rexhep_qosjaAkademik Rexhep Qosja ka thënë se Kosova është duke u dëmtuar nga korrupsioni, nepotizmi, krimi i organizuar dhe intrigat e denoncimet nëntokësore të LDK-së ndaj subjekteve politike të dala prej UÇK-së.Ai ka vlerësuar se Kosovën gjatë këtyre gjashtë vjetëve prej se është shpallur shtet i pavarur dhe sovran e ka parë si shtet në ndërtim e sipër. “Si shtet që, megjithatë, ka shënuar disa përparime, por përparimit të të cilit një varg pengesash ia kemi bërë vetë. E kam parë si shtet për punët e të cilit, më shumë sesa sovrani i vërtetë, populli, vendosin faktorët ndërkombëtarë, para së gjithash EULEX-i si me të tjerë”, ka deklaruar Qosja.
Ai ka thënë se, përveç veriut, gjithnjë të sunduar prej serbëve dhe Beogradit, Kosovën, mendimin për të në botë, zhvillimin e saj, marrëdhënien ndërmjet qytetarëve të saj e komprometojnë, e cenojnë, sidomos korrupsioni, nepotizmi, krimi i organizuar dhe intrigat e denoncimet nëntokësore të Lidhjes Demokratike të Kosovës. “Të mos harrojmë se fushata që po zhvillohet dhe terrori pseudojuridik që po ushtrohet tani e sa muaj kundër grupit të Drenicës, në të cilin janë edhe figurat historike – heronjtë e luftës çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi dhe Sami Lushtaku, në masë të madhe janë prodhim i denoncimeve që LDK-ja ka bërë që prej çlirimit, në qershor të vitit 1999, kundër UÇK-së”, është shprehur Qosja.
“Epoka e re”: Akademik Qosja, si e shihni Kosovën për gjashtë vjet shtet?
Qosja: Kosovën gjatë këtyre gjashtë vjetëve prej se është shpallur shtet i pavarur dhe sovran e kam parë si shtet në ndërtim e sipër, si shtet që, megjithatë, ka shënuar disa përparime, por përparimit të të cilit një varg pengesash ia kemi bërë vetë. E kam parë si shtet për punët e të cilit, më shumë sesa sovrani i vërtetë, populli, vendosin faktorët ndërkombëtarë, para së gjithash EULEX-i si me të tjerë.
“Epoka e re”: Sa kanë qenë të vështira këto vite për shtetin e Kosovës dhe për qytetarët e saj?
Qosja: Gjashtë vjetët e shkuara ishin vite të entuziazmit pse, më në fund, u bëmë shtet, prandaj edhe nuk ua kemi kushtuar vëmendjen e duhur vështirësive me të cilat ballafaqohej Kosova e këto vështirësi ishin: pengesat, problemet, diversionet që na shkaktonte Serbia në veriun e Kosovës; problemet në procesin e ndërtimit demokratik të institucioneve shtetërore; problemet që shkaktoheshin në funksionimin e këtyre institucioneve – të vetëdijshme a të pavetëdijshme; denoncimet e ndryshme që disa parti, në radhë të parë LDK-ja, ua bënin partive të dala prej UÇK-së para ndërkombëtarëve dhe, sidomos, korrupsioni, krimi i organizuar dhe nepotizmi.
“Epoka e re”: Ku ka arritur Kosova progres e ku regres gjatë këtyre viteve?
Qosja: Njëfarë progresi është arritur në fushën ekonomike, pa e përjashtuar këtu bujqësinë, që deri para katër vjetëve ishte lënë krejt pas dore, ndërsa progres i veçantë, unë them i madh, është arritur në fushën e njohjeve ndërkombëtare të shtetit të Kosovës. Njohja e Kosovës prej 106 vendesh, shtetësinë e së cilës përpiqen ta pengojnë shtete të mëdha siç janë Rusia dhe Kina, është vërtet sukses i madh, sukses për mburrje. Të mos e përdor fjalën regres, po të them se moszhvillim kanë pësuar shëndetësia dhe arsimi – në moszhvillimin e tyre në cilësi e jo në sasi, kurse krijimtaria shkencore, artistike dhe kultura në përgjithësi kanë pësuar një shpërfillje të paparë si në asnjë shtet në Ballkan, përpos edhe në Shqipëri. Dhe këtë moszhvillim e dëshmojnë edhe kuadrot e caktuara joprofesionale, jo krijuese për ta udhëhequr kulturën, mjetet që jepen për të dhe, më në fund, vetë veprimtaria në fushë të shkencave, të arteve e të kulturës në përgjithësi, që në masë të madhe është kiçizuar, është shundizuar, kur e kur banalizuar.
