Ka ndërruar jetë luftëtari i UÇK-së, Agron Haradinaj. Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Ai nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale e ka shprehur pikëllimin e tij të thellë për vdekjen e bashkëluftëtarit të tij, teksa ka thënë se Agroni ka shërbyer gjithë jetën për atdheun; para lufte, gjatë luftës dhe në kohën e paqes.

“Bashkë më të vëllain Nasimin, angazhimin për vendin e kishte trashëguar nga i ati Smajl Haradinaj.

Ai ishte i burgosuri politik më i ri në moshë në Jugosllavinë e atëhershme ndërsa u shqua si njëri ndër luftëtarët më të zotë të Ushtrisë Çlirimtare. Ai kishte kohë që vuante nga një sëmundje e rëndë e shkaktuar nga presioni i eksplodimit të një rakete të hedhur nga aeroplanët e ushtrisë serbe në bombardimet në fshatin Prilep të Deçanit”, ka shkruar Ramush Haradinaj, duke

u shprehur ngushëllime për humbjen e tij familjes Haradinaj, bashkëluftëtarëve, shokëve dhe gjithë atyre që e njohën.

Një portret nga Pablo Pikaso i vajzës së tij, Maya është shitur në një ankand për më shumë se 21,6 milionë dollarë.

I titulluar ”Fillette au bateau”, ky portret u pikturua nga Pikaso në vitin 1938, kur ajo ishte vetëm dy vjeçe e gjysmë.

E mbushur me ngjyra dhe energji të bollshme, portreti u krijua pak pasi Pikaso kishte përfunduar ”Guernikën” e tij monumentale dhe përmbledh lumturinë që Maya solli në jetën e tij gjatë këtyre viteve sfiduese.

Vepra të tjera të shitura në këtë ankand ishin ato të Gerhard Richter, Lucian Freud, Edvard Munch dhe Wassily Kandinsky.

Kryevepra e Kandinskit e vitit 1910 ”Murnau mit Kirche II” u shit për rreth 44 milionë dollarë duke vendosur një rekord të ri ankandi për artistin rus.

Piktura katër metra e gjatë e Munch “Dance on the Beach” (”The Reinhardt Frieze”) u shit për rreth 18 milionë dollarë duke e vendosur atë në mesin e dhjetë çmimeve më të mira të arritura ndonjëherë për artistin në ankand.

Bashkimi Evropian e ka publikuar të plotë Propozimin Evropian për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Propozimi përmban gjithsej 11 nene.

Ky është propozimi, i publikuar i plotë në faqet zyrtare të BE-së:

Palët e dakorduara,

ë vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre për ruajtjen e paqes,

Të përkushtuar për të kontribuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale në Evropë dhe për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës,

Të vetëdijshëm se paprekshmëria e kufijve dhe respektimi i integritetit dhe sovranitetit territorial dhe mbrojtja e pakicave kombëtare janë kusht themelor për paqen,

Duke u nisur nga faktet historike dhe pa paragjykuar pikëpamjet e ndryshme të Palëve për çështjet themelore, duke përfshirë çështjet e statusit,

Me dëshirën për të krijuar kushtet për bashkëpunim ndërmjet Palëve në dobi të popullit,

Kanë rënë dakord si më poshtë:

Neni 1

Palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën mbi bazën e të drejtave të barabarta.

Të dyja Palët do të njohin reciprokisht dokumentet e tyre përkatëse dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore.

Neni 2

Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato të barazisë sovrane të të gjitha shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën e vetëvendosjes, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimi.

Neni 3

Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, Palët do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre ekskluzivisht me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës.

Neni 4

Palët vazhdojnë me supozimin se asnjëra nga të dyja nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj.

Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Neni 5

Asnjëra palë nuk do të bllokojë, as nuk do të inkurajojë të tjerët të bllokojnë, përparimin e palës tjetër në rrugën e tyre përkatëse në BE bazuar në meritat e tyre. Të dyja palët do të respektojnë vlerat e përmendura në nenet 2 dhe 21 të Traktatit të Bashkimit Evropian.

Neni 6

Ndërsa Marrëveshja aktuale përbën një hap të rëndësishëm normalizimi, të dyja palët do të vazhdojnë me një shtysë të re procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja, i cili duhet të çojë në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve të tyre.

