Vendosen statuja në pjesët tjetër të Urës së Gurit në Shkup
Statuja të tjera grandioze janë vendosur në anën e majtë të Urës së Gurit dhe lumit Vardar, e cila lidhet me Çarshinë e Vjetër në Shkup.
Statujat e vendosura të rilindasëve sllav Shën Kirili dhe Metodi dhe Shën Klimenti dhe Naum Ohridski janë pjesë e projektit “Shkupi 2014”.
Të dy statujat janë të shkrira në bronz të cilët kanë një çmim prej mbi 1 milion euro, të punuara nga agjencia italiane për arte Frokaro Arte Viçenca.
Këto janë statujat që dalin jashtë sheshit qendror të Shkupit, atje ku janë paraparë të vendosen edhe statuja të tjera të personaliteteve historike sllavomaqedonase, në mesin e të cilave janë paraparë edhe katër statuja të personaliteteve historike shqiptare. Projekti “Shkupi 2014” që ka një kosto prej rreth 200 milion euro, parasheh vendosjen e 17 statujave të mëdha, mes të cilave edhe ajo e Aleksandrit të Madh, por edhe ndërtimi i objekteve dhe meremetimi i pjesës qendrore të Shkupit (INA)