Ai është një nga njerëzit më të pasur të Kinës, por njihet gjithashtu si aziatiku i refuzuar më shumë herë nga Harvardi, siç e ka shprehur jo rrallëherë edhe vet.

Jack Ma ka vendosur të dorëhiqet nga pozicioni i shefit ekzekutiv të perandorisë tregtare “online”, “Alibaba”, gjë që do ta bëjë të hënën sipas raportimeve të “New York Times”. Ai gjithsesi do të mbetet në bordin e drejtorëve të “Alibaba”, por me fokus më të shtuar drejt filantropive në fushën e edukimit.

Miliarderi Jack Ma e themeloi “Alibabën” në vitin 1999 dhe e ka udhëhequr atë derisa e pa të bëhej një nga kompanitë më të mëdha botërore të tregtisë në internet. Me një vlerë totale prej mbi 400 miliardë dollarësh, “Alibaba” përfshin shitjet “online”, produksionin e filmave dhe një rrjet informatike.

Në një intervistë për “NYT”, ish-mësuesi i anglishtes Ma ka deklaruar se tërheqja e tij nuk nënkupton fundin e një epoke, por “fillimin e një epoke të re”, teksa shtoi se “e adhuron arsimimin”.

Jack Ma, i cili do të festojë 54-vjetorin e lindjes të hënën, ka një pasuri prej rreth 40 miliardë dollarësh, gjë që e bën atë personin e tretë më të pasur në Kinë, sipas listës së pasanikëve të vitit 2017 të hartuar nga “Forbes”.

Më herët gjatë kësaj jave, Jack ma i tha “Bloomberg TV” se dëshironte të krijonte një fondacion personal, duke ndjekur gjurmët e shefit të Microsoftit, Bill Gates.

“Ka shumë e shumë gjëra që mund të mësoj prej Bill Gates, – tha ai. – Nuk mund të bëhem kurrë aq i pasur sa ai, por gjëja e vetme që mund të bëj më mirë sesa ai është të tërhiqem më herët. Mendoj se do të vijë dita, shumë shpejt madje, që do t’i kthehem sërish mësimdhënies. Kjo është një gjë që më bën të mendoj se mund ta bëj shumë herë më mirë sesa të jem shef ekzekutiv i Alibabës”.

Jack Ma e ka nisur jetën profesionale duke dhënë mësim anglishteje në një universitet të qytetit Hangzhou, në provincën lindore të Zhejiangut. Ndërsa “Alibabën” ai e themeloi nga dhoma e tij e apartamentit në Hangzhou, së bashku me një grup miqsh

Është gjetur i vdekur këngëtari i njohur i “Self care”, Mac Miller. 26-vjeçari u gjet i vdekur në një dhomë në shtëpinë e tij në San Fernando Valley raporton “TMZ”.

Dyshohet se shkak i vdekjes është overdoza.

Mac Miller ka qenë shumë i komentuar edhe për lidhjen me Ariana Granden, një lidhje që përfundoi vetëm pak muaj më parë.

“Unë më mira të isha një reper koti, sesa një reper i droguar që s’del dot nga shtëpia e tij.

Overdoza nuk është cool. Nuk mbetesh në histori vetëm sepse kalove overdozë.

Ti thjesht vdes”, -ishte shprehur Mac në një dokumentar pak kohë më parë.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq sot e nesër të qëndrojë për vizitë në Kosovë.

Ai megjithatë do të vizitojë edhe digën e Ujmanit, ani pse fillimisht i ishte refuzuar leja për këtë.

Mirëpo, pas presionit ndaj autoriteteve kosovare nga Bashkimi Evropian, atij iu mundësua edhe realizimi i agjendës në këtë pjesë.

Vuçiq do të vijë në Kosovë në ora 14:00 përmes pikës kufitare në Bernjak, ku nga aty do të vazhdojë në Zubin Potok.

Në ora 15:00 do të qëndrojë në Gazivodë.

Në ora 15:40 në Leshak.

Në ora 17:00 do të qëndrojë në Shkollën e Bujqësisë në Leshak.

Në ora 17:45 do të qëndrojë në Hallën e shporeteve në Leposaviq.

Në ora 19:00 arrin në Zveçan ku do ta kalojë natën.

Ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, të dielën, Vuçiq, në ora 08:00 viziton Qendrën Shëndetësore në Mitrovicë.

Në ora 08:30 do të qëndrojë sërish në Zveçan.

Në ora 09:15 do ta vizitojë fshatin Banjë.

Në ora 11:15 do të qëndrojë sërish në Mitrovicë, dhe

Në ora 13:00 do të largohet nga Kosova përmes pikës kufitare në Jarinje.

Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/lajme/vuciq-viziton-veriun-e-kosoves-kjo-eshte-agjenda-e-tij-573989/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Në një foto bardhezi të viteve 1950, këngëtarja dhe aktorja Ertha Kit shihet e veshur me një kostum të dekoruar me motiv leopardi. Ajo duket sfiduese, me vetëbesim, dhe pranë saj është një gepard i lidhur me zinxhir.

Është foto ikonike, një nga fotot që tre dekada më parë frymëzoi balerinën Xho Ueldon të kërkonte historinë e motivit të leopardit. Zbulimet e saj janë përmbledhur në një libër: “Egërsia: Historia e Motivit të Leopardit”, ku Ueldon ndan në grupe, gjen origjinën dhe evolucionin e një prej motiveve më të kudogjendura të modës.

“Kit ishte pika e nisjes. Kur isha e vogël, mahnitesha prej saj”, thotë Ueldon në një intervistë. “Dukej fantastike me ato motive, një figurë e fortë. Por ishte gjithashtu grua e mençur. Për mua, motivet e leopardit ishin ato që i bashkonin këto dy aspekte”.

Rosalindë Rasëll vesh një fustan mëndafshi “Galanos” në një foto reklamuese për “Baba, i gjori baba, mamaja të vari në dollap dhe unë ndihem keq”, në vitin 1967. Foto nga Everett Collection

“Motivet e leopardit dhe pamjet me feline, në përgjithësi, janë përdorur për të treguar pushtet, pavarësi dhe vetëbesim për shekuj të tërë”, thotë Ueldon.

“Leopardët janë parë si kafshë të egra, shumë të zhdërvjella”, thotë ajo. “Mendoj se njerëzit ndiejnë një lidhje të lashtë me to.”

Historikisht, leopardët kanë luajtur një rol mbizotërues nëpër ikonografitë e botës. “Gruaja e Ulur e Çatalhöyük”, një figurë argjile, që mendohet të jetë bërë 6000 vite më parë, tregon një femër që e ka vendosur krahun mbi një leopard.

Një pllakë e gdhendur e Egjiptit të lashtë tregon Nefertiabetin, një princeshë egjiptiane, që ka fustani leopardi. Foto Everett Collection

Seshat, perëndia egjiptiane e mençurisë, përshkruhet shpesh e veshur me një gëzof leopardi apo gepardi. Perëndesha Xi Uangmu, e njohur gjithashtu si Nëna Mbretëreshë e Perëndimit në mitologjinë kineze, përshkruhet me dhëmbë tigri dhe me bisht leopardi.

“Gjatë shekujve të 18-të dhe të 19-të, gëzofet dhe rrobat e leopardit përdoreshin për të treguar pasuri dhe status”, thotë Ueldon. “Kur hymë në shekullin e 20, me prodhimin në masë, rrobat me motive leopardi hynë në tregjet kryesore dhe nisën të kenë domethënie moderne”.

Një trend evolucioni

Reputacioni i motiveve të leopardit ka pësuar ndryshime të shumta që atëherë. Janë quajtur provokuese dhe të ulëta, të rrezikshme. Edhe janë veshur nga yjet më të njohura, por edhe janë quajtur si rroba shumë të lira. Në botën e muzikës e të kinemasë, gratë e veshur me motive leopardi janë identifikuar si të liga, të cekëta e të lehta, gjë që Ueldon e vë në dukje me një sërë kapitujsh, të titulluar “Gruaja Trofe”, “Mamaja e Keqe” dhe “Femra Fatale”.

Pas dy javësh, të gjithë makinat që do të kalojnë në tunelin e Kalimashit do të paguajnë tarifë. Pavarësisht nga protestat e dhunshme të disa muajve më parë, që sollën pezullimin e projektit koncesionar, duket se qeveria është e vendosur ta verë në jetë atë duke filluar nga 17 shtatori, në përfundim të sezonit të sivjetëm turistik veror.

Kjo është konfirmuar edhe nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, gjatë prezantimit të paketës lehtësuese për qytetarët dhe bizneset që e përdorin shpesh këtë rrugë, ndërkohë që, në një prononcim për Scan TV, përfaqësues të këtij dikasteri thanë se nuk do të ketë asnjë shtyrje të afatit, duke rikonfirmuar nisjen e pagesës në këtë aks rrugor.

Ndryshe nga hera e parë, tanimë është përpunuar një paketë lehtësish për ata që e përdorin më shumë rrugën. Do të jetë një pajisje e posaçme – telepass – e cila do të mundësojë tarifimin e reduktuar të mjeteve të tilla.

