Kryetari i PDK, Hashim Thaçi në Istog, vend ky që njihet si bastion i LDK-së, ka thënë se nuk do të bëjnë koalicion me ata që kanë braktisur qeverinë dhe as me ata që kanë keq qeverisur me vendin.

Thaçi ka premtuar në Istog se mandati i ardhshëm katërvjeçar do të jetë i integrimeve euroatlantike dhe anëtarësimit në OKB.

Ndërkaq, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se kjo parti mbështet “Filozofinë Rugoviane”. Këtë Mustafa e ka thënë në takimin e sotëm me qytetarë të Prizrenit.

Mustafa kërkoi nga prizrenasit që ta mbështesin LDK-në, duke u premtuar se qeveria e udhëhequr nga kjo parti do t’u ofrojë atyre zhvillim ekonomik dhe integrim të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

AAK-ja ka vazhduar edhe sot fushatën e saj, por sot në Pejë, qytet ky që njihet për mbështetjen ndaj kësaj partie.

Në këtë vizitë, përfaqësues të AAK-së kanë thënë se pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit qeverinë do ta udhëheqë Ramush Haradinaj.

Blerim Shala, nënkryetari i parë i AAK-së, tha se bashkimi i AAK-së me listën “Ibrahim Rugova” do të sjellë një qeveri, e cila i duhet Kosovës dhe e cila po kërkohet edhe nga faktori ndërkombëtare. Këtë qeveri, siç tha Shala dihet se do ta udhëheqë Ramush Haradinaj