Rusia dhe Turqia kanë arritur një tjetër marrëveshje për Sirinë, që parashikon ngritjen e një zone joushtarake pranë qytetit të Idlibit. Lëvizja pritet të kthehet në një tjetër pengesë për palën amerikane, që e konsideron Idlibin një pikë strategjike në rast të një konflikti me Iranin.

Presidentët Vladimir Putin dhe Recep Taip Erdogan kanë rënë dakord për përforcimin e një zone të re joushtarake në Idlib, ku rebelëve radikalë do t’u kërkohet të tërhiqen. Rusia, aleatja kryesore e presidentit sirian Bashar al Assad, ishte përgatitur për një ofensivë në Idlib, një qytet me rreth 2 milionë banorë që kontrollohet nga rebelët. Por pas bisedimeve të zhvilluara të hënën mes Putin dhe Erdogan, që ka kundërshtuar një ndërhyrje ushtarake, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu ka deklaruar se nuk do të ketë një ofensivë. Vetë Putin në konferencën e përbashkët për shtyp ka thënë se marrëveshja parashikon që armatimet e rënda të tërhiqen dhe që rebelët radikalë, përfshirë frontin al Nusra, të largohen nga zona. Në rezidencën e tij në Soçi, Putin ka saktësuar se zbatimi i marrëveshjes për zonën joushtarake do të nisë më 15 tetor; zona do të jetë e gjerë deri në 25 kilometra dhe do të patrullohet nga njësitë ushtarake turko-ruse. Ende nuk dihet nëse ajo do të jetë pjesë e qytetit të Idlibit. Nëse po, atëherë kjo do të kërkojë detyrimisht largimin e rebelëve. Lëvizja e Moskës dhe Ankarasë pritet të krijojë një tjetër pengesë për Shtetet e Bashkuara, të cilat e konsiderojnë Idlibin një qytet strategjik në rast të një konflikti me Iranin.

Europol në bashkëpunim me autoritetet nga Ballkani Perëndimor kanë zhvilluar një aksion të gjerë kundër krimit në rajon. Raportohet se janë arrestuar 148 persona, mes tyre dhe shqiptarë. Ata akuzohen për trafik droge, armësh dhe emigrantësh.

Europol ka publikuar detajet e një operacioni të gjerë që zhvilloi nga data 5 deri me 9 shtator në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Mësohet se gjatë kësaj periudhe janë arrestuar 148 persona, mes tyre dhe shqiptarë. Europol raporton se rreth gjysëm milionë persona dhe automjete janë kontrolluar javën e kaluar gjatë Ditëve të Përbashkëta të Veprimit në luftën kundër krimit në këtë rajon. Për 4 ditë, 8300 oficerë nga 28 shtete të ndryshme dhe nga Frontex dhe INTERPOL, zbritën në terren për të luftuar kundër trafikimit të paligjshëm të armëve dhe drogës, lehtësimit të emigracionit illegal dhe mashtrimin me dokumente.

Gjatë këtij operacioni të gjerë, ku mori pjesë edhe policia shqiptare, e sekuestruan 159 armë zjarri, eksplozivë dhe 1462 lloje të tjera municionesh si dhe 286 kilogram drogës e llojeve të mndryshme. Mësohet se 13 persona janë arrestuar për trafikim emigrantësh, 71 emigrantë të paligjshëm, 36 trafikantë droge, 8 trafikues armësh, 16 mashtrues me dokumentet dhe 4 persona për krime të tjera.

Ndërkohë, përgatitjet për këtë operacion nisën në fillim të 2018-s. Gjatë kësaj periudhe vendet e përfshira kanë shkëmbyer informacione dhe kanë zhvilluar mbledhje sa i përket të dyshuarve. Gjatë kësaj faze mësohet se 32 persona janë arrestuar, 102 armë janë sekuestruar gjatë kontrolleve në 60 banesa. 

Dy shtatori i vitit 1945, konsiderohet si fundi i Luftës së Dytë Botërore pas dorëzimit të trupave japoneze më 15 gusht të po atij viti.

Më 2 shtator 1945, gjenerali i Ushtrisë amerikane, Douglas MacArthur, kryesoi një ceremoni me rastin e dorëzimit të Japonisë, çka i jepte fund Luftës së Dytë Botërore.