Paketa përfshin një tarifë prej 100 lekësh me TVSH për çdo kalim për të gjithë automjetet e regjistruara në Qarkun Kukës. Ajo do të jetë e kufizuar për jo më shumë se 44 kalime në muaj dhe e vlefshme për t’u përdorur brenda periudhës njëmujore nga data e kryerjes së pagesës për këto kalime. Karta përkatëse do të blihet me parapagim. Kjo skemë ka të bëjë me makinat tip veturë familjare, që janë regjistruar për përdorim vetjak të qytetarëve.

Ndërkohë, lidhur me linjat e transportit interurban, deri tani janë identifikuar 11 linja të licensuara autobusësh që kryejnë udhëtime nga dhe për në qytetin e Kukësit. Për të eleminuar efektin e tarifës në koston e udhëtimit të banorëve të Qarkut Kukës, këto linja do përfshihen në skemën preferenciale, me tarifë kalimi prej 100 lekësh me TVSH për 1 kalim.

Tarifimi i përdoruesve të shpeshtë të rrugës, pavarësisht vendosjes së tyre (kryesisht bizneset nga Shqiperia dhe Kosova), do të kenë trajtimin si më poshtë: Nga 20 deri në 30 kalime në muaj, ka 10 për qind zbritje; mbi 30 deri në 50 kalime në muaj, zbritja shkon në 20%; mbi 50 deri në 60 kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 30% dhe mbi 60 kalime në muaj, zbritja arrin në 40% të tarifës.

Tarifat bazë janë për motorrin 2.5 euro, veturë 5 euro, autobusë dhe kamionçina 11.2 euro, kamionët e mesëm 16.2 euro dhe kamionët e rëndë 22.5 euro.

Burimet nga koncencionari kanë pohuar se kompania ka përllogaritur kostot e mirëmbajtjes dhe investimeve me tarifat aktuale, sipas kontratës fillestare, të miratuar edhe në Kuvend, ndaj çdo ndryshim me ulje do të kompensohet nga qeveria. Kjo zgjidhje është një praktikë normale e përbotshme. “Nëse qeveria vendos të mbrojë një grup të caktuar nga tarifat që rrjedhin nga kontratat e veta, ajo duhet të përballojë humbjet që rrjedhin nga fondet e buxhetit; nuk ka pse një biznes privat të marrë përsipër këtë rol. Kjo është praktikë e përbotshme”, thanë përfaqësues nga kompania koncensionare.

Sipas studimit të institucionit ndërkombëtar që dha konsulencë për koncesionin, gjatë periudhës mars 2014-mars 2015 lëvizën rreth 5.000 automjete në ditë në segmentin e Rrugës së Kombit. Supozohet se, me hyrjen në fuqi të koncesionit, lëvizja e automjeteve do të bjerë dhe qeveria do të financojë koncesionarin nga taksat e tjera, në një masë që llogaritet minimalisht 5 milionë euro në vit dhe maksimumi deri në 13 milionë euro.

Meditim vetjak për përllogaritjet që bëhen korridoreve dhe tryezave diplomatike lidhur me të ardhmen e Kosovës.

Dekalogu i një zgjidhje të qëndrueshme apo molla e sherrit?

Nga Bedri Islami

Prej disa javësh, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka hyrë, nëse mund të themi kështu, detit në këmbë, për të dhënë një zgjidhje të papritur , ndoshta edhe e dhimbshme, për të ardhmen e vendit të tij.

Që të dyja anët e medaljes qëndrojnë mbi të dhe basti i vënë është nga më të rrezikshmit; jo vetëm për vetë atë, por edhe për rrjedhimet që mund të ketë një rajon shumë më i gjerë se Kosova.

Duke qenë i vetëdijshëm se është e pamundur të ketë ndarje të Kosovës – ai nuk e ka përfshirë këtë ide në projektin që ende askush nuk e ka të qartë deri në fund ; duke e ditur mirëfilli se shkëmbimi i territorit është, po ashtu, një mision i parealizueshëm, ai gjeti një term politik, i cili nuk është përdorur deri tani – kotrigjimi i padrejtësive, i cili mund të tingëllojë si qasje nacionaliste, por që i mbuluar në mjegullën e paqartësisë dhe i nisur nga e djeshmja e Thaçit si shefi i qeverisë, periudhë në të cilën u bënë lëshime të mëdha ndaj agresivitetit politik serb, dyshimet janë më të ndjeshme.

Thaçi, sa vjen e bëhet më i kuptueshëm, por enigma mbetet. Ditët e fundit ai deklaroi se nuk do të ketë as ndarje të Kosovës, as ndryshim të kufijve, por do të kërkojë me 7 shtator që Lugina e Preshevës, e njohur m shumë si Kosova Lindore t’i bashkohet mëmësisë së saj, Kosovës.

