Publikohet emri edhe i një ish-spiuni

Komisioni për Verifikimin e Fakteve në Maqedoni ka publikuar sot emrin dhe dosjen e një personi tjetër për të cilin ka vërtetuar se ka qenë bashkëpunëtor i shërbimeve sekreteve.

 

Bëhet fjalë për Branko Cvetkov, i lindur në Veles, ndërsa ka qenë këshilltar në komunën e Kumanovës.

Komisioni këtë javë e konfirmoi vendimin për Cvetkovin, sipas Ligjit të ri për lustrim, i cili mes tjerash parasheh kumtimin e emrave dhe dokumenteve për bashkëpunëtorët në internet në afat prej tre ditësh.

Sipas dokumenteve të kumtuara në faqen e Komisionit për lustrim, Cvetkov ka pasur dosje personale prej vitit 1964, nga koha kur ka qenë student. Nën pseudonimin “Studenti i Velesit”, shërbimeve u ka dhënë informata për migrimin në Gjermanië Perëndimore, ku ka qendruar përkohësisht.

Cvetkov, sipas shërbimeve, është dashur të informojë edhe për aktivitetet e studentëve nga Velesi në Shkup dhe për kontaktet që i kanë pasur me turistët e huaj gjatë udhëtimeve me tren drejt fakulteteve të Shkupit. Për bashkëpunimin, siç është cekur në vërejtjen e shërbimeve, i janë paguar pesë mijë dinarë.