Ceremonia e shkurtër u zhvillua në Gjirin e Tokios, në luftanijen amerikane, Missouri, anija e komandantit të flotës amerikane të Paqësorit.

Duke iu drejtuar përfaqësuesve të aleatëve, që ishin mbledhur në anije, gjenerali MacArthur tha se sikurse mbarë njerëzimi, ai shpresonte që pas kësaj ngjarjeje kaq të rëndësishme një botë më e mirë do të dilte nga gjaku dhe tmerret e së kaluarës, një botë që do t’i përkushtohej dinjitetit të njeriut dhe plotësimit të dëshirave më të shtrenjta të njerëzimit, lirisë, tolerancës dhe drejtësisë.

Rexhep Qosja-Në qoftë se shkoni te varret e Prishtinës, për të marrë pjesë në ndonjë varrim apo për të vënë lule në varrin e një familjari, të afërmi a miku, kur të ktheheni nëpër rrugën që lëshohet teposhtë, ndaluni e shikoni djathtas dhe besoj se do të shihni edhe diçka që s’e keni parë dhe që s’do të donit ta kishit parë.

E do të shihni dy rrugica, të shënuara për t’u mbajtur në mend.

E para, është rrugica në fillim të së cilës, në anën e poshtme, të majtën, është vënë një si tabelë me emrin e babait të Shqipërisë, babait të shtetit të parë shqiptar, Ismail Qemalit. Si duket ajo tabelë, si duket mbajtësja e asaj tabele, si duket i gjithë fillimi i asaj rrugice me emrin e Ismail Qemalit? Vështrojeni mirë foton që po ia bashkëngjis këtij postimi! Jam i bindur se pamja që do të shihni do t’ju pikëllojë e do t’ju mërzisë pamasë!

Është një përmendore e Ismail Qemalit në sheshin para ndërtesës së dikurshme të Rilindjes së dikurshme e rrethuar me një rrethojë që s’ mundëson të shihet sa duhet e si duhet ajo përmendore. Në qoftë se ndaleni e i afroheni asaj përmendoreje artistike, të dinjitetshme, do të pyesni veten: po ç’do në Prishtinë edhe një Ismail Qemal, edhe një Ismail Qemal ashtu i fyer ashtu siç është fyer në fillim të rrugicës që të çon te varret e Prishtinës!

E dyta, është rrugica, dy rrugica më poshtë se ajo me emrin e Ismail Qemalit në fillim të së cilës, në anën e poshtme, të majtën, është vënë një tabelë me emrin e Mithat Frashërit, të birit të Abdyl Frashërit – ideologut dhe diplomatit të madh të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe të Lidhjes së Prizrenit. Ajo tabelë, mbajtësja e tabelës, fillimi i rrugicës me emrin e Mithat Frashërit të pikëllojnë, të trishtojnë dhe të mërzisin edhe më shumë se rruga me emrin e Ismail Qemalit.

Mithat Frashëri në kohën e komunizmit ishte i mallkuar: i mallkuar në Shqipërinë shtetërore dhe i mallkuar në Kosovë! Dhe ishte i mallkuar pse kishte qenë themelues e kryetar i Ballit Kombëtar. Por ata që ia kanë vënë emrin në rrugicën pak metra para varreve të Prishtinës dhe lejojnë që emri i tij në atë tabelë, në fillim të rrugicës, të duket aq mjerueshëm ndoshta kanë harruar: se Mithat Frashëri ishte politikan, diplomat, shkrimtar, studiues shkencor, publicist, pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit, kryetar i këtij Kongresi, anëtar i Komisionit të këtij Kongresi, që do të hartojë alfabetin e gjuhës shqipe; ishte autor i një vargu veprash letrare, publicistike e shkencore, ishte autor i veprës Shqiptarët dhe sllavët, ishte politikani dhe intelektuali ndër më të shquarit shqiptarë të kohës së tij që deri në vdekje nuk do të pushojë të shkruajë e të flasë për copëtimin e trojeve shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, për pushtimin e Kosovës prej Serbisë e të trojeve të tjera shqiptare prej Serbisë, prej Malit të Zi e prej Greqisë, për padrejtësitë tragjike që fuqitë e mëdha evropiane i kishin bërë popullit shqiptar.

