Mirjeta ISLAMI–KOHA
Shkup, 15 tetor – Lustrimit i shtohen momente të reja. Tre dosje, të cilët supozohet se u takojnë zyrtarëve të Bashkimit Demokratik për Integrim, të martën profesor Shpend Lushi i ka dorëzuar në Komisionin e Lustrimit. Lushi ka zbuluar se materialet, pas të cilëve fshihen tre zyrtarë të partisë së Ahmetit, njëri nga Dibra dhe dy nga Kërçova, i ka gjetur të martën
Profesor Lushi, ka zbuluar se dosjet që sot i ka dorëzuar deri tek Komisioni, i ka gjetur të martën mbrëma para derës së shtëpisë së tij. “Dosjet janë lënë nga një person, kurse unë sot i kam sjellë në Komisionin për Lustrim”, ka thënë profesori nga USHT-ja, i cili ka beson se bëhet fjalë për dokumente nga shërbimet serbe të inteligjencës, që flasin për përfshirjen e disa nga funksionarëve të lartë shqiptar aktual në Maqedoni. “Strelac”, “Mama” dhe “Ujka” janë pseudonimet e tre zyrtarëve të BDI-së së Ali Ahmetit, që pretendohet se kanë bashkëpunuar me shërbimet sekrete serbe dhe që tek shërbimet sekrete serbe, kanë raportuar për aktivitetet e shqiptarëve në diasporë, duke përfshirë këtu edhe veprimtarinë e vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. “Para Komisionit për verifikimin e fakteve dorëzova tre dosje. Erdha në vendin e duhur për ta kryer obligimin qytetar. Për më tutje do të vendos Komisioni, nuk përzihemi në punën e tyre. Bisedohet për dosje të tre bashkëpunëtorëve, emrat e të cilëve nuk do t’i përmendi. Në këta dosje ka funksionar, deputet edhe ministër. Mbetet të presim vendimin e Komisionit”, tha profesor Lushi, duke akuzuar se tre zyrtarët janë pjesë e ngushtë e partisë shqiptare në qeveri. “Nuk është në rregull të shpallim emrat para kohe, vetëm themi se bisedohet për tre persona. Dokumentet i ka lënë dikush para oborrit, e tash nuk e di a jam i pari apo i fundit që i janë lënë këto dokumente. Dëgjova se edhe persona tjerë i kanë pranuar këta dokumente. Emrat e personave nga dosja janë nga partia shqiptare në qeveri”, tha Lushi.
Çështjen e tre dosjeve nuk e ka komentuar gjatë kryetari i Komisionit për Lustrim, Tome Axhiev. Axhiev megjithatë ka thënë se dorëzimi i materialeve nga Lushi, është hera e parë që në Komisionin që drejton ai, arrijnë dokumente të këtilla.
“Ende nuk i kemi parë dokumentet dhe nuk e dimë se për cilat persona flitet. Dosjet do t`i evidentojmë, kontrollojmë dhe pastaj do të veprojmë. Tani për tani nuk kemi asnjë informatë tjetër. Është hera e parë që në përputhshmëri me Ligjin, na arrijnë dokumente të tilla”, tha Axhiev. Ai para gazetarëve ka informuar po ashtu se procedura për hetimin e deputetëve të Parlamentit të Maqedonisë tashmë ka përfunduar, përveç vazhdimit të hetimeve për njërin deputet. “Për vetëm një deputet po vazhdojnë hetimet”, ka thënë kryetari i Lustrimit. Ai madje ka mohuar spekulimet mediave se Komisioni për Lustrim ka kërkuar ndihmë nga Beogradi për disa dosje. Axhiev ka thënë se Komisioni që drejton ai, nuk ka ingerenca të kërkojë nga institucionet jashtë vendit informata, por se këtë duhet ta bëjnë institucionet tjera brenda Maqedonisë, duke aluduar në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Drejtorinë e Sigurimit dhe Kundërzbulimit.