“Epoka e re”: Kosova vazhdon të përballet me veriun. Besoni se kjo çështje do të zgjidhet në dialogun që kohë pas kohe po mbahet në Bruksel?
Qosja: Si mund të zgjidhet çështja e veriut në dialog me komsomolistin më të përkushtuar të Millosheviqit, Daçiqin dhe me komsomolistin më të përkushtuar e më të shovinistizuar të Sheshelit, Vuçiqin. Në dialog me ta, që po zgjat aq sa po shohim se po zgjat, sipas mendimit tim, çështja e veriut vetëm sa do të maskohet me një sërë pseudomarrëveshjesh të përkohshme.
“Epoka e re”: Në opinion ka mendime të ndryshme: disa deklarohen se Kosova po humbet nga ky proces dialogësh, disa të tjerë deklarohen se po fuqizohet si shtet. Mendimi juaj?
Qosja: Autonomia e serbëve të veriut, një autonomi Kalë Troje në historinë e ardhshme të Kosovës, objektivisht flet për dobësim të shtetit të Kosovës në këtë proces dialogësh të pafund. Shumica jonë, ndërkaq, ka një iluzion shumë vlerësues për procesin e bisedimeve me Serbinë, kurse në fillim të tij as unë nuk isha plotësisht i çliruar prej këtij iluzioni.
 
“Epoka e re”: Megjithatë, pjesëmarrësit në këtë dialog, zonja Eshton dhe kryeministri Thaçi e Daçiq u propozuan për Çmimin Nobel si të merituar për paqe të përjetshme mes Kosovës dhe Serbisë.
Qosja: Është ky një propozim fare joserioz! Si mund t’i jepet Çmimi Nobel një bashkëpunëtori tepër besnik e veprues të Millosheviqit, të cilin e rëndojnë politikisht, ushtarakisht, humanitarisht, moralisht gjenocidi në Bosnjë, konkretisht në Srebrenicë, dhe krimet ndaj popullatës shqiptare në Kosovë? Jo. Besoj se dhënësit e atij çmimi nuk do të lejojnë të zhvlerësohet aq tejskajshëm humanizmi i atij çmimi.
“Epoka e re”: Përveç veriut, çka tjetër e rrezikon Kosovën?
Qosja: Përveç veriut, gjithnjë të sunduar prej serbëve dhe Beogradit, Kosovën, mendimin për të në botë, zhvillimin e saj, marrëdhënien ndërmjet qytetarëve të saj e komprometojnë, e cenojnë, sidomos korrupsioni, nepotizmi, krimi i organizuar dhe intrigat e denoncimet nëntokësore të Lidhjes Demokratike, që do të bëhen mbitokësore në qoftë se fataliteti tragjik e sjell këtë parti në pushtet në zgjedhjet e ardhshme. Të mos harrojmë se fushata që po zhvillohet dhe terrori pseudojuridik që po ushtrohet tani e sa muaj kundër grupit të Drenicës, në të cilin janë edhe figurat historike – heronjtë e luftës çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi dhe Sami Lushtaku, në masë të madhe janë prodhim i denoncimeve që LDK-ja ka bërë që prej çlirimit, në qershor të vitit 1999, kundër UÇK-së.
“Epoka e re”: Zoti Qosja, drejtuesit e UÇK-së me të drejtë vlerësohen meritorë për lirinë e Kosovës, por pse nga një pjesë e qytetarëve kaq shpejt ka filluar t’u humbë respekti për luftën çlirimtare dhe bartësit e saj?
Qosja: Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe drejtuesit e saj nuk mund të vlerësohen ashtu: meritorë për lirinë e Kosovës sepse ky togfjalësh nuk e thotë të gjithën për rolin e tyre historik për Kosovën. Ata në të vërtetë janë forca politike dhe ushtarake që e çliroi dhe e bëri Kosovën shtet të lirë, të pavarur dhe sovran. Ata më së pari ia kthyen Kosovës nderin e dinjitetin që ia kishte fundosur Lidhja Demokratike me Ibrahim Rugovën e trullosur prej uiskit dhe me ato partitë shërbëtore të saj; në sajë të këtij nderi e dinjiteti që ia ktheu Kosovës, UÇK-ja arriti t’i mobilizojë të gjithë ata shqiptarë që nuk ishin indoktrinuar me paqen fyese, përulëse të LDK-së dhe t’i bëjnë politikën dhe luftën çlirimtare deri në arritjen e lirisë e të pavarësisë së Kosovës. Mjerisht, një mijë herë mjerisht, gati të gjithë drejtuesit e UÇK-së që po e bëjnë politikën e Kosovës sot nuk e gëzojnë më prestigjin që kishin jo vetëm gjatë luftës, por edhe menjëherë pas luftës. Për shkak të disa sjelljeve shumë të përsëritura, për shkak të disa gabimeve jo vetëm politike, në njërën anë, kurse për shkak të propagandës së fshehtë, tinëzare dhe, kur e kur, të hapët të disa partive kundër tyre, në anën tjetër, janë ulur mirëkuptimi dhe nderimi i shumë qytetarëve për ta.
