Sot nis ndërtimi i autostradës
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vlerësuar se ndërtimi i autostradës Morinë-Merdare do ta ketë efektin e vet jo vetëm për Kosovën, por për gjithë rajonin dhe proceset
integruese evropiane.
Ndërtimi i autostradës Morinë-Merdare, e cila është cilësuar si projekt madhor nga autoritetet në Kosovë dhe Shqipëri, do të nisë sot.Duke e vlerësuar si shumë transparent procesin e ndërtimit të autostradës që lidh Kosovën me Shqipërinë, Thaçi ka thënë se ajo krijon mundësi të daljes në det për Kosovën.
Konzorciumi amerikano-turk “Bechtel & Enka” do të jetë përgjegjës për ndërtimin e autostradës, e cila parashikohet të jetë e gjerë 28 metra, me 4 shirita qarkullues, me mundësi të
kyçjes në çdo qendër.
Zbatimi i projektit për ndërtimin e autostradës thuhet se do të kushtojë rreth 700 milionë euro.
Gjatë tri vjetëve të ardhshëm, sa parashihet të zgjasë ndërtimi i autostradës, pritet të punësohet një numër i konsiderueshëm i kosovarëve.
Në një paragraf të kontratës për ndërtimin e autostradës, të nënshkruar nga Qeveria e Kosovës dhe kompania “Bechtel & Enka”, thuhet se rreth 40 për qind e punimeve të
drejtpërdrejta në trasenë e rrugës, do t’i kryejnë kompanitë vendore.