Shumë e lehtë për t’u shtruar, shumë e pëlqyeshme për të qenë e vërtetë, shumë e vështirë për t’u besuar dhe praktikisht e pamundur, nëse pas saj nuk ka lëshime të tjera të papërballueshme për Kosovn dhe të dëshirueshme për shtetin serb.

Që nga qershori i vitit 1999, kur po tërhiqej nga Kosova, shteti serb dhe gjithë strukturat e tij, që nga Akademia Serbe dhe deri tek Kisha orthodokse e saj, duke përfshirë mes tyre edhe shërbimin e fshehtë dhe bandat e politikës, kanë menduar vetëm një gjë: kthimin në Kosovë , ose, në pamundësi të saj, rrëmbimin e sa më shumë të drejtave për serbët në Kosovë. Përvoja e serbizimit të Bosnjës ka qenë një praktikë e provuar prej tyre dhe këtë e kanë synuar edhe në Kosovë.

Deri tani, mjerisht, shumë herë pala shqiptare është thyer nga vrulli i ofensivës politike serbe; ata janë gjendur më shumë përballë njëri tjetrit se sa në krah të njëri tjetrit, si po ndodh edhe këto ditë. Kaq shumë deklarata kontradiktore ka në politikën shqiptare të Kosovës sa është e vështirë të marrësh vesh se kush është dhe me kë, cilët janë atdhetarët e cilët përfituesit.

Paraja serbe e futur në Kosovë, përmes një ingranazhi të sofistikuar, por të njohur mirë, ka bërë punën e saj dhe njerëzit që mund të vendosin, janë tulatur.

Shërbimi i fshehtë serb në Kosovë ka pasur dhe vazhdon të ketë njerëzit e tij në shumë struktura të larta të politikës dhe, për fat të keq, ata nuk do të mund të hiqen aq lehtësisht, në mos tjetër, vetë ndërtimi i tyre i favorizon ato.

Lëngimi i politikës shqiptare në Kosovë, kur ajo kishte mbështetjen më të fuqishme të perëndimit është e mundur të shpaguhet rëndë: njëri ndër boshtet ku është mbështetur kjo politikë ka filluar të lëkundet, ndryshimi i stafit drejtues në SHBA është pikëllueshëm i rëndë për deklarimet, si ato të këshilltarit për Siguri Kombëtare pranë Presidentit amerikan, John Bolton.

Megjithatë, nga burime pranë qendrave studimore të lidhura me Kosovën dhe gjithë rajonin përreth saj, mendohet se janë hedhur pikat kryesore që mund t’i parashtrohen dy presidentëve në 7 shtator apo edhe disa ditë më pas, kur gjërat të jenë më të qeta dhe kur presioni do të jetë më i lehtë se tani.

Cilat mund të jenë ato:

1- Serbia të njohë shtetin e pavarur të Kosovës dhe të bëjë modifikimet e duhura në Kushtetutën e saj.

Shënim – Njohja e Kosovës si shtet i pavarur nga shteti serb do të thotë pranimi de fakto dhe de jure i një realiteti të ri politik dhe do të kishte ndikim të jashtëzakonshëm për njohjen e mëtejshme të shtetit të Kosovës. Enigma mbetet në atë që qëndron pas kësaj njohje, cilat janë nënurat e këtij vendimi dhe a përputhen ato me aspiratat e popullit në Kosovë?

2- Të bëhet korrigjimi i kufirit të tashëm ekzistues duke kaluar dy komuna me popullsi dërmuese serbe, Leposaviqi dhe Leshaku në shtetin serb, ndërsa komuna e Preshevës të jetë pjesë e Kosovës.

Dy komunat tjera, Bujanovci dhe Medvegja, për shkak të përqindjes së madhe të banorëve serbë, nga dëbimi i shqiptarëve, të kenë të drejta më të ndjeshme autonomiste, por nuk do të jenë pjesë e Kosovës.

Meditim: Kjo mund të sjellë një reaksion zinxhir të pandalshëm dot, jo vetëm n trevat shqiptare,por edhe rreth tyre. Nga ana tjetër, braktisja e dy komunave shqiptare, nga të cilat banorët janë shpërngulur dhunshëm, do të mund të trajtohet si braktisje e bashkatdhetarëve dhe do të kemi pas pak vitesh dy komuna të tjera të zbrazura nga vendasit autoktonë.

Besohet se për miratimin e këtij ndryshimi, që nuk do të quhet shkëmbim territoresh, Presidenti i Kosovës do i drejtohet popullit përmes një referendumi, në të cilin është i bindur se do të ketë përkrahje të ndjeshme.

