editaZëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka treguar se është mbajtur takimi i dytë i radhës në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e marrëveshjes së telekomit.Pas këtij takimi, Tahiri ka thënë se janë shënuar përparime mjaft të mëdha në të gjitha aspektet e përcaktimit të obligimeve dhe afateve kohore për të dyja palët sa i përket zbatimit të marrëveshjes së telekomit.
Ajo është shprehur optimiste se plani i veprimit mund të kompletohet së shpejti për t’i hapur rrugë zbatimit në praktikë të marrëveshjes së telekomit.
Tahiri ka bërë të ditur se pala e Kosovës ka insistuar që të mos krijohen pretekste të pabaza për zvarritjen e planit të veprimit,  pasi që marrëveshja e arritur është e qartë. “Ne kemi kërkuar që Bashkimi Evropian t’i nisë përgatitjet për procesin e ndihmës që do t’ia ofrojë Kosovës për marrjen e kodit telefonik nga Organizata Ndërkombëtare e Telekomunikacionit (ITU). Në takim është biseduar edhe çështja e shpejtimit të marrëveshjeve roming mes operatorëve të të dyja shteteve, me qëllim të uljes së kostos së shërbimeve të telefonisë mobile për qytetarët. Në këtë takim palët u pajtuan se kufiri frekuencor mes dy shteteve duhet të respektohet dhe të mos ketë më ndërhyrje në brezin frekuencor të njëra-tjetrës, duke respektuar plotësisht standardet e ITU-së në këto çështje, ndërsa u shpreh gatishmëri për bashkëpunim të ndërsjellë rreth agjendës për digjitalizim”, ka thënë Tahiri.