Shikojini mendueshëm fotot e dy rrugicave ku janë vënë tabelat me emrat e Ismail Qemalit dhe Mithat Frashërit!

Besoj se mbasi t’i shihni do të bëni pyetjen:

Pse lejohet një fyerje e një përçmim i tillë i historisë dhe i kulturës sonë?

Pse lejohet një fyerje e një përçmim i tillë i historisë dhe i kulturës sonë në Kosovën e lirë dhe të pavarur?

Shkojmë në varret e Prishtinës të pritur prej Ismail Qemalit e Mithat Frashërit dhe kthehemi prej varreve të Prishtinës të përcjellë prej Ismail Qemalit e Mithat Frashërit siç i pamë të fyer!

A ka komunë Prishtina? A ka deputetë ajo komunë?

A ka Kuvend Kosova?

A ka deputetë Kosova?

A ka Ministri të Kulturës, Ministri të të Arsimit, a ka institucione të kulturës, që merren me historinë  e me trashëgiminë tonë kulturore?

A kanë deputetë Prishtina e Kosova të cilët do ta mbrojnë historinë e Kosovës dhe historinë shqiptare në përgjithësi prej falsifikimeve, prej shpërfytyrimeve, prej privatizimeve, prej degradimit, prej mospërfilljes, prej fyerjeve, prej përçmimeve të ndryshme që po i bëhen sot prej shumë kujt e me shumëçka, në rend të parë prej atyre që do të duhej t’i trajtonin me dinjitetin e merituar, të kujdeseshin e t’i ruanin, por hiç më pak prej disa partive, prej të pushtetshmëve dhe të partishmëve, të cilët edhe historinë kombëtare po e keqpërdorin pa skrupuj për t’u mbajtur në pushtet sa më gjatë!

Deri kur?

Sidomos pas vitit 1981 historia shqiptare, letërsia shqipe, figurat e mëdha historike, politike, shkencore, letrare është dashur të mbrohen prej nënçmimeve e fyerjeve që ju bëheshin prej shovinistëve serbë. As pesimistët më të mëdhenj s’kanë mundur të mendojnë se këtë histori e këto figura të mëdha kombëtare sot duhet të mbrohen edhe prej shovinistëve tonë brendakombëtarë në një pjesë të medieve tona!


Bedri Islami -Në ditët e fundit, duke marrë shkas nga përvjetori i 20-të i vrasjes së deputetit të PD-së, Azem Hajdari, u bënë aq shumë manifestime dhe përkujtesa, sa që mund të mendoje se gjithçka në këtë muaj vjeshte është e lidhur vetëm me emrin e tij. Ish presidentë dhe presidentë, ish kryeministra e shefa qeverie, ministra e sejmenë, të urtë dhe të çartur, të hedhur tej dhe të futur rishtas në politikë, njerëz që kanë pasur miqësi me të dhe të tjerë që thanë, “na u lirua një vend”; ata që e kanë mallkuar dhe që e kanë dashur, ata që e përbuzën sa ishte gjallë dhe që fërkuan duart pas vdekjes; ata që e quajtën sharlatan dhe spiun i sigurimit të shtetit dhe ata që e deshën përnjëmend, familjarë e të largët, të gjithë u ndalën, në atë shumësi sa ishin, për t’u betuar, për të shenjuar një luftë të re, kësaj radhe me çdo çmim, edhe pse çmimi që pagoi Hajdari ishte tepër i lartë për të dhe familjen e tij.

Mbrëmë në darkë, duke hyrë 14, pra dita e sotme, disa do të kujtojnë grushtin e shtetit që desh realizuan, disa do të kujtojnë se si arkmorti i shkretë u përdor si dash i mesjetës për të shembur dyert e Kryeministrisë; dhe, vetëm më të afërmit do të kujtojnë se si ky arkmort u braktis në shkallët e qeverisë, sapo u dha “kushtrimi” se u rrëzua qeveria dhe se si, thujase asnjëri nga këto që derdhin lotët e shumtë sot, nuk ishte në aktin e varrimit të të ndjerit.

