Qëndrim Gashi-UP-ja po vlon nga krimi, korrupsioni dhe mashtrimet akademike
Universitetin e Prishtinës e ka kapluar turpi. Veprimet e rektorit Ibrahim Gashi me punimet e tij pa asnjë vlerë shkencore, funksionimi i një grupi kriminal që po hetohet dhe mashtrimet e tjera akademike e kanë degraduar rëndë institucionin më të lartë arsimor në vend. Alarmin e jep profesori i matematikës Qëndrim Gashi. Në një intervistë për Tribunën, gjeniu i matematikës ka folur gjerë e gjatë për politizimin e UP-së dhe për alternativat që të shpëtohet universiteti. Ai ka thënë se sulmet e tij nuk janë kundër një individi dhe ka mirëpritur përfoljet se mund të jetë rektor.
Tribuna: Pse është dashur të pritet një skandal në një revistë që të konfirmohet gjendja jo e mirë në Universitetin e Prishtinës?Gashi: Ndoshta një kohë është pritur se gjërat do të përmirësohen vetvetiu. Por, u pa qartazi se UP-ja po degradohej dita ditës. Uji ka qenë duke u ngrohur moti. Skandalet e fundit e shkaktuan pikën e vlimit. Problemet me krimin dhe korrupsionin në UP, të cilin po e hetojnë organet e drejtësisë, së bashku me mashtrimet akademike, të cilat nuk po i heton UP-ja, janë jashtëzakonisht serioze dhe nuk mund të injorohen. Ato nuk lidhen me vetëm një individ. Por, disa individë që do të duhej të ishin në ballë të ndryshimeve janë bërë mbrojtësit më të mëdhenj të status quos. P.sh., nëse rektori publikon tri punime pa asnjë vlerë shkencore, po e ritheksoj, pa asnjë vlerë shkencore, në një revistë mashtruese, dy muaj para se ta shpall vet konkursin për atë pozitë dhe e thyen Statutin e UP-së në mënyrë që të bëhet profesor i rregullt, kjo nuk ka se si mos të jetë turpëruese për të gjithë ne dhe të mos e zgjojë ndërgjegjen tonë. Kuptohet, ka edhe të tjerë, por ai është i pari dhe duhet të na jep shembuj pozitivë neve të tjerëve. Si t’u themi ne studentëve që ta zbatojnë etikën në provime, kur i pari i UP-së i shkel edhe parimet etike e edhe normat statutare. Nëse në njërin prej “kontributeve” të tij shkencore të titulluar “Mineralet dhe menaxhimi i tij” (jo “i tyre”) ka edhe të tjerë ko-autorë, kjo e shumëfishon turpin dhe nuk e pjesëton atë. E kur si dhuratë mbi tërë këtë marifet del se edhe revista është mashtruese, atëherë, nëse nuk reagohet, kjo i dërgon mesazh të qartë të gjithëve se mund të mashtrohet sypatrembur. E kjo nuk po lejohet nga opinioni publik e as nga ne.
Tribuna: Kush është fajtorë sipas jush që UP ka ardhur në këtë gjendje?
Gashi: Përgjegjësia primare për ngjarjet në UP i bije menaxhmentit dhe organit mbikëqyrës, Këshillit Drejtues, i cili deri tash si duket nuk ka qenë në gjendje të mbikëqyrë si duhet. Kuptohet, nuk mund të fajësohet vetëm një menaxhment. Politika deri tash e ka ngulfatur me qëllim UP-në deri në atë masë sa është vënë në pikëpyetje funksionimi normal i universitetit më të madh dhe më të rëndësishëm në vend. Ka shumë masa që duhet të ndërmerren. Duhet, veçanërisht të përmirësohet mënyra e komunikimit në UP dhe menaxhmenti duhet të komunikojë me stafin e vet jo vetëm përmes mediave. Mbi të gjitha, duhet të ndërrohet menaxhmenti aktual dhe rikompozohet Këshilli Drejtues me profesorë ndërkombëtarë dhe persona profesionistë e me integritet nga fusha të ndryshme, për ta rikthyer UP-në në rrugë të duhur.
