Bashkimi_EvropianNuk ka datë për fillimin e negociatave për Maqedoninë as në Samitin e sivjetmë të Unionit. Në takimin e krerëve të shteteve anëtare të BE-së, më 19 dhe 20 dhjetor, nuk do të shqyrtohet mundësia për dhënien e datës, por Këshilli do t’i rikthehet çështjes së Maqedonisë, vitin e ardhshëm, në çdo kohë të mundshme, por vetëm pasi vendi të ketë treguar progres domethënës në promovimin e marrëdhënieve të mira ndër-fqinjësore dhe zgjidhjen e problemit të emrit. Një detaj akoma më i rëndësishëm, është se raportoi e kategorizon Maqedoninë, një vend më poshtë. Në raportin e këtij viti Maqedonia figuron në pjesën e marrëveshjes për stabilizim asociim dhe jo atë për zgjerim siç figuronte një vit më parë.

“Eksiton nevoja që bisedimet e stërzgjatura për çështjen e emrit, të afrohen drejt zgjidhjes përfundimtare pa vonesa të mëtejshme. Nevojitet një veprim vendimtar. Këshilli pret veprime konkrete edhe në marrëdhëniet me Bullgarinë”.

Në konkluzionet e miratuara nga ministrat e jashtëm të vendeve anëtare nënvizohen edhe mangësitë e tjera që pengojnë marrjen e datës.

“Ekziston shqetësim serioz rreth rritjes së politizimit të institucioneve shtetërore dhe shtimit të mangësive sa i përket pavarësisë së gjyqësorit dhe lirisë së mediave. Dështimi për adresimin e këtyre çështjeve dëmtoi vazhdimësinë e reformave. Këshilli i bën thirrje autoriteteve të ndërmarrin masat e duhura për zgjidhjen e shpejtë të këtyre problemeve”.

Këshilli gjithashtu shpreh shqetësim nga kriza politike dhe bën thirrje për dialog politik konstruktiv dhe përfshirës mes qeverisë dhe opozitës. Për sa iu përket marrëdhënieve ndëretnike, theksohet nevoja për ndërtimin e besimit mes bashkësive dhe rishikimit të Marrëveshjes së Ohrit. Pas miratimit nga shefat e diplomacive të vendeve anëtare të BE-së, pritet që të enjten dhe të premten këto konkluzione të miratohet edhe nga krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së.