Shkup, 10 qershor – Nëse VMRO-DPMNE-ja e kryeministrit Nikola Gruevski do të shpallë zgjedhje para zgjidhjes së çështjes së emrit me Greqinë, atëherë partitë shqiptare do t’i bojkotojnë ato zgjedhje dhe do të shqyrtojnë mundësinë e bashkërendimit të aktiviteteve të tyre të mëtejme.
Burime partiake i thanë gazetës “Koha Ditore” se ky vendim do të jetë si rezultat i mospërmbushjes së aspiratave kryesore të të gjitha partive shqiptare – integrimi në BE dhe NATO, me ç’rast kushti kryesor është kompromisi me Athinën zyrtare për emrin e ri të shtetit.
Kjo vlerësohet të mos ia kthejë mendjen Gruevskit, i cili në tubimin e 15 qershorit në qendër të Shkupit pritet të grumbullojë rreth njëqind mijë simpatizantë, të cilët pritet t’i japin mbështetje politikës së tij. Në kremtimin e 20-vjetorit të themelimit të partisë vlerësohet se Gruevski do ta fillojë fushatën për zgjedhjet e parakohshme dhe do të tentojë të dëshmojë forcën e tij politike. Burime tona thonë se VMRO-ja ka filluar edhe grumbullimin e materialit propagandistik, i cili kryesisht po transportohet nga Kina. Gruevski thuhet të jetë i bindur se tani është momenti kur ai mund të sigurojë edhe një mandat katërvjeçar, ndoshta edhe të rrisë numrin e deputetëve nga ai që ka deri tani.
Partitë politike shqiptare nuk konfirmojnë, por as edhe demantojnë se do t’i bojkotojnë zgjedhjet e ardhshme nëse mbahen para gjetjes së zgjidhjes për emrin.
“Kryetari është prononcuar se zgjedhjet nuk do të përkrahen. Nuk mund të komentoj deklaratat e tij, sepse ishte i qartë se Maqedonia nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme. Ne si parti nuk do t’i mbështesim ato zgjedhje nëse shpallen”, ka theksuar zëdhënësja e BDI-së, Ermira Mehmeti.
Edhe Demokracia e Re mendon se Maqedonisë në këto momente nuk i nevojiten zgjedhje të parakohshme, por një unitet, me të cilin do të zgjidhej kontesti për emrin dhe do të mbylleshin kërkesat e shqiptarëve për barazi të plotë.
“Problemi i emrit paraqet një çështje serioze, e cila kërkon të zgjidhet urgjentisht pasi që të gjitha tentativat do të jenë të kota përderisa nuk zgjidhet kontesti mes Shkupit dhe Athinës. Përforcimi i demokracisë koncensuale dhe zgjidhja e çështjes së emrit duhet të jenë
prioritet për Qeverinë e Nikola Gruevskit, e jo zgjedhjet e parakohshme”, ka theksuar deputetja e DR-së, Flora Kadriu.
Kohë më parë për zgjedhje të parakohshme është shprehur vetëm Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), sipas të cilës “vetëm rrëzimi i kësaj qeverie është garanci për perspektivën e Maqedonisë dhe realizimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni”.
Opinioni i ekspertëve vlerëson se intenca e Nikola Gruevskit është e qartë – ai me çdo kusht dëshiron zgjedhje të parakohshme, ndërsa tubimi i 15 qershorit do të jetë një hallkë matëse për popullaritetin e tij. Megjithatë, ekspertët këshillojnë që partitë shqiptare të tregojnë unitet për t’i bojkotuar zgjedhjet eventuale, të cilat i planifikon Gruevski.
“Partitë politike nuk kanë nevojë për zgjedhje të parakohshme për arsye se politika nuk do të ndryshojnë. Në rast se partitë politike shqiptare do të mund t’i bojkotojnë zgjedhjet do të jetë mirë. Por, kështu si janë, do të votojnë për platforma të huaja dhe do të bëjnë vetëm amin për zgjedhje të parakohshme”, ka theksuar politikologu Alajdin Demiri.
Sipas tij, falë nacionalizmit, Gruevski ka gjasa të marrë një numër më të madh të deputetëve.
“Partitë politike shqiptare nuk e kanë të qartë se çfarë do të ndodhë në zgjedhjet e parakohshme, kujt i duhen dhe çfarë mund të ndryshojnë”, ka theksuar Demiri.