3- Si shenjë e pranimit të republikës së Kosovës dhe vendosjes së marrëdhënieve me shtetin serb, në të dy anët, të bëhet një amnisti e përgjithshme për të gjithë krimet e luftës dhe, në këtë rast, të ndalojë aktivitetin e saj Gjykata Speciale.

Shënim – një amnisti e tillë do e shfajësonte shtetin serb nga gjithë krimet që ka bërë në Kosovë në mënyrë institucionale. Krimet e pashembullta në Kosovë, sidomos në periudhën e luftës çlirimtare, janë të përbindshme; ata kanë marrë jetë e mijra njerëzve në emër të shtetit të tyre; ende mijra njerëz kërkojnë të afërmit e tyre.

Nga ana tjetër, pranimi i kësaj amnistie do të ishte dënim i rëndë për vetë luftën çlirimtare, pasi akuzat e hedhura nga Dik Marty dhe Karla Del Ponte, do të mbeteshin si fakte jetike dhe do e shoqëronin Kosovën në gjithë vazhdimin e mëtejshëm të jetës së saj.

Ideja e një amnistie të përgjithshme, e cila, si mendohet, vjen nga administrata amerikane, do lehtësonte trazimin e shum liderëve të sotëm politikë, në të gjithë forcat politike, të cilët ndjekin me ankth zhvillimin e hetimeve.

Si duket, edhe deklarata e vonshme e prokurorit të rë të përgjithshëm, se ende nuk ka gjetur fakte që mund të ngrihen akuza të plota, është rrjedhë e këtij mendimi.

4- Shtetet perëndimore që deri tani kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë presion ndaj shtetit serb, duke e kushtëzuar pozitën e saj ndërkombëtare me njohjen e shtetit të Kosovës, do të ndikojnë për pranimin e shpejtë dhe pa kushte të tjera të shtetit serb në strukturat e larta të BE.

Shënim: në fakt, ky është njëri ndër synimet më të rëndësishme të shtetit serb. Pranimi i saj në BE do të kishte zhvillime negative edhe për vetë Kosovën, e cila nesër mund të ndeshet me refuzimin e saj për të përfituar në minoritetin serb që ka në Kosovë, por do të bënte të mundur që edhe shteti shqiptar të kishte refuzimin serb për pranimin e tij në BE.

5- Kosova, pas njohjes së shtetit të saj nga Serbia do të marrë disa avancime ndërkombëtare, të mirëpritura dhe të domosdoshme për vetë statusin e saj, si pranimi në OKB fillimisht, e më pas në NATO, BE dhe struktura të tjera jetike.

Në fakt, megjithëse e mirëpritur, ky do të ishte bonusi që do i jepej Parlamentit të Kosovës, i cili, i ndodhur përballë kësaj dileme: ose pranimi në OKB e më pas në NATO e BE, duke pranuar këtë marrëveshje, ose qëndrimi larg tyre, do të mund të zgjidhnin mbështetjen e këtij pakti, edhe pse shumë prej tyre nuk do të ishin dakord. Partitë në pushtet, sipas përvojës së deritashme, me ndonjë përjashtim të pakët, do të ishin pro, edhe LDK-ja do të shkonte në këtë rrugç, problemi do të mbetej Lëvizja VV, e cila, duke e ditur se kohët e vështira janë në prag, duan të shpejtojnë me zgjedhjet e reja politike, për ndryshimin e qeverisë.

6- Formimi i Zajednicës, bashkësisë së komunave me shumicë serbe, nën një asosacion të vetëm, të përbashkët, i cili do të jetë fillimisht sipas planit të paraqitur nga Marti Ahtisaari dhe i miratuar nga parlamenti i Kosovës. 10 komuna me shumicë serbe, disa nga të cilat në veriun e Kosovës, do të kenë të drejta më të shumta autonomiste, por pa e shkëputur nga ligjet dhe vendimet e Parlamentit të Kosovës.

Shënim – Megjithëse nuk do të mund të jetë e shkruar fare qartë, krijimi i këtij Asosacioni do të kalojë përmes disa fazave; ai do të ketë rritje dhe ndjeshmëri më të lartë gjithëherë kur Kosovës do i afrohen përparësi politike e diplomatike, si në rastin e pranimit në OKB dhe kështu që, jo papritmas, ky Asosacion do të mund të ketë të gjitha atributet e një republike të re serbe brenda trupit të Kosovës, por shumë më e rrezikshme dhe më agresive se ajo e Bosnjës, pasi nuk është në një territor kompakt dhe ka me vete mbështetje të fuqishme nga shteti serb, si karamele për njohjen e shtetit të Kosovës.

  1. Zonat me rëndësi jetike për Kosovën, si Mitrovica apo qendrat e tjera jetike, nuk do të ndahen. Ata, edhe më tej do të administrohen si tani.