“Epoka e re”: Mos një pjesë të fajit e bartin mbi supe vetë drejtuesit e kësaj lufte?
Qosja: Po, e thashë. Sipas mendimit tim, populli nuk ua fal sot as nesër pasurimin e shpejtë, që nuk arrihet me rroga, privilegjet e ndryshme, luksin, megalomaninë pushtetore dhe privatizimin katastrofal të fabrikave, ndërmarrjeve të ndryshme, tokave, të pasurisë së Kosovës e të tjera.
“Epoka e re”: Mund të numëroni edhe ndonjë gabim tjetër që nuk u falet atyre?
Qosja: I ashtuquajturi nepotizëm, domethënë familjarizëm në punësim, po ashtu është faj që nuk u falet lehtë atyre. Administrata dhe ekonomia kosovare sot për sot mund të quhen administratë dhe ekonomi familjare dhe miqësore! Këto ditë një ish-anëtar i dikurshëm i Kryesisë së LDK-së, militant edhe disa vjet pas luftës i LDK-së, u lavdërua se i ka fëmijët në pozita të dalluara politike dhe pushtetore, kurse njërin prej këtyre fëmijëve e ka diplomat e tjetrin ministër. E ky njeri ishte kundërshtari shumë i hapët dhe shumë veprues kundër UÇK-së dhe Qeverisë së Përkohshme, të cilit nuk kanë arritur t’ia mbushin mendjen që t’i njohë UÇK-në dhe Qeverinë e Përkohshme as Rexhep Meidani e Sabri Godo! E unë, që kam bërë 99 herë më shumë se ai me shokët e tij për Kosovën dhe kam bërë për Kosovën kur ai me partizanët e ardhshëm të LDK-së së ardhshme diferencoheshin gjunjëzisht kundër demonstratave të rinisë sonë studentore e shkollore duke i quajtur nacionaliste, irredentiste e kontrarevolucionare, me çka e arsyetonin burgosjen e pjesëmarrësve në to, unë, pra, për plot dhjetë vjet nuk kam mundur ta punësoj bijën time e cila e ka fakultetin e kryer dhe i flet e i shkruan dy gjuhë të huaja – anglishten e frëngjishten. Kjo ishte dhe vazhdon të jetë politika e punësimit e PDK-së, e LDK-së dhe, siç po shihet, tani, edhe e Vetëvendosje!-s.
“Epoka e re”: Po shfaqjen në skenë të ish-udbashëve si e keni parë?
Qosja: Një gabim i madh që u është hakmarrë në zgjedhjet e fundit lokale dhe që, sipas të gjitha gjasave, do t’u hakmerret edhe në zgjedhjet e ardhshme PDK-së dhe AAK-së në qoftë se nuk heqin dorë prej tij, është heshtja për të kaluarën politike dhe pushtetore të disa kuadrove të sotme partiake dhe politike të LDK-së dhe të disa partive a ish-partive të tjera. Katërmbëdhjetë vjet pas luftës drejtuesit e UÇK-së, organizatat e UÇK-së, numri më i madh i pjesëtarëve të UÇK-së dhe të burgosurit politikë i durojnë në mënyrë vetëmohuese akuzat, rrenat, shpifjet, denoncimet që për ta shkruhen, e më shumë shqiptohen vjedhurazi e haptazi, prej LDK-së dhe satelitëve të saj! Pse durojnë e heshtin ashtu? Kësaj pse-je populli i jep përgjigje po ashtu negative për drejtuesit e UÇK-së sot në politikë. Mendja e shëndoshë politike dhe jopolitike e thotë se drejtuesit, organizatat e UÇK-së dhe të burgosurit politikë nuk është dashur të heshtin ashtu kryevarur sepse kryet e varur e pret shpata e kundërshtarit dhe e armikut shumë më shpejt dhe shumë më lehtë se kryet e ngritur. Drejtuesit e UÇK-së sot në politikë dhe organizatat e UÇK-së është dashur ta thonë kush është kush sot në Kosovë, kush është kush sot në politikën e Kosovës. Po të