S'kemi bukë, protestojmë për politikë
Edhe pse më shumë se gjysma e shqiptarëve të Maqedonisë jetojnë nën pragun e varfërisë, ata asnjëherë nuk kanë protestuar për çështje ekonomike e sociale. S’kanë ujë, s’kanë punë, s’kanë kushte minimale për të jetuar dhe sërish nuk e ngrenë zërin. Ekonomistët vlerësojnë se popullata shqiptare fokusohet në aspektin politik duke e anashkaluar sferën ekonomike. “Fuqia politike varet nga fuqia ekonomike”, thotë profesor Izet Zeqiri, duke shtuar se partitë politike shqiptare asnjëherë nuk i shpalosin aktivitetet e tyre ekonomike, por merren vetëm me çështjet e pazgjidhura politike. “Politikanët identifikohen me raportet, me politikat që i prezanton qeveria, ndërkaq që nuk lidhen me programet ekonomike të partive politike shqiptare”, thotë ai. Zeqiri sqaron se tek shqiptarët nuk është krijuar një kulturë e përgjithshme, se problemet ekonomike janë më të rëndësishme se ato politike.
Edhe ekonomisti Llokman Hebibi vlerëson se sfera ekonomike ka një ndikim të madh në zhvillimin dhe stabilitetin politik. “Duke pas parasysh se të gjitha çrregullimet politike e kanë prejardhjen nga krizat që paraqiten si rezultat i papunësisë, mossigurimit të ekzistencës, etj”, thotë Hebibi. Ai, për këtë nuk do ta fajësonte aspak popullatën shqiptare, pasi, siç thotë ai, ajo shumë pak ka qenë e kyçur nëpër ndërmarrje ekonomike dhe nëpër sindikata. “Popullata shqiptare në Maqedoni shumë pak është e kyçur në ekonomi, përpos bizneseve private. Duke filluar nga parimi se kohëve të fundit ka nis të funksionojë Oda Ekonomike Veriperëndimore që do të japë efekte pozitive në zhvillimin ekonomik së pari të ndërmarrjeve dhe në atë kuptohet edhe në rritjen e punësimeve në Maqedoni”, thotë Hebibi. Ai konsideron se pjesa më e madhe e shqiptarëve jeton në varfëri të skajshme. “Një pjesë e shqiptarëve jetojnë prej ndihmave sociale, si rezultat i mos angazhimit në biznese konkrete, duke marrë parasysh se ndërmarrjet shtetërore që kanë qenë më parë kanë pas të inkuadruar shumë pak punëtorë shqiptar”, sqaron Hebibi, duke shtuar se ka ardhur koha që ti jepet një theks i veçantë avancimit ekonomik. Ai thotë se për shqiptarët dhe për Maqedoninë në përgjithësi është e nevojshme zhvillimi i ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla të cilat do të rritnin nivelin ekonomik, pasi për ndërmarrje të mëdha nuk ka shumë vend.