Shënim – në fakt, si thotë profesor rexhep Qosja, komuna e Mitrovicës së Veriut, është që tani si një komunë autonome e përtej saj. Srbët nuk do të synojnë ta bëjnë edhe publikisht të njohur një fakt, i cili, megjithatë, njihet.

Politika e 20 viteve në Kosovë çështjen e bashkimit të Mitrovicës e ka pasur slogan politik, një çështje sa për të shkuar kohën, asnjëherë dhe nga askush nuk është bërë diçka e vyer për të bërë bashkimin e një komune, e cila ka qenë gjithnjë bashkë.

Me krijimin e Asosacionit serb në Kosovë, kjo komunë, e Mitrovicës së Veriut, edhe m tej do të jetë e shkëputur faktikisht nga Kosova dhe e afruar me Beogradin.

Do të duhej domosdoshmërisht që në diskutimin e saj, dhe jo vetëm të saj, të vendosen pikat mbi “i”, për heqjen dorë të shtetit serb dhe strukturave të saj të ndërhyrjes në punët e Kosovës dhe të mbështetjes politike dhe informative të këtyre komunave.

8- Të bëhet definimi përfundim i kufijve, demarkacioni, sipas ndarjes administrative të shtetit jugosllav, duke pasur parasysh edhe pikat e cekura në marrëveshjen e mësipërme. Lëvizjet e natyrshme do të monitorohen nga ekip ndërkombëtar dhe miratohen nga parlamentet përkatëse.

Shënim – përvoja e demarkacionit me shtetin malazez dëshmoi se lehtësisht mund të falen pjesë të territorit shqiptar në veriun e tij, ashtu si ndodh edhe në jugun e Kosovës, në ndërlidhjen me shtetin maqedonas.

Sa herë që Kosova ka synuar të definojë kufijtë, aq herë ka humbur.

9- Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe struktura të fuqishme të institucioneve europiane të propozojnë pranë Komisionit të Posaçëm për Çmimin Nobel për paqe që të nominojnë presidentët Thaçi e Vuçiç për arritjen e marrëveshjes.

Shënim – Kjo, në fakt, do të ishte karamelja e fundit e një marrëveshje politike, e cila, kështu si është hedhur, shumë vetëve do i dukej si e pranueshme, por që , duke qenë baza e një diskutimi të gjatë dhe të vështirë, do të kishte pas vetes edhe pasoja të paparashikuara.

10- Mes Republikës së Kosovës dhe republikës së Serbisë, përmes strukturave dypalëshe dhe me praninë e institucioneve ndërkombëtare, të zgjidhen me marrëveshje dypalëshe të gjitha problemet e mbetura nga e kaluara, sidomos në fushën e energjisë, të sigurimit pensional, të lëvizjes së lirë, të tregtisë etj.

Në vend të mbylljes:

Dekalogu i menduar më sipër, i cili po diskutohet në shumë qarqe jashtë Kosovës, mund të mos i jetë i gjithi i shtruar në 7 shtator, por sinjalet janë dhënë se përmes tyre do të kalojnë shumë përplasje të fuqishme dhe, po ashtu, shumë lëshime të pasojshme.

Ndoshta vetëm ndonjëra prej tyre mund të realizohet.

Por diskutimi i shtatorit duhet të fillojë jo nga miqësia presidenciale, por nga njohja e menjëhershme e republikës së Kosovës, që gjërat të jenë të barabarta dhe të kalojnë atë cakun e padëshirueshëm të nëpërkëmbjes.

Në fund të fundit, ajo nga e cila trembem përsonalisht qëndron në thënien e vjetër se “asnjëherë krushqitë me serbët, aq më tepër, krushqitë politike, nuk kanë qenë në të mbarë të Kosovës”.


Koalicioni i lidhur para më shumë se një viti në mes të LDK-së dhe Alternativës, u shkëput mbrëmë nga kjo e fundit. Në Lidhjen Demokratike të Kosovës i kanë thënë Gazetës Express se ata nuk kanë qenë në dijeni për një gjë të tillë. Mirëpo, thonë se ka qenë pikërisht LDK-ja, që i ka ndihmuar ata të bëhen deputetë. E ky koalicion duket se i ka lënë shije të hidhur partisë së Isa Mustafës, pasi siç thonë zyrtarët e saj, ky mund të jetë koalicioni i vetëm parazgjedhor që ka bërë LDK-ja ndonjëherë, shkruan Express

Vepruan brenda një grupi parlamentar për më shumë se një vit, por mbrëmë vendosën që t’i ndajnë rrugët. Koalicioni parazgjedhor i lidhur në maj të 2017-ës në mes të LDK-së dhe Alternativës, u shkëputë mbrëmë nga kjo e fundit.