Nuk ishte as Berisha, që mori urdhrin për të futur bishtin ndër shalë, dhe, si nuk e kishte pritur, për të kthyer prapsht taborret që çirreshin “duam babë Saliun”,nuk ishte as ai Spahia i legalistëve, që u bë pjesë e një pakti republikan; nuk ishte, jo që jo, Basha, që asaj kohe mund të ishte duke llogaritur punët në Rinas; nuk ishte as Meta që po i drejtohej postit të zevendeskryeministrit; nuk ishte as Kryemadhi, sepse atëherë Azemi ishte njeriu i rrezikshëm i tyre, të cilin, megjithatë, herë pas here, e përdornin si top, majtas e djathtas…; nuk ishin e nuk kishin se të ishin as këta pinjollët e rinj të pëdëistëve, që tani rrahin gjoksin dhe duan të bëjnë një “revolucion të vonuar pëdëist”.

Më 14 shtator Azemin, deri tek shkallet e qeverisë, e përcollën qindra vetë; në krye të tyre ishte Izet Haxhia, që nuk e dinte se duke shkuar drejt shkallëve të qeverisë me këtë arkmort, po i përgatiste një të tillë jetës së tij; ndërsa, nga shkallët e qeverisë dhe deri tek vendpushimi i fundit, e përcollën vetëm miqtë  tij të ngushtë, që, pavarësisht se si e kishin njohur atë, ndjenin dhimbje.

Ndoshta shumë njerëz e kanë harruar, por në zgjedhjet e 31 marsit 1991, Azemi ka qenë kanditat e më pas deputet i qytetit të Shkodrës. I lagjes Guerile, apo si i thonin me të vjetrën, Kiras. Çuditërisht, pikërisht në atë lagje ku edhe kanë ndodhur shumë krime e janë ngritur shumë enigma pas vitit 1990. Edhe vrasjet e fundit kanë ndodhur në atë lagje, por banorët e qetë të Kirasit, nuk janë të fajshëm për këtë.

Ka qenë pikëpyetje e madhe nëse Shkodra do e pranonte Azemin si deputet të saj. Shkodra dikur nuk kishte pranuar si deputet një figurë të shquar si Bajram Curri, të cilin e kishte dashur e nderuar mijëra herë më shumë se Azemin, gjithnjë me arsyetimin se, Curri është burrë i shquar, atdhetar i madh, por Shkodra ka njerëzit e saj. Nejse, Bajram Curri, me elegancë dhe finesë, ishte refuzuar, Azemi ishte pranuar.

Në njërin nga takimet me banorët, Berisha, asaj kohe në fillimet e agresivitetit të tij të mëpasmë, i merakosur nëse Azemi mund të fitonte, mori përgjigen e pamenduar nga një banor i vjetër: “Edhe Nexhmijen, po e solle ti, e pranojmë. Vetëm të jetë e ytja”.

Pra, nuk kishte pasur lidhje me njeriun, por me pritshmërinë. Koha kishte ndërruar. Ishte e mjaftueshme të kishe vetëm një shenjë partiake dhe askush nuk do të pyeste se cili je, çfarë bën, i kujt je.

Në të gjithë rrethin e Shkodrës fitoi PD-ja në marsin e vitit 1991, vetëm në Koplik fitoi Çun Jonuzi. Një komunist i vjetër, shumë më libral se të gjithë demokratët deputetë sëbashku.

Për herë të parë Azemin e kam parë në Shkodër me 1 prill 1991. Ai kishte qenë edhe më herët, por nuk më kishte rastisur. E pashë në ballkonin e selisë së PD-së në Shkodër, që asaj kohe ishte në qendër të qytetit. I kreshposur, i nervozuar, emocional, deri në shkallafatje, si i thonë në Shkodër.

Ishte një ditë e bukur. Shkodra ishte zgjuar e shqetësuar, një nerv i pagjetur, por i ndjeshëm rridhte mes trupit të pritjes njerëzore dhe askush nuk e dinte se çfarë do të ndodhte. Lajmet ishin kontradktorë. Qytetet i  kishte fituar PD-ja, që disa ditë më parë kishte bërë një meting dhjetra e dhjetra mijra vetësh; fshatrat i kishte fituar PP, pas një metingu në pallatin e Kongreseve dhe një fjale të vakët të Ramiz Alisë.

