ZHURMË E MADHE RRETH NJË REZOLUTE QË MBËSHTET DHE SUGJERON BISEDIME TË KOTA ME SERBINË!
Prof.Dr.Mehdi HYSENI *** Derisa për Beogradin dhe për Moskën është e pranueshme Rezoluta(GA/10980), e aprovuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, më 9 shtator 2010, kjo do të thotë se për Kosovën nuk është e favorshme ngaqë sugjeron dhe thërret palën shqiptare që të hyjë në bisedime me Beogradin, ashtu siç ka propozuar dhe, ashtu si është marrë vesh pala serbe me BE-në me rastin e hartimit dhe të sponsorimit të Projekrezolutës së Serbisë, e cila me konsensus u miratua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.
Së pari, nuk e kam të qartë pse dhe për çka të hyhet në dialog me Serbinë, kur qarqet dhe institucionet më të larta shtetërore nuk e njohin Republikën e Kosovës. Për më tepër, ky vendim i tyre është sanksionuar edhe në tekstin integral të Rezolutës(GA/10980) së miratuar të Asamblesë së Përgjithshme të kombeve të Bashkuara, më 9 shtator 2010
Së dyti, Beogradi zyrtar e ka konsumuar kredinë e tij për të zhvilluar bisedime me palën shqiptare për çfarëdo qoftë çështjeje që ka të bëjë me Kosovën, sepse deri më tani (1999-2010) ka injoruar dhe refuzuar çdo iniciativë, çdo propozim dhe çdo marrëveshje paqësore për të zgjidhur problemet kontestuese me Prishtinën zyrtare.
Tash, pas mbylljes së kaptinës historiko-politike, juridike dhe kushtetuese të Kosovës(17 shkurt 2008), çfarë po kërkon Beogradi nga pala shqiptare dhe nga bashkësia ndërkombëtare? -Asgjë tjetër, veçëse, revidimit “paqësor” të pavarësisë së Kosovës, me qëllim që atë ta rikthente nën sovranitetin e dikurshëm kolonial të Serbisë.
Ky është motivi dhe objektivi parësor pse politika zyrtare e qeverisë së Serbisë ka pranuar të arrinte kompromis me BE-në, me Kombet e Bashkuara dhe me Amerikën që, në mënyrë diplomatike dhe paqësore, ta detyronin palën shqiptare për hyrë në bisedime të reja me Serbinë. Këtë, pala shqiptare e di, por po shpreson se balancën politike, do ta kthejë në favortin e mbrojtjes së interesit të saj, duke mos pranuar që në ato biseddime me palën serbe, ta debatojë çështjen e statusit ekzistuese të Republikës së Kosovës.
Mirëpo, një imperativ i tillë i politikës iluzore të Prishtinës, është vështirë të arrihet, sepse pikërisht në ato bisedime, së pari, do ngrihet çështja e statusit politik dhe territorial e minoritet serb jo vetëm në Veri, por në mbarë Kosovën. Si rrjedhim, nëse vjen në shprehje diskutimi i statusit politik i serbëve në Kosovë, logjikisht, është e pamundur, të mos preket statusi i pavarësisë së Kosovës. Atëherë, pse Prishtina zyrtare ka pranuar që të hyjë dialog me Beogradin, ku e ka parë ajo interesin e ndërsjellë me palën serbe? -Askund! Nuk ekziston kurrfarë reciprociteti realist përmbajtësor, që pala shqiptare të hyjë në bisedime me palën serbe, pavarësisht nga Rezoluta e theksuar e AP-së së Kombeve të Bashkuara, ku thuhet se: “…dialogu i propozuar midis palëve do të ndihmonte avancimin e bashkëpunimit, arritjen e progresit drejt Bashkimit Evropian, si dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së njerëzëve.”(www.un.org/News/Press/docs/2010ga10980.doc.htm).
Sipas Rezolutës (GA/10980) Kombet e Bashkuara (veç konfirmimit të opinionit këshillëdhënës të GJND-së për Kosovën) e kanë mbështetur dhe “mirëpritur gatishmërinë e Bashkimit Evropian që ta lehtësojë dialogun midis Serbisë dhe Kosovës përkitazi me Deklaratën unilaterlae të pavarësisë së provincës, duke pohuar se procesi i bisedimeve të tilla vetiu do të jetë faktor i paqes, i sigurisë dhe i stabilitietit në rajonin e Ballkanit.”(www.un.org/News/Press/docs/2010ga10980.doc.htm).
Me gjithë sugjerimet e kësaj Rezolute (e cila juridikisht nuk është e obligueshme për asnjërën palë), që Beogradi dhe Prishtina, të fillojnë dialogun mes tyre, kjo nuk është interes të palës shqiptare, edhe pse ajo ka rënë dakord, dhe ka përqafuar këtë Rezolutë të AP-së së Kombeve të Bashkuara.
Se çfarë bisedimesh dhe çfarë kompromisi politik mund të arrijë pala shqiptare, BE-ja dhe Amerika me Serbinë, kur edhe në këtë Rezolutë, në paragrafin e katërt të saj, thuhet: “ Serbia nuk e njeh dhe, kurrë nuk do ta njohë Kosovën”(Vuk Jeremiq, ministër i Jashtëm i Serbisë).
Bisedimet për statusin special të serbëve në Kosovë!
Ashtu, siç kemi pohuar edhe më parë, hyrja e palës shqiptare në bisedime me palën serbe (pavarësisht se ç’thotë Rezoluta 10980 e AP-s së Kombeve të Bashkuara, e miratur më 9 shtator 2010), do të passjellë njohjen e statusit sepecial të autonomisë së minoritet serb në Kosovë, të nënshkruar dhe të garantuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Asgjë tjetër në favor të shqiptarëve. Kjo është prapavija e “diplomacisë paqësore” e aranzhimit të dialogut të ri politik serbo-shqiptar.
Edhe pse në asnjë fjali dhe, në asnjë paragraf të Rezolutës së theksuar nuk flitet se Beogradi dhe Prishtina, do të debatojnë për statusin politik të Kosovës, le të kuptohet se kjo do të jetë “tema kryesore” e dialogut të ardhshëm serbo-shqiptar nën patronatin e Bashkimit Evropian dhe të faktorëve të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare.