Palët bien dakord të thellojnë bashkëpunimin e ardhshëm në fushat e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit dhe konektivitetit, marrëdhënieve gjyqësore dhe të zbatimit të ligjit, postës dhe telekomunikacionit, shëndetësisë, kulturës, fesë, sportit, mbrojtjes së mjedisit, personave të zhdukur, personave të zhvendosur dhe fushave të tjera të ngjashme nëpërmjet lidhjes së marrëveshjeve specifike.

Detajet do të bien dakord në marrëveshje shtesë të ndërmjetësuara nga Dialogu i udhëhequr nga BE.

Neni 7

Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës.

Palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

Neni 8

Palët do të shkëmbejnë Misionet e Përhershme. Ato do të vendosen në selinë e Qeverive përkatëse.

Çështjet praktike në lidhje me themelimin e Misioneve do të trajtohen veçmas.

Neni 9

Të dyja palët marrin parasysh angazhimin e BE-së dhe donatorëve të tjerë për të krijuar një paketë të veçantë investimi dhe mbështetje financiare për projektet e përbashkëta të Palëve në zhvillimin ekonomik, lidhjen, tranzicionin e gjelbër dhe fusha të tjera kyçe.

Neni 10

Palët do të krijojnë një Komitet të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj Marrëveshjeje.

Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese.

Neni 11

Të dyja palët zotohen të respektojnë Udhërrëfyesin e Zbatimit si aneks të kësaj Marrëveshjeje.

Burri qe shihni ne foto u transferua me pune ne Afrike dhe duke u kfthyer per ne shtepi rugës e gjeti nje vajze qe ishte ne castet e fundit te jetes. Ai e mori me vete dhe e biresoi.

Ndryshimi i vajzes pas 3 vitesh.

Shqipëria mori 1 miliard euro transferta personave nga vendet e Bashkimit Europian në vitin 2021, bëri të ditur Eurostat, që kryesisht janë paratë që emigrantët në BE dërgojnë në vendin mëmë.

Sipas një harte të publikuar nga Eurostat, kjo është shuma më e madhe në Europë në raport me madhësinë përkatëse të vendit, duke arritur në 6.7% të prodhimit të Brendshëm bruto (PBB). Mali i Zi merr 6.1% të PBB-së, ndërsa mungojnë të dhënat për Kosovën.

2021-i ka shënuar nivelin më të lartë të transfertave që nga 2013-a kur INSTAT raporton të dhënat, duke reflektuar një rigjallërim të ciklit të emigracionit, me emigrantët e rinj që kanë shtuar dërgesat në vendin e tyre të origjinës.

Të dhënat më të mëparshme të Eurostat treguan se Italia është burimi kryesor i dërgesave të emigrantëve drejt Shqipërisë.

Sipas të dhënave nga Eurostat për vitin 2021, transfertat personale nga Italia kishin vlerën e 279 milionë eurove, ose rreth 24.5% e totalit. Dërgesat nga Italia u rritën me 7.2% krahasuar me vitin 2020.

Britania e Madhe ndërkohë ka konsoliduar prej vitesh vendin e dytë për nga vlera e transfertave drejt Shqipërisë. Sipas Eurostat, për vitin 2021, vlera e këtyre dërgesave arriti në 206.5 milionë euro ose 18.1% e flukseve të transfertave personale hyrëse. Rritja e dërgesave nga Britania e Madhe ishte më e ngadaltë, me 1%, krahasuar me vitin 2020.

Në vendin e tretë dhe me rritje të ndjeshme paraqitet Gjermania. Në vitin 2021, vlera e transfertave nga Gjermania arriti në 172.8 milionë eurove ose sa 15.2% e totalit. Transfertat nga Gjermania kanë shënuar një rritje të lartë, me 20.4% më shumë krahasuar me vitin 2020, ndërsa krahasuar me vitin 2017 ato janë rritur me 71%, teksa ky vend vitet e fundit është bërë një nga destinacionet më të preferuara të emigrantëve.

Partneri i katërt për nga vlera e remitancave të dërguara është Greqia, me një vlerë prej 172.3 milionë eurosh, ose rreth 15.1% e totalit të vitit 2021. Megjithëse pesha e Greqisë në strukturën e emigracionit të ri shqiptar vlerësohet të jetë më e ulët, sidomos në periudhën e postkrizës ekonomike greke, edhe transfertat nga Greqia kanë shënuar rritje, me 2% më shumë krahasuar me vitin 2020.

