Gjithçka është gati për shënimin e 100-vjetorit të Besëlidhjes dhe të 20-vjetorit të pajtimit të gjaqeve. Kështu, ka bërë të ditur Këshilli Organizativ i këtij manifestimi, i cili mbahet sot me 1 maj nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj.

“Të shtunën të gjithë në vendin historik “Verrat e Llukës”, i është bërë thirrje publike të gjithë bashkëkombësve nga gjitha trojet shqiptare për të shënuar këta përvjetor, të cilat kishin bashkuar shqiptarët në luftën e tyre të armatosur për pavarësinë e Shqipërisë dhe ndërkohë, edhe të shtetit të pavarur të Kosovës.

“Gjithçka është gati për ditën e madhe”, ka thënë Rasim Selmanaj, kryetar i Komunës, i cili është vënë në ballë edhe të Këshillit Organizativ për shënimin e këtyre dy përvjetorëve të historisë sonë të lavdishme.

Sot, të gjitha rrugët do të bashkojnë bashkëkombësit në vendin historik “Verrat e Llukës” në Deçan, ndërsa deçanasit do të mirëpresin të gjithë pjesëmarrësit e këtij manifestimi gjithëkombëtar, ka konfirmuar ai, duke treguar se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme. Fal donatorëve dhe sidomos biznesmenit Adem Rrustemaj, është bërë rregullimi i të gjitha hapësirave.

“Po ashtu, janë bërë edhe të gjitha përgatitjet e tjera të nevojshme, ngase presim që në këtë tubim gjithëkombëtarë të marrin pjesë qindra mijëra qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare”, ka thënë kryetari Selmanaj.

Sipas tij, ardhjen e tyre e kanë konfirmuar edhe personalitete të institucioneve të vendit, lider partish, veprimtar të ndryshëm të çështjes kombëtare, të pajtimit të gjaqeve etj. Ndonëse, ky manifestim i përkushtohet shënimit të këtyre dy përvjetorëve, begatia e tij do të shtohej edhe në vazhdimin e traditës.

Për këtë qëllim enkas, kohë më parë është vënë në veprim edhe Këshilli i Pajtimit, i cili ka intensifikuar aktivitetin e tij. Nasim Haradinaj, kryetar i këtij këshilli, beson se pjesë e këtij manifestimi do të jetë edhe shtrirja e dorës së pajtimit të familjeve në ngatërresa të ndryshme. Ai në emër të këtij këshilli u ka bërë thirrje publike të gjitha familjeve se tek “Verrat e Llukës”, është vendi dhe Kuvendi, të falin, ashtu siç kishte ndodhur edhe para 20 vitesh, ku nën tytat e armikut, të gjitha faljet ishin në emër të Kombit, flamurit dhe Kosovës.