description

Ndonëse dënimi prej 11 muaj burg kundër liderit të lëvizjes “Vetëvendosje” vazhdon të cilësohet si i padrejtë dhe në kundërshtim me të gjitha normat ligjore, si nga vetë Kurti dhe përfaqësuesit e Këshillit Kundër Procesit Gjyqësor ndaj tij nga të gjitha trojet shqiptare, ky i fundit tha të shtunën, në një konferencë për medie, se nuk e ka ndërmend të ankohet për dënimin e shqiptuar, sepse as nuk e ka njohur gjyqin kundër tij, nuk do ta njohë as tash për ta ushtruar të drejtën ligjore të ankesës. “Unë nuk do të ankohem për këtë vendim që kanë marrë të hënën që shkoi, për shkak se nuk dua t’i ankohem instancës të cilën nuk e njoh dhe nuk e pranoj”, tha kreu i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti. Ndryshe, sa i përket interpretimit ligjor, nëse ai ia mundëson apo pamundëson kandidimin në zgjedhjet për të cilat është deklaruar” VETËVENDOSJA” se do të marrë pjesë në to, ai tha se kjo çështje duhet të studiohet mirë dhe interpretohet si duhet nga ekspertët ligjorë, për çka akoma nuk ka pasur ndonjë analizë konkrete.

Të gjithë përfaqësuesit e Këshillit Kundër Procesit Gjyqësor ndaj Albin Kurtit, të cilët vijnë nga Shqipëria, Mal i Zi, Lugina e Preshevës, Maqedonia dhe Kosova, janë shprehur të shtunën kundër këtij procesi dhe kanë vazhduar të kërkojnë nga organet kompetente, vendore dhe ndërkombëtare, për sundimin e rendit dhe ligjit, që ta rishikojnë këtë proces, që vetëm fajtorët e vërtetë që shkaktuan viktima në ngjarjet për të cilat është akuzuar Kurti, të hetohen dhe nxirren para drejtësisë ndërkombëtare, mbi bazën e ligjeve ndërkombëtare. “Ngjarjet e fundit shkuan plotësisht në kundërshtim me vullnetin e 175 mijë nënshkruesve nga të gjitha trevat shqiptare, të cilët kërkonin mbylljen e procesit gjyqësor dhe hapjen e procesit të hetimeve të pavarura për viktimat e 10 shkurtit 2007”, tha Dejona Mihali, përfaqësuese e Këshillit Kundër Procesit Gjyqësor ndaj Albin Kurtit nga Shqipëria.