Një peshë të rëndësishme në totalin e transfertave drejt Shqipërisë ka edhe Amerika e Veriut, kryesisht SHBA (Eurostat i paraqit shifrat në nivel të kontinentit, pa ndarje midis SHBA dhe Kanadasë). Dërgesat nga Amerika e Veriut në vitin 2021 arritën vlerën e 128.1 milionë eurove ose sa 11.2% e totalit. Transfertat nga Amerika janë rritur me 27% krahasuar me vitin 2020, duke shfaqur shkallën më të lartë të rritjes mes pesë vendeve kryesore partnere.

Sipas Eurostat, Në vitin 2021, flukset e parave të dërguara nga rezidentët e BE-së drejt vendeve jo anëtare të BE-së, të referuara si transferta personale, arritën në 37.7 miliardë euro (+11% krahasuar me 34.0 miliardë euro në 2020). Flukset hyrëse në BE arritën në 13.0 miliardë euro (+5% krahasuar me 12.4 miliardë euro në 2020). Shumica e transfertave personale përbëhet nga flukse parash të dërguara nga emigrantët në vendin e tyre të origjinës.

Daljet jashtë BE-së kanë shfaqur një trend në rritje që nga viti 2015 (+47% në 2021 krahasuar me 2015). Duke qenë se flukset hyrëse kanë mbetur konstante, kjo ka rezultuar në një bilanc negativ të zgjeruar për BE-në kundrejt vendeve jo-anëtare të BE-së, duke arritur në 24.7 miliardë euro në 2021.

Në vitin 2021, vendet e BE-së që gjeneruan teprica të transfertave personale, që përfaqësonin më shumë se 1% të produktit të brendshëm bruto përkatës (PBB), ishin Kroacia (2.7% e PBB-së), Bullgaria (1.6%), Rumania (1.5%) dhe Letonia. (1.1%). Në të kundërt, Qiproja (-0.9%), Franca dhe Spanja (secila -0.5%) gjeneruan deficitet më të mëdha të transfertave personale kundrejt pjesës tjetër të botës si pjesë e PBB-së së tyre përkatëse.

“Fati i një njeriu shkruhet tek emri“, kishin thënë dikur romakët, por për të mbajtur fatin e Sulejmanit, u deshën në fakt dy emra: “Ligjvënësi“ për myslimanët, “I Madhërishmi“ për të krishterët. Rreptësia dhe ëmbëlsia, në fakt, bashkëjetonin në shpirtin e Sulejmanit, përjetësisht i dyfishtë, ashtu sikurse dhe perandoria e tij, që ngrihej mes Lindjes dhe Perëndimit

Ishte Kur’ani që zgjodhi fatin e sulltanit më të madh otoman. Në 6 nëntor 1494 në Trebisonda në Detin e Zi, në pallatin e pushtuar perandorëve të fundit bizantinë, një princeshë tartare vetëm 17 vjeçe mbante në krahë birin e sapolindur. Një prej oborrtarëve hapi librin e shenjtë të Islamit dhe ai tregoi emrin Suleiman, Solomoni i popullit hebraik: mbret i fuqishëm dhe gjykatës i paanshëm. “Fati i një njeriu përmbahet tek emri“, kishin thënë dikur romakët, por për të mbajtur fatin e Sulejmanit, u deshën në fakt dy emra: “Ligjvënësi“ për myslimanët, “I Madhërishmi“ për të krishterët. Rreptësia dhe ëmbëlsia, në fakt, bashkëjetonin në shpirtin e Sulejmanit, përjetësisht i dyfishtë, ashtu sikurse dhe perandoria e tij, që ngrihej mes Lindjes dhe Perëndimit.

Baba atëvrasës

Në moshën 7-vjeçare, Sulejmani iu hoq kujdesit të të ëmës dhe u stërvit si një princ, në trup dhe në shpirt. Përveç turqishtes, mësoi persishten, arabishten dhe serbishten; studioi algjebër, poezi, muzikë dhe Kur’anin. U bë i aftë dhe muskuloz me luftën tribale turke dhe mësoi të kalërojë si dhe të përdorë harkun njësoj si bashkëmoshatarët e tij. Por, si princ që ishte, Sulejmani i ri duhej që të ruhej fort: në atë kohë, për otomanët vlente ligji i vëllavrasjes, sipas të cilit një sulltan kishte të drejtën dhe detyrën që të vriste të afërmit meshkuj që kërcënonin stabilitetin e perandorisë.

