Adem Demaçi i ka kualifikuar udhëheqësit politikë të Kosovës si njerëz që thonë “po” për çdo gjë që u kërkohet atyre nga bashkësia ndërkombëtare. Ai i ka përkufizuar “yesmanë” njerëzit që e përbëjnë estabilishmentin politik të vendit, të enjten kur e ka mbajtur një ligjëratë përpara studentëve të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, me temë “Defektet e politikës së Kosovës në raport me bashkësinë ndërkombëtare”.

“Shumica e këtyre, po të mos ishin ‘yesmanë’, asnjëri prej tyre, qofshin në pozitë a në opozitë, nuk do të ishin të instaluar aty ku janë. Përzgjedhja e tyre është bërë pikërisht sepse kanë dhënë provime që janë ‘yesmanë’ dhe se mendojnë të jenë të tillë nëpër situata të ndryshme”, është shprehur ish-i burgosuri shqiptar me më së shumti vjet në ish-Jugosllavi. “Fatkeqësisht, po them, ata shumica janë ‘yesmanë’ dhe kjo është ajo pjesa e defektit të politikës kosovare që duhet ta shtyjë popullin që të vetëdijesohet që t’i dallojë gjërat që shihen”, ka thënë ai.Demaçi është shprehur i pakënaqur edhe me mënyrën se si Kosova qe bërë me aktin më të lartë juridik – Kushtetutën – para dy vjetësh.

“Të pranohet një kushtetutë pa kurrfarë referendumi, pa e qitur në diskutim në popull, kjo ishte një padrejtësi për këtë popull, sepse kushtetuta është ligji më i lartë për këtë popull”, tha ai. (Express)/