Reuters: Vrasja – benzinë në tensionet e mëtejme në ish-republikën jugosllave

Tajmingu i vrasjes së pesëfishtë para festave Të Premtes së Madhe dhe dy ditë para Pashkëve Ortodoks mund të jetë benzinë në tensionet e mëtejshme në këtë ish-Republikë Jugosllave.Kjo thuhet në një raport të agjencisë prestigjioze të lajmeve “Reuters”, e cila ka informuar për vrasjen e pesë personave në liqenin në afërsi të fshatit Smilkovc të Shkupit.

Sipas “Reuters”, Policia e Maqedonisë kishte gjetur trupat e personave të vrarë me armë zjarri në afërsi të një lumi në dalje të Shkupit.

Agjencia shkruan se bëhet fjalë për një akt makabër që sjellë rrezikun e hedhjes së benzinës në këtë vend të paqëndrueshëm multietnik.

Policia i ka thënë agjencisë se akoma nuk ka identifikuar viktimat apo kryerësit e vrasjes, dhe se nuk kanë dijeni se cili është motivi i kësaj vepre kriminale.

“Në vendin e ngjarjes kemi zbuluar gëzhoja, gjurmë gjaku dhe të gjithë trupat kanë plagë nga armët e zjarrit”, citohet komunikata e MPB-së.

Sipas raportit, qindra njerëz nga lagja e afërt në afërsi të vendit të ngjarjes janë tubuar dhe kërkojnë hetime urgjente, por nga ana tjetër, duke sulmuar me gurë makinat që lëvizin në këtë aks rrugor.

Autoritetet kanë reaguar duke nxjerrë në terren njësitet për ndërhyrje të shpejtë. “Reuters” komenton se një nga teoritë e hedhura është se vrasja është e lidhur me tensionet e rritura ndëretnike në këtë vend të varfër prej dy milion banorë.

“Tajmingu i vrasjeve mund të jetë hudhje e benzinës në tensionet e mëtejshme në këtë ish-republikë jugosllave. Në vitin 2001 kishin shpërthyer përleshjet midis forcave shtetërore të sigurisë dhe luftëtarëve etnik shqiptar, deri në një moment, kur diplomacia perëndimore i nxorri ata para një pragu të luftës qytetare”, shkruan “Reuters”.

Sipas saj, një dekadë pas konfliktit, tensionet vazhdojnë, të nxitura nga varfëria dhe përparimin e ngadaltë në integrimin në BE dhe NATO