Në sallën e pallatit të Kongreseve, mezi e mbushur, njerëzit ishin të angështuar, me kostume, shumica të zinj, kollare dhe këmisha të bardha.

Në sheshin e PD-së  liderët ishin me pardesy të bardhë. Të gjithë, njëri pas tjetrit, si një shenjë njohjeje.

Edhe Azemi kishte veshur pardesynë e tij. Në mëngjes kisha takuar edukatoren e tim biri që po qante e ngashëryer. I kishin thënë se disa qindra vaporë të mëdhenj po prisnin në Bari e Brindizi, plot me ndihma, nëse do të kishte fituar PD-ja. “Na iku shansi, – më tha”. Vaporët po kthehen prapsht”. E kishte aq seriozisht, sa që nuk arrita t’i thoja asgjë, megjithëse ishte motra e një mikut tim të afërt. Kishte filluar koha e marrëzive. Sapo kishim dalë nga një çmenduri, po shkonim drejt një tjetre.

Me kolegun tim, Jani Malo, dolëm nga zyrat e gazetarëve të shtypit qendror në Shkodër dhe u ndalëm. Azemi po fliste. Poshtë brohorisnin dhe pse nuk e dëgjonin mirë. Kur bëhej qetësi, zëri i tij ngrihej. U shtanga. Ai bënte thirrje për përmbysje, për gjak, për ngritje, për gjithçka që një njeriu normal, sidomos në fillim prillin e vitit 1991, as që i shkonte ndër mend.

-Po ky hajvan, çfarë thotë? , i mëshova Janit. Kërkon të përmbysë Shkodrën? Për cilët kërkon shkatërrim e dhunë?

Jani më tërhoqi krahun dhe më tha të mos flas, se njerëzit janë të acaruar dhe se mund të ndodhte gjithçka.

Azemi vazhdonte të fliste dhe u tregoi njerëzve rrugën nga duhej të demonstronin, pasi votat u ishin vjedhur, pushteti u ishte grabitur, se komunistët po përgatiten për grusht shteti etj.

Njerëzit u vunë në lëvizje. Njëri pas tjetrit. Radhët po shtoheshin dhe shkuan aty ku i ftonte deputeti i sapozgjedhur. Deputetët e tjerë, të gjithë banorë të Shkodrës, nuk ishin aty. As Pjetër Arbnori dhe Ali Spahija nuk ishin. Kur turma lëvizi kërcënueshëm, por ende e pakët, Azemi nuk u duk më.

Në darkë kishte qëndruar në shtëpinë e një mikut tonë, Markut. Kishte ngrënë tri vezë dhe fasule dhe, pasi ishte mbështjellë nën një fustan të zonjës së shtëpisë, ishte struktur në sediljen e pasme të automjetit dhe kishte udhëtuar drejt Tiranës.

Askush nuk e di se çfarë është biseduar me disa nga drejtuesit e PD-së në heshtjen kohore mes mitingut në sheshin kryesor të qytetit dhe deri tek largimi i tij në mesin e natës.

Në mëngjes ai kishte qenë në njërën nga kafet kryesore të qytetit, ndërsa, në të njëjtën orë, në Shkodër kishte filliuar dy prilli.

Dhe fundi i 2 prillit dihej. Katër të vrarë, të gjithë të rinj, më i moshuari Nazmi Kryeziu dhe më i riu Arben Broci.

Arbeni ishte varë i pari. Sipas raportit të komisionit parlamentar, të prirë nga PD-ja, Broci ishte vrarë nga një armë e prodhimit artizanal. Autopsia e tij nuk është bërë asnjëherë. Azemi e harroi shpejt shokun e tij student, ashtu si shumë fillestarë të tjerë e harruan Azemin.

Ndoshta jam i pasaktë, ndoshta jam i gabuar: por që asaj dite kam pasur e vazhdoj të kem bindjen se e keqja në Shkodër, e që nuk po ndalet, filloi pikërisht nga 1 prilli i vitit 1991, që nga çasti kur Azem Hajdari bëri thirrjen e parë të hapur për përmbysje, për dhunë dhe marrjen e pushtetit përmes rrugës.

