image

 Kreu i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi ua tërhoi vërejtjen ndërkombëtarëve se duke përkëdhelur, siç u shpreh arrogancën e qeverisë së Maqedonisë dhe duke mbështetur servilizmin dhe inferioritetin e BDI-së, është bërë pjesë e krizës dhe jo e zgjedhjes së saj. Thaçi tha se shqiptarët e Maqedonisë asnjëherë nuk kanë qenë në pozitë më të vështirë se tani dhe sipas tij fajtor kryesor për këtë është  politike servile dhe inferiore e BDI-së.
“Faktorit ndërkombëtarë duhet t’i bëhet me dije se duke përkëdhelur arrogancën e qeverisë së Maqedonisë dhe duke mbështetur servilizmin dhe inferioritetin e BDI-së është shndëruar edhe ai vetë në pjesë të krizës, dhe jo të zgjedhjes së krizës. Situata politike, ekomonike dhe kombëtare e shqiptarëve të Maqedonisë, kurrë nuk ka qenë më e rëndë se tani. Bashkëpunëtorët e Ali Ahmetit dhe ish bashkëpunëtorët e tij që e mbështetën atë janë tejmase të zhgënjyer prej inferioritetit të atij”, deklaroi Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.
Sipas Thacit, konflikti i vitit 2001 nuk kishte për qëllim avansimin e cështjes shqiptare, por degradimin e të drejtave të tyre dhe për përjashtimin e politikës kombëtare të  PDSH-së.
“Tanimë të gjithë kanë kuptuar se konfliktin që e ndezi ai dhe instalimi i  tij në skenën politike shqiptare kishte një qëllim banal, të nxjer jashtë loje PDSH-në. Deri më tani ai si mercenar i regjur veproi në dy drejtime. Kontestimin e politikës mbarkombëtare të shqiptarëve, anulimin e kërkesave të shqiptarëve dhe uljen e nivelit të tyre. Dhe destruktimin e subjektit politikë shqiptarë në përgjithësi”, shtoi Menduh Thaçi.
Sa i përket çështjes të emrit, Thaçi tha se pa zgjidhjen e këtij kontesti Maqedonia nuk mundë të bëhet pjesë e NATO-s dhe BE, por sipas tij, klika që aktualisht drejton Maqedoninë refuzon zgjidhjen e këtij kontesti dhe me këtë edhe integrimin e vendit. Kreu i PDSH-së, këto vlerësime i bëri gjatë konferencës për shtyp kushtuar punës dy vjeçare të Qeverisë së VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së .
Bashkim Sulejmani