Babai i tij, sulltani Selimi i Egër kishte mbytur vëllezërit dhe bijtë e tyre, dhe ndoshta kishte helmuar edhe të atin. Selimi ndërroi jetë në 21 shtator 1520: Sulejmani kishte mbetur i vetmi trashëgimtar dhe në 30 shtator 1520, në moshën 26 vjeç, ai u bë i dhjeti sulltan otoman. Aktet e tij të parë ishin akte zemërbutësie, aq sa poetët e quanin “vesa qiellore në një kullotë të djegur prej diellit“ dhe papa u ra këmbanave për festë. Por një vit më vonë ai shfaqi temperamentin e tij të vërtetë duke pushtuar Beogradin, mburojë e Hungarisë në Ballkan.

Babai i tij, Selimi, ia kishte kushtuar jetën e tij mbrojtjes së ortodoksisë sunite, duke shtypur rebelimet në Persi dhe në Egjipt: Sulejmani do të tërhiqej fatalisht nga Perëndimi dhe do të synonte m’u në zemër të krishtërimit. Me një gjuhë që fatkeqësisht sot është shumë në modë, mund të thuhet që ajo mes perandorisë otomane dhe Europës ishte një përplasje qytetërimesh, por në të vërtetë ishte më shumë një pikëpjekje: në atë shekull të mrekullueshëm që ishte Pesëqinda, Lindja dhe Perëndimi e shihnin njëri-tjetrin si në një pasqyrë të përmbysur, duke parë tek tjetri atë që i mungonte tek vetvetja.

Nëse sot e kujtojmë Pesëqindën për Mikelanxhelon dhe karavaxhion, europianët e atyre viteve përjetonin një krizë të thellë identiteti: zbulime të rinj gjeografikë dhe shkencorë revolucionarizuan dijen, “herezia“ luterane trondiste fenë, ushtritë përhapnin murtajën duke luftuar njëra kundër tjetrës. Po në këta vite, në tokat në kufi me Zotin e Madh mbizotëronin harmonia dhe bashkimi dhe vëzhguesit kristianë ishin të frikësuar dhe admirues njëkohësisht. Ekspert i ligjit kuranor, Sulejmani reformoi kodin e perandorisë dhe eficencën e gjykatave të saj linte me gojë hapur të dërguarit perëndimorë. Në sytë e europianëve, perandoria e Sulejmanit të Madhërishëm ishte e pamposhtur, eficiente dhe madhe e drejtë. Në sytë e Ligjvënësit, kaosi në Europë ishte provë e superioritetit të besimit tek Muhamedi.

Luftëra (dhe paqe)

Sigurisht, nuk mund të mohohet që turqit dhe të krishterët flisnin shpesh nëpërmjet armëve. Sulejmani mbretëroi për 46 vjet me radhë, dhe çdo vit ushtria e tij kryente një luftë kundër të pafeve: kristianë të Perëndimit dhe “heretikë“ shiitë të Lindjes. Sulejmani komandoi vetë 13 fushata ushtarake, i rrethuar nga mijëra truproja. Zgjerimi i kufijve të Islamit ishte detyra e Gaz-ëve, luftëtarët e fesë: Sulejmani u bë i pari i tyre. Por nuk ishte asnjëherë fanatik: ishte një antikonformist.

Miqësi fatale

Në rini u lidh thellësisht me një grek, Ibrahim Pashën: bir i një peshkatari të varfër kristian, Ibrahim ishte rrëmbyer nga piratët dhe i ishte shitur një vejushe që, e befasuar prej talentit të tij, e kishte rritur si mysliman duke i dhënë një edukim të rafinuar, falë të cilit ai kishte mundur që të hynte në pallat. Në Mesdheun e asaj kohe, pirateria dhe tregtia e skllevërve ishin praktika të zakonshme si për myslimanët, ashtu edhe për të krishterët. Por, për otomanët, nëse një skllav demonstronte dhunti, ai mund të bënte karrierë. Ibrahimi do të bëhej kryeministër: në vitin 1523 Sulejmani e emëroi Vezir të Madh dhe që atëherë, vetëm vdekja do t’i ndante dy të rinjtë, që i qëndruan në krah njëri-tjetrit në paqe dhe në luftë.