Sipas kryetares së Alternativës, Mimoza Kusari-Lilës, arsyeja e largimit nga koalicioni është pasi që partia ka ardhur në një pikë ku i duhet më tepër fokus promovimit dhe hapësirë më të madhe, jashtë LDK-së.

“Po, kemi dal nga grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Tash unë dhe Iliri do të jemi deputetë të pavarur në Kuvendin e Kosovës, duke e përfaqësuar Alternativën” ka deklaruar Kusari- Lila për Express.

Por, në Lidhjen Demokratike të Kosovës thonë se ata nuk kanë pasur ndonjë informacion për tërheqjen e tyre nga koalicioni, dhe thonë se kanë pasur hapësirë mjaftueshëm brenda LDK-së. 

Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri i ka thënë Gazetës Express se informacionin për daljen e Alternativës nga Grupi Parlamentar, ai e ka marrë vesh përmes portaleve.

Beqiri thotë se partia e Kusari-Lilës ka pasur hapësirë mjaftueshëm brenda Grupit Parlamentar. Madje, deklaron se është pikërisht Lidhja Demokratike e Kosovës që I ka ndihmur ata të bëhen deputetë.

“Informacionin për daljen e tyre nga Grupi Parlamentar i LDK-së, e kam pa në portale, pra nuk kemi pas ndonjë informacion se kjo do të ndodhë. Ne e respektojmë të drejtën e tyre që të jenë të pavarur, dhe padyshim ajo ombrellë, siç ka deklaru kryetarja e Alternativës, siç e lexova ombrellë e madhe e quajtur LDK, padyshim që iu ka ndihmuar të bëhen deputetë”, ka thënë Beqiri për Express.

Deklaron se është e drejtë e tyre që të të veprojnë si të pavarur, por thotë se nuk kanë ndonjë informacion për arsyeshmërinë e daljes së tyre, përveç asaj që kanë lexuar në portale.

E siç duket koalicioni me Alternativën duket se i ka lënë shije të hidhur partisë prej nga vjen Beqiri, pasi që siç thotë tërheqja nga koalicioni do t’I bëjë të mendojë më shumë që ky të mbetet i vetmi rast që LDK-ka ka bërë koalicion parazgjedhor.

“LDK-ja pra e ka pas një koalicion parazgjedhor, dhe është hera e parë që LDK-ja ka pas koalicion parazgjedhor jo vetëm me Alternativën por edhe me AKR-në, dhe ndoshta kjo na bën me mendu më shumë që ky të mbetet i vetmi rast që LDK-ja ka bërë koalicion parazgjedhor. Paszgjedhor sigurisht që duhet të bëhet, pasi që në Kosovë është vështirë për të fituar zgjedhjet si parti e vetme”, tha ai.

Beqiri deklaron se Alternativa nuk mund të ketë nuk mund të kenë asnjë arsyetim ose pretekst që kanë dal nga LDK-ja për ndonjë arsye të pengesave për ato që kanë dasht me i shpreh. Shton se uron vetëm suksese tash e tutje.

“Nuk qëndron absolutisht që nuk kanë pas hapësirë. Gjithmonë grupi parlamentar, jo vetëm deputetëve nga Alternativa por asnjë deputeti nuk i ka penguar që ta japin mendimin e tyre, ose e kanë shpreh ndonjë pakënaqësi. Nuk është e vërtetë dhe është totalisht e paqëndrueshme”, tha Beqiri për Express.

Ndërkohë, sipas Kusari-Lilës edhe pse janë larguar nga koalicioni, bashkëpunimi me LDK’në do të vazhdojë në kuadër të opozitës.

“Nuk ka ndryshim në politikat edhe qasjen në atë se çka ne jemi deklaruar deri tash sa i përket bisedimeve, qëndrojmë në të gjitha ato pika, sa i përket domosdoshmërisë së ndryshimit të formës së qeverisjes” u shpreh ajo


Pas një sondazhi online për ndërrimin e orës në atë të dimrit dhe të verës, ku shumica e qytetarëve është shprehur kundër, Jean-Claude Juncker, kreu i Komisionit Europian shprehet rregullorja do të shfuqizohet.

Së shpejti nuk do të duhet më të përgatitemi për kohën e dimrit dhe atë të verës përmes orës. Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker në një intervistë për  programin e mëngjesit të televizionit gjerman ZDF është shprehur, se pasi shumica e qytetarëve i ka thënë jo ndërrimit të orës, Komisioni Europian do të propozojë heqjen e këtij rregulli. “Njerëzit duan që ne ta bëjmë këtë.” Që këtë të premte Komisioni do të marrë vendimin përkatës. Pastaj e kanë radhën shtetet anëtare dhe Parlamenti Europian, e në fund nuk do të kemi më ndërrimin e orës në kohën e dimrit dhe të verës, tha Juncker.