kishin folur çka është dashur të flasin me kohë se kush është kush në Kosovë dhe kush krejt po futet, në fillim përtokas, në politikën e sotme të Kosovës, nuk do të ndodhte që njerëz me jetëshkrim të dyshimtë, që njerëz me jetëshkrim shumë dëmtues për ardhmërinë e Kosovës para luftës e gjatë luftës, që djem e bija të dëmtuesve të tillë, në të vërtetë të armiqve të tillë të ardhmërisë së lirë e të pavarur të Kosovës, nuk do të gjendeshin sot as në Kuvendin e Kosovës, as në Qeverinë e Kosovës, as në diplomacinë e Kosovës, as në vende të shquara në administratën qendrore e komunale të Kosovës! Po të kishin folur çka kishin obligim politik e moral ndaj popullit të flisnin drejtuesit e UÇK-së në politikë sot, nuk do të ndodhte që zyrtari politik e pushtetor i Rrahman Morinës, në të vërtetë i Sllobodan Millosheviqit, Isa Mustafa, i cili ishte kryetar i Rinisë Socialiste të Kosovës para vitit 1981, i cili ishte mbikëqyrës i rrjedhave politike në radhët e studentëve, i cili ishte në organin krahinor që përcillte procesin e Inkuizicionit të quajtur diferencim ideo-politik kundër “armikut të brendshëm e të jashtëm” në Kosovë, i cili ishte në disa mandate kryetar i Qeverisë së qytetit të Prishtinës pas vitit 1981, i cili ishte ministër në Qeverinë e Kosovës në vitet 1988-1989-1990, e cila kishte shpallur gjendje të jashtëzakonshme në Kosovë gjatë së cilës ishin vrarë sa të rinj shqiptarë, nuk do të kishte ndodhur, pra, që ai shpirtshitur të bëhej edhe kryetar i LDK-së edhe kryetar i Prishtinës! Jo. E të tjera. Po të kishin folur çka kishin obligim politik e moral ndaj popullit të flisnin drejtuesit e UÇK-së në politikën e Kosovës sot nuk do të ngjante që i biri i komisarit më të pamëshirshëm politik në Kosovë, Syrja Pupovcit, i cili hartoi konkluzionet e Komitetit Komunal, të Komitetit Krahinor dhe të Konferencës Universitare të Lidhjes së Komunistëve për dënimin partiak, për nxjerrjen prej punës dhe për masa të tjera ndaj kuadrove në Universitet, në institutet shkencore dhe në përgjithësi, në arsim në Kosovë, Dukagjin Pupovci, të kapardiset vetë dhe me të shoqen në arsimin e lartë të Kosovës dhe të bëhet edhe ideolog në prapavijë i fushatës kundër rektorit më të pafajshëm, më intelektual në Universitetin e Prishtinës prej se është themeluar ai, Ibrahim Gashi, në të vërtetë ideolog i fushatës kundër Qeverisë së PDK-së e, më konkretisht, kundër kryeministrit Hashim Thaçi. Po të flisnin çka ishin moralisht dhe politikisht të obliguar të flisnin para popullit drejtuesit e UÇK-së kush ishte kush në Kosovë pas vitit 1968 e, sidomos, pas vitit 1981, para luftës e gjatë luftës, sot nuk do të ndodhte që Kryesia e LDK-së, shtatë-tetë muaj para zgjedhjeve kombëtare, ta propozonte zyrtarin pushtetor të Rrahman Morinës dhe të Sllobodan Millosheviqit për kryeministër të Kosovës! Kuku për ta dhe kuku për ne që i shikojnë kryeulur se si po e fyejnë dhe po e përulin Kosovën ata!
“Epoka e re”: Mendoni se ka ardhur koha që institucionet e Kosovës, në këtë rast Kuvendi i Kosovës, nëpërmjet një rezolute t’i dënojë krimet e komunizmit dhe të nxjerrë një ligj të lustracionit?