Që nga ajo ditë, e cila çuditërisht është filmuar vetëm nga TV i Malit të Zi, ardhjet e Azemit në Shkodër ishin të pakta. Nuk ishte më deputet i qytetit. Sa herë që prishej me të vetët, me këta që sot i ngritën dy monumente, ia përmendin 2 prillin dhe e akuzonin se pikërisht ai qëndronte pas vrasjeve të asaj dite.

Azem Hajdari nuk është heroi im. Nuk mund të bëhem kaq qaraman dhe pabuks, sa që të bëj një njeri të zakonshëm, i cili edhe nga të vetët është akuzuar dhjetëra herë që në dhjetor 1990 u dërgua nga Sigurimi i Shtetit, me patllake në xhep, një hero të jetës sime apo statura e një njeriu nga i cili duhet të marrim shembull.

Vdekja e tij e parakohshme ishte e pikëllueshme. Njeriu që e vrau ishte si ai, i zakonshëm, hasmëruar me gjysmën e qytetit të tij.

Komunistët kishin ideal Qemal Stafën, dhe, kur dua të krahasoj dy jetët, më merret fryma, pasi asnjë krahasim nuk qëndron. Qemali, Brutusi i letërsisë, njeriu i një zjarri të jashtëzakonshëm, mund të ishte ideali i një rinie që po lulëzonte gërmadhash.

Kushdo le ta ketë atë heroin e tij. Është në të drejtën e secilit.

Por unë kujtoj gjithnjë një letër që para shumë viteve më ka dërguar një njeri i shquar i gjithë diturisë sonë, mes të cilës më shkruante se “Azem Hajdari është fillim i kriminalizimit të Shkodrës”.

Të jetë e vërtetë?

Nuk dua të kem hero një njeri, të cilin, edhe të vetët, sa ishte gjallë, e kriminalizuan dhe kur e nxorrën në pritë, e bënë hero.

Hipokritët janë si helmi, sa më shumë kohë të kaloni me ta, aq më shumë do t’ju dëmtojnë pa e kuptuar.

Hipokritët janë si helmi, sa më shumë kohë të kaloni me ta, aq më shumë do t’ju dëmtojnë pa e kuptuar.

Para se t’i njihni ata vetë ju filloni të humbni besimin tek vetja, të ndiheni inferior e të pasigurt. Më poshtë do t’ju njohim me 7 sjellje tipike të hipokritëve.

  1. Nuk ndalin asnjëherë se bëri thashetheme. Kjo ndodh sepse ata nuk janë përgjithësisht të kënaqur me veten. Për të luftuar këtë, hipokritët bëjnë thashetheme për të ulur të tjerët.
  2. Ata ndihmojnë njerëzit vetëm kur kanë ç’të përfitojnë. Njerëzit hipokritë gjithmonë mendojnë për veten e tyre, para së gjithash.
  3. Ata përpiqen të tërheqin vëmendjen kudo që janë sepse hipokritët duhet të ndihen të vlerësuar nga të tjerët për shkak të faktit se ata nuk kanë mësuar se si ta kultivojnë këtë gjë për vete.
  4. Duan t’i bëjnë përshtypje të tjerëve

T’i bësh përshtypje dikujt është më se normale, por kur të bëhet mënyrë jetese, ju keni të bëni me një hipokrit. Hipokritët janë aq të fokusuar në atë që mendojnë të tjerët sa humbasin kontaktin me atë që ata besojnë dhe vlerësojnë vetë.

5. Ata kanë qejf të mburrem

Kjo vjen nga dikush me vetëbesim të ulët, dikush që përpiqet krijojë një imazh të rremë për veten, thjesht si një mjet për të bërë përshtypje.

6. Ata respektojnë vetëm njerëzit me pozitë ose që kanë një post më lartë se ata .

7. Kritikojnë të tjerët që duken më mirë se ata

Në rrugëtimin e saj transformues, për t’u shndërruar në një qytet europian, Tirana ka rrëmbyer një tjetër vlerësim të rëndësishëm në Lisbonë.