Sulltani turk dhe Veziri grek ishin të lidhur nga një miqësi e sinqertë, një lidhje disi e paqartë që u shkaktonte zili dhe jo pak smirë njerëzve të oborrit. Pavarësisht se Ibrahim ishte konvertuar prej kohësh në Islam dhe ishte martuar me motrën e sulltanit, shumëkush dyshonte se ai mund të kishte mbetur jobesimtar, aq sa guxonte që të priste në pallat babanë e tij të dehur. Në të vërtetë, perandoria otomane e atyre kohëve ishte kozmopolite dhe në të bashkëjetonin njerëz nga më të ndryshmit: grekë, turq, sllavë, arabë, tartarë, venecianë, francezë, hebrenj, gjenovezë, armenë, persë, shqiptarë. Kostandinopoja ishte qyteti më i madh dhe shumëngjyrësh i botës, një babel i vërtetë gjuhësh dhe racash. Çdo popull kishte komunitetin e tij të referimit dhe mundej, pa e ekzagjeruar, që të ndiqte kultin dhe traditat e veta. E rëndësishme ishte që karvanët dhe tributet të vinin të përpiktë, për pjesën tjetër jetohej krejt në paqe. Sulejmani ndoqi traditën shumëkulturore të sulltanëve të parë, të cilët kishin mirëpritur hebrenjtë e përndjekur prej Inkuizicionit. Në Turqinë moderne s’do të mbetej shumë pak nga kjo frymë, e zëvendësuar prej vesit më të keq të perëndimorëve: nacionalizmin. Por në kohën e Sulejmanit nuk ishin të rrallë “renegatët“ perëndimorë që “bëheshin turq“, të joshur prej pagave dhe karrierave prej Një Mijë e Një Netësh.

Mjeshtëra të disiplinës

Prosperiteti i perandorisë garantohej nga pushtimet e ushtrisë, më e fuqishmja në botë falë teknologjive të përparuara (artileria) dhe rekrutimit të detyruar të jeniçerëve (këmbësoria) për të rinjtë kristianë. Disiplina ishte e hekurt, aq sa nëse një kalorës guxonte që të shkelte fushat e mbjella me kalin e tij, ai vetë dhe kafsha ekzekutoheshin në vend. Trupat e të krishterëve, përballë këtyre, ishin një turmë ushtarësh të dedikuar alkoolit dhe grindjeve. Magjepsja prej rendit të Sulejmanit ishte e tillë që në Ballkanin e shtypur prej skllavërisë dhe taksave, ndonjëherë fshatarët e krishterë e prisnin sulltanin si çlirimtar. Mbretëri të tëra dorëzoheshin spontanisht, por kush guxonte që të rezistonte copëtohej prej luanit turk.

Në vitin 1526 Sulejmani asgjësoi të gjithë fisnikërinë hungareze në betejën e Mohaks: për të festuar, ushtarët e tij ngritën një piramidë me 2 mijë koka të prera. Në vitin 1529, ai për pak sa nuk mori Vjenën dhe në vitin 1534 pushtoi Bagdadin. Në po të njëjtët vite do të niste ofensiva e madhe detare otomane, që u bë e mundur prej aleancës me piratët barbarë të Afrikës Veriore. Kultura e turqve ishte ende e lidhur me stepat, por në vitin 1533 Sulejmani pati intuitën që të emëronte kapedan pasha (Admiral i Madh), piratin Khair ed-Din: i treti i vëllezërve Barbarosa, edhe ai i lindur i krishterë. Vitin tjetër Sulejmani bëri aleancë me Franceskun I të Francës kundër Karlit V dhe anijet e Barbarosës shkatërruan brigjet italianë. Në vitin 1538 flota e krishterë u mund në Prevezë dhe në vitin 1541 ajo e Karlit V e komanduar nga Andrea Doria u fundos në pjesën më të madhe në përpjekjen për të rimarrë Algjerin. Mesdheu Lindor u shndërrua në një “liqen turk“ dhe brigjet e Afrikës Veriore ishin në duar të piratëve që paguheshin prej Sulejmanit: si Ali “Zgjebaniku“, një renegat kalabrez apo Mortamama.

Dashuri dhe poezi

Sulejmani nuk ishte i pamëshirshëm vetëm në luftë, por edhe në dashuri. Në vitin 1533 ai shkaktoi sërish skandal kur u martua me Rokselana “Rusen“, një konkubinë e haremit emri i vërtetë i të cilës kishte qenë Anastasia Lisovska. Bijë e një prifti ortodoks në një fshat polak, e rrëmbyer që fëmijë nga tartarët dhe e shitur në Kostandinopojë si skllave, Rokselana nuk ishte e bukur, por ishte inteligjente dhe shumë e gjallë: eunukët e haremit e quanin “E Hareshmja“ dhe Sulejmani u dashurua marrëzisht. Për të hoqi dorë nga gruaja e parë, kirkaziane Gulbahar, dhe më i pas i qëndroi përgjithmonë besnik.

