gatshëm të ofrojmë një intervenim ambicioz fiskal”, ka thënë Kurti.

Ai ka premtuar se në qoftë se Lëvizja Vetëvendosje do të qeverisë vendin, do të synohet “një ekonomi që del nga pandemia dhe e shëruar edhe nga sëmundjet tjera”.

Në ekonomi, sipas tij, do të ketë më shumë nevojë dhe hapësirë për gratë, për rininë, për mërgatën, për komunitetet, për fshatin, e sidomos për ata që kanë nevojë për më shumë mbështetje prej shoqërisë dhe shtetit.

Ai ka premtuar një ekonomi ku ka më shumë prodhim dhe eksport, më shumë punëtorë, më shumë kontrata të punës dhe më shumë respektim të të drejtave të punëtorit.

Ekonomia që ai synon, siç ka thënë, duhet të jetë pa monopole, por me ndërmarrje publike që operojnë suksesshëm, si dhe një ekonomi ku fuqizohen komunat në mënyrë që ato të vendosin vetë për prioritetet e tyre.

Ndërmarrësve u është premtuar ofrimi i qasjes së volitshme në financa, të nevojshme për të përballur rritjen e prodhimit.

“Për këtë do të krijojmë partneritet të fuqishëm në mes pesë shtyllave, që së bashku garantojnë daljen relativisht të shpejtë nga recesioni i tanishëm; ndërmarrjet, shteti, sistemi bankar, Fondi kosovar për garantimin e kredive, si dhe komuniteti i donatorëve dhe i kredidhënësve ndërkombëtarë”, është shprehur Kurti.

LVV-ja ka thënë se mbështetja do të shtohet për të gjitha bizneset që arrijnë të krijojnë qasje në tregjet e reja ndërkombëtare dhe të rrisin eksportet e Kosovës, për të gjithë ndërmarrësit që hapin linja të reja të prodhimit, fusin produkte të reja apo që arrijnë të shtojnë numrin e punëtorëve.

Vetting-u dhe lufta kundër korrupsionit

Kurti ka premtuar që pjesë e programit të tij qeverisës do të jenë qasja më serioze ndaj drejtësisë.

Siç ka theksuar ai, pjesë integrale dhe e domosdoshme të sistemit e drejtësisë është gjyqësori i pavarur dhe i paanshëm, me integritet dhe efikas.

“Për të arritur këtë, nivelet më të larta hierarkike të sistemit të drejtësisë dhe jo vetëm, do t’i nënshtrohen procesit të vetting-ut. Nëpërmjet këtij procesi, synohet të arrihet integriteti gjyqësor dhe prokurorial dhe do të kthehet besimi i qytetarëve në institucionet e drejtësisë”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se procesi i vetting-ut do të nisë nga Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial.

“Qeveria e jonë do të dëshmojë përkushtim në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në këtë drejtim, do të shtohen kapacitetet njerëzore dhe profesionale në Departamentin Special në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe të asaj të Apelit”, është shprehur Kurti.

Kurti ka thënë se kjo do të mundësohet përmes mbështetjes financiare për sistemin e drejtësisë, me qëllim të plotësimit të nevojave të tyre..

Rivendosje e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë?

Çështja e reciprocitetit me Serbinë, e cila kishte prodhuar mjaft probleme brenda skenës politike në Kosovë, por edhe në raport me faktorët ndërkombëtarë, është potencuar sërish nga Vjosa Osmani, e cila në listën zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje ishte numri dy, por edhe nga lideri i vetëvendosjes, Albin Kurti.

Në një debat të transmetuar nga mediat vendore, më 12 shkurt, Osmani ka deklaruar që “reciprociteti është baza më e shëndoshë e ndërtimit të raporteve, në veçanti tregtare dhe ekonomike, ndërmjet shteteve”.

“Natyrisht që ajo që mund të pritet është se ne do të sillemi në mënyrë reciproke për ta mbrojtur dinjitetin e shtetit tonë. Për këtë ne do të ulemi me partnerët tanë, e në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe me Bashkimin Evropian, që kanë qenë ndërmjetësues të këtyre marrëveshjeve, për t’i bindur që kjo është rruga e drejtë, për të arritur barazi, jo vetëm në raport me Serbinë, por siç e thash, për ta mbrojtur dinjitetin shtetëror mbi të gjitha”, ka thënë Osmani.

Ndërkaq, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se vendosja e reciprocitetit me Serbinë, do të jetë ndër gjërat e para që do ta bëjë qeveria e tij.

“Është çështje ditësh, javësh dhe kurrsesi muajsh. Nuk e di tash se cila do të jetë sekuenca, por është ndër gjërat e para që do të bëjmë”, ka thënë Kurti.