Pas çmimit në Barcelonë për sheshin “Skënderbej” dhe atij në Londër për Pazarin e Ri, kryeqyteti shqiptar është përzgjedhur nga një juri ndërkombëtare, si një ndër qytetet që ka pësuar transformimin më të thellë në Europë.

Kandidatët e finalistët për të rrëmbyer Çmimin e Aksionit më Transformues 2018 u zbuluan në Festivalin URBACT, i mbajtur në Lisbonë të Portugalisë, ku kryeqyteti shqiptar u rendit mes Bolonjës dhe Ghentit.

Çmimi, i cili jepet nga ICLEI – Qeveritë Lokale për Qëndrueshmërinë, Rajoni Bask dhe Qyteti i Aalborg (Danimarkë), shpërblen veprat transformuese në vijim ose të përfunduara në kategori socio-kulturore, transformimin socio-ekonomik dhe teknologjik.

Nga një garë e fortë prej 40 aplikimesh u përzgjodhën tre qytete: Tirana (Shqipëri), për rritjen e hapësirës së gjelbër urbane rreth qytetit, duke luftuar shtrirjen urbane; Qyteti i Bolonjës (Itali), për marrëveshjen e bashkëpunimit me qytetarët e tyre, për të rritur angazhimin qytetar dhe rigjenerimin e qendrave urbane; si dhe qyteti i Ghent (Belgjikë) për transformimin e sistemit vendor të ushqimit të qytetit, nëpërmjet modeleve të pjesëmarrjes së qeverisjes.

Anëtarja e jurisë dhe kryetarja e Komisionit, Cor Lamers, tha: “U ndjeva jashtëzakonisht e lumtur kur zbulova se Çmimi i Aksionit më Transformues 2018, tërhoqi aq shumë aplikantë nga e gjithë Evropa. Këto projekte pjesëmarrëse i bëjnë komunitetet dhe ekonomitë tona lokale më përfshirëse, të gjelbra dhe të qëndrueshme. Si rezultat, ata u japin qytetarëve tanë një cilësi më të mirë jetese. Shpresoj se këto nisma do të shërbejnë si shembuj që do të përsëriten kudo dhe do të krijojnë një reaksion zinxhir të aksioneve transformuese në rajonet dhe qytetet tona”.

Duke përgëzuar kandidatët e përzgjedhur, Hakan Lucius, anëtar i jurisë dhe shefi i Divizionit të Shoqërisë Civile, në Bankën Europiane të Investimeve, tha: “Duke përfaqësuar diversitetin gjeografik të Evropës, këto tre qytete arritën të adresonin komponentë të ndryshme të zhvillimit të qëndrueshëm, veçanërisht përfshirjen sociale, zhvillimin urban dhe ushqimin, duke përfshirë në mënyrë kuptimplotë të gjitha palët e interesuara. Veprimet e tyre inovative janë sfida kryesore për të ardhmen tonë të përbashkët dhe duhet të jenë frymëzues për të gjithë aktorët e angazhuar për qëndrueshmëri”.

Pylli Orbital, një balancë mes qytetit dhe rizbulimit të natyrës

Në një kohë kur disa vende po flasin për mure, Tirana është duke ndërtuar një “mur” pemësh, për t’i dhënë oksigjen qytetit. Objektivi strategjik numër një i Planit të Përgjithshëm Vendor të Boerit, propozon një “Pyll Orbital” prej 2 milionë pemësh, që do të rrethojnë Tiranën, e që do të shërbente si një brez i gjelbër, për të parandaluar shtrirjen urbane.

Mos e nënvlerësoni fuqinë e fëmijëve,” thotë kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj: “Një qytet për fëmijët tanë, është një qytet për të gjithë ne. Unaza pyjore është dendësuar nga “pemët e ditëlindjeve” të fëmijëvë, të cilat janë mbjellë nga prindërit. Ne jo vetëm krijojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, por gjithashtu rrisim fëmijë që do ta mbajnë të sigurt të ardhmen”.

Versioni zyrtar i iOS 12 do të lëshohet më 17 Shtator për të gjithë dhe do të jetë i disponueshëm për iPhone 5s dhe të gjitha modelet më të reja.