Në një sondazh online, ku morën pjesë 4,6 milionë e qytetarëve të BE, shumica janë shprehur për mosndërrimin e orës në kohën e dimrit dhe atë të verës. 3 milionë pjesëmarrës në sondazh ishin nga Gjermania. Aktualisht në të 28 vendet anëtare të BE dhe vende të tjera të Europës dy herë në vit kemi ndërrimin e orës. Qëllimi i ndërrimit të orës ka qenë shfrytëzimi më i mirë i dritës së ditës për të kursyer energji, por vlera e vërtetë e kursimit gjithmonë ka qenë e kontestuar.

TAKIME ME PARTITË POLITIKE

Këshilli Nismëtar për themelimin e Kanalit Televiziv për Mërgatën po i vazhdon aktivitetet dhe takimet me partitë politike në Kosovë. Anëtarët e këtij Këshilli Nismëtar, Ragip Ramaj (Gjermani) dhe Arjan Melonashi (Itali), sot u pritën nga Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, z. Memli Krasniqi.
Fillimisht anëtarët e Këshillit Nismëtar për themelimin e Kanalit Televiziv për Mërgatën i prezantuan Nënkryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, z. Krasniqi, nisiativën për themelimin e Kanalit Televiziv për Mërgatën, rëndësinë dhe rolin që do të luajë ky kanal televiziv në ruajtjen e identitetit, kulturës, gjuhës shqipe dhe qenies shqiptare në përgjithësi, sidomos tek fëmijët dhe rinia shqiptare në emigracion.
Anëtarët e Këshillit Nismëtar për themelimin e Kanalit Televiziv për Mërgatën paraqitën modalitetet për themelimin e këtij kanali televiziv, ku si themelues dhe financues duhet të jetë Parlamenti i Republikës së Kosovës, ndërkaq duhet të funksionojë nën ombrellën e Mediumit Publik RTK-së dhe se ky kanal televiziv duhet të ketë pavarësi editoriale, kadrovike e financiare.
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, z. Memli Krasniqi, mirëpriti nisiativën e mërgimtarëve për themelimin e Kanalit Televiziv për Mërgatën, duke e quajtur një projekt me rëndësi strategjike kulturore e kombëtare, të cilin e përkrah ai dhe Partia Demokratike e Kosovës. Njëherit ai u interesua për modalitetet se si është menduar nga mërgata, përkatësisht nga Këshilli Nismëtar themelimi dhe funksionimi i këtij kanali televiziv. Në të mirë të themelimit dhe funksionimit të këtij kanali televiziv, z. Krasniqi kishte edhe propozimet e tij, duke sygjeruar që Këshilli Nismëtar për Kanalin Televiziv për Mërgatën duhet të jetë fleksibil, të ketë më shumë se një formë projekti dhe në këtë mënyrë themeluesi, por dhe Mediumi Publik RTK-ja, të përkrahin projektin më të mirë të mundshëm.
Përfaqësuesit e Këshillit Nismëtar për themelimin e Kanalit Televiziv për Mërgatën falënderuan Nënkryetarin Partisë Demokratike të Kosovës për pritjen, përkrahjen dhe sygjerimet që pati për themelimin e Kanalit Televiziv për Mërgatën, që në të vërtetë është përkrahje për mërgatën tonë.Po ashtu, z.Ramaj e z.Melonashi i premtuan Nënkryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, z. Krasniqi, se Këshilli Nismëtar për themelimin e Kanalit Televiziv për Mërgatën do të jetë bashkëpunues me Parlamentin e Republikës së Kosovës, Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe Radiotelevizionin e Kosovës për gjetjen e modaliteteve adekuate për themelimin e Kanalit Televiziv për Mërgatën, në përputhje me mundësitë reale që ka shteti ynë.

Këshilli Nismëtar për themelimin
e Kanalit Televiziv për Mërgatën

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha sot feston 29-vjetorin e lindjes, shkruan “Zëri.info”.

Bebe, gjatë ditës së sotme ka pranuar shumë urime për ditën e saj më të veçantë.

Prej këtyre urimeve nuk ka munguar edhe këngëtarja tjetër shqiptare, Rita Ora që ta uroj atë.

Rita ka zgjedhur një fotografi që është bashkë me Bëbën duke u puthur.

Kujtojmë, se në mbrëmjen e MTV në Nju Jork, dy bukuroshet shqiptare kanë shkëmbyer puthje në buzë mes vete. /Zëri