Radikalët e djathtë grekë pas kangjellave të burgut
Këtë nuk e kishin pritur as kundërshtarët më të ashpër të “Agimit të Artë”: me pranga në duar, para kamerave televizive i gjithë grupi udhëheqës i partisë “Agimi i Artë” u dërgua të shtunën në komisariatin e policisë së Athinës për t’u marrë në pyetje. Prokuroria i akuzon deputetët e djathtë për pjesëmarrje në një organizatë kriminale dhe ka bastisur zyra të partisë, banesa private të politikanëve të arrestuar – madje edhe zyrat e tyre në sallën plenare të Parlamentit grek – një mënyrë veprimi deri tani e paprecedentë në demokracinë greke. U arrestuan ndër të tjera vetë kryetari i Partisë, Nikolaos Michalolakios, deputeti përgjegjës për punën me sindikatat, Jannis Lagos si dhe zëdhënësi i partisë, Ilias Kassidiaris. Dje u vetëdorëzua edhe kryetari i grupit parlamentar, Christos Pappas, i cili besohet se është zëvendëspresident i shoqatës kriminale, si dhe 12 persona të tjerë. Që prej qershorit 2012, “Agimi i Artë” përfaqësohet me 18 deputetë në parlamentin e Athinës.
Përndiqen jo mendësitë, por veprat
Shkas për veprimet e ashpra kundër radikalëve të djathtë ishte me sa duket vrasja me thikë e muzikantit të muzikës Hip-Hop, Pavlos Fyssas në një lagje periferike punëtorësh më 18 shtator. I dyshuari si doras u kap menjëherë dhe tha se ishte anëtar i partisë radikale të djathtë, gjë që kjo e kundërshton. Prej atëherë, politikanë të qeverisë deklarojnë në çdo rast që u jepet se dhuna me motive fashiste nuk duhet pranuar. “Në një demokraci nuk duhen përndjekur mendësitë, por veprat. Aktivitete kriminale të trupave të goditjes SA (“Sturm Abteilung”, organizatë paraushtarake naziste në Luftën e Dytë Botërore) gjithësesi duhen ndëshkuar”, paralajmëroi kryeministri konservator Antonis Samaras në një intervistë me gazetën e përjavshme të Athinës, Axia, vetëm pak prëpara aksionit të policisë. Shumica e komentatorëve e përshëndesin aksionin e ashpër kundër Agimit të Artë. “Unë nuk jam gëzuar kurrë më parë kaq shumë sa tani, kur kam parë njerëz në pranga”, mendon analisti i politikës Jannis Pretenderis në kanalin televiziv Mega Channel. Këta njerëz u mposhtën pikërisht nga rregullat e demokracisë, të cilën donin ta nxirrnin në fakt jashtë funksionit, komenton analisti politik i Athinës. Alexis Papachelas, drejtor i gazetës liberale-konservatore Kathimerini tregohet i habitur për mirë: “Nuk e patëm menduar kurrë, që do të përjetojmë një gjë të tillë,” deklaroi Papachelas në kanalin televiziv Skai. Ministrit të Rendit Publik, Nikos Dendias gazetari i shpreh me këtë rast mirënjohjen e tij. “Ai mori mbi vete një rrezik të konsiderueshëm, sepse edhe vetë në qeveri nuk qenë të gjithë dakord me taktikën e tij.”
Rreziqe juridike
Sipas mendimit të komentatorëve, rreziku konsiston edhe në faktin se aksioni i policisë do ta bëjë të pakapshme nga organet juridike Agimin e Artë. Meqenëse bëhet fjalë për një akt të paprecedent, nuk ka as rregulla të përcaktuara qartë për ekstremistët e djathtë. Ajo që është e qartë është se për momentin nuk diskutohet një ndalim i Agimit të Artë, aq më tepër që në Greqi nuk ka gjykatë kushtetuese, që të mund ta shqiptonte këtë ndalim. Për këtë arsye, ministri i Brendshëm Dendias synon të marrë për bazë ligjet penale ekzistuese dhe ta kualifikojë Agimin e Artë në këtë kuptim si organizatë kriminale