E Hareshmja dhe i Madhërishmi arritën që të ndajnë gjithçka, dashurinë dhe qeverisjen. Ai i dedikonte poezi perse, ndërsa ajo i këndonte melodi sllave: sërish Lindja dhe Perëndimi. Dashakeqët thoshin se “mishi i shitur” i kishte bërë magji sulltanit. Praktikisht, atmosfera në harem po bëhej e rëndë, por ajo që e helmonte nuk ishte magjia, por rivaliteti mes Rokselanës dhe Ibrahimit. Të dy urreheshin mes tyre: Rokselana ishte jashtëzakonisht shumë xheloze ndaj intimitetit mes dy miqve, ndërsa Ibrahimi arriti deri aty sa t’i kërkonte Barbarosës që të rrëmbente për sulltanin bukuroshen Giulia Gonzaga, me shpresën që ta bënte të harronte Rokselanën. Por rrëmbimi dështoi dhe duelin për zemrën e Sulejmanit e fitoi Rokselana.

Lamtumirë mik

Në vitin 1536 Sulejmani urdhëroi mbytjen e Ibrahimit dhe konfiskoi zotërimet e tij: greku kish qenë krahu i tij i djathtë për plot trembëdhjetë vite, por pushteti dhe pasuria e kishin bërë arrogant dhe populli ishte i pakënaqur me të. Pas tij sulltani do të kishte 8 vezirë: bashkëpunëtorë të shkëlqyer, por kurrë më miq të tij. Me Ibrahimin vdiq dhe rinia e Sulejmanit; maturimi konsolidoi sukseset e tij, por pleqëria e bëri më të ashpër. Ligji i vëllavrasjes i kërkoi taksën e parë të gjakut në vitin 1553, kur sulltanit iu desh që të mbyste djalin e tij të madh, Mustafain. Trashëgimtari duhej shumë prej ushtrisë dhe prej popullit, por Rokselana e donte të vdekur; duke qenë djalë i Gulbaharit, nëse do të bëhej sulltan ai do të kish eleminuar bijtë e saj, Selimin dhe Bajazitin. Pas vrasjes së vëllait të madh, dy vëllezërit e tjerë hynë në një luftë njëri kundër tjetrit në vitin 1558, me vdekjen e Rokselanës.

Sulejmani mori anën e Selimit dhe në vitin 1561 urdhëroi ekzekutimin e Bajazitit: “Falënderoj Zotin që kam jetuar aq gjatë sa të shoh myslimanët të cliruar nga lufta mes bijve të mi. Kështu do të kaloj në paqe ditët që më kanë mbetur. Nëse do të kish ndodhur e kundërta, do të kisha jetuar dhe do të kisha vdekur në dëshpërim”, u justifikua Sulltani, tashmë i mbyllur në një besim rigoroz. Sulejmani ndërroi jetë në 6 shtator 1566 gjatë luftës së radhës kundër Vienës.

Sulltani i ri ishte Selimi II “bjondi”, që shumë shpejt nisi të thirrej “llupësi”. Pushtimet vazhduan për më shumë se një shekull, por tashmë kishte nisur vjeshta e gjatë e rënies otomane.

Sulejmani u varros në oborrin e xhamisë së kushtuar atij vetë, në krah të Rokselanës. Udhëtarët që shkojnë në Stamboll sot i gjejnë ende aty, në heshtjen që ndërpritet prej zërit të hoxhës dhe nga mjaullimat e maceve për të cilat besimtarët kujdesen plot dashuri.(Voxnews.al)

25 shkurt13:02

Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe Boris Johnson, po synon seriozisht postin e kreut të NATO-s, pasi mandati i kreut të sotëm Jens Stoltenberg ka përfunduar, dhe është shtyrë vetëm për hir të situatës në Ukrainë.

Gjatë një interviste me mediat ukrainase, Johnson ka deklaruar se “është një ide e mirë, ky plan ekziston. Mendoj se kësaj radhe do të jem me fat”, ka deklaruar Johnson.