Ndërsa për përdoruesit që kanë të instaluar versionin beta, që sonte është i disponueshëm versioni Golden Master që është gjithashtu edhe versioni final i iOS 12.

iOS 12 përqëndrohet kryesisht tek performanca e pajisjeve më të vjetra të cilat do të punojnë më shpejt duke përgjysmuar kohën e hapjes së një aplikacioni. 

iOS 12 mund të instalohet në të gjitha pajisjet që aktualisht punojnë me iOS 11.

A ka zbritur në vitin 1960 Ernesto Che Guevara në Shqipëri? Përse vizita është kryer në fshehtësi të plotë?

Njerëzit e moshës së mesme janë duke u këshilluar që të kenë ditë pa alkool për të përmirësuar shëndetin.

Mosha 45 deri në 65 vjeç kanë më shumë gjasa se çdo grup tjetër të konsumojnë më shumë alkool.

Shëndeti Publik në Angli thotë se futja e ditëve të rregullta pa alkool, mundësisht dy ditë radhazi do të përmirësojë gjumin ndërsa zvogëlon edhe rrezikun e sëmundjeve të zemrës, problemeve të mëlçisë, kancerit dhe presionit të lartë të gjakut.

Ndërsa me këtë apel për pushimin deri në dy ditë pa konsumuar alkool besohet se njerëzit do ta kenë më të lehtë ta zbatojn sepse sipas Julia Verne njerëzit e kanë të vështirë ta zvogëlojnë dozën.

“Njerëzit na kanë thënë gjithashtu se ideja për një ditë pa pije është shumë më e lehtë për t’u menaxhuar, sesa prerja, për shembull, nga një gotë e madhe verë në një gotë të vogël verë”, u shpreh Verne.

Edhe për Duncan Selbie, shefin ekzekutiv të Shëndetit Publik vendosja e një objektivi për të pasur më shumë ditë pa pije çdo javë është një mënyrë e thjeshtë për të pirë më pak dhe për të zvogëluar rreziqet për shëndetin tuaj.

Një sondazh i mëparshëm që u bë me rreth 9.000 të rritur nga YouGov sugjeroi se njerëzit do të gjenin zvogëlimin e pirjes së tyre, duke ushtruar më shumë ose duke shkurtuar pirjen e duhanit.

“Air Albania”, kompania e parë ajrore shqiptare, ku aksioner është edhe shteti shqiptar, ka nisur fluturimin e parë Tiranë-Stamboll, me studentët e ekselencës.

I pranishëm në këtë ceremoni, kryeministri Rama u uroi studentëve rrugë të mbarë, ndërsa iu drejtua duke u thënë se ata janë fytyra e ndritur e gjeneratës tjetër. I pranishëm në Rinas në ceremoni ishte edhe kryeministri Edi Rama. Ai tha se studentët e ekselencës janë këmba më e mbarë për të nisur historinë e fluturimeve të kompanisë së parë ajrore shqiptare.

“Këtë fluturim të parë të muajit të testit e bëjnë studentët dhe maturantët e ekselencës, është një fluturim simbolik. Gjatë gjithë muajit do të ketë disa të tillë. Arsyeja se përse na shkoi mendja te ju, është sepse jeni, fytyra e ndritur e gjeneratës tjetër dhe meritoni që të keni të gjithë vëmendjen dhe respektin dhe njëkohësisht edhe një dhuratë simbolike për gjithçka keni bërë. Erdha vetëm të përcjell grupin tuaj dhe jam i bindur jeni këmba më e mbarë për kompaninë tonë të flamurit. Tani do ia jap fjalën një vajze, që e kam takuar për herë të parë në gjimnazin ‘Ali Demi’ në Vlorë, ndërsa sot është studente e ekselencës por nuk jam i autorizuar ta ndaj publikisht, por i uroj vërtetë t’ia dalë”, tha Rama.

Pasditen e së premtes, avioni Airbus 319, që si stemë ka flamurin shqiptar, u ul në aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit, ku do të zhvillohet dhe një ceremoni inaguruese.

Fluturimet e para do të jenë drejt Stambollit, ndërsa “Air Albania” do të ketë destinacione të tjera në qytetet kryesore europiane si Roma, Londra apo Milano.