image
Adelina MARKU-Të votosh apo të bojkotosh? Ose të masturbosh apo të bësh dashuri, në gjuhën e Zhizhek ( Më falni për dozën e filozofëve në shkrimin tim!). Thelbi i vendimit përfundimtar mbetet i pakuptueshëm prej tjetrit, biles ai shpeshherë mbetet i pakuptueshëm prej vendimmarrësit

‘’Nëse nuk i bëjmë me moral dhe të pjekur atëherë si mund t’i bëjmë njerëzit e lumtur?’’ – ka pyetur Kanti dikur për t’u lexuar edhe sot. Këtë mendim/ dilemë të tij sot e thonë politikanët por dhe hoxhallarët e priftërinjtë. Nuk ‘’e përdorin’’ ë, ka dallim megjithatë, ‘’e thonë’’ , ‘’e transmetojnë’’ …herë –herë pa e kuptuar përse biles, mjafton të citojnë një Kant.
Ka më shumë se dy dekada e që i mbetem besnik gjykimit se politikani nuk të krijon dot ideologjinë politike (bindjen) të sjelljes së qytetarit ndaj shtetit apo shtetit ndaj qytetarit, e as hoxha e prifti nuk të mësojnë dot kodin e moralit, sado t’i këndojnë Librat e shenjtë e të duan të të kthejnë në besim përmes fesë. Pasi, sjellja qytetare imja ndaj shtetit dhe ‘’via versa’’ nuk mund të dozohet nga prurjet e ideologjisë, por vetëm nga kuptimi im i lirë për ideologjinë politike që do preferoja e jodoemosdoshmërisht; dhe e dyta: nuk më bën me më shumë me besim feja sepse ka njerëz që zgjedhin të kuptojnë religjionin jo gjithmonë përmes fesë. Nëse presim lumturinë të na e definojnë politikanët dhe të na e frymojnë hoxhallarët , atëherë më mirë të shpallim dorëzimin!
‘’ Dorëzohem , pasi s’dua të më vrisni…dua të jetoj!’’– dëgjoj të këndojnë në korr shqiptarët në Maqedoni.
Më lejoni të përdor një parafrazim klishe mbi demokracinë dhe lumturinë , thotë : ‘’Voto- është hap drejt lumturisë!’’. Është paksa parullë futuriste, madje me dozë komuniste, por që e arsyeton veten pasi në demokraci ka dhe të tillë, futuristë e komunistë e lukuni ‘’ist’’-ësh . Nuk do hyjmë në nivelet gjerdeliriane të lumturisë, por do flasim për lumturinë e kategorisë sociale, atë mediokren paksa, atë që ka të bëjë me 75%-shin e masës e cila duhet të dyndet , të zgjohet që njëri nga politikanët të fitojë zgjedhjet. Lumturinë politikani e kërkon tek vota e 75% shit të bazës së piramidës që do figuronte shoqërinë. Mbi 75% -shin radhitet 15%-shi i votuesit të informuar mirë, ndërsa mbi 15%-shin radhitet 9%-shi i votuesit të elitës së shoqërisë , e 1%-shi ka të bëjë me ata që sjellin vendime mbi jetët tona , politkbërësit.  Kjo formulë është e përdorshme për të gjitha shoqëritë e cilit-do lloj shteti në botë.
Nëse korri shqiptar (pa dirigjent) këndon ‘’Himnin e dorëzimit’’, cilat do të ishin arsyet për të votuar e cilat për të mosvotuar. Ose , si mund të matnim garën mes Lumturisë kundra Dorëzimit e via/vs ( në gjuhën e Kantit )?
Vota megjithatë është një paradoks i shumësisë së gjërave të cilat e vënë në lëvizje shoqërinë. Por tek sot, më besoni, për herë të parë pyes veten troç: përse kam votuar gjer më tani, cili ishte ai mendimi apo forca shtytëse që më ka bërë të hyp busin e të marr rrugën në Dibër për të lëshuar votën time dikujt ? Ndoshta vota ime kishte të bënte me një mini-akt lumturie, e cila mua më bind’te se kam rrëshqitur për t’a vazhduar jetën time nga një periudhë e monizmit në një periudhë të pluralizmit. Po, por, unë sot bindem se megjithatë kam votuar me MONIZËM , jo me PLURALIZËM! Madje as nuk kam pritur dikush të më bindë fuqishëm nëse ai/ajo e meriton votën time e atë të familjes sime . I kam kursyer politikanët të bëjnë punën e tyre! Ç’hajvanllëk ë! Kam votuar përmes një dogme sharrlatanshëm të krijuar për t’u mbështetur hajthshëm mëpastaj.
Si ishte të votoja me MONIZËM? Ishte akt i minutit të fundit, akt i cili nuk ishte si rrjedhojë i një analize të mirë të asaj se ç’kish ndodhur para ditës së votimit, ishte si të thuash një AKT I GJESTIT TË MIRË!
Por si do dukej AKTI I GJESTIT NDRYSHE? Do dukej pluralist, pasi në vete do kishte  analizë, do kishte qasje, do kishte pritje, do kishte rezultat, durim madje do kishte dhe libidon e duhur.
Të votosh apo të bojkotosh? Ose të masturbosh apo të bësh dashuri, në gjuhën e Zhizhek ( Më falni për dozën e filozofëve në shkrimin tim!). Thelbi i vendimit përfundimtar mbetet i pakuptueshëm prej tjetrit, biles ai shpeshherë mbetet i pakuptueshëm prej vendimmarrësit. Por edhe vota edhe bojkoti janë DEMOKRACI, ashtu siç edhe masturbimi dhe dashuria janë KËNAQËSI. Do i përgjigjesha kësaj radhe thirrjes për të votuar vetëmse nëse sfida do ishte analitike dhe me prurje konkrete, nga njerëz të vendosur , por njëkohësisht do i bashkëngjitesha thirrjes për bojkot vetëm atëherë kur ajo thirrje të ishte analitike dhe me rezultat. Akti MONIST i votimit tim të gjertanishëm prodhoi politikanë ‘’të mirë’’, për të cilët BERTOLT BREHTI shkroi fort:
Ja se ç’tha për ‘’Hetimin e të MIRIT’ Brehti:

“Dila para: kemi dëgjuar
Se ti na qenke njeri i mirë
Se nuk mund të blihesh, por as rrufeja
Që bie mbi shtëpi
Nuk mund të blihet.
Ti nuk e shkelke fjalën që jep.
Po çfarë the?
Na qenke i ndershëm , thua mendimin tënd,
E çfarë mendimi?
Na qenke trim.
Përballë kujt?
Na qenke i zgjuar.
Për kë?
Nuk i marrke parasysh avantazhet e tua personale.
Avantazhet e kujt pra do marrësh parasysh?
Na qenke mik i mirë.
A je aq mik i mirë për njerëzit e mirë?

Na dëgjo pra: ne e dimë
Ti je hasmi ynë. Prandaj ne tani
Do të të vëmë ballë një muri. Por në konsideratë të meritave dhe cilësive të mira që ke
Do të të vëmë ballë një muri të mirë dhe do të qëllojmë
Me një plumb të mirë nga një pushkë e mirë dhe do të të mbulojmë
Me një lopatë të mirë , në dheun e mirë’’

Atëherë, votoheshka pluralisht por dhe bojkotoheshka pluralisht sikur të ishim të gjithë vëzhgues pluralist të demokracisë! Të votojmë apo bojkotojmë ! Le të flasim, le të mendojmë, koha ik!

Vota megjithatë është një paradoks i shumësisë së gjërave të cilat e vënë në lëvizje shoqërinë. Por tek sot, më besoni, për herë të parë pyes veten troç: përse kam votuar gjer më tani, cili ishte ai mendimi apo forca shtytëse që më ka bërë të hyp busin e të marr rrugën në Dibër për të lëshuar votën time dikujt?