Marrëdhëniet me SHBA-në

Lidhur me marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kurti ka theksuar Kosova i do marrëdhëniet “jo vetëm të mira, por edhe shumë më të mira se që janë, në aspektin bilateral, ushtarak, ekonomik dhe kështu me radhë”.

“Nuk mund t’i zëvendësojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me asnjë partner ose aleat tjetër… me SHBA-në ne kemi raporte të një shteti të ri me një shtet, për të cilin të thuash na ka ndihmuar, përkrahur e mbështetur, gjithmonë është pak”, ka thënë Kurti dhe ka shtuar:

“Me Sekretarin amerikan të Shtetit (Antony) Blinken mendoj që do të kem një bashkëbisedues të shkëlqyeshëm për marrëdhëniet tona të ndërsjella”.

Dialogu me Serbinë “nuk është prioritet”

Pa një zhvillim të brendshëm ekonomik të Kosovës, Kurti ka theksuar se nuk do të ketë as marrëveshje me Serbinë. Kjo për shkakun se, sipas tij, përderisa shteti i Kosovës është i dobët, Serbia nuk do ta respektojë asnjë marrëveshje.

“Gjithmonë do të kërkoj edhe më shumë. Ne duhet ta forcojmë shtetin tonë. Nuk po them që të mos dialogojmë me Serbinë, por kjo nuk është ndër prioritetet e para. Së dyti, Serbia na ka borxh. Unë jam i gatshëm të dëgjoj kërkesat për të drejtat dhe nevojat e serbëve në Kosovë, mirëpo nuk mund të dëgjoj vajtimet dhe piskamat në Beograd, se si paska humbur shteti serb Kosovën në kohën e (Sllobodan) Millosheviqit. Nuk mund të kem kurrfarë mirëkuptimi për këso lloj vajtimesh. Kur thuhet se ‘çka ofroni ju’, mendohet të kompensohet Serbia për humbjen e Kosovës. Jo. Serbia na ka borxh për krimet këtu, të kryera gjatë luftës, pra krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe të gjenocidit. Unë Serbisë do t’ia kërkoj borxhin”, ka thënë Kurti.

Ai ka theksuar se në rast se shikohet prezantimi programor i Lëvizjes Vetëvendosje, “fjala Serbi nuk është fare aty”.

Osmani: Asociacioni i rrezikshëm sa ndryshimi i kufijve

Zonja Osmani, e cila në listën e Vetëvendosjes ka garuar për postin e presidentes, ka theksuar se nuk do t’i qasen formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas kërkesave që ka Serbia.

“Asociacioni me kompetenca ekzekutive është po aq i rrezikshëm sa edhe ndryshimi i kufijve sepse e ka atë qëllim përfundimtar. Madje, e destabilizon Kosovën për një kohë të gjatë, por në fund shkon te po i njëjti skenar. Prandaj duhet të respektohet ajo që ka thënë Gjykata Kushtetuese….Ai skenar duhet të eliminohet dhe nuk mund të hyjmë në këtë proces me logjikën se çka do t’i japë Kosova Serbisë sepse ne kemi dhënë mjaft”, ka thënë Osmani.

Për ambasada në Jerusalem, konsultime me administratën e SHBA-së

Lidhur me zotimet e nënshkruara nga Kosova në Uashington, më 4 shtator të vitit 2020, pjesë e së cilës është edhe njohja që Kosova ka marrë nga Izraeli, si dhe se a do të hapë Kosova ambasadën e saj në Jerusalem, siç edhe është kërkesa e shtetit izraelit, Vjosa Osmani ka deklaruar se për këtë çështje do të konsultohen me administratën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe do të vendosin bashkë me të.

“Në zotimin unilateral thuhet që Kosova (Prishtina) dhe Izraeli pajtohen që të bëjnë njohje reciproke. Pikë. Askund nuk përmendet Jerusalemi. Ne që të dy (Osmani dhe Kurti) e kemi përshëndetur lidhjen e marrëdhënieve diplomatike. Por, ajo që do të bëjmë në tërësi për këtë marrëveshje, nga pika e parë deri te e fundit, është se do të insistojmë që të ulemi menjëherë, urgjentisht pas krijimit të qeverisë, me presidentin (e SHBA-së, Joe) Biden, me administratën e tij të re, në mënyrë që të rishikojmë secilën pikë dhe të shohim se cili është përkushtimi i tyre në raport me to”, ka deklaruar Osmani.

Njohja nga Izraeli, sipas Osmanit është tejet e rëndësishme dhe arsyeja se pse Kosovën e ka njohur Izraeli “është për shkak të ndërmjetësuesit, që janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.