Protestoj!
Na ishte një kohë një zakon shqiptar kur burrat e mençur e trima mbanin mustaqe e pinin kaçak nëpër oda. Kanë qenë burra pa shkollë, po kanë ditur të kujdesen për ardhmërinë e fëmijëve të tyre, për aq sa kanë pasur hapësirë veprimi… Pikërisht këtë dua ta ndërlidh me kohën e tashme, kur në shtetin e djegur dashurie e sikleti për të ardhmen tonë, vendin e burrave të urtë me mustaqe e kanë zënë baballarët e kombit, që nga pamja duken si meshkuj, po jo dhe nga “tabiatet”, sepse kopeas përgjunjen para shtikllave të një kryepoliceje me pamje burri, të gatshme për shfarosje “terroristësh”…
Ka vite që raportohet, për çdo ditë të Zotit, për operacione të urdhëruara nga ministresha “jonë”, që ka disiplinuar me dresura animale prijësit tanë. Duke i analizuar ngjarjet në mënyrë kronologjike shihet ashiqare se, në fakt, sot e gjithë ditën, vazhdon të ndodhë ajo që ndodhi dhe dje… Urdhrat e ministreshës dhe të sejmenëve të saj të dëgjueshëm shqipfolës shndërrohen sakaq në bastisje të egra të “mbrojtësve tanë” me maska, pas të cilave mbeten dollapë të thyer, qilima të shqyer, dysheme e tavane të shkulur vandalisht dhe sy të tmerruar fëmijësh, grash e pleqsh të sëmurë…, që e shohin për së gjalli natën e varrit të xhehenemit pa pikën e fajit. Dhe, çuditërisht, pushtetarët shqiptarë, pa dallim partie, vazhdojnë të ndërtojnë bashkëjetesën me kolegët e tyre ministra e drejtorë, sikur në këso rastesh ndodh sefaja, jo hataja. Kështu ndodhi pardje në Bit Pazar, kështu ndodhi dje në Brodec, kështu ndodh dhe sot në Radushë, kështu do të ndodhë dhe nesër në ndonjë skaj të harruar shqiptarie, ku sërish do lidhen në një shtizë flamujt e dhelprës dhe gomarit dhe sërish do vazhdojë bashkëjetesa dhe dashuria e njëkahshme jona për bijtë e vetëm të Zotit, kojshitë tanë – sllavët.
Kush mund të më tregojë përse dhe brezi im, si ai i tim Eti, në lulen e rinisë detyrohet të shkruajë për kësi tmerresh, turpesh e nëpërkëmbjesh…, në një kohë kur duhet të shkruajë e mendojë vetëm për DASHURINË, në kuptimin e gjerë të kësaj fjale? Përse vetëm rinia shqiptare duhet të përballet me kësi paperspektivash? A ka kush ma thotë, në cilin vendbanim joshqiptar të shtetit tonë të dashur, veçmas pas vitit 2001, është bërë qoftë edhe një bastisje e vetme nga maskat njënacionale për të gjetur një revole a një armë tjetër pa leje? Dua ta kuptoj prej brezave më të vjetër: në cilin vend të botës vriten ata që kontrabanduakan armë dhe që, në njërën apo mënyrën tjetër, rebelohen kundër pushtetarëve që sikletin e vetëm në jetë e kanë ndërtimin e pallateve shumëkatëshe, hapjen e supermarketeve gjigante, sfrutimin e paskrupullt të popullit dhe pranimin kokulur të fyerjeve të dinjitetit kolektiv?
E kam të qartë të tërën, madje dhe me axhamillëkun personal dhe atë të brezit tim fatkeq, që rritet pa prindër, nga shkaku se baballarët tanë të mirë nuk kanë nge të merren me ëndrrat tona…, sepse temë bisedash 24-orëshe kanë gruevskët, cërvenkovskët… dhe gjithë “shpëtimtarët” tanë të tjerë, të cilëve qenka shkruar t’u biem në sexhde kot e kot 100 vitet e ardhshme. E kam të qartë, bashkë me brezin tim fatkeq, dhe kësmetin tonë të përjetshëm si njerëz të dyshuar si puna e atij qengjit të La Fontenit…, të cilët mund të likuidohen në emër të ligjit e të shtetit demokratik… E di, si Zotin një, bashkë me brezin tim fatmjerë, se me këtë gjeneratë politikanësh antikombëtarë nuk do ketë derman ky fati ynë kolektiv. Tani më gjithçka i ngjanë një seriali horror me episode që nuk sosen kurrë dhe që i mbajnë shikuesit në tensione vdekjesjellëse,që mbyllen me diagnozat e sulmeve në zemrat e në trutë e njerëzimit tonë të molisur traumash…
Të dashurit e mi! Shteti ynë i dashur po çmendet e çmontohet nga dyshimet kundrejt një etnie të tërë, të cilën e përbëjmë ne… Këtu, sa herë që bie çekani i gjyqtarit, bie për t’i shqiptuar dënimin maksimal të të dyshuarit, që, si me ligj natyre, patjetër është shqiptar! Këtu gjyqësia është e padiskutueshme dhe më kot i dënuari pa faj, i dënuari me vdekje, i likuiduari për trafik armësh… nuk ka të drejtë të kërkojë transparencë dhe monitorim të paanshëm ndërkombëtar për akuzat dhe drejtësinë e vënë në vend nga maskat njënacionale të zonjës ministreshë me manire burri dhe zëvendësit të saj shqipfolës me fytyrë qeshite. Gjyqësia është ZOT dhe pikë. Pa çka se nënat e të dënuarve, deformuarve, likuiduarve,,, kërkojnë drejtësi nëpër sheshe gjykatoresh e avlli rezidencash partiake.
S’do mend se kjo lloj gjyqësie i shkon më mirë mesjetës se sa një shteti demokratik në qendër të Evropës së qytetëruar. Po, fatkeqësisht, ne jemi jetimë e të paprindër. Si duket dhe të pashtet AMË, për çka flet më së miri vizita e kryepolicit të Kosovës së pavarur, z. Bajram Rexhepit, i cili me kokën te këmbët dhe me papërgjegjësinë kombëtare ia zbuloi zonjës ministreshë të shtetit tonë të dashur rajonet kufitare të malësisë ku paskan fshehur armët terroristët shqiptarë!!!
Bini mbas mendjes o baballarë të kombit se jeni duke bërë rrush e kumbulla ardhmërinë time dhe të brezit tim fatkeq, i cili në pamundësi për të parë dritën e diellit nga binatë tuaja shumëkatëshe, që na i prezantoni paturpësisht si flijime për vlera kombi, nuk sheh më dritë në fund të tunelit. Esëllohuni se na morët në qafë me shakatë që ne, brezi i vyshkur nën hijen e pallateve tuaja, nuk mund t’i hamë më për të vërteta e qëllimmira. Dijeni mirë se na keni lënë vetëm një obcion mbijetese: shpërnguljen, ikjen, sikterisjen… nga ky vend i mallkuar ku njerka dhe nëna, njerku dhe babai, djalli e engjëlli i Perëndisë janë me një “syret”. Pikërisht për këtë: PROTESTOJ! kundër vrasësve të perspektivës sime dhe të brezit tim fatkeq; kundër torturave të ministreshave të maskave njënacionale të kojshisë dhe shërbëtorëve të tyre shqipfolës, të djeshëm e të sotëm, që nuk skuqen kur nëpërkëmbet për turp dinjiteti kombëtar.