Pengesë për të mund të ishte rregulli që përcakton se kreu i NATO-s duhet të jetë nënshtetas i Bashkimit Europian, diçka që pas BREXIT Britania e Madhe nuk është më. Por për Johnson ky mund të jetë çështje që tejkalohet.

“Mendoj se jam një kandidat i shkëlqyer. Duhet thënë se tashme kemi një NATO më të fortë se kurrë, e gjallë”, ka theksuar ish-lideri konservator, duke konkretizuar zërat që kishin qarkulluar javët e kaluara.

Do të ishte hera e katërt që britanikët marrin përsipër këtë rol të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, por kritikët mendojnë se Johnson me shumë mundësi mund të haset me veton e presidentit francez Macron.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se takimi i së hënës në Bruksel ndërmjet Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiqi nuk do të sjell marrëveshje finale gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen e ndërsjellë në qendër.

Përkundrazi, sipas liderit të PDK-së, 27 Shkurti i këtij viti do të shënojë fillimin e një faze të re të procesit të dialogut, ku njohja e ndërsjellë mes Kosovës e Serbisë nuk do të jetë më fare temë diskutimi.

“Kjo fazë e re është rezultat i drejtpërdrejtë i dy viteve të keqmeaxhimit të dialogut nga Qeveria Kurti.

Pavarësisht nga takimi i së hënës, qeveria, tashmë publikisht, e ka pranuar planin e propozuar nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, nga ajo që është parë deri tash, plani në vetvete nuk përmban pothuajse asnjë përfitim konkret për Kosovën.

Aty nuk flitet për njohjen nga pesë vendet mos-njohëse të BE, nuk flitet për hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, as për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE, ndërsa njohja e ndërsjellë është jashtë çdo diskutimi”, tha Krasniqi nëpërmjet një deklarate të publikuar në faqen e tij në Facebook.

Sipas kreut të PDK-së, nga deklaratat publike të zyrtarëve ndërkombëtarë, shihet qartë se fokusi nuk është në arritjen e objektivave të lartëcekura, por është në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Pra, takimi i së hënës është takim për Asociacionin e jo për njohje. Sepse, qeveria, me paaftësinë e saj, e ka degraduar dialogun nga arritja e qëllimit të marrëveshjes finale me njohje në qendër, në marrëveshje kalimtare me Asociacionin në qendër”, tha Krasniqi.

23 shkurt13:35

CHARLIE CHAPLIN – FJALIMI I FUNDIT NGA FILMI ” DIKTATORI I MADH”, DATA: 15 TETOR 1940.

(Komediani Chaplin, kaloi muaj duke e rishkruar këtë fjalim për fundin e filmit si një mesazh për paqe në botë, më pëlqeu ky fjalim dhe vendosa ta përkthej për ju, ka shkruar ndër tjera Agim Hoxha i cili e përktheu dhe e përshtati këtë fjalim të Chaplinit)

“Më vjen keq, por unë nuk dua të jem perandor. Kjo nuk është puna ime. Nuk dua të sundoj apo të pushtoj askënd. Unë do të doja t’i ndihmoja të gjithë nëse është e mundur: hebre, johebre, me ngjyrë, i bardhë. Të gjithë duam të ndihmojmë njëri-tjetrin. Qeniet njerëzore janë të tilla. Ne duam të jetojmë nga lumturia e njëri-tjetrit, jo nga mjerimi i njëri-tjetrit. Ne nuk duam të urrejmë dhe përçmojmë njëri-tjetrin. Në këtë botë ka vend për të gjithë, dhe toka e mirë është e pasur dhe mund të sigurojë jetesë për të gjithë. Mënyra e jetesës mund të jetë e lirë dhe e bukur, por ne e kemi humbur rrugën.

Lakmia ka helmuar shpirtrat e njerëzve, ka rrethuar botën me urrejtje, na ka futur në mjerim dhe gjakderdhje. Jemi zhvilluar shpejtë, por jemi mbyllur në vetvete. Makineritë që japin bollëk na kanë lënë në nevojë. Njohuritë tona na kanë bërë cinikë;  zgjuarsia jonë, e ashpër dhe e pasjellshme.  Ne mendojmë shumë dhe ndjehemi shumë pak. Më shumë se makineri, ne kemi nevojë për njerëzim. Më shumë se zgjuarsi, ne kemi nevojë për mirësi dhe butësi. Pa këto cilësi, jeta do të jetë e dhunshme dhe gjithçka do të humbasë.