Qosja: Para disa vjetësh në një intervistë për gazetën “Lajm” kam shprehur mendimin se në Kosovë është e nevojshme dhe e dobishme për zhvillimet e sotme dhe të ardhshme politike të miratohet ligji për lustracionin, siç kanë bërë një varg vendesh ish-komuniste siç janë Polonia, Çekia, Hungaria e të tjera. Po ligji i lustracionit në Kosovë nuk do të jetë ligj i vërtetë i lustracionit në qoftë se dosjet e Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Kosovës, në të vërtetë të UDB-së së Kosovës, të mos sillen prej Beogradit, ku janë çuar në fund të luftës, dhe të sillen në Prishtinë. Për këtë arsye në bisedimet me Serbinë në Bruksel është e nevojshme, madje e domosdoshme, të kërkohen ato dosje prej kryeministrit serb, Daçiçit. Ato janë dosje të krijuara në Kosovë dhe ato i takojnë Kosovës. Vetëm pasi të sillen ato dosje do të shohim kush ishin dhe çka bënin shumë qytetarë, shumë intelektualë, gjysmë intelektualë, çerekintelektualë, zyrtarë dhe të tjerë, që do të arrijnë ta udhëheqin vallen politike dhe pushtetore dhe ta bëjnë pushtetin e sotëm në Kosovë! Po të sillen ato dosje në Prishtinë do të shohim se kush ishte informues, kush bashkëpunëtor i paguar e kush agjent i UDB-së; do të shohim se bijtë e bijat e cilëve prej këtyre informuesve, bashkëpunëtorëve e agjentëve të UDB-së po na i “stolisin” Kuvendin, Qeverinë, administratën republikane të Kosovës!
“Epoka e re”: Pasi rrallë gjeni kohë për të dhënë intervista, e shohim të arsyeshme të kërkojmë një mendim tuajin lidhur me zgjedhjet e 3 nëntorit. Pse partia më e madhe, PDK-ja, në këto zgjedhje i humbi disa komuna?
Qosja: I humbi kjo parti disa komuna për dy arsye: e para, për shkak të gabimeve e mëkateve politike, pushtetore, materiale e morale për të cilat kam folur para një muaji në intervistën e dhënë në ‘Ekspres’ dhe, e dyta, për shkak të heshtjes për të cilën fola më sipër.
“Epoka e re”: Pse LDK-ja në krye me Isa Mustafën e humbi Prishtinën, por fitoi në disa komuna të tjera.
Qosja: Në Prishtinë LDK-ja humbi sepse shumica e qytetarëve e dinin kush kishte qenë dhe kush është e si vepronte në Prishtinë Isa Mustafa, me çfarë dallaveresh korruptive mund të jetë ai i përzier në ndërtimet pa leje dhe në tenderët e ndryshëm; në disa komuna të tjera ai fitoi sepse zgjedhësit nuk dinin çka duhej për të, në njërën anë, dhe sepse ishin të dëshpëruar në partitë që më parë e kishin pasur pushtetin aty, në anën tjetër.
“Epoka e re”: Ju ka befasuar fitorja e Shpend Ahmetit në Prishtinë?
Qosja: Më ka befasuar mosfitorja e më të merituarit për të qenë kryetar i Prishtinës – e Agim Çekut, por nuk më ka befasuar fitorja e Shpend Ahmetit, i cili ishte i bindshëm në fushatë, çka nuk po duket në atë masë sot, mbasi është bërë kryetar i Prishtinës.
“Epoka e re”: Keni pritur se AAK-ja do të humbë në bastione të saj, kurse AKR-ja do të fitojë në Gjakovë dhe në Mitrovicë.
Qosja: Nuk kam qenë bash i sigurt për fitoren e AAK në, si thoni ju, në bastionet e saj, por kam qenë shumë i sigurt për fitoren e AKR-së në Gjakovë dhe i befasuar për fitoren e saj në Mitrovicë. Isha i sigurt për fitoren e saj në Gjakovë sepse Mimoza Kusari-Lila krijon përshtypjen e një figure të veçantë, me shumë virtyte politike e shoqërore, por jam i befasuar për fitoren e AKR-së në Mitrovicë sepse Mitrovica kishte një kryetar shembullor, të aftë për punë politike, me kulturë e me sjellje në përgjithësi të çmuara në popull.
“Epoka e re”: Po organizimin e zgjedhjeve lokale në komunat e veriut si e keni parë?
Qosja: Si anarki të shumë grupeve nacionalistshoviniste serbe në veri dhe në Serbi. Kosova as nuk diti t’i menaxhonte, as nuk diti t’i ndëshkonte politikisht dhe juridikisht organizuesit dhe zbatuesit e atij anarkizmi!
“Epoka e re”: Akademik Qosja, nëse e analizojmë pa emocione situatën e përgjithshme në vend, kur mendoni se duhet të mbahen zgjedhjet e përgjithshme?
Qosja: Kjo është punë me të cilën duhet të merren dhe të vendosin, partitë, sidomos Gjyqi Kushtetues i Kosovës. Si qytetar i Kosovës për këtë çështje lejohem të them: sa më shpejt do të duhej të miratohej reforma zgjedhore e, mandej, të mbahen zgjedhjet që, ndoshta, do të ishte më së miri në muajt e parë të vjeshtës – në shtator a në gjysmën e parë të tetorit. (VIJON)