Tribuna: A është e mundur që emrat e njohur të profesorëve të UP-së, që janë avancuar në grada falë politikës, ta përmirësojnë gjendjen në këtë universitet?
Gashi: Kushdo që ka keqpërdorur pozitat ose influencën politike, apo e ka përdorur cilindo mjet tjetër joprofesional që të avancohet, nuk mund ta ndihmojë UP-në si udhëheqës. Njëkohësisht, është shumë e arsyeshme që profesorët, edhe në UP, janë qenie politike dhe merren me politikë. Por, kur ata nuk i kryejnë obligimet në raport me studentët dhe komunitetin e UP-së, atëherë bëhen të dëmshëm edhe në politikë e edhe në UP. Është obligim i UP-së që ta vlerësojë kontributin e secilit profesor në mënyrë objektive.
Tribuna: Sipas jush, çfarë cilësie studentësh të diplomuar po nxjerr UP-ja?
Gashi: Në UP ka shumë studentë të zotë dhe mund të krenohemi me ta. Por, në përgjithësi, UP-ja nuk u ofron studentëve kushte adekuate për t’u pajisur me njohuri, shkathtësi dhe përvoja të dobishme për punësim dhe avancim të shoqërisë. Faji nuk është tek studentët, por është i yni. Pasojat, po ashtu, nuk i bartin vetëm studentët, por edhe ne. Studentët nuk janë të përfshirë si duhet as në diskutimet brenda UP-së. P.sh., mendohet se disa studentë në Senat janë e tërë ajo që ka nevojë menaxhmenti ta dëgjojë. Nuk zhvillohen sa duhet debate, diskutime, forume (edhe elektronike), nuk merren parasysh sa duhet problemet e tyre, etj. Zëri i studentëve sot kryesisht mungon në UP. Shumica janë të heshtur dhe nuk besojnë se UP-ja mund të ndërrojë shpejtë.
Tribuna: Ditëve të fundit, nga zyrtarë të caktuar është përmendur emri juaj si alternativë dhe mundësi për të udhëhequr me Universitetin e Prishtinës. A do të pranonit pozitën e rektorit dhe cilat do të ishin tri veprimet e para që do t’i bëje si udhëheqës i këtij institucioni arsimor?
Gashi: Përmendjen e emrit tim në atë kontekst e shoh si shenjë se qytetarët, të cilët e financojnë UP-në, dëshirojnë ndryshime në universitet. Dhe aty pajtohem edhe unë. Kurse, besoj se është e qartë se i tërë angazhimi im i deritashëm është parimor dhe i drejtuar jo kundër një individi, por kundër një dukurie me pasoja të mëdha rrënuese. Por, meqë e përmendët ju, që ta bëj absolutisht të qartë, më lejoni ta theksoj se unë nuk po synoj ta udhëheq UP-në dhe as që e kam synuar atë ndonjëherë. Unë madje kam kërkuar që profesorët e asocuar, sikurse jam unë dhe sikurse ishte z. Ibrahim Gashi deri para pak muajsh, një hap para profesorit të rregullt, nuk është mirë të zgjedhen rektor, ashtu që të mos kenë probleme me rastin e avancimit të tyre. P.sh., kur rektori dëshiron të gradohet me një titull më të lartë akademik, ka mundësi që komisionet që e rekomandojnë një gjë të tillë të jenë nën presion të shkruajnë recensione pozitive të pamerituara, sepse rektori ka fuqi të madhe mbi ta. Është fatkeqësi që këtë çështje e kam ngritur bashkë me kolegë edhe brenda UP-së, por nuk janë marrë parasysh sugjerimet. Por, është edhe një çështje morale në këtë rast. Meqë unë, pa dashje, në këtë kohë po bëhem një prej fokuseve të kundërshtimit të rrënimit të vazhdueshëm të UP-së, edhe pse mendimin tim për ndryshime kualitative e ndajnë shumica në UP, atëherë duhet ta përjashtoj veten si opsion-zgjidhje. Rektori nuk emërohet, të paktën jo ligjërisht, por ai zgjidhet nga kandidatët që lajmërohen pas një konkursi publik. Unë e di që ka një numër kolegësh në UP që do ta kryenin punën e rektorit edhe mirë e edhe me nderë, sikurse mund të ketë profesorë ndërkombëtarë që janë të interesuar të aplikojnë për atë pozitë.