Aeroplani dhe radio na kanë afruar më shumë. Vetë natyra e këtyre shpikjeve thërret për mirësinë e njerëzve, thërret për vëllazëri universale, për unitetin e të gjithëve ne. Edhe zëri im tani po arrin miliona njerëz në mbarë botën, miliona burra, gra dhe fëmijë të dëshpëruar, viktima të një sistemi që i bën njerëzit të torturojnë dhe burgosin njerëz të pafajshëm. Atyre që mund të më dëgjojnë, u them, mos u dëshpëroni. Mjerimi që është mbi ne nuk është veçse kalimi i lakmisë, hidhërimi i njerëzve që i frikësohen rrugës së përparimit njerëzor.  Urrejtja e njerëzve do të kalojë dhe diktatorët do të vdesin, dhe pushteti që ata morën nga populli do t’i kthehet popullit.  Dhe për sa kohë që njerëzit vdesin, liria nuk do të humbasë kurrë. Ushtarë! Mos ua jepni veten njerëzve brutal, njerëzve që ju përbuzin, ju robërojnë, që ju regjimentojnë jetën tuaj, që ju thotë çfarë të bëni, çfarë të mendoni dhe çfarë të ndjeni! Të cilët ju shpojnë, ju shtjerrin, ju trajtojnë si bagëti, ju përdorin si ushqim topa xhyleje. Mos u jepeni këtyre njerëzve të panatyrshëm – njerëz makinerie me mendje makinerish dhe zemra makinerike! Ju nuk jeni makineri, nuk jeni bagëti, ju jeni njerëz!

Ju keni dashurinë e njerëzimit në zemrat tuaja! Ju nuk urreni! Vetëm të padashurit urrejnë, të pa dashurit dhe të panatyrshmit. Ushtarë! Mos luftoni për skllavërinë!  Luftoni për lirinë! Në veten tuaj, ju njerëzit, keni fuqinë, fuqinë për të krijuar makina, fuqinë për të krijuar lumturi!  Ju, njerëzit, keni fuqinë ta bëni këtë jetë të lirë dhe të bukur, ta bëni këtë jetë një aventurë të mrekullueshme. Atëherë, në emër të demokracisë, le ta përdorim atë pushtet.  Le të bashkohemi të gjithë.  Le të luftojmë për një botë të re, një botë të denjë që do t’u japë njerëzve një shans për të punuar, që do t’i japë rinisë një të ardhme dhe të moshuarve sigurinë. Me premtimin e këtyre gjërave, brutalët janë ngritur në pushtet. Por ata gënjejnë! Ata nuk e përmbushin atë premtim. Ata kurrë nuk do ta përmbushin atë! Diktatorët çlirojnë veten, por ata skllavërojnë popullin. Tani le të luftojmë për ta përmbushur atë premtim. Le të luftojmë për të çliruar botën! Për të hequr barrierat kombëtare!  Për të hequr lakminë, urrejtjen dhe intolerancën! Le të luftojmë për një botë të arsyes, një botë ku shkenca dhe përparimi do të çojnë në lumturinë e të gjithë njerëzve. Ushtarë, në emër të demokracisë, le të bashkohemi të gjithë!”

Prodhuesi japonez i makinave, Nissan, është kthyer në kompaninë e fundit që do të largohet nga tregu i Rusisë.

Kështu, Nissan u bashkohet dhjetëra kompanive të mëdha që janë larguar nga ky shtet, pas nisjes së luftës së Moskës në Ukrainë, në fund të muajit shkurt.

Nissan ka thënë më 11 tetor se Komiteti i tij ekzekutiv e ka miratuar shitjen e fabrikës në Shën Petersburg si dhe qendrën e marketingut në Moskë.

Nissan ka nisur të prodhojë makina në Shën Petersburg më 2009.

Megjithatë, ajo ka ndalur punën në Rusi në muajin mars, pak ditë pas shpërthimit të luftës.

Kompania ka thënë se kushtet e kontratës i mundësojnë Nissanit që të blejë sërish biznesin në Rusi në gjashtë vjetët e ardhshëm.

Muajin e kaluar, edhe kompania tjetër japoneze, Toyota është larguar nga tregu rus.

Në maj të këtij viti, kompania franceze e makinave, Renault, ka thënë se do të largohet nga Rusia me kushte të ngjashme.

Renault ka thënë atëbotë se do t’ia shesë 100 për qind të aksioneve qytetit të Moskës.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.