volers Ambasadori amerikan në Shkup, Pol Volers ka shprehur shqetësime lidhur me korrupsionin në Maqedoni.

Ai ka theksuar se nuk është qesharake, por shumë e dhimbshme ajo që në Maqedoni në vitin 2013 nuk ka pasur asnjë të dënuar për korrupsion.

“Komisioni Antikorrupsion në vitin 2013 ka hetuar 228 raste për korrupsion dhe numri nuk është i vogël duke pasur parasysh madhësinë e vendit tuaj. Zero raste të dënuara. Kjo do të thotë se korrupsioni në Maqedoni është e barabartë me zero dhe nuk është qesharake, por më shumë është e dhembshme”, theksoi Volers.

Sipas tij, askush nuk mund të ketë imunitet ndaj ligjit, pa marrë parasysh se në çfarë pozite është dhe nga cila parti vjen.

Korrupsioni në Maqedoni është problem më i madh i radhitur në vendin e gjashtë, sa i përket vlerësimeve të qytetarëve të anketuar. Korrupsioni vjen si shqetësim pas papunësisë, varfërisë, rrogave të ulta dhe çmimeve të larta, treon raporti i realizuar nga qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (MCMS) në Shkup, të realizuar në kuadër të Programit të USAID  për luftën kundër korrupsionit.

Në këtë raport theksohet se një pjesë e politikave për luftën kundër korrupsionit nuk janë në përputhje me nevojat reale.Qytetarët kanë theksuar se janë të përballur me lloje të ndryshme të korrupsionit, ku protagonist janë administratorët shtetëror. Në rend të parë më të korruptuar radhiten doganierët dhe gjykatësit, por edhe mjekët.