Tribuna: Si mund ta përshkruani punën që ka bërë deri tani Rektori Ibrahim Gashi, por edhe paraardhësi i tij Mujë Rugova?
Gashi: Unë nuk dëshiroj ta analizoj punën e rektorëve të kaluar sepse do të humbnim shumë kohë. E qartë se lëvdatat do të ishin minimale. Për më shumë, ka akuza, si duket të bazuara, që në UP që një kohë ka pasur abuzime të shumta në nivele të ndryshme, të cilat kanë vazhduar edhe me menaxhmentin aktual, dhe ato duhet të hetohen seriozisht deri në fund nga organet e drejtësisë. Fatkeqësia e UP-së është se në krye të saj, qe një kohë, nuk vijnë njerëz me vizion intelektual, por me mision personal. Kjo e përfshin udhëheqjen aktuale. Natyrisht, cilindo rezultat që e ka arritur, nuk duhet t’ia mohojë askush askujt. Por, u deshën mediat dhe organet e drejtësisë që ta zgjojnë nga ëndrra menaxhmentin.
Tribuna: Keni shkruar në rrjetin social Facebook se Rektori Gashi ka përhapur disa të pavërteta ndaj jush. Cilat janë ato?
Gashi: Rektori deklaroi të premten se ai më ka emëruar mua Kryetar të Aleancës Franceze, një organizatë që promovon gjuhën dhe kulturën frënge. Unë shpresoj se ka qenë një gabim i paqëllimshëm i tij sepse ajo është thjeshtë e pavërtetë. Ai nuk ka asnjë lidhje të vetme me zgjedhjen time kryetar sepse atë e vendos Kuvendi i anëtarëve, ku z. Gashi nuk është as anëtar i thjeshtë. Unë shpresoj se UP-ja do ta korrigjojë publikisht deklaratën e tij së shpejti që të mos ketë hapësirë për keqkuptim. Është nder të jem në krye të kësaj organizate me shtrirje globale dhe qendër në Paris, ku mundohem t’i kontribuoj promovimit të kulturës frankofone.
Përndryshe, lloji i deklaratave të tilla është shqetësues në vetvete sepse konfirmon tezën se emërimet bëhen për të blerë dëgjueshmëri dhe jo për të rekrutuar profesionalizëm. Por, në këtë rast, është thjesht diçka që mund të verifikohet me fakte si deklaratë e pavërtetë e tij.
Tribuna: Çfarë mendoni se duhet të ndryshohet për të ngritur cilësinë e arsimit në Kosovë?
Gashi: Kjo është një pyetje e gjerë mbi një problem kompleks. Problemet me arsimin në Kosovë janë sistemike dhe sistematike, dhe nuk janë vetëm në UP. Ka arsye të jemi tejet të shqetësuar me gjendjen aktuale. Para pak muajsh, një studim i OECD (Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim) e rangonte Shqipërinë të 62-ën në shkenca ekzakte dhe lexim, nga 65 vende të cilat kishin marrë pjesë në studim. Në matematikë, Shqipëria ishte e 57-a. Mund ta imagjinoni se në çfarë vendi do të rangohej Kosova sikur të ishte pjesë e atij studimi. Një prej strategjive që mendoj se duhet ta përdorim është që të përhapim njohuri përmes internetit. Kjo edhe e shton transparencën e edhe i afron shkollat e universitetet me shoqërinë. Por, kjo dhe shumë hapa të tjerë mund të bëhen vetëm kur të kemi udhëheqje me vizion e kompetencë në institucionet relevante. Unë jam optimist se së bashku mund ta ndryshojmë gjendjen.